| E enjte, 12.11.2020, 11:11 PM |
UNË SHQIPTARI OKSIDENTALORIENTAL
(Kur
do ma kuptoni një ditë filozofinë)
Nga
Xhemal Ahmeti
Kam
ecur gjithë botën. Ose shumë pjesë të saja. Asnjë nuk e kam gjetur si unë. Kur
flisnim për fétë i thoja gjyshët i kam të krishterë postpaganë, prindët
myslimanë e unë lidhje s’kam çka jam. Tek ne ishte osmani, austrohungarezi,
romaku që na mbylli periudhën ilirike dhe shumëkush tjetër. Latini me prozat e
tij dhe osmani me kaligrafinë e huazuar persike. Të gjitha këto i kam në
habitus megjithatë shqiptar mbeta dhe jam. Ka më pasuri se kjo? I kam të gjitha
të tyret e asnjëri prej tyre nuk më ka mua? Të gjithë këta i njohë, të gjithë
këta i respektoj (kur nuk çmenden sërish me ëndrra imperialiste) por asnjëherë
njërin prej tyre nuk e priorizoj. Nuk ka habitus më të pasur, më përbashkues se
shqiptari. Po ditëm mos i vëmë në konflikt këto pjesë tonat kundra njera
tjetrës dhe po i mbetëm besnik vektorit konstant (siç e thanë Samiu dhe Vasa)
ne kemi mundësi të jemi populli më paqësor dhe i realizuar i globit. Prandaj
bëhem nervoz me klerikë dhe injorantë që nuk duan ta kuptojnë qenien tonë.
Prandaj tërbohem me ata që na duan turqi, arabë, italianë, amerikanë e nuk
kuptojnë se çelësi i mbijetësës sonë ishte dhe është pikërisht respekti i të
gjithëve dhe mbetja vetja jonë.
___________
REFLEKSIONE
PRORELIGJIOZE
Përveç
«Dhiatës së Re» ende revolucionare sa i përket filozofisë së paqes,
ç'etatizimit të besimit (metafora me Cezarin) dhe barazisë sociale (bashkësia e
apostujve), krishterët e kanë edhe një mekanizëm suprem madhështor që është
davidiane, pra paradiath?k?; atë të faljes ceremoniale që implikon adresimin tek
gjykatat e kësaj bote për veprat brenda saj dhe eliminimin e konfliktit me
Zotin pas pendimit. Kjo mënyrë e mban njeriun brenda etikës dhe rregullave me
disciplinën e përgjegjësisë sociale ndaj Tjetrit dhe bashkësisë, e falë atë kur
vepron në kushte afekti (çka i mundëson riintegrimin) dhe ia le në përgjegjësi
individuale raportin e pastrimit me etikën që e imponojnë ligjet e shtetit ku
jeton. Habermas ka të drejtë kur thotë se i gjithë sistemi etik-juridik i
sekularizmit ka bazat në kanunet krishtere. Pra kemi të bëjmë me një religjion
jo vetëm se i «nënshtrohet» sekularizmit si forma më adekuate e koekzistencës,
por edhe i ka paraprijë atij, duke mos u ngulitur mentalisht në anën e medaljes
së mëkatarit të pandreqshëm, atij të pashpëtueshmit, ferrakut apriori, por duke
ecur më shumë drejt "njeriut si kurrorë e krijesave" që mund t'ia
dalë ta bëj botën siç e predikonte Mirandola. Strategji e bukur. Mirënjohje nga
një jo i krishterë.
___________
SUBJEKTI DHE DELET
Është
rëndë për ata që nuk ecin sipas melodisë që e imponojnë turmat sunduese
[mantrat e tyre që kryesisht ua servojnë si taxhi populistët dhe profetët e
urrjetjes] të një kulturosfere. Vuajtja dhe përcaktimi megjithatë ia vlejnë:
atij të kopesë i thuhet dele, atë që ecë vetë e thirrin me emër. Me të drejtë:
delja s'ka nevojë të mendohet i mjaftojnë sytë për ta ndjekur turmën, atij me
emër e të paturmë ndërkaq i duhet një kompas dijeje, dinjitet dhe shumë punë që
mos te detyrohet t'i ndjek delet, të cilat duke ikur nga ujku [edhe kur nuk
është aty] masakrojnë veten gropave.
___________
HASHIM THAÇI
Kush
thoshte se Hashim Thaçi nuk ishte garantues i unitetit dhe kontinuitetit
politik? Që nga pengimi i tij për në Washington as kokën nuk e dini ku e keni -
si në proceset e brendshme e lere më në ato të jashtmet. Dhe jam i sigurt se
zgjedhjet në këto kushte do tu fusin edhe më thellë në hiatus. Nuk është lehtë
të drejtosh litarët e një shteti në krijim e sipër dhe me një armik aq të aftë
që edhe Gjykatat që i formoni vetë ua merr. Kështu do të shkruhet nesër për
këtë episod të historisë më të re kosovare. Me gjitha pandehjet dhe akuzat
Thaçi do mbetet figura kryesore dhe më e aftë e Historisë së Re të Kosovës dhe
çështjes shqiptare. E pranofshi me shëndet.
PS.
Shajeni se si ashtu s'ka mbetur gjë pa thënë për të, kjo mirëpo nuk do ta
ndryshojë kronikën faktografike të ngjarjeve. Unë s'jam partizan i tij, vetëm
një observues nga jashtë.