E enjte, 28.03.2024, 11:49 PM (GMT)

Editorial » Ukaj

Ndue Ukaj: Në Vjenë është sulmuar një pjesë e madhe e kombit shqiptar

E marte, 03.11.2020, 09:55 PM


Ndue Ukaj:

Sulmi i mbrëmshëm terrorist në Vjenë, kombin shqiptar e ka bërë me një njollë të rëndë dhe kjo me urgjencë duhet të kurohet.

Këtë njollë nuk mund ta fshijmë lehtësisht dhe këtë duhet ta dimë. Sepse dihet: nuk ekziston një gomë e tillë për të fshirë një njollë kaq të madhe dhe për këtë duhet të jemi shumë të vetëdijshëm.

Prej sot, ky sulm do të përdorët nga të gjithë kundërshtarët tanë për të kryqëzuar kombin tonë, dhe fatkeqësisht, viteve të fundit e kemi mbushur bukur shumë thesin e kundërshtarëve tanë me argumente kundër nesh.

Ndaj - sa nuk është bërë tepër vonë - duhet të kthjellemi dhe të bëhemi të urtë, të mençur, të përkorë dhe të fillojmë ta pastrojmë ngadalë këtë njollë të tmerrshme, që rrezikon të përhapet në krejt trupin.

Për këtë nuk mjafton të lutemi për Vjenën e Austrinë, nuk mjafton logjika e dënimit të akteve të tilla nga udhëheqës politikë e njerëz të angazhuar në opinionin publik, nuk mjafton as solidarizim i madh më profile në Facebook, ndonëse të gjitha këto janë simbolika të dobishme.

Ne duhet të bëjmë një Mea Culpa të thellë dhe të jemi të vërtetë.

Një Mea Culpa që s’e kemi bërë që tash e sa kohë.

E para punës që duhet të bëjmë sot është të bëhemi të sinqertë, të mos sillemi si hipokritë, duke folur diçka tjetër e duke vepruar diçka tjetër, të jemi të sinqertë me historinë tonë, me të kaluarën tonë dhe me të tashmen.

Është momenti i fundit që të kthehemi prapa dhe të shohim ku kemi gabuar, të shohim çka kemi mbjellë viteve të fundit dhe në këto dekada të lirisë.

Të shohim se si e kemi ushqyer ligjërimin kundër vlerave të perëndimit.

Sulmi i mbrëmshëm në Vjenë është një nga sulmet më barbare kundër vlerave me sublime të kohës moderne dhe si i tillë ka zgjuar indinjatë të thellë në krejt perëndimin.

Dhe sot - në krejt perëndimin - si rrufeja është përhapur lajmi kobzi për kombin tonë, se në këtë sulm ka marrë pjesë një i ri shqiptar.

Ndaj, sot të gjithë duhet të jemi të turpëruar dhe të trishtuar. Dhe arsyet për t’u ndjerë të tillë janë të shumta: humane, politike dhe historike.

Në planin human është e tmerrshme të shihesh se brenda kombit tonë vazhdon të ketë energji të tilla shkatërruese dhe njerëz që janë të gatshëm të bëjnë barbari kundër tjetrit në emër të ideologjive të marra fetare.

Në planin politik, për ne shqiptarët, ky akt është një gozhdë të cilën do të rrahin me çekan të fortë të gjitha ata që s’e duan kombin shqiptar përbrenda vlerave perëndimore. E të tilla ka shumë.

Në planin historik, ky akt është një goditje e rëndë ndaj njërit prej kombeve që më së shumti i ka qëndruar afër kombit tonë, duke e ndihmuar rimëkëmbjen e tij, me dije, shkolla, libra, infrastrukturë...

Po - Vjena e ka rritur kombin shqiptar - duke e mëkuar me respekt dhe duke e përkrahur pareshtur në luftën për çlirim nga perandoria osmane dhe në luftën e Kosovës për çlirim nga Serbia.

Ndërsa për Kosovën, Vjena ka shërbyer si portë e hapur, përmes së cilës kemi realizuar qëllimet tona për liri, pavarësi dhe demokraci.

Ndaj, të sulmosh këtë portë, domethënë të sulmosh vetveten.

Në Vjenë është sulmuar një pjesë e madhe e kombit shqiptar, pjesa më sublime.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora