Zemra Shqiptare

  http://www.zemrashqiptare.net/


Ndue Ukaj: Përballë politikës serbe duhet të sillemi si fitues

| E diele, 15.11.2020, 04:43 PM |


Ndue Ukaj:

Udhëheqësit politikë shqiptarë, nuk duhet të reagojnë si të frustruar e inferiorë përballë politikës së egër serbe.

Përballë politikës serbe, duhet të sillemi si fitues dhe të mos bëhemi qaramanë, sepse ekziston një e vërtetë e njohur politike:  Ne kemi fituar të gjitha betejat me Serbinë, sepse e vërteta është në anën tonë, atë e kanë përkrahur dhe e përkrahin të gjitha forcat demokratike dhe atë duhet të dimë ta promovojmë.

Ndërkaq, sa herë bëhen provokime të llojit çfarë di të bëjë Vuçici, më së paku duhet të biem pre e tyre, që të të kritikojmë Europën, sepse qëllimi kryesor i Serbisë është që të na largojë nga Europa.

Pikërisht kjo mund të jetë strategjia e re negative e Serbisë përballë nesh. E për të kuptuar çfarë është strategjia negative e Serbisë karshi shqiptarëve, përpara se të lëshoni deklarata kuturu që nuk shpijnë askund, lexojeni tekstin brilant të Ibrahim Rugovës "Strategjia negative", të cilin Rugova e ka shkruar në vitin 1988, pra si shkrimtar i angazhuar dhe e ka lexuar në Beograd, pas një diskutimi të ashpër me shkrimtarët serbë.

Ky tekst është një leksion fantastik për secilin që flet rreth raporteve shqiptaro-serbe.

Serbia gjithmonë tenton t' i krijojë disa etiketa dhe ato i përdor si strategji kundër nesh. Njëra nga etiketat më të pëlqyera të saj e që vazhdimisht tenton ta aktualizojë është ajo e lidhjeve tona me perëndimin. Serbia ka qëllim t' i mjegullojë këto lidhje, ndërkaq ne e kemi për detyre t'i kthjellim. Siç dinte t’i kthjellte Rugova.

Pra, të gjithë ata që kuptojnë pak nga politika, duhet ta kuptojnë se strategjia kryesore e Serbisë sot është të na ndajë prej Europës, prandaj përballë kësaj etikete e strategjie duhet të sillemi me mençuri, me kulturë të lartë e të vetëdijshëm.

Logjika euforike dhe deklaratat euforike nuk na shpijnë askund.