E shtune, 18.09.2021, 04:45 AM (GMT+1)

Kulturë

Prend Buzhala: Adem Zaplluzha - Uragani i ndërprerë poetik

E marte, 10.11.2020, 09:10 PM


HOMAZH PËR ADEM ZAPLLUZHËN

OSE

URAGANI I NDËRPRERË POETIK

Nga Prend Buzhala

Ky vit po na i rrëmben shumë krijues. Ndër ta është edhe Adem Zaplluzha (1943-9 nëntor 2020). Kam pasur rastin të jem redaktor i vëllimit të tij poetik "Mbi shpirtin e erës pagane”. Ky vëllim ishte i 108-ti me radhë! E pra, do të mbahet në mend, me sa di unë, si autori që ka botuar më së shumti libra letrarë, kryesisht poetikë. Libri i parë poetik i tij është botuar më 1974 (“Puthje”, poezi, “Rilindja”, Prishtinë,1974). Kësisoj, më ra ta lexoj këtë vit një botim elektronik me titullin “Te një stinë anonime ”, poezi, Shtëpia Botuese "TRENDI”, Prishtinë, 2020, i cili radhitet i 189-ti me radhë! Ndërkaq, në shënimet biografike (wikipedia), libri “Mbetëm sërish në fillim ”, poezi, Shtëpia Botuese TREND, Prishtinë, 2020, është i 200-ti me radhë!

Ka dhe autorë që kanë shkruar mbi njëqind vëllime (si Rifat Kukaj dhe Odhise Grillo ose ndonjë tjetër) dhe që kanë krijuar emrat kulmorë në letërsinë për fëmijë. Ka dhe të tjerë autorë që arrijnë numrin treshifror të vëllimeve të botuara letrare, dhe të mos arrijnë cilësinë që kërkohet.

1. Në renesancën krijuese autoriale

Megjithatë, Adem Zaplluzha, në krahasim me disa autorë të ngjashëm, ka një fat tjetër krijues. Në radhë të parë, ka përvojën e gjatë krijuese. Nëse rrugën letrare e nisi me vjershën e parë për fëmijë, të botuar në revistën “Pionieri” të Prishtinës më 1957; nëse librin e parë poetik “Puthje" ia botoi “Rilindja” e Prishtinës më 1974, do të kalojnë, mandej, edhe më shumë se njëzet vjet deri te botimi i librit të dytë, diku më 1995 (“Ecjet e viteve të mëdha”, poezi, “Jeta e Re”, Prishtinë 1995), kur shprishen rrathët e ndalimeve shtetërore pushtuese serbe mbi botimin e librave shqip. Poeti, në këtë moshë të shtyrë krijuese, ishte i pandalshëm. Po e përjetonte renesancën e tij shpërthyese krijuese.

Vëllimi për të cilin kam shkruar (“Mbi shpirtin e erës pagane”) dëshmon disa fakte: jo vetëm sasinë e këtyre botimeve, por edhe amëzat poetike të përvojës së tij të gjatë krijuese, nga njëra anë, si dhe lirizmin e tij karakteristik, refleksiv intim, tematizues dhe metaforizues, nga ana tjetër. Zëri lirik, Uni poetik, e ka parasysh se e tërë bota përreth tij është motivi i tij i jashtëm, kurse tensionet midis të jashtmes e të brendshmes shfaqen në relacionet Unë/Bota, Unë/Jeta, Unë/Ekzistimi...

Dikur Aristoteli i urtë shkruante për katarzën, për ndikimin e fjalës artistike në ndjenjat dhe në psikikën e njeriut, një si spastrim i posaçëm të emocioneve që provokon a nxit tragjedia. Edhe fjala artistike e poezisë lirike, përbën një moment tejet të rëndësishëm të identifikimit emocional, që ndikon pozitivisht në këtë drejtim. Së këndejmi, kështu le ta kuptojmë edhe këtë dëshirë të zjarrtë të poetit për të shkruar sa më shumë poezi, për ta shquar sa më shumë nevojën e shkrimit si transformim të brendshëm shpirtëror, për ta mbajtur në këmbëqenien njerëzore, duke e pasuruar shpirtërisht  qoftë edhe si ngushëllim fjalësh të bukura, kundruall situatave të ethshme psiko-sociale.

2. Autopoetika

Brengat ekzistenciale, humbjet e shumta në jetë, vetmia moderne, frika e ankthi (“Kur qante vjeshta/ E ngarkuar me ankthe”) - janë tema e motive të shpeshta edhe të artit poetik dhe në to e gjen veten edhe lexuesi i kësaj kohe (“Në shpirtin tim të ngrirë/ Po bie nga pak shi i mykur” këndon peti tek poezia “Pas një ëndrre fjalësh”). Të komunikosh me sa më shumë qenie të tilla poetikisht, me artin e thënies së bukur, të ndjesh njësoj si të tjerët, a nuk do të thotë kjo se lexuesi i tillë e njeh vetveten në përvojat, në emocionet e në observimet e krijuesit? E pra, libri është urë emocionale e shpirtërore me lexuesin vetmitar, bashkëkohor, jo thjesht vetëm për shkak të halleve të përbashkëta, por edhe për nxitjen e së bukurës e të përjetimit estetik të së bukurës në art e në jetë. Prandaj Fjala i bashkon e i lidh njerëzit... dhe e arrin efektin e saj spastrues, prej katarze... Nuk është e habitshme, prandaj, pse Adem Zaplluzha e thur atuopoetikën dhe poetikën e tillë nëpër vargje. Dhe jo vetëm tek titujt e disa poezive, por edhe në disa tituj veprash poetike, të botuara më parë, fjala qëndron në thjerrëzën e nocionit të knduar lirik. Madje, cikli ballor i librit mban titullin “Posa gjej një fjalë”. Fjala merr barrë të kuintesencës poetike, të vetë-komentimit, të metapoezisë:

Posa gjej një fjalë

Shaloj trenin e mendimeve

Dhe dal ngadalë në udhë

Si petalet e trëndafilit

Merr krah vargu i bardhë

Poetizimi i fjalës është thelbi i kësaj lirike. Hyrja e kësaj poezie i ngjet mitit të muzës a grishjes së saj, posi te poetët tanë të traditës (De Rada thërret pëllumbin e Anakreontit, Naimi thërret engjëllin e urtësisë, Fishta zanat mitike shqiptare...), kurse poeti thërret fjalën, kujtesën, muzat... kalin pegasian që e befasonte me gjetjet e kësaj aventure poetike të shkrimit të librave (“Më pret befasia/ Një kalë i bardh/ Vrapon nëpër furtunën e zezë”). Kryeneçësia e vargut kërkon gjakimin e brendshëm, shpirtëror, por edhe fashitjen, zbutjen, thjesht shkarkimin prej katarze.

Fjala ka plasaritjet e saj të brendshme, ajo në poezi shfaqet për të emërtuar fenomene vrastare të jetës, prandaj ekzistojnë edhe “fjalë plumbash”, por fjala ka edhe thellësitë e saj (“Dëgjohej nga thellësia e një fjale”). Ndodh që komunikimi të mos arrijë të vërë dialog me lexuesin e kjo përbën gjendjen më të rëndë të krijuesit:

Humbësit po kalojnë të humbur rrugëve

Sillen vërdallë...

Askush nuk ua vuri veshin

Fjalëve të mia

Ndodh që kujtesa e rëndë historike të zgjohet me pezëm, pikërisht për shembjet e identitetit tonë, temë që del e shpeshtë te këto poezi:

Shoqja ime dhe unë

Pamë në Shqipëri duke vdekur një pemë

Rrënjët e ullirit në kalanë e Krujës

Prandaj, edhe ndërtimi i komunikimit me të tjerët, me empatinë e emocioneve, me bashkëndjesinë, përbën vlerën tjetër të këtij arti:

Zëri yt si zëri i erës më vjen në ëndërr(...)

Si fjala e harruar rilind

Nga thellësia e tokës (...)

Unë do të të pres diku në vetëdijen time (...)

Bëhem erë te një muzikë

E të presë në zhgjëndrrën time

Zgjimi ndodh në momentet e situatave ekstreme ekzistenciale, kur gjakojmë t’i gjejmë fjalët më të goditura, të depërtojmë në zemrën e qenies njerëzore, për ta spikatur ndjesinë e dashurisë, mendimin pozitiv, transformimin shpirtëror (“Ashti im/ Do të konvertohet në dashuri”); poeti gjakon, gjithsesi, të depërtojë dhe në thelbin e gjërave, realiteteve, dilemave, çështjeve, dhimbjeve...

3. Shkrimi si akt i shenjtë krijimi

Shkrimi përbën aktin e shenjtë të krijimit, mu atëherë kur poeti kërkon që fjalët e shqipes, me anë të alkimisë krijuese, që të gjitha, të “shndërrohen në poezi”. Nëse shkrimtarët kanë qenë e janë gjithnjë ata lexuesit idealë e idealistë, të etur për dije e me besim për ta ndryshuar jetën, atëherë hapja e librit përbën një akt të shenjtë. E krijuesit asgjë më shumë nuk kërkojnë se sa që të respektohet ky akt i shenjtë.

Në fund, do theksuar se shumë kritikë e studiues letrarë kanë shkruar për krijimtarinë e tij letrare. Po veçojmë Fatmir Mingulin me librin monografik "Revoltë dhe meditim (Mbi poetikën e Adem Zaplluzhës )", Shoqata e shkrimtarëve “Fahri Fazlliu”

Kastriot 2013.

Ngushëllime familjes dhe miqve krijues!



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora