E enjte, 28.03.2024, 09:36 AM (GMT)

Kulturë

Namik Selmani: Çamëria është dhimbje e dashuri

E enjte, 20.11.2008, 12:02 PM


Intervistë me poetin , publicistin e fotografin Namik Selmani

 

Nga Albert Zholi
 
Botimet dhe veprimtari të tjera artistike
1970-1992 boton vazhdimisht në gazetat letrare të kohës si në gazetën “ Drita” , Nëntori”, “Ylli” etj si dhe dhe në organet për fëmijë si “ Fatosi”, “Pionieri” “ Horizonti” etj
1992-1996 është kryredaktor i gazetës lokale ( Dega e PR-Berat) “E vërteta”
1996-1997 punon për dy vjet si bashkëpunëtor i jashtëm i gazetës “Republika” – Tiranë
1980 Punon si libretist i disa veprimtarive të rëndësishme kulturore dhe letrare masive pranë Qendrës Kulturore Berat dhe me shkolla të mesme të Beratit
1975-2005 Me ndonjë interval të shkurtër mungese merr pjesë si autor i shumë teksteve të këngës në Festivale të Këngës për fëmijë në qytete të ndryshme
2000- Boton përmbledhjen e parë poetike “ Vatra e mallit”
2003 Boton me një tirazh të lartë përmbledhje me poezi “Zërat e brigjeve të mia”
2004, dhjetor boton përmbledhjen me proza “Dallëndyshet e Çamërië”
2005 Boton përmbledhje me poezi “Kroi i këngës çame”
1974-2005 boton mbi 500 shkrime të ndryshme publicistike në shtypin pedagogjik, në gazeta të tjera brenda e jasht vendit
Është Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarve dhe Artistëve
1996- në vazhdim është Anëtar i rregullt i Shoqatës Ndërkombëtare të Fotografisë artistike “ VORLD PRESS PHOTO” me qendër në Amstredam të Holandës
2000-2005- merr pjesë në disa konkurse të fotografisë artistike në Tiranë, Berat e në qytete të tjerë
1998-2007 është redaktor i disa librave të disa autorëve të rinj e të tjerë kryesisht me poezi
2004 Është autor i albumit të parë fotografik me temën çame të titulluar “Çamëria rron”
2006 -Boton përmbledhjen me proza “Trokitje në Dodonë”
2006- Boton një libër për kulturën e të shkruarit dhe në ndihmë të Maturës Shtetërore për shkollën e mesme “Filizët e fjalës gjimnaziste “ (Në ndihmë të nxënësve dhe mësuesve të shkolave të mesme)
2000-2007
* Hap shumë ekspozita fotografike individuale me temën çame dhe atë të Beratit në qytete të tilla si në Prizren, Tetovë, Ankona dhe Fabriano (Itali) dhe në shumë qytete të Shqipërisë
* 2006- Boton monografinë “Abaz Dojaka_- Mjeshtër i Kulturës Popullore”
* 2006 Boton përmbledhjen poetike të titulluar “ Fari çam”
* 2007- Boton përmbldhjen me proza “ Kërkoj monumentet” që është shpërndarë edhe në SHBA
* 2007- Boton një libër publicistiko-letrar “Rruga e një shkolle“ kushtuar përvojës së fituar në shkollën e mesme profesionale “Stiliano Bandilli” Berat në bashkëpunim me Fondacionin Zviceran “ SVISSCONTAKT”
* 2007- Boton një antologji personale me poezitë më të mira me temën çame të titulluar “SHPIRTI ÇAM”.
* 2007- Boton librin me poezi “Dritaret e besimit”, për të cilin nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe Qytetërimit Islam ( AITC) cilësohet “LIBRI MË I MIRË I VITIT”, i zyrtarizuar në një ceremoni solemne në Tiranë
* Mars 2008- Boton librin pedagogjik “ Arkivi i fjalës “ në ndihmë të mësuesve dhe nxënësve të shkollave të mesme në lëndën e gjuhës dhe letërsisë
* Është Anëtar i Kryesisë së Lidhjes Shqiptare në Botë.
* Është zëvendëskryeredaktor i Revistës mbarëkombëtare “Krahu i shqiponjës”
* Është Anëtar i Kryesisë së Shoqatës për Identiteitn e Bashkimin Kombëtar
*Që prej vitit 2004 është anëtar i rregullt i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
* Bashkëpunon aktualisht rregullisht me gazetat “ Ndryshe” , “55”, “Republika”, “Drita islame”, “Mati” (Burrel), “Dibra”, “Gazeta e Beratit”(Berat), etj dhe me revistat letrare kulturore periodike “Familja”, “Emathia”, “ Kuvendi” , “Krahu i shqiponjës”
* Qershor 2008 merr pjesë me dy libra në Konkursin Letrar të gazetës “ Telegraf” Tiranë
 
- Cia është lidhja juaj fizike e shpirtërore me Çamërinë?
 
-Unë kam lindur në fshatin Ninat të Saranës më 1950. Babai im, Ibrahimi, ishte martuar me një vajzë nga Filati. Filati është një qytet i vogël që ndodhet sot në territorin e shtetit grek, i ngritur mbi disa kodrina të bukura mbi bregun e djathtë të lumit Kalama. Është një qytet me një klimë shumë të favorshme, por sidomos me tradita të shumta kulturore. Për këtë mjafton të kujtojmë se më 1908 (viti i lindjes së babai tim) në të si një qendër e rëndësishme e lëvizjes patriotike shqiptare për Jugun u krijua klubi “ Vëllazëria”.
Në ato vite krushqitë e djemve të këtej kufirit administrativ me vajza të krahinës së Çamërisë matanë kufirit ishin më se të zakonshme. Kjo bëhej paksa e lehtë për dy arsye. Midis dy anëve të kufirit administrativ të Shqipërisë me Greqinë nuk kishte kufi të mbyllur, gjë që bëhej sa për një largpamësi të diplomacisë së qeverisë së Zogut po aq sa edhe me një pikësynim të qeverisë greke që donte me çdo kusht shkombëtarizimin e popullsisë së kësaj treve apo edhe largimin e saj .
Është interesant të thuhet se edhe gjyshja ime nga ana e nënës ishte vajzë nga Shalësi i Konispolit dhe ishte martuar në fillim të shekullit XIX në qytetin e Filatit. E përmenda këtë fakt të personalizuar gjithësesi të bukur për simbolikën e tij për të treguar atë frymë të mbijetesës çame që nuk përfillte kufinjtë, që kërkonte me çdo kushte të mbante të gjallë traditat e shkëlqyera patriotike, kulturore, etnografike që kanë qenë guri i rëndë i mbijetesës së kombit tonë përballë furive shoviniste të fqinjëve.
 
-Përmendet Filatin, po Ninati çfarë ju ka dhënë në personalitein tuaj njerëzor e krijues?
 
Në mënyrë tepër instiktive të natyrshme vendlindja është një “shkollë“ pa libra e profesorë për secilin njeri paçka se ai mund të ngjisë një ditë shkallë të mëdha lavdie, pasurie, talenti apo edhe të mbetet një njëri anonim me punën e jetën e tij të heshtur.Vështirë që të gjesh një njeri në moshën madhore që të mohojë vendlindjen e tij, të paktën si emër.
Ninati është një fshat prej 100 familjesh të gjithë të besimit mysliman, të lidhur ngushtë shumë ngushtë me token, blektorinë dhe shumë më tepër me besimin. Jam larguar nga fshati në moshën 7 vjeç. Kuptohet në vitin 1957 e më vonë, në vitet e komunizmit nuk mund të bëhej një njohje e plotë me historinë e traditat e secilit fshat në planin kombtar. Njohja jonë niste e mbaronte te emrat e shesheve, të krojeve, te varreve, të brigjeve, të mullinjve. Nëse do të doje të bëje një vizitë në fshatin Ninat, para viteve 90 duhet të bëje një intervistë disaorëshe ku të jepje një mijë e një garanci në kohën, në njerëz ku do bujtje, kur do të ktheheshe pasi ai ishte në zonën e rreptë kufitare dhe mund të ishe një nga kontigjentet e rrezikshme të të arratisurve jasht vendit në Greqi.
Është shumë interesant që vetëm një fshat si Ninati të ketë në hapësirën e tij 14 kroje. Të gjithë me një emër të caktuar. Të gjithë me ujë të ftohtë që ligjërojnë ende si rapsodë të pavdekshëm lirikash. Duke qenë paksa larg qendrave të mëdha urbanistike edhe sot atje ruhen shumë gjurmë të etnografisë çame që mbeten ende të virgjëra për hulumtime të ndryshme. Ruhen këngët, vallet, gojëdhënat. Aq më tepër që hulumtime ekspeditsh kulturore, gjuhësore, sot nuk mund të bëhen në trevat e Çamërisë matanë kufirit, sepse popullsia është e shpërngulur dhe popullsia ortodokse e atyre trevave nuk ta garanton suksesin e kërkimeve.
 
- Fshati i Ninatit përmendet për dy figura të rëndësishme të kulturës kombëtare si Hasan Tahsini e poeti Bilal Xhaferri. Ç’mund të thuash për to.
 
Më vjen mirë që më kujton këto figura të shquara për mbarë popullin shqiptar por që kanë lindur në Ninat e më tej kanë bërë një histori më vete në kulturën kombëtare. Mjafton të kujtojmë se diku në bregun e Jonit, në Sarandë ndodhen sot dy pllaka përkujtimore dhe varri i Bilal Xhaferrit, i ardhur në Shqipëri më 3 maj 1995 nga SHBA ku ka jetuar pas arratisjes. Hasan Tahsini, “Mësues i Popullit “ është një ndër rilindasit më të shquar të kombit, por që asnjëherë nuk i shkëputi lidhjet e tij me vendlindjen. Më vjen keq që sot në fshat Muzeu i tij që u ngrit para vitit 1997 akoma mbetet i dëmtuar pas atij viti të trazuar të 1997-s. Për poetin disident Bilal Xhaferrin, sërish më vjen keq që, megjithë ndonjë përpjekjeje të intelektualëve çamë e jo çamë për njohjen e publikimin e jetës e veprës së tij, ende nuk ka një informacion të gjërë në rrethet kulturore, atdhetare. Nuk gjen në libraritë e kryeqytetit, pa le të rretheve, asnjë libër me krijimtarinë e tij letrare e publicistike, ndërkohë që prej vitesh vepra e tij e zgjedhur është botuar e ribotuar me një tirazh të madh. Për fat të keq, edhe varri i tij po dëmtohet rëndë dhe shpesh natën mbushet me krye të pikturuar në mermerin e varrit. “Martiri i Demokracisë“ Bilal Xhaferri në datën 14 tetor mbush 22 vjet që është ndarë tragjikisht nga jeta në SHBA në rrethana krejt të misterta në moshën 51 vjeçare duke lënë pas një vepër krejt të veçantë letrare e publicistike.
 
Edhe ju prej kohësh futeni në radhët e shkrimtarëve dhe poetëve të njohur në Shqipëri e në trojet tona amtare që trajtoni në shumë libra me cilësi të lartë artistike kryesisht temën çame. Cila është kjo biografi artisike?
 
Kam botuar deti tani 13 vepra mes të cilave ka vëllime me poezi si: “Vatra e mallit“, “Zërat e brigjeve të mia”,“Kroi i këngës çame’, “Fari çam” duke kulmuar me vëllimin –antologji personale me këtë temë që titullohet “Shpirti çam” ku kam përmbledhur poezitë më të mira me këtë temë.
Në prozë kam botuar librat “Dallandyshet e Çamërisë”, “ Trokitje në Dodonë”, “ Kërkoj monumentet” si dhe monografinë “ Abaz Dojaka – Mjeshtër i Kulturës Popullore”. Nuk dua këtu të shkruaj për bashkëpunimet e shumta me gazetat e revistat kulturore brenda e jasht vendit . Në to mund të rreshtoj revistën “ Krahu i shqiponjës” (një revistë që kërkon të zgjojë traditën e revistës që poeti Bilal Xhafrerri nisi të botojë në Çikago të Amerikës), revistën “Familja” Revistën “Emathia”, në revistën periodike “Universi” ku kam botuar një ese të gjatë “Gara e bakllavasë“ ku flitet për traditat e krahinës së Çamërisë. Kam bashkëpunuar e bashkëpunoj shumë rregullisht që prej 17 vitesh jo vetëm me gazetën “Çamëria“, me gazetën “Telegraf” , ‘ Republika”, “ RD”, por edhe me gazetën “Bota sot“ që botohet në Prishtinë, gazetën “ Iliria “ në Nju Jork, mjaft botime në revistat e botime shqipe të Ulqinit _(Mali i Zi ) sidomos me revistën “ Dija”, në Tetovë etj.
 
Meqë e njihni këtë temë a mund të na thoni disa dukuri të kësaj poezie.


Mendoj se poezia i ka ende një lloj brxhi në tematikë dhe në sasi kësaj teme. Natyrisht poezia nuk është një recetë mjeku që të shëron dhimbjet, por në kohën që po jetojmë në hartën e poezisë ka vend edhe për një poezi që do ta quanim thjesht “patriotike.” Brezat më të rinj, ndoshta që nga ata ta bankave shkollore në shkollat e mesme duan të ushqehen edhe më nje poezi të tillë krahas asaj erotike, sociale që kanë pushtuar faqet e librave të poetëve. Mendoj se humbja ose një farë zbehjeje e një lloj idelaizmi bashkëkohor në kushtet e ndërtimit të një ekonomie të tregut pengon edhe një përkushtim individual të njerëzve të thjeshtë në problemet e përditshme përballë jë politike që jo gjithmonë i frymëzon për mirë brezat. Natyrisht duke mos nënvleftësar cilësinë artistike, sepse dihet se poezia e bukur, me vlerë e jetëgjatë në kujtesën e lexuesve të një kombi e më gjërë për arsye që dihen, nuk krijohet lehtë, por edhe nuk lexohet masivisht.
 
Nga ana tjetër unë jam munduar që t’i largohem shumë natyrshëm një lloj njëanshmërie që ndjehet në poezitë kushtuar kësaj teme. Mbizotëron në to vetëm dhimbja, plaga, pushka, varret e hapura dhe nuk plotësohet kjo poezi edhe me shpirtin shumë lirik të krahinës, me poezinë dashurore, me poezinë mbi motivet e këngëve brilante të Çamërisë. Mungon një frymë ngrohtësie, krenarie në to. Ka shumë retorikë dhe siparfaqshmëri në poezitë e tilla. Ka pak detaje, ka pak emocion. Pa folur për një formë të larmishme të rrëfimit poetik. Një model të mirë të poezisë me këtë temë e kanë dhënë dy antologjitë poetike të botuara para pak kohësh. E para është ajo e hartuar nga poeti i shquar kosovar Ali Podrimja e titulluar “Eni vjen prej Çamërie” e botuar në Prishtinë e në Tiranë( në të është përzgjedhur edhe një poezi e imja) dhe antologjia “ Nektari i shpirtit shqiptar” hartuar nga studiuesi
e poeti Ahmet Mehmeti.
 
Bashkë me poezinë ju vazhdoni të kontriboni edhe me ekspozita fotografike me temën çame. Cila është përvoja juaj në këtë drejtim?
 
Para se të flas për këtë do ju them se kam krijuar një fond të konsiderueshëm me fotot e Beratit ku aktualisht jetoj e punoj si mësues në shkollën e mesme “Kristo Isak” Para disa muajsh Berati është pranuar në listën e trashëgimisë kulturore të mbarë njerëzimit, në UNESCO. Që prej tetë vjetësh kam paraqitur punimet e mia në shumë eskpozita personale për Beratin në shumë qytete të Shqipërisë, më 2003 në Ankona e Fabriano të Italisë, në Tetovë, Prizren në Ulqin, ndërkohë që po përgatitem për një të tillë në Bajram Curri e në Gjirokastër.
Kahas saj duke ndjekur nga afër jetën e komunitetit çam në të gjithë qytetet e fshatrat e Shqipërisë dhe duke shfrytëzuar mjaft arkiva të familje çame kam krijuar nja arkiv me rreth 8000 negativë. Të gatshëm jo vetëm për ekspozita tematike, por edhe për albume të mirëfillta me këtë temë, natyrisht nëse krijohen mundësitë financiare dhe menaxhuese. E kam hapur një ekpozitë të tillë në Hotel Rogner, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, në Prizren ,në Vlorë e Elbasan, Sarandë, Lushnjë Për këtë kam shfrytëzuar përvjetorët e genocidit grek mbi popullsinë çame dhe veprimtari të tjera kulturore. Mes këtyre ekspozitave kujtoj edhe atë që kam hapur në fshatin Shalës të Konispolit ku kisha pranë valltarin e talentuar të valles së Osman Takës, Taip Madani. Ishte një surprizë e bukur jo vetëm për mua, por edhe për fshatarët e këtij fshati. Me shumë foto të kësaj teme unë kam konkurruar për
shumë vite edhe në Konkursin Ndërkombëtar të Fotografisë ËORLD PRESS PHOTO me qendër në Amstredam të Hollandës. Disa prej tyre i kam botuar edhe në librat e mi si foto ilustruese që nga kopertina e deri në faqe të tëra me to.
 
Në libraritë e kryeqytetit e më gjërë kemi parë edhe disa libra pedagogjikë që mbajnë firmën tuaj. Cili është kontributi juaj në këtë fushë?

 
Unë kam bindje se një letërshkrues duhet të lërë doemos një përvojë të shkruar në atë sektor që ka punuar dhe punon ende . Natyrisht nëse e ka përjetuar atë si emocion, si vlerë që lë pas vetes e jo një libër për libër. Këtë mendim jam munduar që ta respektoj vetë në punë time të letërshkrimit. Përvojën mbi tridhjetëvjeçare të punës si mësues i gjuhës shqipe dhe letërsisë në shkollat e mesme të përgjithshme, pedagogjike, profesonale apo edhe fetare (medrese), e kam shprehur në librat “Filizët e fjalës gjimnaziste’ “Rruga e një shkolle”, “Arkivi i fjalës” dhe “Dritaret e besimit”. Pa dashur që të zgjerohem në përmbajtjen e ndërtimin e tyre, dua të them se duhet të jetë sa më e lartë kërkesa e mësuesit të letërsisë ndaj nxënësve të shkollave të mesme për të rritur kulturën e të shkruarit, për t’u përgatitur sa më mirë për Maturën Shtetërore. Në librin me temë fetare që u shpall “Libri më i mirë i vitit 2007” nga Instituiti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), doja të krijoja një traditë të re në shkrimin e botimin e një poezie ku arti i fjalës bashkohet sa më natyrshëm me atë të besimit , me atë të fesë .
 
Si e mendoni ju zgjidhjen e problemit çam?
 
Të gjithë nënë zë apo edhe me zë të lartë anë të ndërgjegjshëm se zgjidhja e problemit çam paraqet disa vështirësi njëherësh. Nëse do ta quanim një lloj beteje secili duhet të njohë në të aleatët e kundërshtarët në një front të caktuar. Për fat të keq dy palët e interesuara më shumë pas vetë komunitetit çam siç janë shteti shqiptar e ai grek akoma nuk janë ulur në tavolinë për të parashtruar të gjitha argumentat e tyre. Problemi nuk mund të zgjidhet po qe se të dyja këto palë nuk ulen dhe nuk tregohen të gatshëm për ta zgjidhur. Po t’i referohemi palës shqiptare deri tani është bërë pak, fare pak. Një Traktat Miqësie i firmosur më 1996 midis dy qeverive nuk ka mjaftuar që edhe tani pas mbi 13 vjetevë të ketë në tavolinë një zgjidhje. Shteti shqiptar duhet të jetë më transparent për hapat që hidhen në këtë drejtim. Mos ka ardhur koha që të ngulim këmbë që në këtë “heshtje “ të futet edhe faktori ndërkombëtar që gjithësesi duhet ndërgjgjësuar dhe i duhet bërë e njohur sa më mirë problemi?
 
Në planin e brendshëm akoma nuk është krijuar një lobing i fuqishëm për ndërgjegjësimin e atyre faktorëve që iu takon ta zgjidhin atë. Akoma Parlamenti shqiptar nuk ka aprovuar një Rezolutë për Çamërinë që do të ishte një mendim zyrtar për shumë organizma ndërkombëtarë. Në komunitetin çam sot janë ngritur tre organizma që punojnë për të. Është Shoqëria Politike Atdetare “ Çamëria”, Partia për Drejtësi dhe Integrim dhe Instituti i Studimeve për Çamërinë. Janë bërë jo pak protesta, janë botuar libra për historinë e saj aq sa dikur as që mund të botoheshin me kaq lehtësi. Janë bërë protesta kolektive me mijëra çamë deri në kufirin shtetëror me Greqinë në Qafë të Botës. Janë krijuar këngë –himne që e kanë sjellë më afër publikut emocionin dhe dhimbjen çame. Është bërë njohja me problemin e saj në Këshillin e Evropës dhe ne Senatin Amerikan. Kemi një media që, ndonëse
me shumë fushatizëm, po e trajton me gjërësinë e vet këtë problem, por mungojnë hapat konkretë adminsitrativë, juridikë që të dergojnë në zgjidhjen e shpejtë. Kanë kaluar të paktën 17 vjet nga formimi i Shoqërisë “Çamëria” dhe ndryshimet duhet të ishin më të mëdha.
Sidoqoftë me gjithë këto ritme nuk duhet ndalur me kërkesat konkrete të çamëve.
 
Me botimet e aktivitetin tuaj jeni bërë i njohur edhe në shumë troje amtare. Cilat janë mbresat tuaja për këtë bashkëpunim?


Në vitet e demokracisë ne shqiptarët kemi fituar shumë mundësi për të bashkuar e për të përcjellë tek njëri –tjetri kulturën tonë, shkollën, gjuhën, dëshirën për bashkëpunim. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës ishte një nga ngjarjet më kulmore të shqiptarëve kudo ku jetojnë. Le të shpresojmë se kjo ngjarje do ta afrojë sa më shumë edhe zgjidhjen e problemit çam. Kjo trase e re mes bashkëkombasve shtrohet bukur mirë së pari nga bartësit e artit, nga poetët, nga këngëtarët e artistët, nga intelektualët e fushave të ndryshme. Në vitin 2001 pata mundësinë që të bëhem pjersëtar i marshimit masiv për përcjelljen e Monumentit të Skënderbeut nga Prizreni në Prishtinë . Dy vjet më vonë dërgova në këtë qytet nëherësh dy eskpozita një për Beratin e një për Çamërinë.
Para disa vitesh mora pjesë në një veprimtari masive që organizohej në qytetin e Tetovës ku kisha një ekspozië individuale dhe mora pjesë në Takimin e Poetëve të Trojeve Shqiptare. Këtë vit pata kënaqësinë të marr pjesë në veprimtarinë letrare të përvitshme “ Kalimera” që bëhet në qytetin e Ulqinit ku hapa edhe një ekspozitë për Beratin në kuadrin e bashkëpunimit kulturor midis dy qyteteve shqiptare e në paraqitjen e vlerave kulturore dhe arkitekturore që ka qyteti i Beratit, tashmë pjesë e UNESCOS. Kudo mbresat kanë qenë të mëdha. Pas secilit takim kam shkruar e botuar cikle me poezi, reportazhe, tregime. Sa shumë na ka munguar ky takim!
 
Cilat janë planet tuaja krijuese për të ardhmen?
 
Sërish dua t’i qëndroj besnik pasurimit të bibliotekës came. Kam rreth me dhjetra shkrime që trajtojnë problemin çam si reportazhe, portrete, ese, vëzhgime që do t’i botoj në titullin simbolik “Të fala nga Çamëria”. Simbolika e titullit është një dhimbje e vërtetë. Askush sot në trojet stërgjyshore çame nuk të sjell të fala për banorët e saj të dikurshëm e që presin rikthimin në trojet e tyre. Janë të fala të ëndërruara, si letra që nuk kanë postier për t’i dërguar në adresën e shumëpritur.
Ndonëse brezat çamë po ndërrohen sa natyrshëm aq edhe tragjikshëm, kur mendon se më të rinjtë nuk i shkelin aspak trojet e të parëve, kujtimi , malli, tradita, kënga, gjuha, urimi, ninulla mbeten të fresktët, mbeten ende të zgjuar në Arkivin e Kohës.
Libri tjetër është një vëllim me poezi që titullohet “Piedestali i këngës” ku kam shumë motive çame të shkruara mbi motivet e këngëve të papërsëritshme të folklorit kaq vital të këngës çame.
 
-Ju urojmë suksese në krijimtarinë tuaj!


Intrevistoi Albert Zholi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora