Kulturë
Pirro Shtika: “Emigrantja” dhe “Erdha, Pashë, Dashurova”, emigrim dhe dashuri nëpër Mesdhe, nga Elvi Sidheri
E diele, 08.11.2020, 09:04 PM
“Emigrantja” dhe “Erdha, Pashë, Dashurova”, emigrim dhe dashuri nëpër Mesdhe, nga Elvi Sidheri
Nga
Elvi Sidheri:
Me
Pirro Shtikën njihemi dhe jemi miq të mirë, duke gëzuar respekt për
njëri-tjetrin edhe falë origjinës së ngjashme korçare, mendjes e botëkuptimit
të afërt, dhe për mua ishte kënaqësi e veçantë që dy nga romanet e mi, “Erdha,
Pashë, Dashurova” dhe “Emigrantja”, do të lexoheshin prej tij, duke zgjeruar
diapazonin e lexuesve të krijimeve të mia letrare, me një njeri të mençur,
lexues të pasionuar, por mbi të gjitha një veprimtar të spikatur dhe të
përkushtuar në komunitetin e madh të shqiptarëve të Greqisë. E them këtë sepse
sidomos romani im Emigrantja, i kushtohet thuajse tërësisht emigrimit të
shqiptarëve në Greqi mbas rënies së regjimit monist në vendin tonë, me shumë
ngjarje që zhvillohen pikërisht në Selanik, aty ku Pirro jeton e punon prej
vitesh, por ndërkaq edhe romani im i tretë, i botuar në qershorin e këtij viti,
“Erdha, Pashë, Dashurova”, ka të bëjë me pikëtakimet shqiptaro-helene, meqënëse
ngjarjet e përshkruara në faqet e tij lidhen kryesisht me Qipron.
Pirro
Shtika është një njeri që ka punuar e punon në mënyrë të palodhur, me qëllim që
gjuha shqipe të mësohet e të vijojë e gjallë në brezat e rinj të shqiptarëve të
Greqisë, duke dhënë kontributin e tij të vyer edhe në organizimin e emigrantëve
shqiptarë në Selanik e më gjerë.
Nga
Pirro Shtika:
Dy
romanet më në zë të autorit Elvi Sidherit, “Emigrantja” dhe “Erdha, Pashë,
Dashurova”, që pata fatin t’i lexoja këtë muaj dhe që sakaq më lanë mjaft
mbresa të thella.
Më
i hershmi “Emigrantja” dhe romani i tij më i ri “Erdha, Pashë, Dashurova”, që
në titull të japin idenë se bëhet fjalë për një brez shoqëror aspak të dështuar
nga koha, por me një vitalitet të lartë për të mbijetuar, që i kaloi edhe caqet
më ekstreme të jetës me mjaft vetëmohim, në të dyja epokat që përjetoi vendi
ynë në këta 30 vitet e fundit.
Shembja
e diktaturës më të egër në Europë dhe vendosja, ose thënë më mirë, me dëshirën
për të vendosur një rend të ri më demokratik e liberal me pluralizëm mendimesh
dhe partish, ku nga një shtet njëpartiak në të parin vit të ndryshimeve u
shndërrua në një plurarizëm dhe një sërë ndarjesh shoqërore të tejskajshme me
shoqata dhe OJQ-ra nga më të çuditshmet të mbira si ato kërpudhat pas shiut.
Por
autori nuk është marrë me këto ndryshime, megjithëse iu adresohet atyre në
episode në dukje sporadike, dhe këtu është e veçanta e tij, pa prekur linjën
kryesore, atë të personazhit kryesor, ose më mirë të disave të tillë ku në
romanin “Emigrantja” edhe për nga theksi qysh në titull do të njihemi me
dhjetra personazhe dhe individualitete mjaft të dallueshme si në portretizimet
e tyre të shpejta në dukje, por edhe në ngjyrimet që i bëjnë aq të dallueshëm
nga njëri-tjetri, ashtu si hënën me diellin.
Kuptohet
që ka një personazh diellor në të dy romanet.
Në
të parin syresh është Mariana, ndërsa Artemisa në të dytin, përsëri e gjinisë
femërore dhe këtu duhet të ndalemi, se përse autori i është referuar femrës
shqiptare dhe jo gjinisë mashkullore që për nga dalja nga guaska hermetike ku
ishin ngujuar ishin më të shumtë dhe më të vrullshëm.
Mendoj
se autori edhe si i ri në moshë e ngërthen në vetvete një dobësi të tijën
kundrejt seksit më të dobët historikisht, sepse praktikisht ajo e ngjiz njeriun
dhe autori i vesh femrës në vetvete pikërisht atë forcë magjike për të
tejkaluar mjaft pengesa, udhëkryqe dhe sfida jetësore që ndërkaq një mashkull
do e bënin të thyeshëm dhe jo rrallë të tjetërsuar në mbartës të veseve dhe të
degdisur në udhëkryqe të dështuara.
Në
të dy romanet lexuesi njihet me fatin e këtyre dy zonjave së bashku me
familjet. Në të parin roman Mariana, së bashku me burrin e saj dhe fëmijët e
tyre nisen për një kuturisje në shtetin Helen.
Ndërkaq
Artemisa pas një lidhjeje të imponuar nga statusi i ulët i saj në diktaturë si
një familje e përndjekur, e përfolur dhe e mënjanuar si e padëshiruar nga
shoqëria e periudhës së diktaturës që spektrin e ndarjes e kishte veçse
dyngjyrësh, bardhe e zi, dhe ku nuk lejohej as nuanca gri, do të niset për në
Tokën e Shenjtë në Izrael si një personazh që demokracia e brishtë ia rivendosi
në vend disa dhunti të saj si këngëtare e pasionuar e muzikës klasike, duke e
ndërmarrë këtë udhëtim si perfaqësuese e kulturës së shtetit tonë në një
simpozium ndërkombëtar kushtuar traditës muzikore bizantine, ndërkohë që
Mariana si një violiniste virtuoze e shkollës Jordan Misja pa një të ardhme pas
asaj çmendurie që kaloi vendi ynë në fillim të tranzicionit, iu drejtua shtetit
grek, e pikërisht në Selanikun e saj.
Nuk
dua të ndalem në subjektet e tyre, sepse padashur kështu ndërpres dhe humbas
dëshirën e çdo miku dhe lexuesit të Elvit për t’i lexuar ato, por dhe për
ndonjë nga miqtë e shumtë që Elvi dhe unë ndajmë ndërkaq njëri me tjetrin.
Ajo
që dua të theksoj më tepër në këtë shkrim modest e pakëz profesional, sepse
ende nuk e kam fituar këtë status, as si kritik dhe as si një koleg letrar,
thjesht si një pasionant i prozës dhe i romanit pa anashkaluar dhe poezinë për
të cilën kur e honeps, nuk përtoj të ndalem dhe të jap mendimin tim me pak
fjalë.
Të
dy romanet pak a shumë kanë një stil udhërfyes edhe kur ka përplasje jetësore
me të cilat përballen dy personazhet kryesore aq të dashura për autorin, që për
nga mënyra e trajtimit të inponon t’i duash dhe t’i dashurosh njëlloj me
pasionin që edhe këto personazhe e kanë të veshur si një parzmore mbrojtëse, si
një aurorë agimi të patjetërsueshme nga veset dhe njollat e personazheve që
shpesh gjenden rreth tyre, dhe sa herë
ato luftojnë për të ruajtur dinjitetin dhe krenarinë e tyre, atë dije e
kulturë, atë traditë shekullore që me shumë mundim e kanë shndërruar në një
natyrë të dytë me të cilën luftojnë për të mposhtur dhe vendosur kufij ndarës
mes botëkuptimeve krejt të rremë, të ndotur mes dhjetra e qindra interesash të
vogla e meskine për t’u pasuruar dhe fituar lumturinë e munguar ndër vite në
kurriz të të tjerëve, qoftë edhe kur ky tjetërsim interesash krijon përplasje
që ndërthuren brenda të njëjtës familje.
Kjo
zbulon edhe idenë katërcipërisht të kamufluar të kohës të parë kur trumbetohej
krijimi i njeriut të ri me ide dhe ideale socialiste e komuniste, por që
fshihnin, ruanin dhe zgjonin jo rrallëherë mendime arkaike dhe patriakale
hakmarrëse dhe zakone dukagjinase që u shpërbënë dhe plasën si ato flluskat e
sapunit që shpesh i tërheqin fëmijët në moshë të mitur.
Ajo
që më bëri përshtypje më tepër është horizonti i shkrimtarit që me të vërtetë
është mjaft i formuar dhe i pjekur, megjithëse me tre romane, mjaft i ri në
moshë, por me një background të pasur në dhjetra librash të autorëve të huaj të
përkthyer prej tij mjeshtërisht në gjuhën tonë shqipe, sepse autori në ndryshim
nga shumica e autorëve profesionistë që mund të dinë një, ose dy e shumta gjuhë
të huaja, Elvi Sidheri ndërkohë është një poliglot i mirëfilltë, njohës i shumë
gjuhëve europiane, por dhe atyre ballkanase, e më gjerë.
Ai
është gjithashtu njohës i mirë i dialekteve të gjuhës shqipe, që nga dialekti
geg, kosovar dhe atij dibran e të shqiptarëve të Maqedonisë, e deri në
dialektin e Shqipërisë të Mesme e të folurave toske të jugut, duke përfshirë
edhe veshjet e ngjyrat e trevave dhe rajoneve nga më të skajshmet e botës që na
rrethon gjeografikisht, sigurisht edhe si rezultat i lëvizjeve të tija të
shumta.
I
shtyrë nga pasioni dhe puna bashkërisht, por dhe falë ëndjes për të njohur çdo
shtet, qytet, por edhe plot skuta lagjesh e rrugësh, sheshesh, limanesh e
portesh, vendesh historike dhe kulturore nga më të hershmet me pasionin e tij e
që nuk resht së treguari me nje imtësi marramendëse prej enciklopedisti
profesionist, dhe një hulumtuesi historik të pasionuar, e deri të një pasioni
të çartur për t’u futur në të fshehtat e kulinarisë dhe të gatimeve aq të
pasura ballkanase dhe mesdhetare.
Krahas
këtyre gjërave që vura në dukje, ka plot të tjera që janë edhe më të shumta se
kaq, por që për arsye rreshtash të zgjatura më bën të kufizohem, ngaqë dhe unë
nuk dua të bëhem i bezdisshëm, sepse nuk dua t’ua humbas interesimin e lexueve të ardhshëm që besoj se
do të kenë interesin dhe kureshtjen per t’i lexuar dhe për t’i pasur pranë në
raftet e biblotekave të tyre personale të shtëpive të veta këto dy romane, të
cilat jo vetëm i zbukurojnë ato, por janë dhe një vlerë e shtuar e dijes brenda
familjeve ku do të “birësohen” këto krijime letrare.
Urime
miku im Elvi Sidheri për këto perla, që me durimin trojan, por dhe pasionin e
akejve na i fale me aq bujari për t’i lexuar dhe për t’i gëzuar si krijime të
vyera në letërsinë shqiptare.
*
* *
Miku
juaj Pirro Shtika