| E marte, 17.11.2020, 03:00 PM |
"LIRINË NUK E SOLLA UNË, POR E GJETA KËTU"
(GJERGJ
KASTRIOTI - SKËNDERBEU)
Nga
Prend BUZHALA
Kjo
thënie e njohur, e shkruar nga Marin Barleti te vepra e tij “Historia e
Skënderbeut”, i atribuohet Fjalimit të Gjergj Kastriot Skënderbeut përpara
arbërorëve pas çlirimit të Krujës nga osmanët më 28 nëntor 1443. Thënia është
tashmë proverbiale, që ka depërtuar në vetëdijen historike shqiptare
kombformuese e shtetbërëse. Sa herë gjatë historisë janë ndërlidhur ngjarje me
këtë datë, siç është Nëntori i Dytë i 28 Nëntorit 1912 në Vlorë... e deri te
historia më e re, kur del në skenë UÇK-ja, si forcë e re çlirimtare me tradita
kastriotiane.
1.
Barleti
ka formim klasik për shkrimin e tij: atë aristotelian, siç janë thirrjet,
patosi dhe etosi. Të mos harrojmë: te ky fjalim kastriotian (1443), përdorimi
më i shpeshtë është ai i fjalës LIRI, ndryshe nga civilizimi pushtues otoman që
nuk e kishte në fjalorin e vet këtë fjalë (ata kishin fjalën nënshtrim Allahut
kundër "të pafeve"... Orlando Paterson, një dijetar amerikan, në
librin e tij “Liria në formimin e kulturës perëndimore”, thotë se liria ka formuar
modelin kulturor të Perëndimit, ka qenë vlera thelbësore e kulturës perëndimore
gjatë gjithë historisë së saj; ndërsa fjala liri te popujt e vendeve
joperëndimore nuk ekziston, ato vende e popuj nuk kanë ndonjë fjalë a term të
barasvlershëm që do ta shprehte konceptin për lirinë. Dhe nënvizohet: Liria
qëndron e pasfiduar si vlera më madhore e botës perëndimore; liria lindi nga
përvoja e skllavërisë, nga vizioni i përbashkët për lirinë.
Dhe
Skënderbeu, nëpërmes Barletit, na del Mbrojtës i Lirisë. Askund nuk përdor
formula fetare të krishtera! Ani pse Barleti ishte një prift, dhe anise ai
shkruan: "Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një
shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s'më kish dëgjuar kurrë të zë n'gojë
atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit."
Barleti
po shkruante si humanist, dhe heroi i tij, në radhë të parë, është humanist,
zëdhënës i ri i pikëpamjeve për lirinë. Madje, fjalia e parë retorike, me
figurën e apelacionit, hapet me fjalinë që ka thelb të saj lirinë: "Ju
epirotët (arbnorët, P.B.), mund të gjenit një tjetër mbrojtës të
lirisë...",
Dhe
tutje e tutje: "Ju, si burra aq të fortë, të rritur në liri, që qëndruat
kaq kohë nën mynxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit..."
Përkufizimi i tillë, nxjerr në shesh SHQIPATRIN (ARBËRORIN, ARBNORIN) si
karakter që është mësuar të mos jetojë i nënshtruar, si karakter durimtar për
ta realizuar qëllimin, por njeri që nuk duron mbi veten dikë tjetër...
A
nuk i takon edhe Gjergj Kastrioti, Skënderbeu ynë, të njëjtës traditë
evropiane, kur tha "Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu",
shëmbëllyeshëm shqyrtimeve të Orlando Patersponit?!
2.
Thënia
shpesh merr edhe konotacione të tjera që u përsëritën nëpër kohë. E kemi
dëgjuar shpesh thënien “Liria nuk dhurohet, por fitohet”. Nën regjimet e
diktaturave komuniste, regjimet e tilla e përsëritnin thënien e kundërt si
formulë ruse-komuniste: “Ne ua sollëm lirinë”.
Po
përse e thoshte Skënderbeu një formulë të tillë?
Fatkeqësisht,
nga disa qarqe të ngushta (pjesëtarë lufte) përsëritet e trashëguar nga
komunzimi thënia “Ne ua sollëm lirinë.” Le ta përkujtojmë një fakt: janë
miliarda dojçmarka, dollarë, funta e euro, që shtetet eurperëndimore, SHBA dhe
Australia e largët, dhuruan për Kosovën, pa asnjë kusht, përpos kushtit që
Kosova të rindërtohej, të dilte nga gjendja e emergjencës së rëndë të
shkatërrimeve të luftës.
I
dhuruan dhe kurrë nuk thanë: ne po u mbajmë me para a me bukë, me punë a me
investime. Kur ndërhyri po e njëjta Bashkësi (NATO, më saktësisht) kundër
Serbisë, me anë të bombardimeve, për 79 ditë me radhë, ata kurrë nuk thanë: ne
ua sollëm lirinë!
U
dëgjua vetëm Klinton të ketë thënë: "Ne e fituam luftën, ju fitojeni
paqen."
Dhe
përse as europerëndimorët nuk e përsëritin kurrë që na kanë sjellë ata miliarda
dhurime e investime në Kosovë, e as e përmendin që "Ne ju çliruam, ne e
bobarduam Serbinë"!?
Sepse
ata janë RESPEKTUES të dinjitetit të njeriut dhe të LIRISË së tjetrit.
Do
të na kujtohet, se me çfarë CINIZMI e përsëritnin pikërisht serbokomunistët e
shqipfolësit serbo-komunistë jugosllavë: "Ne Luftuam gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Ne ua sollëm lirinë. Prej nesh i keni të gjitha të mirat... "
Dhe
vazhdonin dëbimet, vrasjet, burgosjet, kundër “armiqve të socializmit”, kundër
"mosmirënjohësve” të asaj lirie partizano-komuniste që shkelte vërtet
lirinë me të gjitha mjetet. Në të vërtetë, ata ishin SHKELËS TË LIRISË dhe jo
SJELLËS të lirisë.
Ata
ishin mishërim i terrorit, totalitarizmit dhe kontrollit mbi gjithkënd e
gjithçka...
Këto
slogane dhe këtë mendësi qeverisjeje e sundimi, ata i kishin huazuar nga
tradita staliniste rusomadhe, si SJELLËS TË LIRISË.
Këtë
mentalitet serbët e kishin që në dekadën e parë të shek. XX kur ndërhynë
ushtarakisht në pushtimin e trojeve shqiptare, duke thënë se ishin
“çlirimtarë”, mbasi vritnin, PLAÇKITNIN e shkatërronin çdo gjë shqiptare e çka
do që gjenin përpara.
Dhe
sot, kushdo që e përsërit këtë formulë: NE UA SOLLËM LIRINË, përsërit formulën
ruse, e cila nënkupton: privilegje për vetveten, plaçkitje dhe shkatërrim në
masë.
Por,
të mos harrojmë, ekziston një krah tjetër, liberalist, (a pseudo-liberalist):
që ka prirje (a tendenca) edhe sot që të relativizohet dashuria ndaj Atdheut.
Kjo atdhedashuri ose shpallet si nacionalizëm (njësoj si vepronin komunistët si
"sjellës të lirisë", kur burgosnin atdhetarë shqiptarë), ose e bëjnë
këtë me qëllime përfitimi të interesave të ngushta apo për ndonjë donacion të
dyshimtë të tipit mercenarist.
Ekziston,
pra, si fenomen shoqëror ndër ne, dhe një shpallje tjetër, e një KRAHU TJETËR,
shpallje e përfitimeve të ngushta: përbetimi në vlerat e luftës i një pjese të
vogël, nënkupton rrëmbimin e privilegjeve për pushtet, për para, për
privilegje. Prandaj ka kaq rrëmujë e pazare të pafund "luftarake" e
"atdhedashurie.
Kush
qenka “me muskuj” më i fortë, për të ndërmarrë “vendime” e kush qenka qyqar!
Thuajse
edhe politika qenka arenë lufte!
Luftë
kundër kujt (nëse thuhet: kundër të keqes e varfërisë, atëherë cilët qenkan
aktorët e kësaj të keqeje?! Tjetri? Partia tjetër?!)
Tamam
një DIFERENCIM I RI IDEOPOLITIK, vetëm se me mjete të reja!
3.
Mendësia
e sjellësve të lirisë (kur thonë: "Ne ua sollëm lirinë"), e
PËRJASHTON një popull komplet nga lufta për liri e nga lëvizjet e rezistencës
për liri, duke vënë kierarki sundimi: "Unë kam luftuar, ti vetëm ke
rezistuar "pasivisht", unë kam më shumë vlerë, prandaj më takojnë
këto privilegje e ky pushtet."
Dikur,
nën sundimin komunist:
Populli
nuk kishte të drejtat e veta në luftën e zhvilluar "antifashiste."
Populli
nuk ishte pjesë e luftës.
Populli
nuk kishte të drejtë të krijonte ligje për veten e tij nga ajo luftë
"antifashiste" e "nacionalçlirimtare"!
(Dhe
e dërguan popullin në Masakrat e Tivarit, në burgosje masive, në dëbim, në
papunësi masive).
Po
sot?
A
është populli pjesë e luftës së fundit?
A
ka të drejtë të kërkojë të drejtat e veta të kësaj lufte, njësoj si të tjerët?!
Po
populli, a është pjesë e LIRISË?
Po
del që është pjesë e LIRISË SË DHURUAR dhe jo PJESË E LIRISË vetjake, si e
shpallte dikur Skënderbeu popullin e tij arbëror.
Prandaj,
mendësia e tillë e formulave ruse-staliniste, nuk është respekt ndaj kësaj
lirie, kur të vetëshpallurit sjellës të lirisë, sillen kësisoj me vlerat
"e luftës" e me vlerat "e lirisë".
Në
fakt, në vend të këtyre vlerave, popullit i ofrohet shkelja e dinjitetit
njerëzor e kombëtar (ti je kurrkushi, unë jam zoti yt i ri, ti s’je i zoti të
ndërmarrësh vendime, unë marr vendime në emër tëndin); i ofrohet poshtërimi i
ri (sipas mendësisë: po qe se dëshiron të hysh në Klubin e Madh Politik të
Liridashësve, duhet të hysh si në pazar... në pazarin politik, në pazar postesh
shoqërore si në gjykata, në institucione , a në privilegje financiare, nuk ka
rëndësi).
E
skllavërojnë lirinë: duke e tëhuajësuar identitetin kombëtar; duke abuzuar me
historinë dhe me të sotmen... për shkak se kanë krijuar fallanga mercenariste
të dofarë OJQ-ve, për pseudo-integrime dhe për veprime pseudo-demokratike
Dhe,
FATKEQËSISHT, të dy palët ekstreme, “sollën” (në kohën e PALUFTËS edhe një
dukuri tepër të dëmshme) ... eh: sollën... flirtuan me ekstreme fetare
aziatike, me shitjen e historisë e të identitetit vetjak sipas ideologjisë së
zhbërjes së identitetit kombëtar, pardon: sipas masës së votës dhe pushtetit!
4.
Njeriu
është i lirë të flasë edhe me Hyjin (me Zotin a Allahun). Është Hyji që ia ka
dhuruar lirinë njeriut (”Aty ku është shpirti i Zotit, aty është liria”). Sipas
Shën Palit, Zoti e garanton Lirinë. Te ky bashkëbisedim me Hyji është
këshillues, është Zot i dashurisë, e jo komandant ushtarak apo diktator qiellor
që urdhëron vrasje, ashtu siç na e sqarojnë në trajtesa të shumta autorët
europerëndimorë; lirinë si kuintesencë e qenies njerëzore (Iluministët, Kanti,
Fihte e deri te dijetarët bashkëkohorë).
Së
këndejmi, koncepti barletian për lirinë i takon edhe trashëgimisë sonë, edhe
vetëdijes europiane për lirinë, edhe së sotmes.
Jeta
na ka mësuar që të mos frikësohemi e as të gjunjëzohemi përpara vështirësive a
pengesave, përpara mjegullimeve e paqartësive që na shfaqen në ecje. Prandaj,
secili njeri ka ARRITJET e veta, ka përpjekjet e veta, ka dinjitetin e tij
familjar e kombëtar, ka fatin e vet, sukseset e veta dhe kontributin e vet,
krenarinë e dinjitetin e vet. Prandaj DHURIMI I JETËS nuk është rezultat i
"antilirisë" apo i "liridashësve". Secili ka lindur që ta
gëzojë jetën e t'i gëzohet asaj...
E
pra, LIRIA NUK DHUROHET, POR FITOHET.
Dhe
te kjo formulë e mençur shqiptare ndodh edhe përmirësimi i keq-veprimeve nga e
kaluara, edhe reformimi i vetvetes...
Të
jemi esëll: luftën për liri e ka bërë populli i Kosovës në krye me UÇK-në,
sipas traditave kastriotiane. Ky do të ishte formulimi më i saktë.
Natyrisht,
një luftë bëhet në ndërvarësi me shumë faktorë të ndërliqshëm, si kjo e
Kosovës.
Kurse
ajo formula kastriotiane na vjen në kohën e sotme me përmasën e re epokale.