E marte, 19.03.2024, 05:38 AM (GMT)

Mendime

Xhemal Ahmeti: Unë shqiptari oksidentaloriental

E enjte, 12.11.2020, 10:11 PM


UNË SHQIPTARI OKSIDENTALORIENTAL

(Kur do ma kuptoni një ditë filozofinë)

Nga Xhemal Ahmeti

Kam ecur gjithë botën. Ose shumë pjesë të saja. Asnjë nuk e kam gjetur si unë. Kur flisnim për fétë i thoja gjyshët i kam të krishterë postpaganë, prindët myslimanë e unë lidhje s’kam çka jam. Tek ne ishte osmani, austrohungarezi, romaku që na mbylli periudhën ilirike dhe shumëkush tjetër. Latini me prozat e tij dhe osmani me kaligrafinë e huazuar persike. Të gjitha këto i kam në habitus megjithatë shqiptar mbeta dhe jam. Ka më pasuri se kjo? I kam të gjitha të tyret e asnjëri prej tyre nuk më ka mua? Të gjithë këta i njohë, të gjithë këta i respektoj (kur nuk çmenden sërish me ëndrra imperialiste) por asnjëherë njërin prej tyre nuk e priorizoj. Nuk ka habitus më të pasur, më përbashkues se shqiptari. Po ditëm mos i vëmë në konflikt këto pjesë tonat kundra njera tjetrës dhe po i mbetëm besnik vektorit konstant (siç e thanë Samiu dhe Vasa) ne kemi mundësi të jemi populli më paqësor dhe i realizuar i globit. Prandaj bëhem nervoz me klerikë dhe injorantë që nuk duan ta kuptojnë qenien tonë. Prandaj tërbohem me ata që na duan turqi, arabë, italianë, amerikanë e nuk kuptojnë se çelësi i mbijetësës sonë ishte dhe është pikërisht respekti i të gjithëve dhe mbetja vetja jonë.

___________

REFLEKSIONE PRORELIGJIOZE

Përveç «Dhiatës së Re» ende revolucionare sa i përket filozofisë së paqes, ç'etatizimit të besimit (metafora me Cezarin) dhe barazisë sociale (bashkësia e apostujve), krishterët e kanë edhe një mekanizëm suprem madhështor që është davidiane, pra paradiath?k?; atë të faljes ceremoniale që implikon adresimin tek gjykatat e kësaj bote për veprat brenda saj dhe eliminimin e konfliktit me Zotin pas pendimit. Kjo mënyrë e mban njeriun brenda etikës dhe rregullave me disciplinën e përgjegjësisë sociale ndaj Tjetrit dhe bashkësisë, e falë atë kur vepron në kushte afekti (çka i mundëson riintegrimin) dhe ia le në përgjegjësi individuale raportin e pastrimit me etikën që e imponojnë ligjet e shtetit ku jeton. Habermas ka të drejtë kur thotë se i gjithë sistemi etik-juridik i sekularizmit ka bazat në kanunet krishtere. Pra kemi të bëjmë me një religjion jo vetëm se i «nënshtrohet» sekularizmit si forma më adekuate e koekzistencës, por edhe i ka paraprijë atij, duke mos u ngulitur mentalisht në anën e medaljes së mëkatarit të pandreqshëm, atij të pashpëtueshmit, ferrakut apriori, por duke ecur më shumë drejt "njeriut si kurrorë e krijesave" që mund t'ia dalë ta bëj botën siç e predikonte Mirandola. Strategji e bukur. Mirënjohje nga një jo i krishterë.

___________

SUBJEKTI DHE DELET

Është rëndë për ata që nuk ecin sipas melodisë që e imponojnë turmat sunduese [mantrat e tyre që kryesisht ua servojnë si taxhi populistët dhe profetët e urrjetjes] të një kulturosfere. Vuajtja dhe përcaktimi megjithatë ia vlejnë: atij të kopesë i thuhet dele, atë që ecë vetë e thirrin me emër. Me të drejtë: delja s'ka nevojë të mendohet i mjaftojnë sytë për ta ndjekur turmën, atij me emër e të paturmë ndërkaq i duhet një kompas dijeje, dinjitet dhe shumë punë që mos te detyrohet t'i ndjek delet, të cilat duke ikur nga ujku [edhe kur nuk është aty] masakrojnë veten gropave.

___________

HASHIM THAÇI

Kush thoshte se Hashim Thaçi nuk ishte garantues i unitetit dhe kontinuitetit politik? Që nga pengimi i tij për në Washington as kokën nuk e dini ku e keni - si në proceset e brendshme e lere më në ato të jashtmet. Dhe jam i sigurt se zgjedhjet në këto kushte do tu fusin edhe më thellë në hiatus. Nuk është lehtë të drejtosh litarët e një shteti në krijim e sipër dhe me një armik aq të aftë që edhe Gjykatat që i formoni vetë ua merr. Kështu do të shkruhet nesër për këtë episod të historisë më të re kosovare. Me gjitha pandehjet dhe akuzat Thaçi do mbetet figura kryesore dhe më e aftë e Historisë së Re të Kosovës dhe çështjes shqiptare. E pranofshi me shëndet.

PS. Shajeni se si ashtu s'ka mbetur gjë pa thënë për të, kjo mirëpo nuk do ta ndryshojë kronikën faktografike të ngjarjeve. Unë s'jam partizan i tij, vetëm një observues nga jashtë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora