E premte, 29.03.2024, 01:39 AM (GMT)

Kulturë

Dukagjin Hata: Para ikjes nga ferri…

E diele, 15.11.2020, 11:03 AM


Para ikjes nga ferri…

PROLOG

Fragment nga libri në process: Nga Golgota në “Tokën e Premtuar”

-Kushtuar aktit të familjes së Sakip Skepit dhe shtatë familjeve dibrane që thyen klonin enverist të Diktaturës më 12 maj 1958-

“Të jesh i lirë nuk është aq e vështirë sa besohet. Supozohet vetëm një kusht: që liria të vlejë më shumë se jeta” - Aleksandër Sollzhenicin

Nga Dukagjin HATA

Ishte fundi i viteve ’50, vite që erdhën me shtrëngime të reja të jetës në cdo cep të atdheut, të pushtuar nga klika e kuqe, por në Blliçe, në atë fshat të çuditshëm të Dibrës, ku sigurimi qe shtruar “këmbëkryq”, këto shtrëngime po ktheheshin në një makth për të gjithë banorët. Edhe ata që ishin më të “privilegjuar”, ndiheshin si në gjëmba, për shkak të kalvarit të përndjekjeve sistematike që ushtrohej me një simetri gërricëse nga segmentet e regjimit mbi bashkëfshatarët e tyre. Thënë ndryshe, Blliçja ishte një shenjestër ku qenë orientuar “erenitë”, duke lëshuar në muzgjet e përgjakur nga krimi kujen e kukuvajkave bolshevike…

Sa më shumë që forcohej regjimi i ndërtuar mbi barazitizmin në varfëri ekstreme dhe goditjen pa mëshirë  të kundërshtarëve realë dhe imagjinarë, aq më shumë shtrëngohej laku në qafën e njerëzve të thjeshtë, që ndiheshin të pushtuar në tokën e tyre, në lirinë e zgjedhjes së çdo alternative dhe në vetë pragun e derës…

Fshatarët, burra e gra, të rinj e të moshuar, me shetër në duar, rrinin gjithë ditën, nga agu në mbrëmje vonë, arave, duke ujtur e prashitur, në një garë të ethshme me kohën, për të siguruar bukën e gojës, e cila herë herë mungonte, edhe pse drejt saj qenë drejtuar gjithë altaporlantët e zhurmshëm të Diktaturës…

Fshati Blliçe kufizohet nga fshatrat Fushe-Alie, Rrenz, Laçes, Kastriot, Kuke, Pergjegje, Shumbat dhe është një ndër fshtrat më të mëdhenj të Dibrës dhe fshati më i madh i Fushë-Alie (Fushë-Çidhnës). Ky fshat përbëhet nga 14 fise, të cilët janë: Skepi, Tota, Hoxha, Birti, Dauti, Kaloshi, Derti, Noka, Nezha, Kuta, Derti, Spata, Bodi, Dedja. Banoret e ketyre fiseve pretendojnë se janë me origjinë nga malësite e Dibrës, ne të majtë të Drinit, kryesisht nga bashkësia krahinore e Çidhnës.Këta fise mund të jenë ngulitur këtu aty nga fillimi i shekullit XVIII.

Dokumentet e shumta arkivore dhe të të dhënat e ardhura gojë më gojë dëshmojnë se fshati Blliçe ka qenë një zonë historikisht e banuar dhe për këtë ekzistojnë dëshmi të shumta. Përballë Bliçes, në jug të saj, ndodhet lagjja Çelias, një lagje mesjetare, në të cilën mendohet se ka qenë vendlindja e Skëndërbeut, çfarë e tregojnë toponimet e shumta, që i kanë rezistuar zulmës zhbërëse dhe asimiluese të kohëve.

Është një fshat i begatë, me toka në përgjithësi fushoro-kodrinore, nën ujë dhe pjellore, me pozitë gjeografike të favorshme, ku në të djathtë të tij lidhet me zonën e Topalltisë, ne pjesen veriore me krahinën e Slloves, ndërsa në të majtë dhe në jug me zonën e Malsisë...

Luftës qëndrestare antiosmane dhe antiserbe (tre luftërat e mëdha antisllave) të këtij fshati me bëma në histori, iu shtua si një kurorë dhimbjeje dhe lavide lufta epokale kundër Diktaturës komuniste, pushtimit më mizor që kishte ndodhu deri atëherë, këtë radhë nga vetë shqiptarët.

Lufta kundër komunizmit është faqja më e lavdishme e histiorisë së këtij fshati qëndrestar, i cili i bëri një rezistencë të pashembullt urdisë bolshevike, ardhur që nga stepat e Rusisë, shfaqur si një makth në gjithë perandorinë e ish Lindjes së kuqe.

Shpata gjakatare e Diktaturës ra pa mëshirë mbi thuajse të gjitha fiset krenare të Blliçes, mëkati i vetëm i të cilëve ishte se donin që të jetonin me nder e dinjitet në tokën e tyre, me hisen e tyre të diellit mbi krye, pa alarmet e rreme komuniste dhe pa atë dyzim e mashtrim kolektiv, që ishte kthyer në një mynxyrë të pashmebullt.

Nga ky fshat janë pushkatuar dhjetëra burra, janë burgosur dhe internuar politikisht mbi 50 burra, janë arratisur në kërkim të një fati tjetër në botën e lirë dhjetëra familje.

Pjesë e kësaj arratije që vazhdoi gjatë gjithë ekzistencës së atij regjimi mizor, është edhe historia e rrëfyer në këtë libër.

Në kohën kur zhvillohet kjo ngjarje, agjitpropi enverian ishte në zenith, duke lëshuar gjëma e mallkime ndaj “armiqve”, që thuhej se ky fshat kishte me shumicë dhe ndaj tij qenë lëshuar të gjithë urditë e ferrit.

Ajo pranverë erdhi me një diell të kursyer dhe një shpërthim të ndrojtur lulesh, sikur diçka pati mpirë lëkurën e stinës së blerimit…

Një maj qe festuar me zhurmë e pompozitet, me fjalime dhe pankarta të sheqerosura të agjitpropit, kurse Shëngjergji qe festuar tinës, pa asnjë lloj ceremoniali dhe në heshtje të plotë, jo sikur po përcillej një ditë kremtimi feste, por një “tabu”. Edhe pse ende nuk kishte ardhur dita e zulmës më barbare të urdive jakobine ndaj çdo feste, riti e kulti fetar, këto të fundit më së paku rrethoheshin me heshtje dhe me një lloj mosaprovimi të nënkuptuar, që lexohej ankthshëm nga të gjithë.

Blliçja, me tallazitjen e një graviteti emocional të epërm, me “armiqtë” e supozuar, dukej si qendra e Botës, edhe pse aty nuk gjallonte thuajse asgjë, përveç një dyqani artizanal, ku banorët blinin ato pak gjëra që servireshin dhe që shërbente edhe si klub, ku pihej kafe e raki, mes zhurmënajës së fjalëve pa fund, që endeshin në një thashthemnajë të trishtë…

Në atë shtëpi në hyrje të fshatit, ku ritmet e jetës gjitherë qenë të vrullshme, ato ditë qenë bërë ende më të vrullshme, me ardhje vatje njerëzish, që s’kishin të sosur…

Vogëlushi Sakip Skepi vështronte me habi atë gjurulldi që kishte disa ditë që vazhdonte në shtëpinë e tij, ku ardhjet dhe ndenjet e hallave me fëmijë, hyrje daljet  pafund të rrethit familjar e farefisnor, i krijonin ndjesinë e një “feste”, që vazhdonte me ritme galopi…

Asnjëhere më shumë se ato ditë babai nuk kishte therur keca e qingja, sikur gostitë në atë shtëpi bujare, rrethuar me një avlli të lartë dhe pemë gjithëfarëshe, do të zgjasnin jo me ditë por me vite.

Pohimi i të atit se pas dy tre ditësh do të shkonin në një festë të madhe, ia kishte ndezur fantazinë vogëlushit. E ku mund të kishte festë më të madhe se sa kjo zallamahi e shoqëruar me sofra që uleshin e ngriheshin pa fund, aq sa dukej se miqtë dhe mikeshat e familjes nuk kishin të sosur?!

Në një fshat ku shtëpitë janë ngjitur me njëra tjetrën si Blliçja, vështirë se gjithë ky trazim mund të kalonte pa u vënë re, por askush nuk u shqetësua, madje as syri vigjilent i sigurimit nuk pikasi ndonjë gjë të pazakontë, pasi e dinte se kjo shtëpi kishte qenë gjithmonë bukëdhënë, me derë të hapur kanat më kanat për miq e armiq.

Vogëlushi as që mund ta përfytyronte atë që po projektohej në qiellin e një fati të ri, pasi ai nuk e dinte se kishte një mënyrë për të ikur nga ai vend ku kishte shokët dhe lodrat e varfëra të kohës, lojën kukafshehtas dhe ndoca lojëra të tjera të varfëra, por mjaftueshmërisht për duhurat për të vrarë kohën një pesëvjeçar, në kushtet e atij izolimi të skajshëm dhe gjithçkaje tjetër të hirnosur të epokës delirante.

Erdhi mbrëmja dhe vogëlushi ende ndihej në krahët e ëndërrimit për atë që përfytyronte se e priste të nesërmen, ditën kur babai i pati thënë me një vëmendje serioze, sikur po i fliste një burri të rritur, se aty afër mbrëmjes, do të niseshin diku larg, në një festë të madhe…

Atë natë vogëlushi pa rishtas burra që hynë një nga një në odën e miqve, të shtruar me lëkurë deshësh të therur në festa e zijafete, ku qëndruan deri vonë.

Babai nuk lejonte asnjë anëtar të familjes, madje as atë vetë, që e kishte dobësi të veçantë, që të hynte në atë dhomë, ku po bisedohej me zë të ulët dhe po projektohej ikja e madhe…

Kur ai tentoi të hynte tek oda e babës, e ëma, një grua e urtë dhe fisnike, që ushqente një dashuri gati hyjnore për të birin, iu drejtua duke vënë dorën në buzë në shenjë mosaprovimi:

-Mos bir! Baba është shumë i zënë…Kur të mbaroi punë, të thërret vetë…

Në mendjen e fëmijës, rrinte si një imazh i trazuar, mes përfytyrimit dhe pritjes, ndjesia e “festës” që i priste, siç i kishte thënë i ati dhe drejt të cilës ai po rendte turrevrap me fantazinë e pasur fëmijnore…

Blliçja bluante në heshtje varfërinë eksterme dhe shtrëngimin e litarit në fyt, ndërkohë që në atë shtëpi po niste rrugë një ide, mes makthit dhe ëndrrës dhe nuk dihej asgjë se si do të niste dhe mbaronte kjo histori…



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora