E premte, 29.03.2024, 04:02 PM (GMT)

Kulturë

Ulpjana Aliaj: Në Angli në vititn 2006 mora çmim të parë

E enjte, 20.11.2008, 08:57 AM


Ulpjana Aliaj: Muzika klasike ka tjetër hapësirë, tjetër mbushje emocionale, tjetër diapazon

Në Angli në vititn 2006 mora çmim të parë

Nga Albert Zholi

Një nga këngëtaret që po bën emër në të gjithë aktivitetet e muzikës klasike italiane. Nëna e saj Zina Zdrava i ka dhënë mësimet e para të këngës, ndërsa ajo e çoi më tej dashurinë për muzikën, për këngën duke u bërë një këngëtare potente jashtë territorit të atdheut. Fama e saj tani ka kaluar dhe kufijtë e Italisë. E sheh gjithmonë të qeshur, me libra në duar. Inteligjente dhe kërkuese ndaj vetes. E ftuar në disa koncerte jashtë Gadishullit Apenin, ajo ka marrë pjesë në shumë konkurse ndërkombëtare duke zënë disa çmime. Njëri prej këtyre çmimeve e ka marrë në Angli, ku i ftuar nderi ka qenë Princi Çarls.

Si mori rrugë jeta juaj drejt kantos?


Në radhë të parë dua të theksoj se unë jam marrë që e vogël me këngën. Jemi një familje e dashuruar me këngën. Nëna ime (Zina Zdrava), është këngëtare dhe ajo ka qenë mësuesja ime e parë. Kënga me grupet e fëmijëve në shkollë, këngët në kore fëmijësh, këngët popullore kanë qenë nismat e mia të para, për të arritur pastaj tek muzika klasike. Pra, që e vogël kam qenë e organizuar me qendrën kulturore të fëmijëve të Tiranës, kam marë pjesë në disa festivale si ai i Shkodrës, në Tiranë, natyrisht kam kënduar këngë të muzikës së lehtë dhe popullore edhe në festivale për të rinj. Pastaj vazhdova Liceun Artistik.

E mbani mend këngën e parë që keni kënduar në skenë?


Ka qenë “O rosak topolak” në Festivalin e Fëmijëve në Tiranë, pastaj në Shkodër.

Përse në lice morët rrugën e kantos?
Sepse duke u marrë me muzikë që në fëmijëri fillova të bëj diferencimet. Jeta të bën të përzgjedhësh për të parë perspektivën. Duke pasur parasysh që studioja dhe piano kjo më hapi rrugën për një studim më të thelluar dhe më të detajuar drejt kantos. Kështu që Liceu Artistik më hapi shumë mundësi, aq më tepër që në shumë lëndë unë kisha mësuese nënën time dhe si mësuese të pianos një shoqe të saj që ka emër në këtë vegël muzikore. Ajo ka qenë dhe ndjekësja ime në shumë aktivitete.

Ju e zgjodhët vetë kanton?
Po.
Pse?
Ishtë shumë e brendshme e ndjeva dhe e bëra. Isha e aftë dhe medoja se atë e bëja më mirë dhe pse ishte më e vështirë dhe kërkonte më shumë profesionalizëm.

Pse nuk zgjodhët rrugën e nënës tuaj apo muzikën e lehtë si një rrugë, ku ka më shumë terren për të punuar në Shqipëri?

Nuk e di, muzika klasike është tjetër gjë për mua. Është më potente, më e kualifikuar, kërkon më shumë punë, më shumë përgjegjësi. Eshtë shumë inteligjente si muzikë dhe ka një spektator të kualifikuar.

Ku është ndryshimi midis muzikës së lehtë dhe kantos?
Së pari janë dy zhanre të ndryshme. Muzika klasike ka tjetër hapësirë, tjetër mbushje emocionale, tjetër diapazon. E shoh më të plotë, më të formuar dhe më të kualifikuar se çdo zhanër tjetër.

Një këngëtare e zhanrit të kantos mund të jetë një këngëtare e mirë e muzikës së lehtë?
Jo. Për mendimin tim, jo. Kanë ndryshime thelbësore. Duhet bërë, o njëra, o tjetra. Nuk mund të interpretohen të dyja.

Mbas përfundimit të liceut si vazhdoi rrugëtimi?


Vazhdova Akademinë e Arteve, ku vazhdova studimet për dy vite dhe pastaj u futa në konkurs shkova në Itali. Konkursi u zhvillua në qytetin Italian të Bolzanos. Ky është një qytet që ka një spektator jo të pakët në sallë. Unë qysh atëherë vazhdoj të punoj në Teatrin e Operas së këtij qyteti interesant.

A keni ndjerë shenja racizmi në shkollë?

Të them të drejtën jo. Unë e di shumë mirë gjuhën dhe kam qenë një studente e rregullt. Ndoshta se kam ndjerë pasi këto shenja nuk kanë qenë të drejtpërdrejta me mua, ndërsa në ambientet jashtë shkollës shfaqen më hapur. Në ambientet e shkollës nuk ka lënë vend të ndjej një racizëm të drejtpërdrejt, por në vende të tjera edhe mund të jetë shfaqur pa e vënë re.

Kjo gjini e të kënduarit sa është e mirëpritur nga spektatori në Itali dhe ju në studime a keni përfituar ato që mendonit?
Italia është djepi i kulturës së muzikës klasike. Edhe qytezat kanë teatër operash. Pothuajse çdo vit aty zhvillohen aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare në këtë gjini dhe unë deri në në farë mase jam edukuar me këto lloj aktivitetesh, mbasi e kisha të kultivuar nga familja nga shkolla. Nga ana ime, studimet kanë qenë me bazë, por nuk ishte e reja tek kultivimi, por tek ambienti, pedagogët, shokët mënyra e të dhënit mësim. Aspekte të reja që nuk i kisha njohur në Shqipëri. Gjithçka ka të bëjë me mënyrën e vazhdimit të studimeve. Pra kishte ardhur koha që unë këtë lloj profesioni të mësoja në një mënyrë më të saktë.

Po kur keni qenë në Shqipëi dhe tashmë në Itali a keni marrë pjesë në aktivitete jashtë atdheut?

Në periudhën që kam qenë në Shqipëri, por edhe tani në Itali unë kam marrë pjesë në disa aktivitete ndërkombëtare në disa konkurse në Itali, Angli, Gjermani etj…. Kryesisht këto konkurse kanë qenë internacionale për kanto.

box

Çmimi
Në Angli në vitin 2006

Momenti më i bukur mund të them se ka qenë në Angli kur unë isha para dy vjetësh (2006), me një ansambël popullor ku zhvillohej një festival shumë i madh dhe ishte audicioni i 60-të nën kujdesin e princit Çarls. Këndova pjesën “La Sannambola” të Belinit. Ky aktivitet u zhvillua në Llango Llen. Aty kishte nga të gjitha rrymat e muzikës që nga ajo folklorja dhe nga ajo klasikja. Në klasiket mora pjesë dhe unë. Jashtë parashikimeve të mia mora çmimin e parë. Atë kënaqësi që kam ndjerë në atë moment nuk mund ta përshkruaj. Atë gëzim e ndjenë edhe ata anglezë që më shoqëronin. Ishin një çift anglez që më shoqëronin gjatë kohës së festivalit. Në atë festival ka pasur këngëtarë nga gjithë bota. Ata thonin se në këtë skenë kanë kënduar këngëtarë të mëdhenj që nga Pavaroti e shumë të tjerë. Kjo skenë thonin është një ogur i mirë për një këngëtare që merr çmimin e parë.

Si zhvillohen këto konkurse apo festivale?
Në fillim do të njoftohesh apo do marrësh vesh se ku do të zhvillohet. Pastaj do të dërgosh një CV dhe me se do të përfaqësohesh. Pas seleksionimit të vjen ftesa. Është konkurim me shumë kërkesa.

Si e mendoni të ardhmen, do të qëndroni në Itali apo do të ktheheni në Tiranë?

Tani për tani po. Në Shqipëri është vetëm një TOB. Nuk ka hapësira për muzikën klasike. Në Itali çdo qytet ka teatrin e vetë të operas. Italia ka një trashëgimni të shkëlqyer të këtij zhanri.

Sa shfaqje keni dhënë në Itali dhe ku?
Në të gjitha qytetet italiane. Jam gjithmonë në lëvizje.

A është e dashuruar Ulpiana?
Tani për tani jo. Kam gjëra më të rëndësishme përpara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora