Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Akademia Alternative Shkencore “Rrënjët Tona” i shkruan Presidentit Ilir Meta për Kufirin detar

| E diele, 08.11.2020, 12:00 PM |


Qytetarët nuk kanë deri më sot, asnjë informacion për kërkesat e palës shqiptare apo për ekspertizat e kryera prej tyre për kufirin detar

-Nuk njihet ende draft negociata mes palës shqiptare dhe asaj të palës greke që aktualisht është duke u përgatitur për të shkuar në Hagë

-Këtu shtrohen pyetjet, pse në Hagë, dhe jo në Hamburg?!

- Pala greke në marrëdhënie me Shqipërinë mban qendrim të dyfishtë lidhur me efektet mbi ishujt Fanos dhe Erikusa

- Ministri i jashtëm grek z.Kotsias, thotë që fitojnë sipërfaqe sa Thesalia, pikërisht 12,000km2,

-Nuk i takon Ramës të hedhë firmën për këtë çështje por ekspertëve të fushës

Fort i nderuar SH.T.  z. President Ilir Meta!

Kemi nderin t’ju shkruajmë në emër të një forumi akademik me ekspertët më të mirë të vendit të çertifikuar me kohën për angazhimin dhe kontributin e tyre në çështjen e nxehtë që ka të bëjë me përcaktimin (delimitimin) e, zonës ekonomike eksluzive dhe shelfi.

Ne jemi të shqetësuar në lidhje me Marrëveshjen e Detit, për faktin se lajmet për këtë çështje ne i marrim nga pala greke dhe pothuajse aspak nga Qeveria shqiptare, ku vazhdimisht na ka munguar transparenca e saj. Ndaj, ne i lutemi integritetetit Tuaj, që së bashku të kërkojmë e t’i lëmë kohë shkallës së njohjes së kësaj problematike, jo të lehtë, e cila ka elemente thelbësore e të rëndësishëm për t’u mos u influencuar nga politika e çastit, nga e cila kemi qenë të ndëshkuar historikisht.

Mazhoranca e sotme, opozita e athershme me të drejtë hodhi në Gjykatën Kushtetuese çështjen, dhe Gjykata, me Vendimin 15, datë 15.4.2010, e shfuqizoi marrëveshjen, dhe çmoi përfundimisht se marrëveshja e lidhur midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare është e papajtueshme me Kushtetutën, sa i takon çështjeve lidhur me:

1.      Mospajisjen e delegacionit shqiptar me plotfuqi të rregullt nga Presidenti i Republikës për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e marrëveshjes.

2.      Mangësitë  serioze në përmbajtjen e marrëveshjes.

3.      Moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare midis dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm.

4.      Mosmarrjen parasysh të ishujve si rrethana të veçanta në delimitimin e hapësirave detare.

Akoma nuk dimë se cili është qëndrimi i palës shqiptare për përkatësitë dhe kufijtë e zonave që lidhen me ujërat e brendshme, me ujërat territoriale deri në 12 milje, me ujërat ambigues plus 12 milje te tjera, me ZEE. Nga sa më sipër, duket sikur pala shqiptare ka ofruar një qasje jo të pjekur dhe të pa rrahur me ekspertët shqiptarë, sepse vërejmë aq sa na është ofruar informacioni nga pala greke, se pikat e referimit për matje dhe fuqitë e efektit nga pala greke duket sikur janë po ato. Gjithashtu kuptojmë nga ato skica dhe nga ato deklarata që na ofrohen nga pala greke (draftet tona të negociatave nuk i njohim),  se:

1.      Barketa në mes Korfuzit e Sarandës mbeten akoma me fuqi të plotë, te të cilët fillon edhe matja. Barketa nuk është ishull.

2.      Po kështu edhe dy ishujt veriorë të Korfuzit, Fanos dhe Erikusa, me 12 milje larg tij, mbeten me efekte të plota, ku në njërin prej tyre fillon matja dhe krahasohet e ndahet me vijë mesi me kufirin e qëndrueshëm dhe kontinental Karaburun-Dhërmi.

3.      Me Italinë nuk është e pandelimituar pjesa që duhet të ndahet midis Greqisë, Italisë dhe Shqipërisë.

4.      Pala Greke në marrëdhënie me Shqipërinë mban qëndrim të dyfishtë lidhur me efektet mbi ishujt Fanos dhe Erikusa, duke pranuar efektet e pjesshme të tyre në lidhje me palën Italiane.

5.      Ministri i jashtëm grek z.Kotsias, thotë që fitojnë sipërfaqe sa Thesalia, pikërisht 12,000km2, si dhe është korrigjuar me 11% marrëveshja me Italinë - në kurriz të kujt?

Të gjitha negociatat deri më sot mes palës greke dhe asaj shqiptare, janë bërë në kuadrin e 6 miljeve. Njëkohësisht Kryeministri grek Mitsotakis, ka deklaruar se pala greke do të aplikojë vijën e drejtë bazë. Aplikimi i kësaj vije nuk është bërë i ditur se si do të aplikohet, nëse respektohen kërkesat e nenit 7 të Konventës lidhur me mbylljen e gjireve, dhe nëse shkëmbi Barketa do të merret si pikë reference për vijën e drejtë bazë. Më pas, shteti shqiptar u përball dhe la të pranohet kërkesë prej 12 milje e palës greke, e cila nuk mund të jetë pa efekte në marrëdhëniet e “delimitimit” në pjesën veriore të shtetit grek dhe të pjesës perëndimore të shtetit shqiptar. Dhe jo vetëm, një deklaratë e tillë pranohet kaq lehtë edhe pse jemi në kushtet e një kazus beli (gjendje e pakuptimtë lufte) që ai (shteti grek) ka me ne, shtetin shqiptar.

Për sa më sipër, duke qenë se:

Delimitimi i kufijve ka dhe përmban ndjeshmëri të lartë qytetare.

Qytetarët nuk kanë deri më sot, aspak pothuajse informacion për kërkesat e palës shqiptare, apo për ekspertizat e kryera prej tyre.

Nuk njihet ende draft- negociata mes palës shqiptare dhe asaj të palës greke që aktualisht është duke u përgatitur për të shkuar në Hagë. Dhe këtu shtrohet pyetje, pse në Hagë, dhe jo në Hamburg?!

Ne, si Akademi e Shkencave “Rrënjët Tona”, do t’i luteshim dhe do të kërkonim ndaj Institucionit Tuaj, që të mos pranohet në mënyrë taksative dhe as mos të shkelen normat si, etika, historia dhe drejtësia nga ana e palës shqiptare që kanë të bëjnë me:

1.      Llogaritjen e ishujve shkëmborë, si pika reference, madje mundësisht mos të trajtohen fare, në një kohë këta dy ishujt nuk duhet të marrin efekt, as 12 milje, as 6 milje, por 0.

2.      Mos marrjen në konsideratë të shkëmbit Barketa si pikë reference e vijës bazë nga ana e Republikës së Greqisë. Në të gjithë deklarimet e mëparshme, kufiri ndërmjet Shtetit Grek dhe atij Shqiptar i është referuar vijës së mesit, madje dhe në kontekstin historik të ushtrimit të të drejtës lundrimore, kufirit gjithnjë i është referuar si “mezi i kanalit të “Korfuzit”, çka do të thotë se ky shkëmb, asnjëherë nuk është konsideruar si referencë.

3.      Marrjen në konsideratë të ishullit Fanos, me 300 banorë dhe pa jetë ekonomike me efekt të plotë, përkundrazi të merret me efektin e vet të ulët, si në rastin me Italinë, dhe aspak e krahasueshme me kufirin kontinental Karaburun-Sarandë, sepse ishujt kanë të drejta në ujërat territoriale 0-12 milje, por jo në ZEE. Nëse ishulli Erikusa nuk do të kishte përballë vetes kontinent si Karaburuni, atëherë mund të merrte të drejtën për 12 milje, por në rastin konkret, ai duhet të vlerësohet ndryshe. Ishujt Othonoi (Fanos) dhe Erikuza duhet të kenë efekte të reduktuara të detit territorial dhe zero efekte, sa i përket Zonës Ekonomike Ekskluzive. Gjerësia e detit territorial që duhet t’u jepet këtyre ishujve mund te jetë deri në tre milje.

Bërjen e metodave të ndryshme të heqjes së vijave bazë (baseline) në të dy anët, si për Korfuzin dhe për kufirin tonë, ose të mbyllen gjire këtej e gjire andej, ose duke mbyllur kepet më të dala për të dy anët, e pastaj të hiqet mesi i artë. Theksojmë se çdo ndarje duhet të fillojë nga Korfuzi, si i vetmi ishull i krahasueshëm me pjesën e qëndrueshme Karaburun-Sarandë.

Me dhënien zero efekte sa i përket ZEE-së,  ishujve Othonoi dhe Erikuza, atëherë vija bazë nga ku do të matet ndarja e ZEE-së duhet të jetë vija bazë e bregut verior të ishullit të Korfuzit, dhe jo vija bazë e ishujve Othonoi dhe Erikuza (pasi në këtë rast ZEE ndahet ndërmjet bregut Shqiptar dhe ishullit të Korfuzit. Madje dhe për ishullin e Korfuzit duhet të negociohet, nëse ZEE duhet t’i jepet me efekte të plota apo të pjesëshme, pasi kemi ndarje të ZEE ndërmjet bregut kontinental shqiptar dhe një ishulli.)

Llogaritjen edhe të pikëve historike për kufijtë e secilit (Korfuz e Sarandë), ku neni 15 i Konventës Montego Bay ta lejon dhe mund të mos përfillet fare vija e mesit, sepse historia na jep të drejtën e një qasje të lartë historike të gjiut të Sarandës, kujto Butrintin, humbjet nga incidenti i Korfuzit me Anglinë, etj. Por, edhe sepse, Korfuzi quhesh historikisht ‘Albania Channel’ apo në hartat otomane dhe angleze, ishulli Barketa është konsideruar gjithmonë pjesë shqiptare.

Matjet që duhet të bëhen nga qyteti i Sarandës, për të mos humbur sipërfaqe detare qysh në matjet e para, sepse ky gji me këto matje nuk plotëson kushtet as edhe të një gjiri juridik, mbasi duhet të kishte sipërfaqe gjysëm rrethore.

Këto sepse:

Ndarja e kufijve të detit, është më e thellë dhe më e rëndësishme se politika e çastit dhe sado të përpiqet një krah i caktuar politik, vendimi duhet të merret me opozitën, me qytetarët bashkë, me ekspertët e papërfillur, dhe jo duke kaluar vendimet e Gjykatës kushtetuese  dhe më keq akoma, institucionin  presidencial.

Jemi në kushtet e mosfunksionimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe çështje kaq të brishta dhe që dalin jashtë juridiksionit të një force politike, duhet me patjetër të shtyhen, në kalenda greke mundësisht, sikundër janë 20 shtete për 20 vjet, që s‘kanë ndarë dot kufijtë e tillë delikatë, por e besojnë zgjidhjen te Gjykata Ndërkombëtare, por me kushtin që atje në Gjykatë Ndërkombëtare, të mos shkojë një ujdi paraprake midis Qeverisë shqiptare dhe shtetit grek, por një kërkesë për zgjidhje, me transparencën e duhur dhe me pjesëmarrjen e opozitës, pa anashkaluar Presidencën, klasën akademike, qytetarët, vetë popullin shqiptar, si bartës i historisë së kombit, por mbi të gjitha në respekt të vendimeve të Gjykatës  Kushtetuese  Shqiptare për këtë çështje, në mënyrë që Deti Jon të mbetet det i paqes midis dy popujve.

Kësisoj,

Ne, Bashkësia Akademike, “Rrënjët Tona”, të shqetësuar në lidhje me Marrëveshjen e Detit u mblodhëm sot dt. 04.11.2020, ku mbas diskutimeve që bëmë me qytetarë e shkencëtarë të vendit menduam të dalim me një Mendim – Rezolutë, me anë të së cilës i kërkojmë Institucioneve kyç të vendit:

1.      Që t’i lëmë kohë shkallës së njohjes së kësaj problematike, jo të lehtë, e cila ka elemente thelbësore e të rëndësishëm për t’u mos u influencuar nga politika e çastit.

2.      Që qeveria shqiptare të japë informacion se deri ku kanë shkuar bisedimet me palën greke?!

3.      Qeveria të deklarojë nëse ka patur plan për zbatimin e detyrave të lëna prej Gykatës Kushtetuese.

4.      Tejdukshmëri të plotë nga ana e Qeverisë shqiptare në të gjitha Institucionet Kushtetuese, të sigurisë  Kombëtare dhe palët e interesit të shoqërisë civile.

5.      Arsyet pse Qeveria Shqiptare u pajtua me pretendimet e Qeverisë Greke për zgjerimin e Detit territorial nga 6-12 milje.

6.      Arsyet pse u mor nisma për ta çuar në Hagë, ku mungon objekti i mossmarrëveshjes?!

7.      Të bëhen transparentë të gjitha negociatat, mosmarrëveshjet, pretendimet e palës shqiptare dhe kontestimet e hasura nga ana e palës greke.

8.      Arsyet pse nuk është marrë parasysh Kodi Detar i R.SH, ku midis të tjerave kërkohet bashkë/rendimi i veprimeve midis këtyre Ministrive.

9.      Arsyet pse nuk është marrë në konsideratë memoria Institucionale shtetërore që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe deri më sot.

10.  Të konsiderohen nga ana e grupit teknik Shqiptar, të gjitha faktet historike, dokumentare, të analizohen të gjitha incidentet.

11.  Arsyet pse nuk është studiuar përvoja dhe dokumentacioni i marrëveshjes me Italinë?!

12.  Të kontestohet marrëveshja me Italinë për pjesën e ‘delimitimit’ të hapësirave detare në afërsi të pikës treshe, në perëndim të ishullit  Othonoi.

13.  Që edhe nëse i jepet e drejta e miljeve ishujve, ato duhet me patjetër të kenë efekt zero në lidhje me ZEE, sikundër shteti Miamare.

14.  Të reduktohet efekti i ZEE për ishullin e Korfuzit dhe t”i jepet zero efekt ishujve Othonoi dhe Erikuza, sa i përket ZEE dhe efekt i reduktuar (3 milje) sa i përket detit territorial.

15.  Të denoncohet kërkesa për 12 milje të shtetit Grek.

16.  Të kontestohet zgjerimi i detit territorial në drejtim të bregut verior të ishullit të Korfuzit, si cënim i hapësirave detare të ZEE të pretenduara nga ana e RSH.

17.  Në kushtet, kur eksperienca shqiptare në ndarjen e detit është 0, të krijohet një Ministri deti, dhe të rikrijohet Akademia detare.

18.  Të investohet nga ana e shtetit shqiptar në krijimin e një grupi ekspertësh teknikë dhe ligjorë, duke patur parasysh se çështjet e kufirit detar, janë çështje permanente.

Ndaj, ne si Akademi e Shkencave “Rrënjët Tona” (Erudia shqiptare), do donim fort t”Ju lemë këtë kërkesë dhe jemi të gatshëm edhe për shpjegim shterues teknik, me argumentat që nuk përmenden dot në një letër -kërkesë të tillë e të hapur. Nga ana tjetër theksojmë fort se, Shqipëria është më e rëndësishme se interesat e çastit, sepse firmosja me detin, kaq ngutshëm, duket sikur duan të taposin gjithë historinë shqiptare. Ndryshe, me anë të një Referundumi mbarëkombëtar, ne do thërrasim shqiptarët që e duan këtë vend, shkencëtarët që punojnë për këtë vend, për të kërkuar të drejtën legjitime që i takon këtij shteti.