Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Timo Mërkuri - Nderi i Himarës

| E diele, 08.11.2020, 09:46 AM |


Përshëndetja ime me rastin e marjes së titullit “Nderi i Himarës” m 07.11.2020

I nderuari zoti Gjergj Goro,   Kryetar i Bashkisë Himarë!

I nderuar zoti Dhimitër Kapaj,  Kryetar i Këshillit Bashkiak Himarë!

Kur bie fjala për poetët, të gjithë kujtojnë së pari sentencën e famëshme që ”Poetët dhe profetët nuk i do as fshati i tyre”, sentencë që e ka burimin te fakti i njohur, kur vetëm Nazareti nuk e priti Jezu Krishtin me nderime, përkundër pritjes triumfale që i rezervoi çdo fshat e qytet ku  shkoi. Me propozimin e bërë nga kryepleqësia e fshatit, për akordimin e një titulli nderi për mua, dhe me praninë ceremoniale në këtë shesh, Piluri dëshmoi se i nderon jo vetëm profetët, por  nderon së tepërmi edhe poetët, sidomos kur ata janë bij të tij.

Piluri i nderon poetët sepse është fshat i poetëve. Kur them këtë, nuk kam parasysh vetëm plejadën e sotme të Çipajve, por kam parasysh faktin që më i ndritëshmi i tyre, Lefter Çipa ka vërtetuar se, në një periudhë gati 200 vjeçare Piluri ka nxjerrë mbi tetëdhjetë rapsodë me zë që  kanë kënduar si bilbila të artin gojor në Pilur. Emra të tillë si Kostë Gërdhuqi, Kozma Mërkuri, Mërkur Mërkuri, Marë Priftja apo Frosinë Çakalli etj kanë qënë në  kohë jo shumë të largët, bukuria dhe lezeti i këtij arti poetik gojor pilurjot. Por veç tyre, është e zakonëshme që në Pilur edhe pleqtë e plakat e moshuar të të përgjigjen me bejte a me këngë edhe për një pyetje të zakonëshme. Kjo tregon se arti gojor është pjesë e genit pilurjot.

Miratimi që Këshilli Bashkiak i Himarës i bëri rekomandimit tuaj për të miratuar propozimin e  Kryepleqësisë së fshatit Pilur për këtë titull nderi tregon se Ju i nderuar Kryetar dhe të nderuarit këshilltarë jeni njerëzit e duhur në vendin e duhur që dini të bëni punën e duhur.

Ju më nderuat mua si një bir të Himarës me kontribut të spikatur, duke e prezantuar veten si një dashamirës i artit gojor dhe mbështetës e vlerësues për njerëzit e artit.  Të punosh për evidentimin dhe propogandimin e vlerave shpirtërore të popullit të krahinës së Himarës do të thotë të punosh e të përjetosh historinë, lavdinë, artin dhe bukurinë që krahina e Himarës i ka organikisht të vetat në çdo pëllëmbë tokë e çdo vit egzistence e lufte për liri. Kur thua Himarë ke thënë lavdia, bukuria, pasuria e trimëria, kënga e bujaria.

Të marësh titullin “Nder i Himarës”  është më bukur se të trashëgosh ndonjë titull aristokratik, sepse në Himarë nuk je asnjëherë i vetmuar, pasi je i lidhur shpirtërisht me njerëzit dhe botën e tyre shpirtërore, me natyrën dhe historinë, me të djeshmen, të sotmen e të ardhmen dhe ecën, jo mbi qilima por ecën vetëm nëpër pasuri (historike) dhe  nëpër bukuri (natyrore  e shpirtërore).

Prandaj i nderuar Kryetar, marrja e këtij titulli është një nderim, por dhe një obligim për mua, pasi më kërkon një punë më të madhe, në një nivel më të lartë, të denjë për emrin Himarë.

Ju Faleminderit!

Timo Mërkuri

Himarë, më 7 Nëntor 2020