E premte, 29.03.2024, 10:04 AM (GMT)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Një “shetitje” nëpër poezitë erotike të poetit Ymer Nurka

E enjte, 19.11.2020, 07:06 PM


Një “shetitje” nëpër poezitë  erotike të poetit Ymer Nurka

Nga Shyqyri Fejzo

Mund të kishim vënë dhe një titull tjetër, sindozot të lidhura me “skanimin”, “vështrimin”,”zhbirimin” e të tjera, por preferova “shetitje”. Se, c’është e vërteta, kjo “shetitja” jo vetëm shijon bukuritë e “mjaltin” e poezive të tij, por “kullot” dhe sytë shlodh dhe këmbët në vendet ku ai ka ngjizur poezitë. E ato vende nuk janë të pakta. Më do nga Korca, Kosova, Përmeti, Skrapari, Durrësi, në male ku kullotin bagëtitë, në lumin e Grabovës ku lajnë cobankat në shelgjishtet ku ciganet e bukura thurin shporta e kanistra apo pranë parqeve të bletëve ku autori ka dobësinë më të madhe për mjaltin me hoje,(por ti nxjerrësh përpara dhe një tepsi me mjaltë në hoje, ai nuk e ka mendjen aty, po te mjalti njerëzor, tek bukuri e bukurive njerzore tek femra, të cilës në poezi i ka ngritur dhjetra peidistale) lulet  ku kullotin insektet e uruara, bletët. Deti po se po, sa i egërsuar dhe i pa zotrueshëm, i mahnitshëm, blu i bukur ka gjetur vend në poezitë e tij.  Nga “vallja e shqipeve” tek “stanore”,nga “kënga e mjekes” tek “kënga e cames”, Pastaj nuk do të tregohem hipokrit. Fshati i vëndlindjes së poetit, Strelca dhe vendlindja ime Shënepremtja, qëndrojnë  kurris mbë kurris, të dy mbështetur mbi malin e Lenies. Mbi të famshmen Lenie;”…në një anë diell, në tjetrën hije”. Të ndjekësh gjurmët e kalit të poezisë erotike të Nurkës, nuk është e lehtë. Ato të shpien në “Stanore”, në “këngën e virgjëreshës” zgjon…qershinë e hidhur”,”kënga e cobankës”, “Ah hiret e tua”, “Lirikë shiu” etj. të cojnë në dashuri e idile të panumurta, të cilat po t’i përmendim të gjitha, me siguri do të zgjonim diku xhelozi të pa parë.

Grada e fuqisë së shprehjes që e bën njerinë të cilësohet si poet, është një cilësi misterioze që natyra  apo perëndia i dhuron poetit. Në rastin e Ymerit bujaria ka qënë e madhe, e pallogaritëshme krahasuar me njësitë matëse që përdor sot njerzimi. Në këtë mes nëpër këmbë na ngatërrohet dhe fati. Mencuria popullore thotë se “fati rri krah për krah me trimin”. Duke u lindur në këmbë  të një mali fantastik e misterioz, Lenies,  ka qënë me fat se vendi buron në legjenda, tregime e përralla  që brez pas brezi gurgullojnë si ujrat e ftohta e të pastra Kristal të Liqenit të Zi, të Kroit të Mushkës e të Rrobullit të kuq. Kur disa aventurierë grisnin këpucët duke kërkuar flori në Lenie, Koshnicë, në Mocal të Ariut, te guri i Mirashit, Guri i Kamjes, apo tek Tre liqenet, Ymeri thesaret nuk i kërkonte  si ata, nën tokë,  Ndaj duan e thonë (jo gojët e liga) se Ymer Nurka ka qënë me fat se ka gjetur sepeten më të mocme ku ishte mbyllur fjalori me fjalët më të lashta të atyre trevave. Ka kërkuar shumë, me vite, në biseda me njerëz, në dasma, në gostira në punë, në cezma ku gratë e vajzat mbushnin ujë e flisnin për dashurinë. E ku nuk kërkoi deri sa e gjeti “sepeten” e shenjtë. Ai nuk e shpërtheu atë sepete. E mori me shumë kujdes e ngarkoi në mushkën e tij të sertë dhe e coi në shtëpi. Aty e fshiu dhe e pastroi mirë e mirë dhe  e hap kur i nevoitet. Në atë sepete magjike ai gjen e merr temën që do të trajtojë, llojin e poezisë strukturën e vargut, ritmikën e përkryer, larminë e pafund të fjalëve. Amvisat e njohin më mirë se kushdo se me miell të mirë e të situr del kulaci dhe byreku i mirë.

Poezia, dihet se lindi si këngë vajtimi; më vonë këngë gëzimi, pastaj këngë admirimi i çdo bukurije; natyrës, pemët e gjithë bimësia, kafshët dhe vecanrisht për bukurinë e bukurive, femrën. Poezia na hap dritaret e shpirtit që t’a shohëm sa e bukur është natyra, ajo na sjell përsëri  në shpirt freskinë e foshnjërisë, dashurinë e rinisë; ajo na ringjall pasqyrat e kohës së shkuar duke na injektuar në venat e moshuara enthuziazmin që ndriti pranverat tona, të qënijes dhe të përtej të qënurit tonë, plot ëndrra të dashurive, plot zjarr nëpër deje, edhe kur jemi plakur. na bën t’a ndjejmë që egzistojmë me shqisë e me mendje. -Poezia e Ymer Nurkës fatmirësisht është gjithnjë ‘shtatzënë”  dhe jep në dritën e diellit muzikën e pentagramit, muzikë e cila na ngre në sferat më të larta duke na pastruar të gjitha pocaqitë, si veset, ferrat apo cdo bëzhdilë të shpirtit. Ymeri me poezinë e tij është shumë afër mistikut, por në dallim me të tjerët, ai i përdor simbolet, gjithnjë duke qënë koshient se ato janë simbole. Ai nuk është nga ata që i beson qorrazi simbolet. E ky është një dallim i madh cilësor. Duke e bërë dukshëm këtë dallim, midis mendimit dhe realitetit, ai kapërxen cdo kufi, të cilin të tjerët e kanë të vështirë ti afrohen. -Poezia e tij nuk pasqyron vetëm moshën e brezit tij, por edhe të shkuarën, duke i hapur një shteg e rrugë pa pikë pengese të ardhmes.

Poezia erotike e Ymer Nurkës është një bukuri poetike e rrallë, e cila nuk e ka shoqen. Ajo rrallëherë është parë dhe dëgjuar në gjuhën shqipe me këtë harmoni dhe melodi të vargut. Pas Lagushit të madh, poezia e Nurkës e ka ngritur muziklitetin e vargut shqip në një shkallë më të lartë. Ajo është një poezi muzikë, harmoni, apo më mirë të themi një gurgullimë harmonike si ato të vendlindjes së tij, gurgullimë e përsosur, e ashpër,e butë, kadife, kur e do puna..Jo pak vargje të poezisë së tij kendohen këngë në dasma. Ndaj edhe e do e kërkon shumë lexuesi, se i ngjall shumë emocione dhe i jep kënaqësi dhe gëzim estetik së bashku.

Në krijmtarinë e tij bien në sy poezitë erotike të intimitetit, të cilat janë ngrohtësi zemre, kënaqësi e vecantë shpirtërore, dëshirë për ëndërrim erotik. Kur ai shkruan për dashurinë mbetet gjithnjë në kufijtë e arsyes. Sistemi i jetës njerzore nuk degjeneron tek Ymeri deri aty sa të vulgarizohet poezia. Ai e shpjegon më së miri forcën e dashurisë, frymëzimin që i vjen prej saj, jetën që bën dhe që i jep kuptim asaj për vazhdimësinë. Të përdorësh një fjalor aq të pasur me një shtrirje e thellim të jashtëzakonëshëm e të mos prekësh “vijën e kuqe”,kjo mund të ndodhë vetëm me Ymer Nurkën. Në se do të krahasonim e të bënim analogji me bujqësinë, plugimet e tokës dihet se mund të bëhen me pendë,me kuaj,me traktorë të lehtë e të rëndë, për analogji dhe poezitë përfshi dhe ato erotike, nuk janë njëlloj. Ka poezi të lehta, vjershërime, ka poezi pa bosht e themel dhe poezi të cilat pasi i lexon dhe i rilexon, të mbeten në mend për një kohë të gjatë. Poezitë e Ymer Nurkës do të thoshim pa u gabuar, se i ngjajnë punimit qilizëm me traktor të rëndë, qilizëm që nuk le brenda arës  gurë e rrënjë dhe ka rënë në “taban”.Në kohë të ndryshme, ka pasur dhe ka edhe krijues të tjerë(madje me emër), të cilët kanë përdorur krijimet erotike me sukses. Edhe pse na pëlqen të ngulemi thellë në krijimet e ndonjërit prej tyre, nuk na pëlqen pranë vënia(krahasimi midis tyre). Në thelb krahasimi është afri, por me largësi brenda. Ta zemë, Nurkën mund ta vëmë pranë Lasgushit se kanë lëvruar të dy erotikën. Por largësia që i ndan nuk është vetëm kohore.Ymeri, si Lasgushi është adhurues  i triumfit njerzor në dashuri. Lasgushi njihet tani se nuk kalonte asnjëherë në ekstrem banal nëpër vargje. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Ymer Nurkën. Në se këtë qëndrim do e sinonomim me kërcimin së larti në sportin e atletikës, tek Nurka mendoj se steka është ngritur më lart, pa prishur bukurinë, përkundrazi. Është llogjike se është steka e kohës dhe artit brilant të autorit.

Nurka është një mjeshtër i jashtëzakonshëm i portretit njerzor, vecanrisht femrës. Portretet e vajzave të qëndisur bukur nga ai, u a ka theksuar në maksimum elementët e bukurisë, si flokët, faqet, buzët, sytë, gushën, për të bërë që ato të rrezatojnë sa më shumë dashuri. Por ai krijon edhe rrethana romantike fantastike të cilat i shkojnë për shtat dashurisë. Napa e turpit në poezitë erotike të Ymer Nurkës sikur është tkurrur, grisur në vende-vende (pa zarar), duke ruajtur intimitetin dhe fshehtësinë. Ai është i drejt-përdrejtë  dhe  vargjet e poezive të tij janë hymn për femrën, për bukurinë njerzore.

Në shumicën e poezive të Nurkës në vargjet e tyre (karakteristikë tipike e krijuesit kjo) hasen dy fjalë të kundërta ose dhe fjali të tëra të kundërta. Duhet thënë se ato mjete artistike mbajnë emocion të madh poetik. Nga “kënga e cobankës”:”Ndërsa nën sqetull, mbaje dy sepete:/Njëra plot me këngë, tjetra plot me derte”: Nga”Zgjohu moj qershi e hidhur”;”Verë pas vere më ke qeshur/Vjeshtave me drithërimë/Aq se dimrash të kam zhveshur.”Nga “Tango”;”Më fale një zjarr që më djeg”/ “Tek Udha”;”Paskam qeshur,paskam qarë./ Nga Sublime; “Gjithë thesaret në i gjetsha/ N’ato maja, n’ato vende/ Ardhtë gjumi e mos fjetsha/ Jo, pa gjetur zemrën tënde./ Nga “S’mbahet peng një zemër”; “Të më duket mjalti,si shafran i hidhur/.Kjo është jo vetëm një vecori tipike e krijmtarisë së tij, por do të thoshim pa frikë se është një mjeshtri e rrallë. Ka dhe gjen brendia e sepetes të fatit të tij.

Në vazhdën e tyre mendojme se vjen dhe betimi, zotimi. Betimi i tij është tradicional, pohim i formuluar tekstualisht, por cdo lexues e di se betimi është vërtet shenjë e vërtetësisë, përdorur si një lloj zotimi solemn public, por në funksion të poezive të Nurkës ai është imagjinar, dëshirë shprehës dhe shpesh i nxitur nga gjendje emocionale e shpirtërore ekstazë para bukurive e hireve të femrave që përshkruan. Por në këtë mes ka një mpleksje të komplikuar midis natyrales dhe qiellores. Poeti në këtë fushë është gjithnjë kërkues. Ai që kërkon, gjen, por vetëm ai që këmbëngul si Nurka, gjen dhe merr. Ja si zotohet e betohet poeti në momente vërtet të papërsëritëshme, qiellore. Në poezia “Sublime”: “Vec në të gjetsha në ato maja/ Buzën tënde si rubin.”;.. S’ja vlen aspak të mbytem/Vec në qofshin sytë e tu./.Ndërsa në poezinë “Gjuha e dashurisë” poeti shpreh: “Flaka që më dogji mua/Do zoti i djeg të tërë/. Kurse në poezinë “Duel dashurie”  “C’bandill do të vdekur,kë trim do të gjallë?”.Dueli ka mbaruar.Po rezultati? Në poezinë e bukur “O mjalti në hoje”poeti shpreh dëshirën për një sakrificë supreme kur shprehet:”Kur të pikosh tinë, moj u bëfsha enë/Në një cep të botës, atje le t’më lënë/”.Në poezinë “Mos e hiq fustanin”ai shpreh luftën e brendëshme që bëhet në personin e tij para bukurisë qiellore të femrës.”Para saj në gjunjë, s’rashë, po u kapita”…Në poezinë “Stanore” veprimet dhe përshkrimet janë krejt “bio”; “Me belin, që s’di ta tundë/Me gjinjtë si arra gungë.”Ndërsa në poezinë “Lirikë e brishtë” bëhët pyetja; “Më thuaj për zemrën, shorti kujt i ra?”.

Është fakt se ekzistojnë turma të tëra emocionesh të bekuara që fluturojnë vazhdimisht në botën tonë shpirtërore të brendëshme, të cakorduara, të pa  organizuara, si mjegull, dhe sapo vjen e shenjta poezi, si një dritë e fuqishme qiellore që i shpirtëzon ato shije jete, të cilat më pas grumbullohen në mendje, në subkoshiencë dhe intuitë, në intelegjencë për të zbukuruar jetën lëndore. Kudo që shkelëm në vendet që Ymeri ka ngjzur poezi, ato na rikujtonin të pastra e të fuqishme emocionet që kishin qënë para tyre. Ndërthurur me vargjet e fjalët perlë të tyre, vendet, objektet njerzit që tiren aq bukur në poezitë e tij, na bëjnë që vendet, njerzit, natyrën për rreth ti shikojmë me tjetër sy, me kostumin që ka prerë dhe qepur aq bukur poeti. Me të drejtë del pyetja; pse e lexojmë poezinë e Ymer Nurkës; cfarë e dallon atë nga të tjerët? Ai është një novator në këtë fushë, si për ritmin, rimën,stilin. Sepse ai shkruan realisht, “pa egjer” dhe  “pa dushk”, me material jetësor duke përdorur gjithë bagazhin e mjeteve artistike që mban letërsia e gjuha shqipe, pa inflacion fjalësh,  porse edhe sepse është shprehur me aqë lartësi fisnike arti, sa që na bën mik t’a lexojmë në vazhdimësi.

Për të pjellë muzikën që është gjuha e përbotëshme qytetare, poezia duhet të jetë e mundëshme të ngjitet në pentagram. Për ndryshe nuk do kish egzistuar muzika, me bijat e saja si kënga qytetare dhe popullore, opera, Simfonia, koncerti etj.

Poezia është nëna e muzikës kur mban në shpirt e në mëndje metrin, rimën, ritmin, fluturimet Pindarike dhe thellësitë e Homerit, ose ata të Goetes, Schillerit, Hygoit, Lamartinit, Leopardit dhe Dantes, Lasgushit…Por, shkallët për tu ngjitur ne pentagramin e magjishëm, nuk i ka vetëm poeti. Në rastin konkret poeti Ymer Nurka është treguar shumë bujar. Desha te shpreh mendimin se sa mbresa i le në koke kompozitorit poezia e Nurkës? E, në këtë mes del se kompozitorët, me poezinë brilante të poetit të talentuar, kanë një thesar të pallogaritshëm në se do i binin..”përmidis pazarit Durrësit”

Në lëmin e mpleksur të këngëve dhe poezive ka dukuri sa të bukura e vyrtioze aq dhe të papajtueshme e kontradiktore. Ndalim në disa grimca të tyre të cilat në vend që të relaksemi, na trishtojnë.”Ai që nuk pi rakinë dhe verën, kurrë mos e paftë pranverën”,”Do të vras babanë…dhe s’të lë pa marrë”  “O pasha…more pasha”, “hani pini dhe këndoni sa të jetë lalagjoni…” Gjithë se kush bën pyetjen: “Si u ngjitën në pentagram këto poezi?” Kjo, kur sot ka poetë klasi, në poezi të cilat jo rrallëherë kanë zënë vend natyrshëm në këngën qytetare dhe popullore. Përvoja tek ne ka treguar se kur shtrohet në pentagram poezia e tyre, të cilët nuk po i përmend me emër, kënga e vecanërisht ajo popullore del e përkryer dhe merr jetë.

Përfundimisht, koha po vërteton se Ymer Nurka ka një poetike krejt të vetën, vecoritë e stilit artistik që e dallojnë atë poetikë, burojnë nga temperamenti tejet dinamik, talenti dhe pjekuri e padiskutueshme artistike. Ai ka sjellë një poezi erotike(dhe më tej) me vlera të larta estetike, shartuar bukur e natyrshëm populloren me mjetet artistike e pasurinë gjuhësore që mban gjuha shqipe. Dimensionit të poezisë erotike ai i jep thellësi, gjatësi e gjërësi të reja, duke krijuar një arritje semantike dhe stilistike origjinale, të hijëshme me elemente të pasur gjuhësorë, duke siguruar në këtë mënyrë një komunikim të përherëshëm me lexuesin.

Hamburg Nëntor 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora