E shtune, 05.12.2020, 11:44 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Asnjëherë

E marte, 17.11.2020, 10:07 AM


Blerim Rrecaj

ASNJËHERË

Asnjëherë nuk i kam dashur:

Tallavanë

Burokratizmin zyrtar

Zhurmën e agregatëve

Debatet banale mediale

Çjerrjet militante partiake

Serialet e importuara të lotëve të turbullt

As ato vendore gjuhëstërpikura me banalitet

Asnjëherë nuk mund t'i dua:

Këta zingjirë të bezdisshëm

Lidhur me dryrë ndryshku që na kanë përlyer

E po na përlyejnë të çmueshmen jetë që kemi

DEHJE

Kohë kotësie

Më përkëdhel erë vetmie

Shkepëtijnë vetëtima pandemie

S'po mund gjë të them

Ndonëse po përpiqem

Syskuqur po vërtitem

Ajo që tash di

Jam dehur pa pirë

PËRHUMBJE

Zgjohesh nga shtrati

Bën dy-tre hapa

Kthehesh

Rruga pa drejtim

Veç një tabelë hamendjeje

Varur në kokë a në ajër

Thua e shkruan një fjalë

Diç seç ia nis

Ta lë për më vonë

Ta fshij a ta gris

Po pres një çast frymëzimi

Të më trokas në trupshpirt

GJETHE NË AJËR

Ec parqeve

Shoh gjethe të rëna

E që bien

Nxjerr nga xhepi telefonin

Për ta ngrirë një gjethe

Para se të bije në tokë

Pa sukses përfundojnë këto përpjekje

Ndalem para fletëve

Që janë përqafuar për degësh

E për trungjesh

Disa kanë mbetur pezull në ajër

Të kacavarura për penj merimangash

KRANDE RREZESH

Dielli kalon nëpër kufinjtë

E tri dritareve të dhomës së fjetjes

Sikur do t'i djeg perdet kur depërton në tampon zonat e tyre

Koha për zgjim ka kohë që ka kaluar

Sot e diel

Pastrimi e pushimi

Dremitjeje e qetësie

Tiktakojnë akrepat (jo)helmues të orës

Ne ende brenda

Mëkat të kalohet kjo ditë mes muresh

Të dalim të mbledhim krande rrezesh

KËMISHË

Duke u vërtitur

Brenda një dyqani rrobash

Afrohem

Shoh

E blej

Një këmishë të kaltëremë farmerke

Të ngjashme me atë tjetrën

Që e kam pasur shumë vite e vite më parë

TE NJËRA LULE E DHOMËS

Te lulja e dhomës

Në saksi

Përmbi një shtyllë të dekoruar antike

Pranë dritares

Ku bijnë rrezet e diellit

Në këtë mëngjes

E ndriçojnë trungun e saj

Degëzuar tri degësh

Flokëgjelbër me frizurë fijetrashë

Dhe dheun mbuluar me guaska e boça pishe

Afrohet fëmiju

Heq katërmbëdhjetë fletë ngjyrëarta që janë tharë

Si fletët e thara të misrave në arë



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora