E premte, 19.04.2024, 03:52 PM (GMT+1)

Mendime

Romeo Gurakuqi: Beteja për Tiranën

E marte, 17.11.2020, 10:00 AM


Me, 17 nëntor 1944, Tirana u zu plotësisht nga forcat e UNÇSH dhe rezistenca e 300 forcave te garnizonit gjerman këtu mori fund.

Por, ata që erdhën, megjithëse thirreshin çlirimtarë, nuk sollën lirinë e shumëpritur për qytetarët e thjeshtë të këtij qyteti paqësor, te njerëzve mikpritsa dhe tolerantë. Qendrimi i shumicës së qytetarëve të Tiranës ndaj partizanëve nuk ka qenë i gëzueshëm dhe i shpenguar. Ditët e para të lirisë nuk kanë qënë mirëfilli të tilla, por edhe ata që pasuan kanë qenë ditë ankthi dhe dhune, që ndërroi tanime kah. Partizanët, nën justifikimin e kapjes së kolaboracionistëve, ushtruan një dhunë të paparë mbi popullsinë civile dhe përdorën me forcë banesat e qytetarëve të Tiranës si strehim me pa hir. Një pjesë e djemve të familjeve të vjetra dhe të reja të kryeqytetit u ekzekutuan pa asnjë shkak. Shume nga gjysherit tanë u detyruan për dite të tana, të bajnë nji jetë pa u dukur, për t'i shpëtuar arbitraritetit dhe tekave të "çlirimtarëve".

Janë ditët e fillimit të një imponimi politik dhe ushtarak, të eliminimit të nji qytetarie tiranase, të krijuar në kohën e Shqipërisë së parë shteterore (atyre që erdhën këtu, nga Shkodra, Korça, Elbasani, Gjinokastra, Berati, Vlora, Dibra, Gjakova, kur kjo qender u shpall kryeqytet i Shqiperise) dhe krijimit të një “qytetarie” të re, të përbërë nga komponentë partizanë, që do zaptojnë pasurinë dhe lirinë e banorëve te vjeter dhe atyre te ardhun ne vitet 1920'.

Mbi kryeqendren e Shqipërisë ndodhi gradualisht nji proces ndryshimi thelbësor në kulturën qytetare, cilësinë e elitës drejtuese, gjuhën e folur dhe mentalitetin e shoqërisë së re . Nga një qytet i paqtë, ai u shndërrua në një qytet të frikshëm.

Ndodhi jo vetem shkaterrimi i regjimit të vjetër tradicional shqiptar, por edhe eliminimi i elites drejtuese intelektuale dhe profesioniste të vendit.

Sot është dita për të nderuar viktimat e terrorit te kuq ne Tiranë. Eshtë dita për të nderuar kujtimin e një brezi të rinjsh dhe të rejash të kryeqytetit, për të cilet nga kjo ditë, filloi diegia e të ardhmes, e shpreses dhe e andrrave, që vetëm kjo qendër qytetare, e ndertuar nga vendasit dhe eterit e shtetformimit, mund t'ua krijonte.

Asht dita e kujteses per një brez te tanë që humbi të ardhmen.

Asht dita per te kujtue edhe partizanet e thjeshte, qe erdhen me aspiraten e lirise dhe rindertimit te nji Shqipnie per te gjithe.

Romeo Gurakuqi

___________

Beteja për Tiranën

(Refleksion në Kohën e Rilindjes)

Nga Romeo Gurakuqi

17 nëntor 1944 është dita e parë e procesit afatgjatë të imponimit politik dhe ushtarak, të eliminimit të elitës së qytetarisë kryeqytetase, të krijuar në kohën e Shqipërisë së parë shtetërore dhe njëkohësisht, është dita e startit të një “qytetarie të re”, të përbërë nga komponentë partizanë, që po zaptonin pasurinë dhe lirinë e popullsisë pararëndëse tiranase. Duke qenë, se “qytetaria e re” ishte partizane dhe me prejardhje nga zonat rurale jugore të vendit, ndërkohë që në pararendje qytetaria tiranase ishte nga e gjithë Shqipëria intelektuale urbane (nga Tirana vete, Shkodra, Korça, Gjirokastra Berati, Vlora, Elbasani, Durrësi, Gjakova, Prizreni, Dibra, Preveza, etj.), mbi kryeqendrën e Shqipërisë ndodhi gradualisht një proces ndryshimi thelbësor në kulturën qytetare, cilësinë e elitës drejtuese, gjuhën e folur dhe mentalitetin e shoqërisë së re të kryeqendrës së Shqipërisë. Nga një qytet i paqtë, Tirana u shndërrua në një qytet të frikshëm, të dhunshëm dhe pa gëzim. Dita e parë e lirisë, në vend që të ishte një ditë gëzimi për të gjithë, ka qenë një ditë tmerri: “Çlirimtarët” u sollën si “të Tërbuarit” sankylotë. Batalioni Special i UNÇSH-së, i cili kishte marrë detyrën e ruajtjes e disiplinës së trupave dhe zëvëndësimin e Forcës Policore në Tiranë, sapo qyteti të çlirohej tërësisht, filloi kontrollin shtëpi për shtëpi, vendosi një represion të egër ushtarak me shtetrrethim, bëri në pak ditë 800 arrestime kryesisht politike (shih: PRO. WO 204/10960, Sekret/ Majori Thornton, 22 nëntor 1944, Situata në Tiranë). Në agimin e lirisë së kryeqytetit, me 17 nëntor 1944, këto forca ekzekutuan 39 intelektualë të elitës së Tiranës: 1.Lorenc  Rasha nga Shkodra, 2.Akil Sakiçi, nga Dibra diplomuar në Liceun e Korçës dhe në një Akademi Ushtarake në Itali;  3.Nazmi Uruçi nga Dibra, i diplomuar në Liceun e Korçës dhe në një Akademi Ushtarake në Itali, 4. Fahri Dabulla, nga Gjirokastra i diplomuar ne Oxford per finance. 5.Hamit Greblleshi nga Tirana, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Stamboll, 6. Hasan Dine nga Dibra, i diplomuar në një Akademi Ushtarake në Itali. 7- Haziz Blloshmi nga Librazhdi, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Vjenë, 8- Faik Shkupi nga Shkupi, i diplomuar si ushtarak në Itali, 9- Mehmet Dado nga Mati, ushtarak i diplomuar në Itali, 10- Boris Belevksi nga Rusia, i ikur nga regjimi sovjetik në vitin 1924, ish oficer në Garden Mbretërore të ish Mbretit Zog I, 11. Aleks Mavraqi piktor, 12- Selman Shtjeni nga Mati, kalorës në Garden Mbretërore, 13. Bajram Cuka nga Mati, komandant xhandarmarie në Durrës, 14- Muharrem Liku nga Tirana, i shkolluar në Stamboll, 15. Anton Fekeqi nga Shkodra (kosovarë Shkodre), ushtarak, i diplomuar në Grac, Austri, 16. Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut, 17. Jakup Deliallisi, kryetar i komunës së Shenavlashit, 18. Imer Deliallisi, Sekretar i Ismail Qemalit, 19. Isuf Allamani, drejtor i Fermes Xhafzotaj, i diplomuar për agronomi në Milano, 20. Selim Kelmendi, oficer nga Kosova, 21. Ndue Pali offcer nga Mirdita, 22. Minella Toçi  nga Durrësi, biznesmen, 23. Seluadin Korça nga Korça, i biri i të famshmit Hafiz Ali Korça, 24.Subi Topulli oficer nga Gjirokastra, 25.Ismail Agë Petrela,  figurë madhore e Tiranës, ishte ai që  ngriti flamurin kombëtar për herë të parë në Tiranë, 26. Muntaz Kokalari nga Gjirokastra, botues, 27. Vesim Kokalari nga Gjirokastra, 28. Syrja Kokalari nga Gjirokastra, 29. Nebil Cika lindur në Prevezë të Greqisë, i arsimuar në Stamboll për gazetari, 30. Muharrem Lleshi, qytetar tiranas, zejtar, 31. Rifat Tershana nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi, 32.Reshat Stërmasi, oficer nga Tirana, 33. Lluka Xhumari nga Durrësi, biznesmen, 34. Selim Brahaj nga Sauku teolog, 35. Rakip Kalenja nga Mallakasta, oficer i diplomuar në Itali, 36.Ali Panariti nga Korça, tregtar, 37. Jorgji Mema nga Elbasani, mësues, 38. Abdulla Saraçi, nga Tirana, oficer madhor i diplomuar në Itali. Jeta e elitës e këputur  në mes në "Ditën e parë të lirisë".

Pas 17 nëntorit 1944, nga Tirana për të gjithë Shqipërinë, u ndërtua një regjim brutal dhe për pjesën e civilizuar të shoqërisë shqiptare nuk ka pasur ditë të verteta gëzimi për lirinë e ardhur në vend në një mënyrë të çuditshme. Regjimi që u instalua nga komunistët rezultoi edhe më represiv se sa ai që kishin ndërtuar Italia fashiste dhe posaçërisht Regjenca shqiptare në kohën e mbisundimit të Wehrmacht-it. Objektivi kryesor i komunistëve ishte marrja e pushtetit dhe shkatërrimi i bazës humane të rezistencës intelektuale kundër ardhjes së tyre, që u përvijua gradualisht në shoqërinë shqiptare. Pushkatimet pa gjyq dhe proceset gjyqësore kundër “armiqve” kanë qenë të drejtuara kryesisht kundër klasave të kamura, të qytetëruara dhe të ditura të shoqërisë së mjeruar shqiptare. Përveç procesit të hakmarrjes, objektivat e komunistëve, në procesin çlirimtar dhe në periudhën që vijoi, kanë qenë ato të ndryshimit të strukturës shoqërore dhe ekonomike tradicionale, përmes konfiskimit të pronës private, përfshirë edhe tjetërsimin e pasurisë intelektuale, pothuajse të të gjithë elitës drejtuese pararëndëse në kryeqytetin e vendit.

Mbërthimi i modulit nacional-çlirimtar ekstremist në kufizat e interesave komuniste jugosllave, shkatërroi çdo alternativë të kapërcimit pa tronditje të periudhës tranzitore të luftës, duke e kthyer periudhën në fjalë, në një vijë ndarjeje ndermjet dy epokave të evolucionit shtetërorë, social, politik dhe kulturor, të vendit më të prapambetur dhe më divers nga pikëpamja e  strukturës së brendshme, në gjirin e Europës së re të lirë.

Ndërkohë nuk dua të rri pa thënë edhe disa fjalë për ditët që paraprinë “çlirimin” dhe për nderimin e sinqertë për partizanët që ranë duke luftuar për lirinë e vertëtë të kryeqytetit dhe të atdheut të tyre:

Beteja për Tiranën, në Tiranën qytet, ka qenë një rrethim i gjatë me pak shkëmbime luftarake, ndërsa beteja e vërtetë ka qenë ajo e zhvilluar me kolonën armike, që u përpoq të hynte në Tiranë. Njësitë e trupave britanike të Long Range Desert Group, një njësi sulmi e trupave elitë britanike, në një sulm të koordinuar, arritën të kryenin shkatërrimin e autokolonës gjermane në rrugën Elbasan-Tiranë, para hyrjes në kryeqendër. Kësaj beteje iu bashkëngjitën edhe forcat e UNÇSH-së, që bashkarisht ndalën dhe i detyruan të ktheheshin mbrapsht trupat gjermane, ndërsa aeroplanët e Balkan Air Force, përmes zbritjeve dhe bombardimeve nga kuota të ulëta, i shkatërruan mjetet e blinduara të transportit ushtarak gjerman, duke i shkaktuar një përqindje të lartë humbjesh. Tirana shpëtoi kësisoj në kthesat e Krrabes. Në Betejen për Tiranën, e para dhe e fundit betejë frontale e UNÇSH-së humbën jetën 127 partizanë, sakrificën e të cilëve  duhet ta nderojmë. Ato që erdhën pas tyre, në të vertete abuzuan me gjakun e derdhur për liri.

17 nëntori 2019 është një kohë për refleksion të thellë, të drejtë dhe të ndershëm, që Shqipëria Zyrtare nuk arrin ta bëjë as pas 75 vitesh, si një qeveri mirëfilli europiane

Me, 17 nëntor 1944, Tirana u zu plotësisht nga forcat e UNÇSH dhe rezistenca e 300 forcave te garnizonit gjerman këtu...

Posted by Romeo Gurakuqi on Tuesday, November 17, 2020


(Vota: 2 . Mesatare: 3/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora