Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Yllka Baxhaku: Persekucioni komunist ndaj grave dhe fëmijëve nën diktaturë

| E diele, 15.11.2020, 05:32 PM |


Dokumentari "Gratë nën diktaturë"

Persekucioni komunist ndaj grave dhe fëmijëve nën diktaturë

Nga Yllka Baxhaku

Sot pata rast të shikoj dokumentarin me titull "Gruaja nën diktaturë" realizuar nga Znj. Mimoza Dajçi.

Mimozën e njohim si gazetare e publiciste, kemi parë e lexuar edhe për aktivitetin e saj humanitar për të drejtat e grave e fëmijëve në SHBA, por edhe veprimtarinë e saj të mëhershme në politikë, si ish anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike në Shqipëri dhe gazetare pranë Shtresës ish të Persekutuar Politike, një nënë e tepër e kujdeshme p?r vajzën e saj, duke rritur dhe edukuar një fëmijë të mrekullueshëm në të gjitha drejtimet.

Si regjisore është angazhuar në shumë aktivitete pranë Shoqatës ish të Persekutuar Politike në Tiranë, duke organizuar edhe koncerte sëbashku me Ansamblin e Këngëve dhe Valleve, Cirkun e Tiranës për festat e fundvitit, konkurse për letërsi e pikturë me fëmijët ish të persekutuar politikë të Shqipërisë.

Ne SHBA ajo drejtoi nga ana regjisoriale Festivalin e 16-të të Kishës Katolike Shqiptare në New York, ku pati një sukses të jashtëzakonshëm dhe u mirëprit nga të gjithë.

Për çështje biografie, si ish e persekutuar politike ka punuar me punë të detyruar pastruese me tre turne në Spitalin Pediatrik në Tiranë dhe punëtore krahu në Minierën e Valiasit, ku hynte me fytyrë të bardhë dhe dilte që andej e zezë duke pastruar silloset e qymurgurit, mushkëritë e së cilës tashmë janë dëmtuar.

Megjithë peripecitë e jetës ajo nuk heshti, çdo ditë e më shumë i jep forcë vetes për të dalë nga hiri i së shkuarës. Pas librit të saj "E bukura nën pranga" e shohim si skenariste dhe regjisore në një dokumentar me vlera të larta historike e patriotike, ku hedh dritë mbi vuajtjet e femrës shqiptare nën diktaturë, dhunimet serbe ndaj femrave në Kosovë e trevat e tjera shqiptare.

Dokumentari - thotë ajo - njeherësh është një apel i Organizatës së Grave "Shpresë & Paqe" drejtuar qeverisë shqiptare që në sheshin kryesor të Tiranës, të ndërtohet një Memorial kushtuar grave dhe fëmijëve shqiptarë që vuajtën padrejtësisht nga diktatura komuniste në Shqipëri.