Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pirro Shtika: “Emigrantja” dhe “Erdha, Pashë, Dashurova”, emigrim dhe dashuri nëpër Mesdhe, nga Elvi Sidheri

| E diele, 08.11.2020, 09:04 PM |


“Emigrantja” dhe “Erdha, Pashë, Dashurova”, emigrim dhe dashuri nëpër Mesdhe, nga Elvi Sidheri

Nga Elvi Sidheri:

Me Pirro Shtikën njihemi dhe jemi miq të mirë, duke gëzuar respekt për njëri-tjetrin edhe falë origjinës së ngjashme korçare, mendjes e botëkuptimit të afërt, dhe për mua ishte kënaqësi e veçantë që dy nga romanet e mi, “Erdha, Pashë, Dashurova” dhe “Emigrantja”, do të lexoheshin prej tij, duke zgjeruar diapazonin e lexuesve të krijimeve të mia letrare, me një njeri të mençur, lexues të pasionuar, por mbi të gjitha një veprimtar të spikatur dhe të përkushtuar në komunitetin e madh të shqiptarëve të Greqisë. E them këtë sepse sidomos romani im Emigrantja, i kushtohet thuajse tërësisht emigrimit të shqiptarëve në Greqi mbas rënies së regjimit monist në vendin tonë, me shumë ngjarje që zhvillohen pikërisht në Selanik, aty ku Pirro jeton e punon prej vitesh, por ndërkaq edhe romani im i tretë, i botuar në qershorin e këtij viti, “Erdha, Pashë, Dashurova”, ka të bëjë me pikëtakimet shqiptaro-helene, meqënëse ngjarjet e përshkruara në faqet e tij lidhen kryesisht me Qipron.

Pirro Shtika është një njeri që ka punuar e punon në mënyrë të palodhur, me qëllim që gjuha shqipe të mësohet e të vijojë e gjallë në brezat e rinj të shqiptarëve të Greqisë, duke dhënë kontributin e tij të vyer edhe në organizimin e emigrantëve shqiptarë në Selanik e më gjerë.

Nga Pirro Shtika:

Dy romanet më në zë të autorit Elvi Sidherit, “Emigrantja” dhe “Erdha, Pashë, Dashurova”, që pata fatin t’i lexoja këtë muaj dhe që sakaq më lanë mjaft mbresa të thella.

Më i hershmi “Emigrantja” dhe romani i tij më i ri “Erdha, Pashë, Dashurova”, që në titull të japin idenë se bëhet fjalë për një brez shoqëror aspak të dështuar nga koha, por me një vitalitet të lartë për të mbijetuar, që i kaloi edhe caqet më ekstreme të jetës me mjaft vetëmohim, në të dyja epokat që përjetoi vendi ynë në këta 30 vitet e fundit.

Shembja e diktaturës më të egër në Europë dhe vendosja, ose thënë më mirë, me dëshirën për të vendosur një rend të ri më demokratik e liberal me pluralizëm mendimesh dhe partish, ku nga një shtet njëpartiak në të parin vit të ndryshimeve u shndërrua në një plurarizëm dhe një sërë ndarjesh shoqërore të tejskajshme me shoqata dhe OJQ-ra nga më të çuditshmet të mbira si ato kërpudhat pas shiut.

Por autori nuk është marrë me këto ndryshime, megjithëse iu adresohet atyre në episode në dukje sporadike, dhe këtu është e veçanta e tij, pa prekur linjën kryesore, atë të personazhit kryesor, ose më mirë të disave të tillë ku në romanin “Emigrantja” edhe për nga theksi qysh në titull do të njihemi me dhjetra personazhe dhe individualitete mjaft të dallueshme si në portretizimet e tyre të shpejta në dukje, por edhe në ngjyrimet që i bëjnë aq të dallueshëm nga njëri-tjetri, ashtu si hënën me diellin.

Kuptohet që ka një personazh diellor në të dy romanet.

Në të parin syresh është Mariana, ndërsa Artemisa në të dytin, përsëri e gjinisë femërore dhe këtu duhet të ndalemi, se përse autori i është referuar femrës shqiptare dhe jo gjinisë mashkullore që për nga dalja nga guaska hermetike ku ishin ngujuar ishin më të shumtë dhe më të vrullshëm.

Mendoj se autori edhe si i ri në moshë e ngërthen në vetvete një dobësi të tijën kundrejt seksit më të dobët historikisht, sepse praktikisht ajo e ngjiz njeriun dhe autori i vesh femrës në vetvete pikërisht atë forcë magjike për të tejkaluar mjaft pengesa, udhëkryqe dhe sfida jetësore që ndërkaq një mashkull do e bënin të thyeshëm dhe jo rrallë të tjetërsuar në mbartës të veseve dhe të degdisur në udhëkryqe të dështuara.

Në të dy romanet lexuesi njihet me fatin e këtyre dy zonjave së bashku me familjet. Në të parin roman Mariana, së bashku me burrin e saj dhe fëmijët e tyre nisen për një kuturisje në shtetin Helen.

Ndërkaq Artemisa pas një lidhjeje të imponuar nga statusi i ulët i saj në diktaturë si një familje e përndjekur, e përfolur dhe e mënjanuar si e padëshiruar nga shoqëria e periudhës së diktaturës që spektrin e ndarjes e kishte veçse dyngjyrësh, bardhe e zi, dhe ku nuk lejohej as nuanca gri, do të niset për në Tokën e Shenjtë në Izrael si një personazh që demokracia e brishtë ia rivendosi në vend disa dhunti të saj si këngëtare e pasionuar e muzikës klasike, duke e ndërmarrë këtë udhëtim si perfaqësuese e kulturës së shtetit tonë në një simpozium ndërkombëtar kushtuar traditës muzikore bizantine, ndërkohë që Mariana si një violiniste virtuoze e shkollës Jordan Misja pa një të ardhme pas asaj çmendurie që kaloi vendi ynë në fillim të tranzicionit, iu drejtua shtetit grek, e pikërisht në Selanikun e saj.

Nuk dua të ndalem në subjektet e tyre, sepse padashur kështu ndërpres dhe humbas dëshirën e çdo miku dhe lexuesit të Elvit për t’i lexuar ato, por dhe për ndonjë nga miqtë e shumtë që Elvi dhe unë ndajmë ndërkaq njëri me tjetrin.

Ajo që dua të theksoj më tepër në këtë shkrim modest e pakëz profesional, sepse ende nuk e kam fituar këtë status, as si kritik dhe as si një koleg letrar, thjesht si një pasionant i prozës dhe i romanit pa anashkaluar dhe poezinë për të cilën kur e honeps, nuk përtoj të ndalem dhe të jap mendimin tim me pak fjalë.

Të dy romanet pak a shumë kanë një stil udhërfyes edhe kur ka përplasje jetësore me të cilat përballen dy personazhet kryesore aq të dashura për autorin, që për nga mënyra e trajtimit të inponon t’i duash dhe t’i dashurosh njëlloj me pasionin që edhe këto personazhe e kanë të veshur si një parzmore mbrojtëse, si një aurorë agimi të patjetërsueshme nga veset dhe njollat e personazheve që shpesh gjenden  rreth tyre, dhe sa herë ato luftojnë për të ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre, atë dije e kulturë, atë traditë shekullore që me shumë mundim e kanë shndërruar në një natyrë të dytë me të cilën luftojnë për të mposhtur dhe vendosur kufij ndarës mes botëkuptimeve krejt të rremë, të ndotur mes dhjetra e qindra interesash të vogla e meskine për t’u pasuruar dhe fituar lumturinë e munguar ndër vite në kurriz të të tjerëve, qoftë edhe kur ky tjetërsim interesash krijon përplasje që ndërthuren brenda të njëjtës familje.

Kjo zbulon edhe idenë katërcipërisht të kamufluar të kohës të parë kur trumbetohej krijimi i njeriut të ri me ide dhe ideale socialiste e komuniste, por që fshihnin, ruanin dhe zgjonin jo rrallëherë mendime arkaike dhe patriakale hakmarrëse dhe zakone dukagjinase që u shpërbënë dhe plasën si ato flluskat e sapunit që shpesh i tërheqin fëmijët në moshë të mitur.

Ajo që më bëri përshtypje më tepër është horizonti i shkrimtarit që me të vërtetë është mjaft i formuar dhe i pjekur, megjithëse me tre romane, mjaft i ri në moshë, por me një background të pasur në dhjetra librash të autorëve të huaj të përkthyer prej tij mjeshtërisht në gjuhën tonë shqipe, sepse autori në ndryshim nga shumica e autorëve profesionistë që mund të dinë një, ose dy e shumta gjuhë të huaja, Elvi Sidheri ndërkohë është një poliglot i mirëfilltë, njohës i shumë gjuhëve europiane, por dhe atyre ballkanase, e më gjerë.

Ai është gjithashtu njohës i mirë i dialekteve të gjuhës shqipe, që nga dialekti geg, kosovar dhe atij dibran e të shqiptarëve të Maqedonisë, e deri në dialektin e Shqipërisë të Mesme e të folurave toske të jugut, duke përfshirë edhe veshjet e ngjyrat e trevave dhe rajoneve nga më të skajshmet e botës që na rrethon gjeografikisht, sigurisht edhe si rezultat i lëvizjeve të tija të shumta.

I shtyrë nga pasioni dhe puna bashkërisht, por dhe falë ëndjes për të njohur çdo shtet, qytet, por edhe plot skuta lagjesh e rrugësh, sheshesh, limanesh e portesh, vendesh historike dhe kulturore nga më të hershmet me pasionin e tij e që nuk resht së treguari me nje imtësi marramendëse prej enciklopedisti profesionist, dhe një hulumtuesi historik të pasionuar, e deri të një pasioni të çartur për t’u futur në të fshehtat e kulinarisë dhe të gatimeve aq të pasura ballkanase dhe mesdhetare.

Krahas këtyre gjërave që vura në dukje, ka plot të tjera që janë edhe më të shumta se kaq, por që për arsye rreshtash të zgjatura më bën të kufizohem, ngaqë dhe unë nuk dua të bëhem i bezdisshëm, sepse nuk dua t’ua humbas  interesimin e lexueve të ardhshëm që besoj se do të kenë interesin dhe kureshtjen per t’i lexuar dhe për t’i pasur pranë në raftet e biblotekave të tyre personale të shtëpive të veta këto dy romane, të cilat jo vetëm i zbukurojnë ato, por janë dhe një vlerë e shtuar e dijes brenda familjeve ku do të “birësohen” këto krijime letrare.

Urime miku im Elvi Sidheri për këto perla, që me durimin trojan, por dhe pasionin e akejve na i fale me aq bujari për t’i lexuar dhe për t’i gëzuar si krijime të vyera në letërsinë shqiptare.

* * *

Miku juaj Pirro Shtika