Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Armela Hysi: Elona Gjergo - Spectrum

| E hene, 16.11.2020, 10:01 PM |


SPECTRUM

Roman nga Elona Gjergo

Nga Armela Hysi

Është nga herët e pakta që më ndodh të kem lexuar një libër, të dua të shkruaj që ta këshillojë e reklamojë tek lexuesi, studiuesit letrar dhe mjekësor, mësues dhe prindër e gjithë sa kuptojnë ç’do të thotë vlerë e një libri dhe sa mëson, percepton, kupton dikush kur lexon ç’përçon ky dhe të mos mundem të them asgjë. Janë dy lloje “mos-mundjesh” këto që përshkruaj: emocionale – sepse vërtetë bëhet fjalë për një tufë tejet të rëndë emocionesh të çunamta e po aq përpirëse sa dhimbja, por kryesorja ndalesa, pengesa që ka kushdo person që rekomandon një libër, të mos shfaq e kallëzojë dot detaje, sepse do t’i humbte diçka nga kompletimi i leximit sublim të një romani të tillë.

Librin e mora me autograf nga Elona Gjergo, autorja e pesë romaneve letrar në dhjetë vitet e fundit. Një romanciere pra, relativisht e re dhe e sprovuar tashmë, njëkohësisht!

Kisha shkruar diku rreth 2015-16 një opinion-artikull letrar në gazetën Tribuna, të Athinës, mbi “Skizofrenia”, libri i dytë i autores, botuar në 2013-ën, që më ra në dorë krejt rastësisht nga kushërira ime, letrarja Brikena Qama. Një libër ku më bëri përshtypje të veçantë gjuha, që herë-herë ngrihej në nivelet e një letërsie të epërme, guximi të jepej në letërsi pa rezerva “kjo vajzë” e më tepër se çdo gjë premisat që zbulonte me kaq hir dhe një sy i stërvitur e i edukuar me estetikë i kupton edhe tek një shkrimtar që sapo ka bërë hapat e parë të tij. Desha të ndalesha pak tek pika e guximit dhe të sqaroja se nuk e kam fjalën për guximin e dëftimit të një rrëfenje, i historisë, subjektit – të kuptohemi. Është një faktor bazik edhe ai, padyshim, por për mua ky është koeficienti më i thjeshtë e për mendimin tim sa më apokaliptik në detaje të ashtuquajtura joshëse për figurën, apo mallëngjimin, aq më i vogël se njësia është ky koeficient, ndaj dhe siç e kuptoni matematikisht, për pasojë shumëzimi me të do i sillte vetëm dëm përmbajtjes cilësore. Nuk i bëj – mos dhëntë Zoti – asnjë kompliment, aq më pak mbështetje puritanizmit konservator me këtë opinion të përgjithshëm timin, mbi letërsinë, por mendoj se është në esencën e letërsisë cilësore të jetë e smeriluar, e trajtuar me klasicitet dhe elokuencë të zgjedhur dhe t’i lërë vendin fjalës të shpalos mendime e jo figura e shantazhi psikologjik (nga të cilat jemi dhe kaq të përmbytur, gjithsesi). Ama nuk mund të mos ngre në piedestalin e krijuesit një letrar që vërtet kridhet kokë e këmbë në letërsi, vithiset në çmendurinë e saj magjepse në radhë të parë për atë – rrufepritësin – vetë autorin pra, i cili tërheq nga retë tërë atë energji, e më pas për gjithë të tjerët, kur çdo gjë shkon mirë e lajthitjet përfundojnë në libër që shpërndahet e jeton tanimë jetën e vet të pavarur.  Këtë vura re se e “pësonte” herë pas here e panjohura atëherë, për mua, Gjergo, në tekstin e saj, e cila do të më tërhiqte vëmendjen gjithashtu me romanin e saj pasardhës, me një botim grishës nga Sh.B Adonis “Gjashtë gishta e gjysmë”. Kur e lexova, “Gjashtë gishta e gjysmë” – përsëri prezantuar nga menaxheria e shumicës së takimeve të mija me librat e rinj në shqip, e pothuaj e kudo-gjendura e mazhorancës së aktiviteteve të komunitetit shqiptar të Athinës, letrares Qama, e nxitur nga gjithashtu njeriu im, e korrektorja ime letrare në librat e fundit, Eriketa Kollçaku Qorlazja, kuptova se Gjergo nuk qe një rastësi në letërsinë bashkëkohore shqipe.

Pjesa e parë e kryesore, bosht për tërë librin: “Si është të më duash mua”, ose historia e Katerinës, siç më pëlqen ta quaj unë, meqenëse romani “Gjashtë gishta e gjysmë” ndahet në tri pjesë si periudha kohore që u përkasin ngjarjeve, qe jo vetëm një tragjedi e ndjerë që dhe të denja për të mbetur në mendje, por dhe e denjë të përfaqësonte çdo lloj autori me emër tashmë dhe me peshë në letërsinë tonë. Bëhet fjalë për një tekst plot ngjyra, të balancuar gjer në hollësi. Flet për ngjarjet, për ndjenjat, për periudhën kohore siç e jetojnë personazhet, siç parashtron njëkohësisht atë që letërsia e situr dhe e ngjizur me koshiencën e thelbin e vet për të sjell vlera, bënë aq natyrshëm, duke i lënë vend paraqitjes së sfondit historik, folklorik, dokeve, përshkrimit tërheqës, gërshetimit intim...

U zgjata vërtetë disi me librat para-ardhës të Spectrum, romanit të fundit dhe ndoshta më të shkurtrit për nga volumi sasior i tekstit të Gjergos, pasi jam e mendimit që është e drejtë të shpalosja me detaje, se ky libër me nivelin përkatës, nuk erdhi rastësisht. Elona kishte shtruar rrugëtimin e saj drejt temave sociale qoftë edhe ato delikate dhe kishte bërë tentativa të shkruante një letërsi të mirë, kishte vënë në jetën tonë talentin dhe botën e saj me mënyrën më të larmishme të mundshme dhe njëkohësisht kishte arritur të ushtrojë kështu pareshtur frymën e saj për të mprehur përherë e më tepër konceptin e saj letrar. Deri tani, tek romani Spectrum – për të prekur tanimë me kaq profesionalizëm, me kaq dashuri të përçueshme, dhe me kaq koncizitet objektiv e të kompletuar një histori prekëse; një aspekt shoqëror i brishtë dhe i trishtë gjer në pambarim dhe për më tepër i vlefshëm si edukativ. Vihet në dukje serioziteti i kërkimeve dhe studimeve të autores mbi temat që shtjellon dhe tjerr me aq kujdes.

Fundjavën që kaloi pata kënaqësinë të njihesha personalisht me “të njohurën” tashmë për mua Elona Gjergo. Pati mirësinë të vizitonte time më, e cila ka kaluar një vit mjaft të vështirë shëndetësor; të ndiqnim në praninë e miqve e familjarëve të tjerë filmin “Lugatka”, nga Scriptum n’Sonus. Një punim i mrekullueshëm (për të cilin do të flas më gjatë në një artikull të ardhshëm), ku autorja Gjergo me poezitë e saj ka parashtruar skenarin dhe rezultati artistik i tërësisë është vërtetë tërheqës, përveç se është vlerësuar me vendin e Parë të Festivalit Ndërkombëtar për Filmin Eksperimental. Patëm rastin të njiheshim fizikisht e të kuptonim sa shumë anë e përvoja të përbashkëta kemi si krijuese, qytetare të mentaliteti të ngjashëm, nëna etj. I cilësoj të gjitha këto për të theksuar se si çiltërsia e shkrimit të saj, me qenien e saj, janë një. Pikërisht ç’kisha akumuluar prej saj në të vërtetën e saj si autore e gjeta në femrën Elona. Një krijuese e bukur jashtë e brenda. Kjo e jep më në pah empatinë e saj, të dojë të paraqes ndjeshmërinë e kësaj bote. Ndjeshmërinë që është dhe pjesa më e fuqishme e botës, e pse jo, boshti që e mban në të vërtetën e vlerës, përmes shtjellës së gjithë katrahurës individuale që detyron mjerimi e dhimbja e ndonjë karakteri distrofik prej këtyre vlerave. Këtë fuqi do të vëri në dukje edhe Elona, në librat e saj ku me gjithë peripecitë do të fitojë në fund e mira dhe plagët janë përherë në përforcimin e jetës dhe dashurisë. Tek Spectrum gjithashtu, si dhe në romanet e mëparshme të saj, thellë-thellë do ta shquani pikërisht këtë. Është një libër që do të prek zemrat e njerëzve, sado të ashpër të jenë ata. Thellë-thellë do të gjeni dhe përgjigjet e disa pse-ve të mëdha, në çështje që do të na gjejnë përherë kundër, por për hir të diagnozimit të saktë, për shërimin e sëmundjeve shoqërore duhet të dëgjohen edhe ato. Siç do të gjejmë gjithashtu një tekst mbi psikologjinë që duhet të përdorin prindërit a edukatorët me fëmijët, duke hulumtuar të metat e gjithë-anshme të personazheve dhe sjelljen e larmishme të tyre në çdo aspekt. Ekziston brenda tekstit polimorfik edhe – do të guxoja të thosha – një fije humori, mes gjithë fijeve të tjera që përbëjnë kordoni përçues që është mënyra shprehëse e autores, i cili nuk përmban aspak ironi, por mes thurjes së një naiviteti disa-planësh bënë, përveçse thurjen e vetë historisë për jetën e personazheve të rrëfyer, edhe theksimin e naivitetit që e bënë më tragjike, por dhe më të pranueshme gjatë realizimit të librit. Do të më kuptoni më drejt kur ta lexoni librin në fjalë, në këtë analizë, sepse duke mos sjellë dot shembuj, ndoshta bëhem disi hermetike në pozicionimin tim kundrejt lexuesit të këtij shkrimi. Sidoqoftë nuk mund të rri pa e quajtur gjenial faktin që, edhe pse nuk dua të bëj “spoiling” duke dhënë detaje, i tërë libri prononcohet në vetën e parë duke e bërë rrëfimin më të thjesht për të “honepsur” ngjarjet si gjatë shkrimit nga ana e autores Gjergo, ashtu dhe gjatë leximit nga ana jonë, që historia të vijë e zbutur, në kontaktin tonë të parë me të, por me të njëjtën rëndesë që vlen të trajtohet. Thjesht kjo bënë sikur të kemi marrë një tabletë për stomakun, përpara substancës së egër për këtë sëmundje të rëndë në organizmin e shoqërisë. Sepse libra të tillë që vënë në dukje, tjerrin, nuk justifikojnë por përkundrazi sqarojnë, nuk marrin anë, por tregojnë sa e thjeshtë është të infektohesh, e më pas të bëhesh ti vetë burim infektimi, sa i verbër është ky koncept mbi jetën, por dhe sa ngjitës, janë substancat shëruese. Na pëlqen apo jo ta kuptojmë. Ndërgjegjësojnë dhe përgjegjësojnë. Përgënjeshtrojnë dhe alibitë relative të të gjithë përgjegjësve, pra të të gjithëve ne pa përjashtim. Gjithashtu gjej dhe fundin e tij një zgjidhje që për fat të keq, më pëlqen. Më pëlqen padyshim minimalizmi me të cilën e ka skicuar, gjithashtu si autore. U zgjata sërish, por jo pa shkas. Diku nëntëdhjetë faqet e Spectrum më dhanë mjaft shkaqe për të përjetuar të gjitha këto që hodha në ekranin e kompiuterit. Jam e sigurt se trajtimi i temave mund të ngrejë debate, por kjo gjithsesi është në të mirën e shoqërisë dhe viktimave të çfarëdolloj, padyshim edhe të librit. Fshehja nën rrogoz është krimi i përbashkët, ndaj pro apo kundër ideve të hedhura, përherë është më mirë se heshtja. Elona vetëm këtë nuk bëri me Spectrin e saj!

Me respekt për vëmendjen

Armela Hysi

Athinë 2020