Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Rexhep Shahu: Rrahman Zeqiraj - Një statujë kujtimesh

| E hene, 16.11.2020, 08:55 PM |


RRAHMAN ZEQIRAJ - NJË STATUJË KUJTIMESH

(fragment nga libri)

Nëse duhen krijuar statuja për njerëz të shquar – kemi mësuesit

Nga Rexhep Shahu

Nëse duhen krijuar statuja për njerëz të shquar, të rëndësishëm, t’i krijojmë për mësuesit. Ata janë herojtë e shoqërisë tonë, se në fund të fundit, të gjithë produkte mësuesish jemi, shëmbëlltyra të tyre.

Kështu e mendoj unë këtë libër modest kujtimesh të mësuesit Rrahman Zeqiraj, një statujë të vogël kujtimesh, një statuje të vogël nderimi. Një statujë që thërmohet e jeton si thërmija të vogla në qindra e mijëra nxënës që e kanë patur mësues Rrahmanin në vitet e shkollimit të tyre, që e kanë patur drejtor shkolle. Thërmijat e statujës së mirësisë së mësuesit jetojnë gjatë. Dikush i ruan në memorie, dikush ua rrëfen pasardhësve të tij, dikush siç po ndodh, i shkruan në libër dhe kështu jeton mësuesi, jeton mësuesi i mirë, jetojnë rrëfimet e kujtimet për të dhe punët e tij të mira.

Në fund të fundit secili njeri është kujtimet e veta, secili njeri është sa është në kujtimet e të tjerëve, sa është i fotografuar në kujtësen e botës së tij të vogël e njëherësh të madhe, të mikrobotës së tij, njeriu si qenie njerzore, shoqërore është i ndërtuar prej kujtimesh.

Biografia e njeriut nuk mund të shkruhet kurrë e plotë dhe të rrefejë gjithë jetën pasi ka aq shumë histori jeta e një njeriu sa gjithmonë mbetet pa u rrëfyer e plotë dhe ka aq shumë lidhje me jetë të tjera sa nuk rrëfehen dot në një libër.

Nëse i duhet kënduar këngë ndokujt, këngë të gjallëve që nuk kanë derdhë gjak, pasi kënga thonë se don gjak, atëhere janë mësuesit e nënat shqiptare që meritojnë këngë, që meritojnë statuja nderimi, përmendore a shtatore mirësie e dashurie.

Ka ndodhë rëndom që u këndohet këngë edhe të gjallëve, u këndohet këngë politikanëve, figurave të ndryshme, por nëse në të gjitha këngët për të gjallët do të binte sadopak një hije dyshimi, nuk do të dyshonte askush nëse u këndohet këngë mësuesve e nënave të Kosovës.

Është e veshtirë gjithmonë të gjendet masa, të vlerësohet e thjeshta, e pabujshmja, të vlerësohen veprat njerzore që qëndrojnë gjatë, që shkëlqejnë e ndrijnë në heshtje, që rrezatojnë, është e vështirë sepse rendet pas zhurmave që bëjnë disa “si pulat që kur bëjnë vezë, kakarisin e bëjnë zhurmë sikur po lindin asteroidë”.

Të vdekurit, që janë rrënjët tona, kanë marrë jo sa duhet vemendjen e të gjallëve, vemendjen e nderimit e mirënjohjes dhe do t’u mbetemi gjithmonë borxh të vdekurve, pasi ata nuk bëjnë dot zhurma që të na imponojnë dhe nuk kanë mundësi vetë as të na nxisin e kujtojnë se janë e do të vazhdojnë të jenë në këtë botë si rrënjë tonat, si themele të jetës tonë.

Ky libër i vogël modest që përmbledh kujtimet e një mësuesi, një drejtori, një prindi model, një intelektuali të Kosovës, një njeriu që ka punuar një jetë pa zhurmë, pa bujë në edukimin e rinisë, që ka mbetë në memorien e shumë njerzve ashtu i thjeshtë si humanist, si njeri i vemendshëm, që i ka parë njerzit drejt në sy, që nuk ka parë askënd nga lart poshtë, libër që përfshin edhe kujtime e rrëfimë të bukura miqsh të cilët janë shprehë me dashuri për mikun, është një libër që nuk bërtet, është i thjeshtë, i brishtë, i pabujë, por i domosdoshëm për dashurinë e mirësinë njerzore, për respektin e mirënjohjen që duhet ta artikulojmë për meritorët që nuk kanë grada, që nuk kanë rendë pas famës e lavdisë por u ka mjaftuar vetja.

Në portretin e mësuesit në Kosovë ndërtohet më mirë, më shumë, më i plotë se kudo tjetër portreti i intelektualit rrezatues e ndriçues, i intelektualit që ka patur fuqinë të tërheqë e të thithë masën e madhe të njerzve, të bëhet i besueshëm për udhërrëfyes.

Mësuesi shqiptar në Kosovë ka qenë gjithë kohën e pushtimit serb parasëgjithash intelektuali që ka mbajtë gjallë shpirtin shqiptar të Kosovës, ka qenë arkitekti që ka ndërtuar me mund, durim e palodhje atdheun shqiptar tek brezat e rij, ka qenë ai ndaj të cilit Serbia ka luftuar më shumë se kundër gjithkujt tjetër në Kosovë në mënyrë konstante për ta deformuar e shkatërruar.

Mësuesi shqiptar i Kosovës i ka fituar gjithë betejat, e ka mundë Serbinë, e ka mbajtë gjallë Kosovën edhe nën pushtim serb, e ka mbajtë gjallë dhe e ka rritë shqiptarin e shqiptarinë.

Në kohë të kthjellta e më të paqta mësuesi shqiptar në Kosovë veç do të lartësohet e nderohet nga brezat që do të vijnë.