E premte, 29.03.2024, 06:50 AM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Të shkruash për ikjen e atit

E shtune, 21.11.2020, 08:20 AM


Të shkruash për ikjen e atit…

…shënime për librin “At…një ëndërr e gjatë” të Fatmir Terziut

Nga Timo Mërkuri

Ka pak kohë që Fatmir Terziu  publikoi librin e tij poetik me titullin “At…një ëndërr e gjatë” ose më saktë është të themi se përmblodhi në një libër një cikël të madh  poezish të publikuar në një kohë relativisht të shkurtër te gazeta Fjala e Lirë. Poezitë ndrinin si pika lotësh në rrënie, shkaktuar nga një dhimbje e madhe. Ky cikël poezish ishte si një ditar mbi situatën e rrënduar shëndetësore të të atit, ecurinë e sëmundjes, dhimbjen e birit, mendimet e meditimet e tij, dhe së fundi…ikjen e atit.  Miqtë dhe shokët ju ndodhën pranë shpirtërisht me komente të ngrohta në momentin e publikimit të poezive, por cikli vijoi gjer sa një ditë u publikua libri i tij poetik “At…një ëndërr e gjatë”, ku ishin përmbledhur gjithë krijimet e tij për këtë dhimbje e këtë ikje..Në pamje të parë duket një libër i zakonshëm poetic me temën e dhimbjes për atin, por në thelb ka shumë më shumë se kaq.

Në anët tona edhe zia e mortit ka vezullime arti oral, që ndrijnë si yje në netët e pastra të dimrit. Djali e vajton babain me ligjërime tradicionale me tekst poetik, në shtëpi e në përcjellje në varr, ditëve të mortit, në të dyzetat dhe në ditën e vitit. Kjo është ligjësi e pashkruar. (Sigurisht që biri u lë radhë vajtimi zakonor edhe miqve e shokëve që kanë ardhur për ngushëllim, pa përmëndur ligjërimet e grave  në odën e tyre, që skanë të pushuar, por ne nuk do flasim për ato). Pas një viti, vajtimi ( jo vetëm i të birit, por cilido vajtim i arirë artistikisht, dmth që u ka bërë përshtypje të pranishmëve apo atyre që e mësuan  më pas,  dhe që u ka mbetur në mëndje) shndrohej në logatje, një tip këngëvaji, sa këngë aqë dhe vaj. Tej vitit të dytë logatja shndrohej në këngë isopolifonike dhe këndohej, fillimisht nga i biri ( si për të dhënë lejen nga familja) e më pas e këndonte kushdo. Kështu shpjegohet që laboratori krijues i artit oral, nëpër shekuj dhe epoka e shndronte vajtimin me ligjërime në këngë iso-polifonike.

Ky laborator funksionon akoma edhe sot, ndonëse “mekanizmat” e tij janë tepër të “vjetëruara”, më se antikë dhe vajtimet e kanë humbur atë yllësi qiellore. Vajtimet mund të kenë humbur yllësinë, por dhimbja është e njëjta, gërryese dhe shtypëse. Dhe aty ku është shtypja më e madhe mbi disa lëndë organike, aty krijohen diamantet.

Kjo ligjësi e funksionimit të mekanizmit të shndrimit të vajtimit në këngë iso-polifonike vijon edhe sot. Po të shohësh, gati të gjithë të rinjtë e kthyer nga kurbeti të vdekur apo të vrarët e trazirave të ’97 kanë këngë të ardhura ngë bota e ligjërimeve, pavarësisht sa jetëgjata janë ato.

Poezitë e Fatmir Terziut janë ligjërime. Në këtë ne libër, unik në llojin e vet në letërsinë artistike, nëpër rreshta, të duket se ecën mes gulçeve shpirtërore të poetit që...vajton prindin. Po të lexosh me vëmëndje ato poezi, të vjen natyrshëm që t'i shtosh vargut të mesit apo vargut të fundit atë klithmën gjëmëtare oi, oiiii...të vajtimit. Realisht ajo aty është, e mbuluar me një vel të tejdukshëm poezie, në një qoshe te vargjeve. Brenda këtyre poezive është vajtimi, në skajet e tyre është klithma. Madje në qoftë se do tua recitosh këto poezi plakave të fshatit tim të origjinës, ato menjëherë do ti “qëndisin” këto vargje në një vajtim tradicional dhe në një situatë të ngjashme mortore edhe mund ti ligjërojnë me vajtim. Unë edhe ju i dashur lexues jemi shumë “modern” për ta  realizuar këtë process “kthimi mbrapa” të poezisë në vajtim, por ne duhet të jemi aq të ditur sa ta dallojmë lotin brenda  zanoreve të vargjeve, sepse siç thotë autori… Në zanoret e tyre lahen shtatë palë heshtje,/shtatë palë retina lajnë grimin e mishtë syve...”Zoti lexon në gjuhën e heshtjes” (f.q. 9). Sepse…dhimbja …gjithnjë është një nga ato dhimbjet/që theksohen vetëm me zanore…/… unë u ngjaj dhimbjeve të tua/nuk jam katarakti/jam etja/para etjes ndjej lëvrima trupi /shkëpus dihama nga vetja…”Unë u ngjaj dhimbjeve të tua” (fq 16)

Kjo është llogjika e arsyes pse Fatmir Terziu na dha librin “AT...një ëndërr e gjatë”, një përmbledhje vajtimesh të shndruar në poezi.

Funksionimi i mekanizmit të trasformimit të vajtimit, në rastin e Fatmir Terziut  ka ecur më tejë, vajtimi i të birit (s'ka rëndësi i heshtur apo gjëmimtar) ka kapërcyer ylberin e këngës dhe na është paraqitur në një poezi të bukur, ku  në çdo degë kanë çelur gonxhet e dhimbjes. Eshtë një vazhdimësi sa llogjike aq dhe befasuese, por gjithsesi është pjesë e jetës dhe sidomos pjesë e traditës sonë, dhimbja krijon art. Mund të themi se është libri i parë i këtij lloji, plot me poezi të buruara direkt nga shndrimi i ligjërimeve mortore në art..

Përkundër komenteve të shumta që shoqëruan publikimin e poezive fillimisht, për këtë libër nuk u shpreh asnjë, vec komenteve të zakonëshme, nga droja se mos i lëndonte plagën autorit. Poeti, në faqet e këtij libri ka palosur  zemrën e tij të mbushur me plagë nga dhimbja, shpirtin e tij të mbushur me vrima nga dënesat, krojet e syve që ridhnin lotë papushim, klithmën njerëzore, vajtimin tradicional të trasformuar  në art dhe të gjitha këto plagë të mahisura skaj më skaj, ky vetë i ka vënë para lexuesit,. Plaga e mahisur nuk shërohet duke e përkëdhelur lehtazi me gisht, por kjo përkëdhelje i lehtëson dhimbjen (apo i krijon iluzionin e lehtësimit) të dhimbjes njeriut.

Unë e di që Fatmir Terziu do shkruajë ende shume poezi të tilla, për një kohë të gjatë duke na shkaktuar neve një gulç rrënkimi gjatë leximit, dhe duke lexuar poezitë e ardhëshme, mua do më kujtohet një foto e tij me portretin e të atit në duar. Atëherë do më kujtohet ai vajtim-logatje e famshëm:O Hasim (Jaho) o çepe krënde/ S’dimë si tja bëjmë sat’ëme/../ Kullon lot mbi pallën tëndë…që me një përshtatje emri te vargu i parë, një ndryshim  nga “sat’ëme” në “tët biri”  te vargu i dytë dhe te vargu i fundit të zvëndësohet fjala “pallë” me fjalën ”foto”, konkretizohet teksti dhe të lotojnë sytë.

Kjo është jeta, prindërit tanë dhe me ikjen e tyre, na mbjellin në shpirt filliza të bukur të artit, pavarësisht se vetë ata s'kanë qenë poetë apo nuk kanë lexuar me pasion poezitë tona. Ata janë prindërit tanë që na mbollën në shpirt farën e të bukurës, pavarësisht se kur mbin ajo, pavarësisht se mbin, rritet e çel gonxhe përmes një dhimbjeje.

Dhimbje si ajo e lindjes së fëmijës.

Sarandë, më  20.11.2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora