E enjte, 28.03.2024, 11:24 PM (GMT)

Udhëpërshkrim

Ndue Dedaj: Shënime vjeshte nga Tropoja

E shtune, 07.11.2020, 05:24 PM


SHËNIME VJESHTE NGA TROPOJA

Nga Ndue Dedaj

Jemi nisur drejt Tropojës, për të kundruar pikturën e saj të vjeshtës, nga më befasueset. Harmonia dhe shkrirja e qytetit të Bajram Currit, luginës së Valbonës, fshatrave në gji të Alpeve me vjeshtën, krijon një pamje eposi, me ngjyrat e kësaj kohe. Takohemi me njerëz të njohur e të panjohur, gjithnjë duke u zgjatur dorën “grusht” të pandemisë, stili ynë i ri i ngjatjetimit, pa dhënie dore. Grushti i ngritur lart dikur kishte simbolikën e nderimit revolucionar dhe si i tillë shihej si diçka e tejkaluar, por ja që grushti u rikthye në tjetër kontekst. Ndërsa udhëheqësit tanë takohen “përzemërsisht” duke i zgjatur bërrylin njëri-tjetrit, paçka se ndër ne tregimi i bërrylit dikujt ka kuptim përqeshës. Ngjan aq artificiale këtu, në Malësinë e Gjakovës, komedia zgjedhore e Tiranës, me batuda e bërryla të ndërsjelltë krerësh politikë. Kurse Prishtina politike që sot (është 5 nëntor), duket sikur nuk e ka më veten në dorë!…

Nga Qafë-Prushi në Qafë-Morinë

Një mjegull e rëndë është nderë mbi Shkëlzen, Majën e Hekurave, Jezercë, mbi masivet e pyjeve të nalta të pishës e ahut dhe ato të gështenjave, që janë kurorat drusore të Tropojës. Mundet që kështu ngjet përherë me mjegullën këndej, por mbase ka dhe një “arsye”… Në mesditë, kur po kalonim Qafën e Prushit, për të shkuar në Gjakovë e pastaj në Qafë-Morinë, Hashim Thaçi sapo kishte dhënë dorëheqjen si President i Republikës së Kosovës, për të shtegtuar drejt Hagës, me duart lidhur!? Ai tha se ky ishte çmimi që iu dashka paguar lirisë!?...

Me miqtë, me të cilët udhëtojmë, mbetemi pa fjalë. Kanë kaluar njëzet vjet që kur janë përfolur akuzat e rënda për disa nga drejtuesit e UÇK-së, që sot, gjithashtu, i nisën me shpejtësi drejt Hagës. Vijojmë rrugën, tashmë me emocione të tjera. Ritmet muzikore në Kosovë sakaq kanë ndryshuar, duke u futur në përdorim repertori i këngëve atdhetare, që përhapen dhe në makinën tonë përmes valëve të radios. Zërat e folësve janë të trazuar, qortues për qeverinë e Prishtinës, që nuk dinte më shumë se njerëzit e thjeshtë për valën goditëse ndaj kreut të shtetit dhe ish-shtetarëve të tjerë. Memorialët e luftëtarëve të lirisë të vitit 1999 rrinë të heshtur ndanë udhës, a thua se ata që iu kushtohen kishin bërë “turp” që luftuan me heroizëm për këtë tokë. Mbase bash për këtë mjegulla ka rënë e s’po di të ngrihet mbi Malësinë e Gjakovës, që ne po e përshkojmë sot, pa e ditur se lajmet nga kryeqyteti i Kosovës me arrestime të bujshme, bastisje banesash të politikanëve të lartë do të na e ndërronin rrjedhën e mendimit.

Në këto male, ata që u prangosën, dikur ishin princër të lirisë dhe luftonin për t’ia sjellë atë popullit të tyre. Ka dhe një fotografi të Riçard Hollbruk asokohe, diku në këto pllaja, bashkë me ish-komandantët që sapo kanë marrë udhën e gjyqit ndërkombëtar, pa i bërë asgjë botës, që të gjykohen prej gjykatësve të saj. Nëse do të rronte diplomati i lartë amerikan, mbase do të shkonte të dëshmonte në Hagë, si aleat i UÇK-së. Ishte Amerika që urdhëroi çlirimin e Kosovës para 21 vitesh.

...Sërish lajme, kësaj here nga Amerika, për numërimin e votave në këtë apo atë shtet dhe sërish pyetja, cili do të fitojë, Trump apo Biden?

Në “Bajram Curri” dhe Tropojë të Vjetër

Kemi qenë dhe para dyzet vitesh në Tropojë dhe atëherë ajo përftohej tek ne përmes zërit të kthjelltë gurgullues, si gurrat e Alpeve, të Sokol Arifit, Fatime Sokolit e më vonë dhe Fatmira Breçanit, aq dhe përmes poezisë moderne të poetëve të rinj tropojanë të viteve ‘70, metaforat e së cilës ishin: “zëri im", “zhurmojnë ujëvarat”, “bjeshkët janë mbiemri im”, “zogu i bjeshkës”, “Valbona e kaltër”, përkatësisht të Ndoc Paplekës, Mehmet Elezit, Hamit Aliajt, Skënder Buçpapajt, Avni Mulajt etj. Pak kush e dinte atëherë se motivet e bjeshkës e vërrinit, pëllumbit e gjarpërit, kishin qenë më parë në lirikat e një poeti mërgimtar të atyre malësive veriore, me emrin Martin Camaj. Rapsodët e eposit kishin mbetur larg, këndellur “syrit të kaltër” e rudinave të Bjeshkëve të Namuna. Alpet kishin zënë të fërshfërinin përmes vargjeve të një poetike të re. Të bëhet se ende dëgjon gjëmimet e Fierzës të një gjysmë shkulli më parë, kur ndërtohej diga e hidrocentralit mbi Drin, përcjellë me anë të reportazheve të Spiro Dedës. Ashtu siç ka ardhur tek ti Tropoja dhe përmes vezullimit të pikturave të Nazmi Hoxhës.

Qyteti “Bajram Curri”, që u ngrit në gjysmën e dytë të shekullit XX në vendin e quajtur Kolgecaj, do të ishte qendra e zhvillimeve politike, sociale e kulturore të krahinës. Sot ai është më së shumti një qytet turistik, që ka ndjerë dorën e ndryshimit dhe urbanizimit, vepër komplekse e komunitetit, qeverisjes vendore dhe asaj qendrore, arkitektëve, projektuesve, ndërtuesve, donatorëve, biznesit, shkollës e gjer lulishtarëve që kujdesën për mjedisnin. Por nuk ka punësim dhe ky është, si të thuash, problemi. Duket se për krejt Tropojën punon vetëm lugina e Valbonës me bujtinat e saj. “Asht vetëm Valbona që e mban gjallë këtë vend”, na thotë njëri nga bashkëbiseduesit tanë në “Bajram Curri”.

E pyesim një të ri, Sabianin, që banon në fshat,se çfarë mendon ai për të nesërmen dhe ai na thotë “S’ke çfarë ban këtu”. Mendon, po sikur të bëheshin më shumë përpjekje, nga shteti dhe banorët, për ta mbajtur Tropojën në “këmbë”, jo thjeshtë si një Hirushe turistike mes Alpeve, por dhe si një areal të pemëtarisë, blegtorisë etj.?

Ka gjithsesi një kontrast mes qytetit që llamburit dhe fshatit në kufijtë e ekzistencës! Në Tropojën e Vjetër, që është njësia më e madhe administrative e Tropojës, me 5600 banorë, shkollën e mesme të bashkuar me 270 nxënës e 25 mësues, mund ta marrësh dhe në rrugë një “leksion” se si duhen bërë gjërat, duke filluar nga ato që ishin, pasi natyra dhe klima nuk kanë ndërruar e braktisja nuk është ende në kufinj kritikë. Thotë Sulejman Neza, 86 vjeç: “Tropoja asht vend prodhues, i ban të tana: misrin, grunin, gështenjat, kumbullat, rrushin. Por gështenjat i ka mbyt bunga (lisi), se nuk kujdest njeri për to. Kumbullat kanë dalë fare. U bashin me tonelata dje. Si kumbullat e Tropojës, ma!... Nuk shitet as qumështi, nuk ka baxha për përpunimin e tij, leshi i deleve mbetet ferrave…” Një panoramë e trishtë, me pak fjalë, që nuk është shqetësimi vetëm i një njeriu, por i mbarë një komuniteti.

Në shkollë punohej me përkushtim nga nxënës e mësues. Drejtori i saj, Bekim Berbati, na thotë se pak ditë më parë kanë festuar 50 - vjetorin e shkollës. Ka ardhur sot për t’i parë drejtori i DRAP-it Lezhë, Bardhok Pulaj. Rregullsia shihej që te porta, ku të pret një njeri me bluzë të bardhë dhe maskë në fytyrë, që ishte njëri nga mësusit. Shkolla mban emrin e atdhetarit të shquar Ali Ibër Neza dhe pas disa ditësh në Bajram Curri do të vihet shtatorja e tij.

Kjo trevë historike ka nxjerrë figura të mëdha që i bëjnë nder kombit, si Mic Sokoli, Binak Alia, Ali Ibra, Bajram Curri e shumë të tjerë. (E jo vetëm në Lidhjen e Prizrenit a Shpalljen e Pavarësisë, po dhe së voni, në Demokraci, personalitete politike si Sali Berisha, Azem Hadari, Besnik Mustafaj etj.) Bukur! Por historia është dhe një thirrje për të sotmen. Nuk janë vetëm të tjerët, ata “lart”, që lypet të bëjnë për ne, por dhe vetë ne, me mundësitë që kemi. Curraj - Epër, një nga perlat e bjeshkëve shqiptare, si rrallë fshat në Shqipëri, nuk lidhej me rrugë makine dhe nismëtarë për rrugën e re u bënë pikërisht banorët (dhe ata që kishin ikur), të cilët me kontributet e tyre financiare dhe me investimin e bashkisë së Tropojës, dy vite më parë, ia arritën qëllimit. Na kujtohet Gjin Progni, poet dhe veprimtar i Lëvizjes Demokratike, që dhe pse rronte në Tiranë, ishte aktiv për ndërtimin e rrugës Mserr - Palç - Salcë në vendlindjen e tij dhe falenderus për vëllezërit kontribues të emigracionit, nga SHBA, Kanadaja, Europa, Kosova etj.

Miqtë e mi të hershëm janë prapë aty. Petrit Zeneli, që ka drejtuar për disa vite Zyrën Vendore Arsimore, është një studiues i njohur i trashëgimisë tropojane, veçmas leksikut dhe frazeologjisë, por dhe etnografisë etj., autor i një fjalori të gjuhës shqipe. Publicisti i palodhur Gjon Neçaj sjell në shkrimet e tij kullat në zë të trevës, traditën e Nikaj-Merturit etj. Poeti Lulzim Logu drejton klubin e letrave të Tropojës, duke kryer veprimtari letrare të përbashkëta me shkrimtartë e Gjakovës etj. Po dhe sa e sa emra të tjerë krijuesish e studiuesish të Malësisë së Gjakovës, që nuk i “ndahen” visarit etnokulturor të vendlindjes, paçka se ku rrojnë.

*

Kthehemi, të nesërmen, të njëjtës rrugë nga kishim ardhur. Rrokim me sy vargun malor nga Qafë Morina në Qafë-Prush e deri në Pashtrik, ashtu si dhe bjeshkët e Rugovës e të Sharrit.

Dhe refreni i ditës.

“Ky është çmimi që i duhet paguar lirisë”!...

Kush do të fitojë në Amerikë, Biden apo Trump?...



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora