Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemal Ahmeti: Kosova sërish para gjykatës serbe

| E marte, 10.11.2020, 09:00 PM |


KOSOVA SËRISH PARA GJYKATËS SERBE

Shumica nga ata që shpifnin dhe akuzonin komplet njerëzit e UÇK-së e dinin se kjo do jetë finalja: vënia në rrezik e shkaqeve, arsyes dhe faktografisë që garanton qenien e shtetit të Kosovës. E dinin se në finale do të kriminalizohet lufta shqiptare për pavarësi. E dinin se lufta do të denoncohej si fetare, racore, kriminele e assesi çlirimtare. I dinin ngase shumica e akuzuesve nuk janë fëmijë por njerëz me programe e synime të njohura. Nuk mund të thonë se nuk i dinin, ngase ua thonin tjerët oreçast. Para se shtetit të Kosovës t'ia nisin ceremoninë e (vetë)varrimit, çka do ishte e udhës të bëjë ai, shteti, që edhe nëse ia dalin tjerët të ikë faqebardhë?

Nga Xhemal Ahmeti

As në luftë nuk ishte kaq e madhe nevoja për një bashkim të komplet faktorëve shqiptarë siç është tash. Në luftë - siç e kam thënë në plotë tekste - madje «konkurrenca» ndërmjet «militaristëve» dhe «pacifistëve» ishte strategjia më efektive dhe e mençur që u ndodhi shqiptarëve për të përvetësuar gjitha palët e botës perëndimore dhe për t'ua mbyllur mundësitë ekstra-radikalëve majtistë gojën për ta krahasuar kauzën shqiptare me tjera.

Në paqe dhe me shtet sovran kjo taktikë më nuk funksionon në raport me botën jashtë [gabimi më tragjik i shqiptarëve pas vitit 2008], ata sot nuk sulmohen si parti, ideologjira e të llojit por si shtet, qenie, komb. Prandaj le të konsiderohet infantil mendimi se mbështetësit e Gjykatës Speciale, e cila u përvetësua nga shteti serb me ndihmën e BE-së, kanë të drejtë të oponojnë ndryshe. As tendenca e tyre kur kritikën ndaj tyre ta paraqesin si "linçim per mendim ndyrshe" nuk duhet ta mbraps kënd që t'u thotë se në cilën anë janë rreshtuar dhe me kë janë. Këta nuk janë opozitë e X partisë apo Y politikanët, por janë në anën e destruktorëve të shtetit, të Republikës së Kosovës. Shtet që për bazë ka luftën e udhëhequr të UÇK-së, të asistuar nga amerikanët dhe NATO. Udhëheqje dhe organizatë e cila nëpërmjet krerëve të saj (gjithë) u shpall «Organizatë kriminele» që ka ekzekutuar me paramendim «katolikët, romët, serbët dhe shqiptarët e mendimit ndryshe», pra që ka bërë luftë religjioze dhe racore e jo çlirimtare nga një armik që ushtronte gjenocid. Çdo interpretimi tjetër, pas botimit të aktakuzës, iu hoqën armët argumentuese nga korpusi.

Në këto kushte tashmë nevojitet një konsensus për shpëtimin e shtetit e jo për mbështetjen e personave të caktuar në Hagë. Çdo parti, grup, individ që refuzon këtë konsensus rreth temës rreshtohet në anën e atyre që sponsorizojnë gjykatën në favor të zhbërjes të së drejtës së shqiptarëve mbi Kosovën. Përveç konsensusit, mungojnë edhe shumë gjëra tjera. Çka?

Mungon një memorandum qeveritar i argumentuar deri në asht që shpalon kapjen e gjykatës nga Serbia, nëpërmjet grupeve të caktuara të BE-së. Kapje që manifestohet nga «inspektorimi» i individëve dhe klaneve të caktuara nga BE e jo nga punëdhënësi i saj Republika e Kosovës. Kapje që demonstrohet nga aktakuzat që janë narrativë komplet serbe e përsëritur qe 20 vjet.

Kapje dhe strategji që vazhdon me thirrjen e gjithë popullit serb për ta bombarduar gjykatën me dëshmi të rrejshme kundër UÇK-së me regjinë e partisë së Kryetarit të Kuvendit serb.

Sponsorët kryesor si SHBA-të, Britania, Turqia dhe tjerë nuk janë anëtarë të BE-së. Nëpërmjet këtyre duhet të kërkohet disiplinimi urgjent Gjykatës që të funksionojë sipas juridiksionit kosovar ose le të postohet në Beograd apo Moskë. Është absurd që një instancë që sheshazi ka për qëllim shkatërrimin e të së drejtës së kosovarëve për Liri nëpërmjet kriminalizimit të saj të konsiderohet Gjykatë që e së njëjtës. Është vetëvrasje me paramendim. Në këtë stad edhe po u rrezikuan miqësi me vende të caktuara ia vlen ofensiva. Aleatët duhet të kuptojnë se cili është synimi i Serbisë (edhe ata dalin kriminelë në fund) dhe cila është detyra mbrojtëse e shtetit të Kosovës.

Shtetit të Kosovës nuk i ka mbetur as alternative e as fuqi tjetër përveç se të luftojë për ta krijuar këtë konsensus dhe t'ia heq juridiksionin kësaj Gjykate siç është. Së paku nuk e varros veten me duart e veta. E këtë të drejtë kush ia mohon nuk mund të jetë as mik i Kosovës, asi i çdo të drejte njerëzore, as i i humanizmit e asnjëherë i historisë faktike, drejtësisë, e cila jashtëzakonisht qartë dallon agresorit nga viktima, gjenociduesin nga ata që as eshtrat nuk u dihen ku i kanë.