Mendime
Ndue Dedaj: Për Hagën, UÇK-në dhe ''kasetën'' e Bashës
E shtune, 14.11.2020, 08:53 AM
PËR HAGËN, UÇK-NË DHE “KASETËN” E BASHËS
Nga
Ndue Dedaj
Çdokush,
që do të donte të bënte një analizë serioze të asaj se çfarë po ngjet sot me
udhëheqjen e Kosovës të njëzet viteve të fundit, atë të dalë prej UÇK-së, nuk
do të mund t’i shmangte dot disa pyetje thelbësore, që nuk mund të jenë
retorike. Ku ishte Gjykata e Hagës, kur Hashim Thaçi, asokohe një djalosh
trupimët dhe intrigues, u bë pjesë e nënshkrimit në Rambuje, në shkurt të vitit
1999, të dokumentit për fillimin e luftës së NATO-s në Kosovë, krahas elitës më
të lartë kosovare të kohës, Ibrahim Rugovës, Rexhep Qosjes dhe Veton Surroit?
Ai akuzohet se krimet e tij kanë filluar që nga vitin 1898? Nga ana tjetër, a
do t’ia lejonin vetës Rugova me shokë të shkonin në Rambuje bashkë me një
“kriminel” lufte? Mund të thuhet se asokohe ishte shpejt dhe ende nuk kishin
dalë dëshmitë rreth veprimtarisë “kriminale” të Thaçit dhe komandantëve të
tjerë të UÇK-së. Po nëntë vite më vonë, në shkurt të vitit 2008, si u lejua nga
e nderuara Gjykatë e sipërthënë, që zoti Thaçi, në cilësinë e Kryeministrit të
vendit, të nënshkruante deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, dokumenti themelor
i shtetit më të ri të Europës? E po ashtu dhe Jakup Krasniqi, në cilësinë e
kryetarit të Kuvendit të Kosovës? Dy nga tre firmat kryesore të këtij dokumenti
(krahas asaj të Presidentit Sejdiu) iu përkasin të akuzuarve për krime të
llahtarshme lufte. Thaçi, Krasniqi e Veseli, pse jo dhe Haradinaj, Limaj e të
tjerë, duke qenë për njëzet vite në pozicionet më të lartë të shtetit të
Kosovës, kanë nënshkruar historinë e re të saj, njëherësh përfaqësues të këtij
shteti në kancelaritë euro-atlantike, si në Bruksel, Uashington etj.
Dhe
befas e gjitha kjo zh’bëhet dhe ata i dorëzohen gjyqit ndërkombëtar, si të
kishin qendruar njëzet e ca vjet në arrati e të ishin kapur javën e kaluar në
bjeshkët e Kosovës?!
Gjykata
e Hagës mund të thotë se sa më sipër i përkasin sferës dhe marrëdhënieve
politike, kurse ne si institucion i ligjit, merremi me drejtësinë, pa dashur
t’ia dimë për politikën. Ne nuk mund ta paragjykojmë atë, por në arsyetimin
tonë zor se politika dhe ligji, në qasje të tilla të luftës dhe paqes, janë të
ndarë si me thikë. UÇK ka qenë një formacion ushtarak, po aq dhe politik, që
është çertifikuar nga ndërkombëtarët që në hapat e saj të parë. Është
monitoruar dhe mbështetur nga afër prej tyre, gjersa ka ardhur dita që ajo të
ishte aleate e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga makina ushtarake serbe, që
kishte kryer krime mizore dhe genocid dhe më parë mbi popullsinë civile në
Bosnje etj. William Walker do të mbetet jo vetëm një mik i shqiptarëve përjetësisht,
por dhe një diplomat i pazakontë perëndimor, që shkoi vetë deri te hendeku me
dhjetëra trupa pa jetë të masakrës së Reçakut. Nëse do të kishte ndodhur e
kundërta, që ai të kishte parë ndonjë “masakër” të UÇK-së mbi serbë apo
shqiptarë, pa dyshim që do t’ia thoshte botës me të njëjtën kurajo. Dhe atëherë
do të shihnim se si NATO do të izolonte pikërisht këtë ushtri rebeluese. Por
kjo nuk ka ndodhur. Nuk mund të krijohej në zemër të Europës moderne një ushtri
klandestine që nuk i bindej asaj dhe Amerikës. Kjo është drita në të cilën
duhet parë UÇK-ja, në anën gjeostrategjike.
Ka
dhe një anë tjetër shumë të rëndësishme, kjo ushtri shqiptarësh dëshmoi se
fuqia e rezistencës së një populli për liri dhe pavarësi nuk ishte bjerrë në
kohën moderne, se lirinë nuk mund ta presësh dhuratë nga askush, as nga Fuqitë
e Mëdha, një mësim që shqiptarët jo vëtëm e kishin përftuar për vete që nga
koha e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut, por ia kishin përcjellë dhe Euopës si
kumt madhor. Ky nuk është një lavdërim rapsodik për ne shqiptarët, por realitet
historik i shkruar me gërma të mëdha e të ndritshme në libra të shumtë të
Europës pas-skënderbegiane e gjer poemat e poetit të shquar amerikan
Longfellou. Nuk është rastit që mbështetës dhe luftëtarë të ushtrisë çlirimtare
të Kosovës nuk ishin vetëm kosovarët e mbetur në trojet e të parëve në atdhe,
por dhe ata të emigracionit politik e ekonomik në Gjermani, Zvicër apo Amerikë
etj.
Sa
i përket procesit të sotëm të Hagës, askush nuk vë dorën në zjarr për krime që
mund të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, në rrethana kritike, e ato
ndëshkohen dhe sot për atëherë, individualisht, por në ato çka kemi dëgjuar
deri tani nga aktakuzat e shpallura kësaj jave ndaj Thaçit, Krasniqit, Veselit
dhe Selimit, nuk përmenden raste konkrete vrasjesh të kryera apo të urdhëruara
prej këtyre, çka ka bërë që ata të shprehen kategorisht për pafajësinë e tyre
vetjake. Atëherë, lind pyetja, ata akuzohen për një fajësi kolektive të
supozuar? A mund të ketë juridikisht një fajësi të tillë? Apo, i gjithë procesi
gjyqësor ndaj tyre, është politik, për të ruajtur “ekuilibrat” me Serbinë, siç
thuhet nën zë? Në vitin 1999 në Kosovë kishte vetëm një rezultat lufte: një i
fituar dhe një i humbur. Fitimtari ishte Kosova, humbësi ishte Serbia. UÇK-ja
meritoi kurorën e fitimtarit dhe nuk mund të kishte një ushtri e lavdishme, me
një komandë kriminale!? Përpilimi i dosjeve dhe pretencës serbe në ngarkim të
UÇK-së nuk mund ta tjetërsojë këtë fakt plebishitar, qoftë dhe duke u përfillur
drepërdrejt apo tërthorazi një akuzë e tillë e pabazuar nga faktorë
ndërkombëtarë.
Nga
ana tjetër, Kosova kishte vetëdije shteformuese që nga Lidhja e Prizrenit e që
nga 1912-a, kur dërgonte në Vlorë Isa Boletinin dhe nuk do të nxirrte kurrë në
krye të saj vrasësit e çfarëdo natyre. Një popull që ka hequr për lirinë nuk
vret. Gjykatësit duhet të dinë se kanë të bëjnë me një popull që kurrë nuk e ka
kapërcyer kufirin e vendit të tij për të luftuar të tjerët.
(Do
të ishte tjetër gjë nëse do të merrej në analizë sjellja në liri e disa prej
udhëheqësve të dalë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si abuzimi me pushtetin
etj.)
Së
fundi, mos procesi i Hagës i nisur si penal, do të përfundojë si… politik? Kjo
do të kishte vetëm një të mirë, të katër të akuzuarit e Hagës do të ktheheshin
në liri, në shtëpitë e tyre në Kosovë dhe kështu do të mbyllej përgjithnjë
kapitulli i pretendimeve të palës serbe për krime (edhe) nga UÇK.
Post
scriptum. Dihet se pas nisjes së procesit të fundit në Hagë, ka pasur opinone
dhe qasje nga më të ndryshmet, sidomos hamendësime apo keqpërdorime të
qëllimshme. Siç mund të merret me mend, politika provinciale as në këtë rast
nuk mund të qëndronte duarjashtë, siç do të ishte normale. Mund të pritej
gjithçka tjetër në adresë të kreut të opozitës, Lulzim Basha, tash që ka
filluar me tone të ndezura fushata elektorale, por përpjekja për ta përfshirë
në “historinë” e Shtëpisë së Verdhë, që nuk ekziston as në mitologjinë
shqiptare, apo atë të masakrës së Krushës së Madhe, përmes një kinse kasete që
ai paskësh zhdukur (!?), na duket një teprim, një truk politik e mediatik për
t’iu hedhur hi syve shqiptarëve. Me një cic-mic të tillë qesharak, me dikë
“tradhtar” e dikë tjetër “patriot”, nuk mund të fitohen vota. Por në këtë vend
askujt nuk i skuqet fytyra për furtunat e ngritura në gotë! Vjen një ditë e
thuhet, e po ashtu ishte loja… dhe me kaq mbyllet diçka që sot shitet si
skandal. Ama këto janë njolla në politikën “rurale” elektorale të vitit 2020
për zgjedhjet e prillit të ardhshëm...