Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Tahir Bezhani: Fletë të grisura

| E diele, 15.11.2020, 09:05 AM |


Tahir Bezhani: tri  poezi.

FLETË TË GRISURA

Një fletore të vjetër e gjeta, të grimcuar

Nën trarët e  kullës së rrënuar

Lexova ditën time të ecjes

Gurëve të oborrit

Kishin mbetur shenja  kujtimi

Plagë  grithur gjunjëve shtalb

Rrugëve të baltosura të fshatit tim

Shikoj gjurmët e shputave këmbëzbathur

Shpuar qepurave të livadheve

Kujtim jete

Lexoj  fletëve të mykura në dekada

Nuk di,pse buzët enden qosheve

Padashur qeshin rrugëtimin e gjetur vonë

E faqet lagen nga do pika loti  krenarie

Njomën si në fëmijëri

Sa ëmbël skajojnë qeshjen e dhembshme

Të shfrenuar mallimeve të ikura

Do shkoj edhe unë pa cak, pa drejtim

Vetëm kam dashur shumë

Në Erenik ,si dikur

Të laj vazhdat e  ngrira të mallit faqeve

Si qoshe kulle të ruajtura në shpirt

Pastaj,  pastaj,

Të djeg shkarravinat nga fletore e vjetër

Ndoshta edhe hirit i vjen era zjarr...

Kur fryjnë erërat e mallit.

MALL PËR GURIN  E VENDLINDJËS

Brenda vetës lëvizen dallgë malli

Të një  kohe të largët , ngrirë në kujtesë

Një erë e nxehtë depërtoi poreve

Vrimat frymojshin si daulle të plasura

Paramendoja rrugët e pluhurosura të fshatit

Vendlindjes sime pergamenë ngjarjesh

Në malin e thellë  drugjatë

Një kambanë  rrihte  fort thumbin

Në qafën e lopës së kuqe

Rrugëve anash lozja me gurë,

Këndoja i heshtur, buzëtëmbël  isha

Kur binte shi, vetëtimë e bubullimë

Futesha  nën strehën e lisit të vjetër

Në zgorkojnë e thellë, si zog strukesha

Lëmoja shpatullat gurëmadhit  të fshehur

Flisja si me engjëjt, bëja lutje të ikte furtuna

Jashtë vetëtima “ndezte” qiellin flakë

Frika ime përqafonte shkëmbin  memec...

Tre ditë tani ,shëtita maleve të fshatit tim

Gjeta  gurmadhin  po aty, i nxirë  kohe,

Lisi ishte tharë, zjarri e kishte  shkretua

Lëmova shpatullat e shkëmbit nga malli

Ia numërova edhe të qarat e  lëmashkosura

Do pipa nga rrënjët do ecin lartësive

I mallosur Ika, e lash të djegur kujtimin e feministë

Shikoheshim si në pasqyrë ,nuk flisnim..

Ngjasonim si dy vëllezër nga një vendlindje

Bashkëvajtjes  ëndrrave të jetës

Ai i plasur unë i dërmuar nëpër kohë....

Gjakovë, Nentor,2020

SOT BLEVA  DY BUKË

Sot theva ngujimin shtëpiak

Çdo” rregull” të shtetit shkela

Me shumë dyshime të veshura

Hamendshëm vajta te furra e bukës

Bleva dy  pesëqind gramëshe

Duke llogaritur edhe tre ditë të tjera

Të mbyllur unë e mikja ime e jetës...

Sa dhimbshëm më shikoi  bukëpjekësi

Gjatë nguliti sytë në pamjen time

“Kalo mirë, më tha, eja prap nesër!...”

Nëse kam kohë, pas tre ditëve vij

Jam në pension e shëndetlig

Më thanë se virusi covid po më kërkon

Do mbyllem brenda në dhomën e heshtur

Mes dy urëzave të djegura ngroh shpirtin

Një kënge të zjarrtë buzët ia thonë zë vogël

Mikja ime e jetës u mallëngjye

Do pika lot i ranë mjekrës së rrudhosur

Kënga u tret leshnajës së pahequr

Vetëm dy frymë ofshajnë dritave të territ

Pas tre ditëve ndoshta shkoj prap për bukë.....