Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gjokë Dabaj: Kriza gjithnjerëzore dhe ''avullimi'' i ateistëvet

| E merkure, 11.11.2020, 09:09 PM |


KRIZA GJITHNJERËZORE DHE “AVULLIMI” TRAGJIK I ATEISTËVET

Ia kushtoj JAKUP KRASNIQIT

NGA GJOKË DABAJ

Ateistët kanë qenë shumë të pranishëm midis njerëzvet në të gjitha kohët. Njerëz që nuk besonin, ose më mirë të themi, njerëz që e dinin se nuk ekziston ndonjë fuqi e mbinatyrshme, e jashtënatyrshme, e cila të kujdeset për natyrën, ka pasur dhe do të ketë gjithmonë. Natyra është perëndia e vetëvetes.

Madje mund të thuhet që s’ka njeri me mendje të kthjellët, që të besojë se ekziston dikush, diku në qiell, i cili i vëzhgon njerëzit, pale a po gënjejnë, a po vjedhin dhe a po vrasin njëri-tjetrin. Njeriu është trupërisht aq i vockël, në krahasim me planetet dhe me yjet, sa, asaj fuqie të nbinatyrshme, edhe nëse do të ekzistonte, s’do t’i hynte në punë fare sjellja e njeriut. Kaq gjë, njeriu me mendje të shëndoshë e ka ditur në të gjitha kohët.

Por, në shekullin e 20-të, ateistët, ata që e dinin se nuk ekziston një perëndi diku në qiell, së cilës dihet t’i lutemi, erdhën në pushtet pothuaj në gjysmën e planetit Tokë. Në librat e tyre ata predikonin ateizmin, në praktikë ata nuk i luteshin asnjë zoti, përkundrazi, besuan në njeriun dhe organizuan revolucionet proletarë dhe socialistë.

Në Bashkimin (në atë kohë) Sovjetik, në Kinën (atëherë) Popullore, në shumë shtete të Evropës Lindore, institucionet e religjionevet teistë, faltoret, kishat, xhamitë, u margjinalizuan deri afër ndërprerjes së veprimtarivet. Madje, në ndonjë shtet, si në RPSSH, religjionet teistë u ndaluan me kushtetutë.

Udhëheqësit e vendevet socialistë, të gjithë ose thuajse të gjithë, ishin deklaruar se nuk besonin në një fuqi të mbinatyrshme. Të gjitha partitë komuniste, punëtore e socialiste e predikonin ateizmin e tyre gjithandej. Nëse toleroheshin religjionet, kjo ndodhte thjeshtë për të mos u konfrontuar me ata njerëz që ende besonin te perendia e tyre e përfytyruar, fuqi e mbi- dhe jashtënatyrshme, dhe që e kishin vështirë të shkëputeshin nga ritet fetarë: Krishtlindjet, Pashkët, ditët e shenjtorëvet, Bajramet, synetet, kurorëzimet, ceremonitë e varrimit.

Mirëpo, po në shekullin 20, ndodhi dështimi i socializmit, të udhëhequr prej komunistëvet ateistë. Revolucioni socialist u mposht prej kundërrevolucionit brenda vetë atyre shteteve. Në të gjithë ish-vendet socialistë u rivendos kapitalizmi. Tani kemi në planetin Tokë vetëm kapitalizëm.

Janë përballë njëra-tjetrës tri fuqi të mëdha kapitaliste: SHBA-ja, Rusia dhe Kina. Janë fuqitë e tjera të shkallës së dytë, BE-ja, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, India, Brazili, Irani, secila prej tyre nën influencën ose në aleancë me njërën prej superfuqivet. Pastaj vijnë shtetet e shkallës së tretë e të katërt, që të gjithë të përfshirë në një vorbull që s’i dihet fundi. Ose, i dihet, por askush, prej atyre që drejtojnë shtetet, nuk i vë gishtin kokës, për të parë kthjellët dhe për të ndërmarrë diçka të mençur, për t‘i shpëtuar njerëzimin edhe veten nga humnera, drejt së cilës njerëzimi po rrokulliset.

Në këtë situatë të re, religjionet tradicionalë e kanë rimarrë në dorë krejt edukimin e njerëzvet me besimin ndaj zotit, fuqisë së mbi dhe jashtënatyrshme, e cila do t’u kujdeska për secilin prej nesh, jo vetëm tash që jemi gjallë, por edhe mbasi të kemi vdekur.

Tempujt, xhamitë, kishat, janë shtuar me mijëra. Para e madhe po derdhet për të ndërtuar kisha, xhami, teqe, faltore budiste, sinagoga. Para e madhe!

Ndërkaq, për luftën bërthamore, kimike, bakterike, të sofistikuar deri në pamundësi për të mbetur gjallë as miza e pleshti, jo më njeriu, klerikët nuk po shprehin kurrfarë shqetësimi apo alarmi.

Në vitet e parë, fill pasi kapitalizmi e rimori fuqinë në krejt planetin, pati një lloj shkuarje mirë midis fevet të ndryshme. U tha që të gjithë njerëzit besojnë një zot dhe prandaj ata nuk duhet të shkojnë keq njëri me tjetrin. Kjo shkuarje mirë midis religjionevet kish ndodhur, me qëllim për t’iu kundërvënë ateizmit, në atë kohë të zyrtarizuar në shumë shtete. Mirëpo, me kalimin e kohës, me shmangien e “rrëzikut” prej ateizmit, hendeku midis religjionevet të ndryshëm sa vjen e po zgjerohet e thellohet. Në Vjenë u mbyllën dy xhami. Nëpër Evropë, por edhe në vende të tjerë, tashmë po shtohet fobia ndërfetare. Kamikazët s’janë tjetër, veçse pasqyrë tragjike e indoktrinimevet me iluzioin se “mbasi ta kem hedhur veten në erë në emër të Allahut, më pret xheneti i përjetshëm”. Ka ndodhur ky lloj qorrollepsjeje edhe herë të tjera: krahaso, për shembull, asketizmin krisjan të Mesjetës.

Kështu, me sa duket, edhe zjarri i luftës së përbotshme pikërisht aty do të ndizet: te urrejtjet ndërfetare. Do të ndodhë siç ndodh me eksplozivin, të cilin e aktivizojnë, një fitil dhe një kapsollë. Pastaj, armët janë aty, të mjaftueshme për ta shuar jetën mbi këtë planet nja dhjetë apo më shumë herë.

...Kjo është gjendja! Por mua po ma gërric vetëdijen me këtë rast një pyetje fare e thjeshtë: Ku janë ateistët, për ta shpëtuar njerëzimin nga vetëshkatërrimi?! Me se po merren ateistët në këta vite lulëzimi të religjionevet teistë, kur dalldia e të ecurit në rrugë qorre ia ka mbyllur sytë dhe turbulluar mendjen gjithë njerëzimit?!

Në kohët kur skllavopronaria e kish prurë njerëzimin në zgrip të kolapsit, njerëzit e asaj kohe kërkuan dhe gjetën një rrugë për ta shpëtuar njerëzimin nga ai sistem shoqëror që nuk mund të durohej më. Nga ai sistem shoqëror, por edhe nga ai religjion, ku zotat grindeshin, shahesin e rriheshin njëri me tjetrin.

U shfaq Jezusi me një predikim krejt tjetër nga ai që po ia zinte frymën Perandorisë Romake, apostujt e Jezusit iu vunë predikimit të atij religjioni dhe erdhi një kohë kur panteizmi grindavec iu la së shkuarës. Në vazhdim u krijua edhe feja myslimane. Kështu, mund të themi, nga religjioni i një populli fare të vogël, populli i Izraelit, u sajuan religjionet monoteistë, që e sollën njerëzimin deri në kohën tonë.

Tani po shihet që, jo vetëm monoteizmi, por asnjë lloj besimi në ndonjë fuqi të mbinatyrshme apo të jashtënatyrshme, nuk mund ta mbajë më në këmbë njerëzimin.

Ateistët e kuptuan këtë kryerje, këtë përfundim të misionit të monoteizmit, së paku qysh në shekullin e 19-të dhe i hynë punës për ta rrëzuar këtë praktikë tashmë qartësisht iluzore. I hynë punës, por nuk ia dolën.

Pyetja shtrohet: Përse nuk ia dolën ateistët ta zëvendësojnë teizmin në shkallë botërore qysh në shekullin e 20-të?

Edhe përgjigjja është fare e thjeshtë, por është për t’u çuditur përse ateistët nuk e kanë gjetur këtë përgjigje të paktën në vitet kur e kishin pushtetin në një pjesë të madhe të botës?!

Jezusi u mbështet te predikimi institucional, Lenini (krahas kruzhokëvet të tij të famshëm), u mbështet te marrja e pushtetit me dhunë dhe te krijimi i pushtetit proletar, të quajtur pushteti i sovjetëvet. Mirë e morën pushtetin ateistët, por pse nuk e krijuan institucionin e religjionit të tyre, tashmë me këmbë në tokë? Pse nuk e krijuan ateistët faltoren e tyre ateiste, ku të promovonin vlerat dhe virtytet e njeriut dhe të dënonin antivlerat që gjithashtu i ka njeriu!? Këtu qëndron shkaku kryesor i dështimit të ateizmit në kohën kur ai duhej të kishte hedhur rrënjë institucionale.

Jezusi krijoi kishën. Edhe Muhameti krijoi xhaminë. As Marksi, as Lenini, as Stalini, as Enver Hoxha, as Mao Ce Duni, nuk krijuan kurrfarë institucioni të qëndrueshëm, ku të predikoheshin idetë e tyre. Në kohë të ndryshme i kishin celulat dhe organizatat e partivet, por ndërtesa në të cilat do të mblidhej “xhemati” rregullisht, ata nuk krijuan. Ndërtesa, të cilat do t’u ngjanin nga forma sinagogavet, kishavet, xhamivet, por që nga përmbajtja do të ishin mirëfilli tokësore.

Ata nuk krijuan dot një institucion të tillë, i cili do të funksiononte edhe pa e pasur pushtetin. Madje edhe duke qenë të persekutuar.

Mbasi u kryqëzua Jezusi dhe mbasi u martirizuan Shën-Pali e Shën-Pjetri, kisha e krishterë, pra institucioni që themeluan ata, veproi rreth 300 vjet pa e pasur në dorë pushtetin. Ateistët, që i kish thirrur koha për t’i dhënë një drejtim tjetër zhvillimit shoqëror dhe për ta shpëtuar njerëzimin nga gremina, nuk e krijuan një të tillë institucion të domosdoshëm. Në vitet kur e patën pushtetin, degjeneruan, u shndërruan vetë në amalgamë, as mish as peshk, dhe tani nuk shihen asgjëkundi! Ose më saktë, shihen atje ku ua do interesi për të zhvatur!

Në duar të kujt e kanë lënë ateistët fatin e vet dhe fatin e krejt njerëzimit?! Në dorën e atyre që i presin, shpëtimin ose ndëshkimin, nga qielli?!

I shohim që vërtiten si zorrë, rreth kishavet, rreth xhamivet, rreth teqevet, rreth sinagogavet dhe rreth tempujvet të budizmit, pa qenë në gjendje ta ndajnë mendjen: T’i falen, t’i luten një fuqie qiellore, apo të bëjnë sikur po i luten asaj fuqie, duke parë djathtas e majtas, pale a po i shikon dikush! Të agjërojnë apo të mos agjërojnë?! Të pinë raki apo të mos pinë raki! Të hanë mish apo të mos hanë mish ditët e kreshmevet? Ta mbulojnë gruan?! Në krahun tjetër, të gëzohen kur gruaja e tyre del me kofshë e gjoks përjashta në rrugë e në ekran?! Ç’të bëjnë me fëmijët? Si t’i edukojnë fëmijët?! Ç’i pret fëmijët e tyre?!

Ndërkaq, klerikët propagandues të fevet, tradicionale dhe të modifikuara në lloj-lloj variantesh, sigurojnë para, mbajnë veshje fetare luksoze, grumbullojnë në mënyrë sistematike fonde, ndërtojnë faltore me pamje impozante dhe i mbajnë miliona besimtarë, gjysmëbesimtarë apo çerekbesimtarë, rreth faltorevet të veta, duke u mbushur mendjen se, po të jenë besimtarë të devotshëm, do t’ia sigurojnë vetes lumturinë edhe mbasi trupi i tyre të jetë mbuluar me dhé e me baltë.

Si është e mundur të jenë kaq të cekët ateistët, sa të mos kuptojnë që koha po i thërret për ta shpëtuar njerëzimin prej një asgjësimi gomorro-sodomas të papërfytyrueshëm?! Si është e mundur të mos e kuptojnë që edhe ata duhet të krijojnë predikatoret e tyre të rregullta?! Të kenë edhe ata një libër të vetin, ku të jetë shkruar filozofia, e cila hyjnizon virtytet e njeriut dhe natyrën që e rrethon njeriun! Një filozofi, e cila t’i hapë perspektivë njerëzimit për të jetuar këtu e jo diku tjetër, në parajsë apo në fer!? Një filozofi, e cila do të predikojë të mirën, pozitiven, dhe të flasë kundër së keqes, kundër negatives, kudo që ajo të shfaqet?!

Si është e mundr që, një njeri të jetë i qartë në mendjen e tij se nuk ka kurrfarë fuqie të mbinatyrshme që kujdeset për ‘të, dhe të mos e ketë të qartë si do të duhej organizuar, me qëllim që mendimi i tij të fitojë përkrahjen e duhur dhe përhapjen e duhur?! Si është e mundur që ateistët të mos e kenë kuptuar deri më sot se duhet të organizohen dhe t’i predikojnë idetë e veta sistematikisht nëpër ndërtesa, me mure e me çati, pa shkaktuar as trazira e as luftëra?! Përkundrazi, duke u bërë faktor i rëndësishëm i parandalimit të katastrofavet!

Dhe, më e rëndësishmja: Si s’e kanë kuptuar ateistët që bota ka nevojë për ‘ta, sot më shumë se kurrë?!