E hene, 30.11.2020, 04:32 AM (GMT)

Speciale

Dom Anton Kodrari: Tridhjetë vjet nga Mesha e Parë në Shkodër!

E hene, 02.11.2020, 10:50 PM


Tridhjetë vjet nga MESHA E PARË në Shkodër!

Nga dom Anton Kodrari

Hymje!

Tash dy mijë e kosur vjet, tue përjashtue pushtimin otoman, pa u dridhë qerpiku as’ifije, secili njeri me arsye të shëndoshtë mundet me pohue se periudha mâ e errët e kombit shqiptar kje instalimi i regjimit totalitar komunist.

Qeverisja Enveriane ishte nji diktaturë e endun simbas kategorive politike dhe shpirtnore të përsonalizueme të diktatorit dhe të klikës së tij bashkëqeverisëse, tanë t’nji rodi e t’nji mentaliteti, që as gabimisht nuk iu përgjegjte principeve komuniste të prof. Zef Malës, që i pari e pruni komunizmin si doktrinë filozofike e politike në Shkodër e ndoshta edhe në Shqipni, e as principeve të doktrinës politike të Marksit e Engelsit (barazi mes klasave shoqnore të kohës: proletariatit që kishte të vetën veç forcën e krahëve dhe kapitalistave/borgjezia që kishin në dorë mjetet e prodhimit), por veç traditës dhe antropologjisë kulturore prej kah i rridhte ashti e lëkura, nji traditë krejt ai suoi generis, me gjasë e trashigueme prej t’parëve të tij. Zoti e din nëse nga trungu apo lisi i tamblit!

Poligoni kryesor i shprazjes së armëve ishte Kisha Katolike, jo katër muret e saj, por të pagëzuemt, e shënjestra kryesore Kleri Katolik. Për ironi të fatit poligoni dhe shënjestra e komunistave përkonte njiqid për qind me atë të turqve. Rastësi apo…? Zoti e din!

Po pse pikërisht Kisha dhe Kleri?

Kjo pytje për kê e ndigjon s’parit ngjallë kureshtje për me njoftë të vërtetën, e për të tjerët që e rindigjojnë ngjanë si pyetje retorike, tue kenë se gjithkush që e njeh sadopak historinë âsht i ndërgjegjshëm se meshtarët katolik, asokohe, ishin bashkësia e vetme që mujte me e kundërshtue diktaturën, tue kenë se pjesa mâ e madhe e tyne ishin të formuem në universitetet mâ të mira të botës dhe e njihnin doktrinën komuniste me dhambë e rrëmbadhë. Prej studimeve të tyne filozofike dhe teologjike apo edhe prej letres enciklike ‘Divini Redemptoris’ -që i pari i fesë, Papa Pio XI kishte publikue në 1937-, e dijshin se diktatura komuniste do të mohonte Zotin dhe të drejtat ontologjike të njerit.

Pak muej përpara instalimit në tokën tonë, martiri i fesë, dom Ndre Zadëja gjatë një homelie në kishën e Shirokës u tregonte besimtarëve se çka do t’i gjente në kjoftë se do të pranojshin ideologjinë komuniste:

“Dy fjalë i kam sot me ju, sidomos me ju, o të rij. Nji ré e zezë me nji ideologji të kuqe po vjen mi kokat tueja. Ajo ka ndërmend të shprazet mbi ju, por atëherë s’keni për të pasë shka me i bâ, veç me bajtë e me i sprovue të këqijat, se perveç të zezave të tjera që ka, ajo mohon edhe Zotin”.

Pra, me i râ shkurt, ashtu siç na e tregon edhe dom Ndreu me këto fjalë, e kundërshtojshin ‘rénë e zezë’ tue kenë se ishin të vetëdijshëm se një doktrinë e tillë në pak ditë mund t’i impononte personit njerëzor me forcë mohimin e relacionit personal me trashendenten -ashtu edhe si realisht ndodhi në 1967 - e me imanenten (më vëllanë, prindin, shokun e dashamirin) tue e zhveshë prej vlerave të patjetërsueshme njerëzore, konaturale, që në ngjizjen e tij në krahnorin e nânës, e ta kthente në nji vegël mekanike të kurdisun prej partisë për të kënaqun qellimet egoistike të diktatorit. Rrjellimisht në këtë mënyrë shkatërrohej sakrifica dhe puna dy mijë vjecarë e tyne në formimin e fizionomisë kulturore, tabanit shpirtnor dhe identitetit kombëtare të shqiptarit e automatikisht fabrikohej njeriu i ri komunist, pa temel (Krijuesi) e pa shtyllë kurrizore (Kombi).

E njimend edhe kështu ndodhi, sepse krejt pak kohë mbas fjalëve profetike të poetit të ambelsisë, në nandor 1944 e ashtuquejtuna qeveria e parë ‘fallco’ demokratike popullore në Shqipni, me kryeminister Enver Hoxhën, hyn në Tiranë e mbas mâ pak se nji muej nisë përsekutimin e pamëshirshëm mbi Kishën dhe Klerin.  Në dhjetor 1944 arrestohet dom Lazër Shantoja; me 4 shkurt 1945 arrestohet dom Ndre Zadeja; me 4 mars pushkatohen pader Gjon Shllaku, pader Danjel Dajani, pader Giovani Fausti, seminaristi Mark Çuni e të tjerë katolik shekullar, nji ditë mbrapa pushkatohet në Tiranë dom Lazër Shantoja e me 20 shkurt 1946 pushkatohet mâ i madhi antropolog shqiptar, pader Anton Harapi, e via discorrendo me meshtar e laik tjerë.

Këto e të tjerë meshtar nuk kishin frigë me u flijue për Shqipni, akt që e kishin bâ edhe sivëllazënt e tynë në prezbiterat disa herë gjatë rrjedhës së shekujve në tokën Ilire, sepse besojshin ngultësisht në vërtetësinë e fjalës së Krishtit drejtue dishepujve të tij: “Ja, po ju dërgoj si delet mes ujqërve, […]. Ruhuni nga njerëzit, se do t’ju dorëzojnë nëpër sinedra dhe do t’ju fishkullojnë në sinagogat e tyre. Do t’ju tërheqin zvarrë për shkakun tim, që të jepni dëshmi para tyre e para paganëve. […] vëllai do ta dorëzojë vëllanë që da dënojnë me vdekje e babai të birin. Bijtë do të ngrihen kundër prindërve dhe do t’i çojnë drejt vdekjes. Të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim, por ai që do të qëndrojë deri në fund do të shpëtohet” (Mt 10,16-23). Këto pesë rreshta të ungjillit janë sinteza mâ e saktë në nivel historik dhe shpirtnor e dyzet e pesë vjetëvë komunizëm: delet mes ujqve, në këtë rast, simbolikisht identifikohen me meshtarët që u denuen prej vëllazënve të tyne nëpër sinedrat (gjykatë) e partisë; paganët janë ata shqiptar që i ranë mohit Zotit, vëllaut, prindit, mikut e dashamirit; ata që qëndruen deri në fund janë tanë ata meshtar e laik që pranuen me vdekë e mos me i râ hasha fesë Krishtit e atdheut. Sot, shêjtja Nânë Kishë, memorien e tyne e ka përjetësue në liturgjinë e saj dhe emnat e tyne që tashma janë pjesë e qiellit i kremton në sofrën e flisë eukaristike; besimtarët lypin dhe i besohen ndërmjetësisë së tyne e kombi i jonë i njeh dhe i pranon si dëshmorë të atdhedashtunisë.

Martirët tonë e deshtën Zotin dhe kombin mâ shumë se jetën e familjen e tyne të gjakut, i deshtën aq shumë sa edhe në fjalët e mbrame nuk mujten me e nda binomin: Zot - Shqipni:

“I vetmi faj që i njoh vetes, âsht se e kam dashtë Atdheun deri në flijim për të”;

“I fali ata që më kanë bâ keq. Jam kondend se po vdes i pafajshëm mâ mirë se fajtor”;

“I fali të gjithë ata qi më kanë gjykue, dënue, si edhe ata që do të më ekzekutojnë”;

“I falim anmiqt tanë.Shqipnia nuk vdes me ne”;

“Rrnoftë Krishti Mbret. Rrnoftë Shqipnija”.

Këto kolos të kombit dhe të kshtenimit, për sa kjen gjallë, me sa forcë që kishin e denuen doktrinën komuniste me të gjitha implikacionet e saj në shoqninë shqiptarë e në rendin botnor, por kurr nuk e denuen njeriun komunist n’sa krijesë e Zotit e n’sa vëllau i tyne; denuen mëkatin e jo mëkatnorin, përkundrazi mëkatnorin e falën me tanë shpirt e ia dorëzuen mëshirës së pakufishmë të Atit qiellor, e sot prej lumnisë ndërmjetësojnë për kthimin e tyne e për paqë, dashtuni e vëllazënim në mes krejt popullit të vuejtun shqiptar.

Tregohet nëpër Shkodër, se në vitet e para të demokracisë, dikund kah rruga para kishës se Fretenve në Gjuhadol, rastësisht pader Anton Luli takon hetuesin e tij, nuk më kujtohet emni. Zotnia, në atë çast që sheh pader Antonin largohet me vrap prej turpit me i dalë përpara klerikut të vuejtun, që me duert e tij e kishte shtí në rrugën e Kalvarit. E pader Antoni, me nji pervujtëni të pashoqe nget me vrap mbas tij për me e ndalë e me folë me tê. Kur takohen, kleriku me thjeshtësinë dhe butësinë kristiane i drejtohet: “Unë të kam falë, por lypi falje edhe Zotit”.

Rreshti i internimeve, burgosjes dhe pushkatimeve të klerikëve katolik dhe musliman, e po ashtu i besimtarëve te të dy përkatësive religjoze âsht i gjatë dhe mbyllet veç në vjetin 1990 me vrasjen e malësorit Pllum Pllumi, që djemt e Shkodres trupin e tij e mbajtën mbi shpatulla tue përshtegtue nëpër rrugët e qytetit për me e çue e me pushue në pagjë bashkë më martirët tjerë, ndër vorre t’Rrëmajit.

Shumë klerikë u pushkatuen e vdiqen nëpër burgje, por shumë tjerë e patën hirin e Zotit që mbas kalvarit shumë vjeçar me i pështuë plumbit të kuq e me gëzue lirinë e fesë e me i pa kishat e çiluna, këtë hirë të veçantë e patën:

Dom Simon Jubani, Dom Zef Gila, Dom Loro Nodaj, Dom Frano Ilia, Dom Zef Simoni, Dom Luigj Kçira, dom Mikel Koliqi, dom Ernest Troshani, dom Ndoc Nogaj, dom Nikóll Mazrreku, dom Martin Trushi, dom Kolec Toni, dom Luigj Kola, dom Ndrekë Krroqi, dom Ndoc Ndoja, dom Pashko Muzhani, dom Njac Dema, dom Jak Zeka, pader Viktor Volaj, pader Aleks Baqli, pader Leon Kabashi, pader Konrad Gjolaj, pader Zef  Pllumi, pader Kostandinn Pistulli, pader Shtjen Pistulli, pader Dioniz Maka, pader Robert Ashta, fra Salvator Hajmeli, pader gjergj Vata SI, pader Anton Luli SI. Këto burra ‘rrnuen për me tregue’: se njimend, gjaku i martirve, vuejtjet e fëmijëve të pafajshëm, lotët e nânave e sakrificat e etenve tonë  nuk kanë shkue kot por janë pranue prej Zotit si dhuntia mâ e bukur që populli shqiptar i ka bâ ndonjiherë Krijuesit të gjithësisë. Ky gjak, këto vuejtje, lot e sakrifica u banë gur temelit për demokracinë e vërtetë që më kalimin e ditëve -si thoshtë dom Simoni- u shndërrue në demonkraci.

Enveri, mbylli kisha e xhami, burgosi, interrnoi e pushkatoi meshtar, hoxhallarë e laik, përdhosi istrumentet e kultit, shkatërroi gjuhën shqipe, futi ngatërresa e konflikte mes familjarëve, tjetërsoi ekzistencën e individit, por kurr nuk mbërriti me zhgulë fenë e dashninë për Zotin prej shpirtit të shqiptarve, sepse kjo fe mbahej gjallë e ushqehej prej gjysheve tona që mbi bukën e mbrueme bâjshin shêjën e kryqit, që nëpër festa ndeznin qirat në nderim të shêjtit, e në darkë vonë, mbassi kishin rahatue fëmijët, puthshin fuguret e recitojshin rruzarën e Zojës. Si Enveri, si Hitleri e si shumë diktatorë tjerë gjatë historisë së njerëzimit që u munduen me e shkatërrue Kishën Katolike tashma janë të kalbun e të dekompozuem e shpirti i tynë Zoti e din ku mund të ketë përfundue, kurse Kisha Katolike sot e kësaj dite qindron në kambë e fortë e ngallnjimtare, sepse gur kandit ka Krishtin e Ringjallun e gurë tjerë që mbështeten mbi gurin e kandit ka martirët e fesë, pleqt e plakat, fëmijët, të rinjtë gratë e burrat e Shkodres që janë dishmi e gjallë e fesë dhe personifikimi i t’mirës që gjithmonë ngallnjen mbi të keqen.

Enveri e bashkëpuntorët e tij i denuen meshtarët dhe hoxhallarët me vdekje, tue mendue se bashkë me ta po denojshin edhe vetë Krijuesin, e tue andërrue edhe ata si  Cezari i Romës apoteozën e krijesës e kushtimin e flisë kultuale (mëkati i Adamit e i Evës përsëritet), por si ka pa thanë dom Simon Jubani, dritë i baftë shpirti: Zoti nuk denohet me vdekje, e kje pikërisht ky klerik i madh që bashkë me popullin e Shkodres këtij postulati të thellë shpirtnor i dhanë vërtetësi me 4 nandor 1990 në fushë të Rrëmajit, bâsh njaty ku rrëmohet ndërgjegja e i treguen komunistave se ‘nji Zot i vetëm në botë sundon, e ky Zot s’ka pasë fillim e as kurr s’ka për t’pasë mbarim’.

MESHA E PARË ME 4 NANDOR

Për me kuptue randësinë e Meshës së Parë në Shkodër që mblodhi tanë shqiptarët pa dallim fejet e bindjet politike tue i dhanë nji herë e përgjithmonë il colpo di grazia regjimit komunist, duhet s’parit me njoftë kontekstin historik botnor të atyne viteve dhe me lakue edhe faktorët tjerë botnor që ndikuen në përmbysjen e kulshedres s’kuqe.

Michail Gorbacev në vjetin 1985 nisi ndryshimet e mëdha ekonomike dhe politike në vendet e ish bllokut komunist; në vjetin 1989 Hungarezët duelen prej gardhit të hekurt e nisën me emigrue drejt Austrisë; me 10 nandor 1989 kujtojmë shembjen e Murit të Berlini; në Çekosllovaki, Hungari, Poloni, Bullgari u mbajtën zgjedhjet e lira që i dhanë fund komunizmit një herë e përgjithmonë e në Rumani  gjatë protestave të Revolucionit të vjetit 1989 u ekzekutue diktatori, Nicolae Ceausescu. Në këtë kontekst duhet të integrohen edhe ngjarjet e Shqipnisë, tue u nisë prej te vizita e Nanë Terezes në gusht 1989 dhe takimi i saj me Ramiz Alinë; demonstrata e 14 kallnduerit në Shkodër dhe hjekja e bustit të Stalinit prej qëndres së qytetit (demonstrata e parë antikomunistë në Shqipni); 13  dhjetor 1990 revolta e studentave të Universitetit Luigj Gurakuqi; meshtarët që kryenin shartet fetare (mbarështimin e sakramenteve) nëpër shtëpija dhe besimtarët katolik që në ditët e para të muejit kushtue shpirtnave të burgatorit kishin shkue ndër vorre me kujtue të parët e tyne me uratë, lule e qira të ndezun.

Tana këto janë ngjarje me frymë fetarë dhe atdhetare i paraprijnë Meshës së Parë me 4 nandor, që i dhâ grushtin mâ të fortë komunizmit dhe i kthei lirinë e demokracinë Shqipnisë.

Me 4 nandor disa djem të ri që banojshin rreth e rreth vorreve kishin shpërthye derën e lumnisë të mbyllyn me hekura prej komunistave, e tue kenë së fillë mbas atij veprimi shumë të guximshëm, ndër vorre shkuen disa besimtar për me pa çka u bâ e për me kujtue edhe të afërmit e tynë të vdekun; në këtë atmosferë të përzieme prej gëzimit e trishtimit për nji çast te tanë menduen se janë në andërr, se pa pritë e pa kujtue u shfaq nji hyll dritët, që i shdriti ato vorre me dritën e  Krishtit të Ringjallun tue kremtue Meshën e Parë që mbas mbylljës së kishave me dekret të shtetit. Dom Simon Jubani e ky grup i vogël besimtarësh kremtuen e morën pjesë në të parën Sofër Eukaristike që u shtrue në atë fushë ku rrëmohet ndërgjegja e e secilit besimtar.

Ja si e përshkruen dom Simoni këtë ngjarje historike: “Kjo datë u rregjistrue nga nji shofer i thjeshtë, Mark Murana që krisi në derë teme me datën 4 nandor 1990, ora 9 para dreke dhe më tha: “Populli asht mbledhë nder vorreza e po të pret për Meshë.” […] Bana gadi shpejt çka i kishte shpëtue kontrolleve dhe sekuestrimeve në shtëpinë teme gjatë 26 vjetve: Mesharin latinisht, nji stolë, nji kelk, nji purifikues, nji korporal dhe nji kryq. Kur mbërrijta nder vorre, Marku që kishte shpinë aty afër solli nji tavolinë të zakonshme e nji shtrojë mbi të cilën vendosa çka nevojitej për Meshë të improvizueme.”

Në fund të homelisë dom Simoni trimnisht, si apostulli vertetë i Krishtit i njoftoi besimtarët e pranishëm se me dt.11 nandor, në orën 12:00 do të kremtohej përsëri Mesha ndër vorre, ajo Meshë që populli i Shkodres e njef si Mesha e Madhe.

“Me 4.11.1990, te varrezat katolike te qytetit të Shkodrës, ka patur grumbullime njerëzish për rite fetare.” (nga raporti i Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, i datës 12.11.1990, dosja 1241)

Ky grup i vogël besimtarësh që kishin hy tixash ndër vorre e që patën hirin e veçantë me kenë të pranishëm në banketin e Krishtit të Ringjallun, me zemrën plot me ndjenjat antinomike të frigës dhe të trimnisë, të gëzimit e të trishtimit, -ashtu si Maria Madalenë-pa pritë pa kujtue u gjinden para faktit të kryem: ishin bâ apostujt e parë të lajmit të mirë nëpër rrugat e qytetit të Shkodrës e dishmitarët e parë të mrekullisë:

“Të verbrit po shohin përsëri dhe të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen dhe të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen dhe të varfërve po u shpallët ungjilli. Lum ai që nuk humbet besimin në mua”.

Paradoksalisht për logjikën njerëzore vorret janë simboli i vdekjes, i trishtimit, i humbjes, i pa kuptimit, i kalbjes, dekompozimit, i errësinës e i misterit, por realisht vorret e Rrëmajit në këtë rast na e vërtetojnë të kundërten, - ndër këto vorre lulëzoi shprsesa e shqiptarve e këto vorre u banë dishmia mâ e fortë e  ringjalljes dhe e jëtës- atë çka na e tregon edhe vetë Bibla-Fjala e Zotit, se vdekja për të Krishtënin âsht veç nji shteg i pashmangshëm përmes së cilit duhet për me kalue në jetën e pasosun.

DITËT NDËRMJET 4 DHE 11 NANDORIT

Mbas kremtimit të Meshës me 4 nandor shtëpija e dom Simonit kundruell pyjorës u mbush me besimtarqë vijshin pa prá prej të katër anëve të qytetit për me e falenderue e për me i shprehë e gadishmërinë e tyne për me organizue Meshën e Madhe. Të marten 6 nandor në nadje ka ora 09:00 dy polic paraqitën në shtëpinë e dom Simonit dhe i tregojnë se duhej të paraqitej menjëherë në degë.

Policët në fytyrë dukeshin se e kishin për nderë që po ecshin me mue midis tyne dhe ndërronin me mue ndonji fjalë miqësore mbi ngjarjet e ditëve të kapërthyeme, të ndezuna flakë me gjithfarë episodesh, tensionesh por që ma e randësishmja ishte Mesha e Parë, edhe atyne ju dukte nji fat, fatbardhësi sepse e zbuste pak dramen ku po kalonte vendi” (Mesha e Parë, fq.45).

Mbassi dom Simoni del prej degës ku kishtë folë me kryetarin e degës Çapajev Taçin dhe me shefin e policisë Dilaver Papare, të cilët e kishin ndalue rresptësisht me thanë Meshënn e datës 11 nandor, bâsh sa kalon pragun e derës ndeshet me djemt shkodranë (dukagjinas e malësor), dishepuj të Krishtit, që po e pritshin jashtë për me e mbrojtë apo si thotë vetë dom Simoni ‘me i bâ apolgjinë’, të cilët të trimnuem prej Shpirtit Shêjtë që i kishte mbushë me zëmrat e tyne me dashtuni e fé i shprehin atij gatishmëninë e tynë për me organizue Meshën e parë. Dom Simoni -ashtu si pohojnë edhe shumë dishmitar të atyne ditëve e që konfirmohet edhe në raportin e sigurimi që gjindet në dosjen nr.1241.- tue pasë frigë së edhe ndokush prej tyne mund të vrahej, tue kenë se ishin tanë djem trimaloça e plot me energji, ju kërkon me shkue e me marrë lejë në DPB (khr.Mesha e Parë, fq 49) e ndër të tjera ju drejtohet me këto shumë atnoree  baritore:  unë nuk kam hallin tem se jam meshtar, por hallin tuej se jeni të ri e s’due me iu marrë në qafë”. Ndër ato ditë herë mbas herë dom Simoni vazhdonte me ju kerkue nëse e kishin marrë lejën, por djemt guximtar tue kenë se nuk kishin mbërritë me u marrë vesh me të sigurimit e tue kenë se e kishin nda mendjen me e kremtue Meshën me çdo kusht u justifikoshin tue paraqitë gjithfarë aryesh, ja si e përshkruen vetë dom Simoni ketë realitet:

“Djelmt kishin frikë se unë po merzitem dhe po e braktisi Meshënn, prandej me rrejshin sepse kur ja u kerkojshe lejen me thonin se na e japin të djelën.” (Mesha e Parë, fq 49)

Ndërkohë që komunistat silleshin rrugëve të qytetit, Shkodra mobilizohej për ditën e madhe, e dom Simoni strehohej nëpër familjet katolike të qytetit, ndër të cilat qëndroj deri në ditën që u kremtue Mesha e Madhe. Ndër këto familje përgatiti paramentat, vazot e shêjta dhe pretkun e Meshës. Në të njajtën kohë në anën tjetër, dishepujt e Krishtit punojshin ditë e natë për me organizue kremtimin e darkës së Zotit.  Ato ditë vorret e Rrëmajit ishin shndërrue në nji kantjer të madh punimësh: dikush prente selvia për me rindërtue çatinë e kapelës, dikush sjelltë fugure të mshehuna për vite me radhë nëpër bodrumet e shtëpijavet, dikush u merrte me ndërtimin e kryqave, dikush djetër lyente muret me gëlqere, dikush me instalimet elektrike, dikush me ndërtimin e elterit e shumë e shumë punë të tjera që u banë ndër ato ditë të bekueme për Shkodrën e për mbarë kombin. Ia vlen me u përmendë edhe shumë gra, murgesha të veshuna civile e shekullare, që në ato ditë shkuen me pastrue vorret e me bâ provat për me animue me muzikë e kangë kishtare liturgjinë e dt.11 nandor: motër Adelajde Pashkja, Marie Pali, Luçe Shkodra, Angje Vjerdha, Luigjina Leka, Neta Pali, Ana Daja, Luigjina Ternaku, Gjyzepina Lazri, Tili Gjonaj, Antonjeta Gjoni, Gjystina Shahini, Gita Gjergji, e po ashtu duhet me u përmendë edhe bujaria e madhe e familjeve të krejt Shkodres, tue kenë së gjatë këtyne ditëve dikush prej tyne sjellte nji grusht gozhda, dikush nji thes me çimento, dikush tjetër karrocën e dorës, lopatën, kazmën, dikush sjelltë bukë e ujë për punëtorët, e kështu me radhë. Kjo ishte symfonia mâ e bukur natyrale e Shkodrës tash 30 vjet, symfoni që shpërthente prej shpirtit të shkodranëve të vuejtun dhe si temjani naltohej drejt qiellit, e atje bashkohej edhe me zânin e të gjithë familjarëve të vdekun e të martirve të krishtënimit që prej qiellit merrnin pjesë në gëzimin e familjarëve tyne të mbledhun në fushë të Rrëmajit, tue shprazë mbi kryet e secilit kelkun me bekimet e Krishtit të kryqëzuem. Në këto vorre femijë, burra, gra e pleq u banë nji trup e nji shpirt i vetëm, e kjo ndoshta kje edhe mrekullia mâ e madhë që Mesha e Madhe i bani peshqesh besimtarve katolik të Shkodrës me rrethina. Ja si e përshkruen vetë dom Simoni organizimin që bahej në ato ditë:

“Edhe ma interesant se puna e jeme ishte kantjeri i ndërtimit i të rijvë, ku ishin angazhue katolikë, musliman, ortodoks, karpentjerë, bojaxhi, elektreçista që gjatë asaj jave të paharrueme nuk shkonin as në shtëpjat e veta, po hanin, pinin dhe flenin në kantjer për të përshpejtue restaurimin e Kapeles së djegun gjatë epokës komuniste, edhe pse gjoja e ruejtun me ligjë (Mesha e Parë, fq. 49)”

Nji pjesë e këtyne burrave vullndetarë e vullndetmirë që ndër ato ditë kontribuen me shumë devocion në nji mënyrë apo në nji tjetër, kjen: Paulin Bregu, Arben Bregu, Zef Kola, Palë Nika, Gjovalin Çekini, Ton Bluda, Primo Ballçiti, Bruno Pali, Nin Mirashi, Mark Murana me familje, Kolë Çekini me vëllazën, Angjelin Muzhani me vëllazën, Lush Kaceri me vëllazën, familja Tonin Hilës, Zef Buka, Lec Tarragjati, Njac Shahini, Valentin Preçi, Gjokë Vata, Gjenarin Topalli, Kolë Beka, Karlo Luka, Rrok Bardeli, Valentin Deda, Marjan Kepi, Zef Gjoni, Gac Cepi, Gac Pici, Zef Nenshati, Kolec Sermi, Zef Kiri, Agostin Mhilli, Ndue Gjoni, Lec Preka, Fred Bardeli, Lin e Ndoc Vuci, Valentin Vavaci, Baltazar Pistulli, Bernard Temali, Marjan Leka, Biç Thika, Frederik Temali, Ardian Shllaku, Paulin Shllaku, Zef Nenshati, Zef Kiri, Paulin Qarri, Sokol Drasati, Ferdinand Hila, Kolec Ashiku, Ndrekë Haxhari, Karlo Çefa, Nush Radovani, Vlash Berloka, Paulin Shllaku, Adrian Shllaku, Marin Mari, Marin Shestani, Luixh Thika, Simon Pjetri, Marjan Kepi, Sander Kepi, Tonin Alia, Tomë Lisi, Gjovalin Zefi, Kolë Mani, Angjelin Nenshati, Uiliam Skota, Paul Palushi, Buldazer Pistulli, Sokol dhe Bepin Kokquku, Eduard dhe Aldo Telumi, Alfred Preçi Ardjan Sukaj, familja Krepi, Roland Prela, Arjan Radi, e shumë e shumë të tjerë, që tue mos jua ditë emnat nuk mundem as me i shkrue në këtë artikull të shkurtë, por jam i sigurtë se emnat e tyne janë të shkruem më shkrola të arta në librin e Zotit-Atë.”

E pikërisht këtyne burrave, pak para se me nisë Mesha e Shêjtë, dom Simoni ju drejtohet tue i kërkue përsëri nëse e kishin marrë lejën në DPB, e tue e pa se nuk kishin mujtë me e nxjerrë lejën, atëhër si bari i vërtetë shpirtnor e si bir i Gjergj Kastriotit pa iu dridhë qërpiku aspak me shpirtin plot gëzim ju drejtohet tue u thanë:

Lejën na e dha Zoti e populli i Shkodres që na përkrahi”.

MESHA E MADHE ME 11 NANDOR

Mbas Meshës së Parë me 4 nandor, ndër vorre të Rrëmajit, u kremtue Mesha e Madhe Publike me 11 nandor 1990 po ndër këto vorre, përsëri prej klerikut trim që kishte vuejtë për 26 vjet në burgjet e regjimit, dom Simon Jubanit. Po atë ditë të 11 nandorit dom Frano Illia, meshtari tjetër i përvujtë që kishte kalue shumë vite të jetës së tij në birucat e ferrit komunist në orën 09:00 kremton Meshën e Parë në rrenojat e kishës së vjetër të fshatit Juban. Siç tregohet në Shkodër, arsyeja që dom Frano e kremton Meshën pak mâ parë ishte e dyfishte, në njënën anë me tërhjekë sadopak vemendjen e sigurimit prej organizimeve që po baheshin në fushë të Rrëmajit dhe në anën tjetër me ju dhanë mundësinë besimtarve të Jubanit me marrë pjesë në Meshën e Madhe në Shkodër.

Për organizmin madhështor dhe të përkryem që u bâ atë ditë po citoj tekstualisht dekretin e dt.12 nandor 1990 (marrë nga dosja 1241):

“Në këtë ceremoni fetare nga ana jonë u konstatuan këto probleme; qënë hyrje të varrezave ishin caktuar njërëz për ruajtjen e biçikletave të personave që vinin për këtë ceremoni fetare. Po ashtu edeh te dera e varrezave kishte roje (djem të rinjë) që mbikëqyrnin në heshtje njërëzit që hynin atu. […] Në këtë ceremoni kishte pjesmarrje të madhe njerëzish nga fshati, qyteti, që shifra e tyre mund të jetë 3-6 mijë vetë të moshave parashkollore, të rinjë e deri te moshat e thyera. Kishte edhe njerëz me të mbeta fizike. Gjithashtu në këtë pjesëmarrje kishte edhe shumë persona të fesë myslimane. Ambienti i kishës ku do të zhvillohej ceremonia fetare ishte pastruar dhe regulluar për ritin fetar. Aty ishte vendosur një çati dhe një jryq me përmasa të mëdha, disa ikona të ndryshme, qirinj të ndezur me shandanë, altari me të gjitha pajisjet fetare dhe të zërit. Në ambjentet e kishës kryenin sherbime të ndryshme nji grup prej 30 vetësh të moshave 25-40 vjeç”.

Populli Shkodres kishte organizue gjithshka në detaje; atë ditë nuk mungonte asgja, dér edhe kumona duel prej dheut; nji palë paramenta të blerta i kishte sjellë pater Shtjefen Pistulli, e dikund mbas nji kolone të kapelës qëndronte pater Rober Ashta, që në rast se vritej dom Simoni të shkontë në lter dhe të përfundonte Meshën, e asnjëni prej këtyne fretenve s’ishte marrë vesh me dom Simonin. Por, kjo ishte njimend provania e Zotit e mrekullia që vetë Zoja e Shkodres kishtë përgatitë për popullin e Shkodres e për Kishën Martire Shqiptare.

Me gjithshka materiale gati e sidomos me predispozicionin e shpirtit të etun për me ndigjue fjalën e Zotit, dom Simoni, me tanë popullin e Shkodrës për krah e me djemt e vigana qe e rrethojshin e nisi Meshën tue jue drejtue të pranishmëve me këto fjalë solemne që veç nji apostull i Krishtit mund t’i thotë  (fjalë që do të mbahen mend gjatë prej të pranishmëve e do t’u trashigohen edhe brezave të ri):

“Vllazën dhe motra! Le t’i kujtojmë për nji minut në heshtje të gjithë këta të vdekun që kemi ndër këto varreza dhe të gjithë ata vllazën e motra tona që kanë ra për nji Shqipni europjane gjatë këtyne 46 vjetve të shkueme. Në vjetin 1443 kur heroi ynë kombtar, Gjergj Kastrioti, u arratis prej Stambollit dhe u kthye në Atdhe e përshëndeti popullin shqiptar me këto fjalë: ‘ Lirinë nua jua solla unë, por e gjeta midis jush’. Unë i padenjë për këtë misjon po ju tham se fenë nuk jua prun unë, por e gjeta të ndezun ndër zemrat tueja. Se kjo fe ka kenë gjithmonë e flakët ndër zemrat tona e dëshmon ardhja e juej sot në këtë Vend të Shëjtë prej katër anëve të Shqipnisë për me adhurue, për me falenderue, për me lëvdue të Madhin Zot për këtë mrekulli të madhe që po shofim sot me sytë tonë. Se ky besim ka kenë përherë i ndezun në shpirtnat tonë e verteton restaurmi i kësaj kishëze vorrezash ku kanë dhanë kontributin e vet me punë e me të holla edhe vëllaznit tonë musliman e ortodoks.” (Mesha e Parë, fq.59)

Atmosferën e këtynë ditëve mâ mirë se kurrkush e përshkruejne disa nga vetë dishmitarët e pranishëm në atë ngjarje; këtyne Zoti ju dhashtë shëndet e të tjerve që kanë ndërrue jetë i madhi Zot ju faltë lumninë e Parrizit.

DISHMI

“Në fund të tetorit 1990, këta, për të paralajmërue shkatrrimin e ateizmit, shpërndanë në të gjitha rrethet nga nji delegacion. Në rrethin e Shkodres për të përgatitë aparatin shtetnor se në të ardhmen religjonet do të lëhëshin të lira u dërgue Adil Çarçani. Tue kenë se Shqipnia nuk ka shtet që prej 1944, sekretin e mbledhjes që zhvilloi Adili, e nxorën si gjithmonë vetë anëtarët e partisë, anëtar partije prej leverdije. Kur e morën vesh edhe katolikët e Shkodres se në të ardhem do të lihej e lirë Feja u mori flakë fantazia, paralajmin e kthyen në fakt të kryem dhe sendergjuen lajmin e mirë se gjoja Adili paska thanë; “Muslimanët le të falen kësaj të premte në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, ortodoksët të meshojnë në Vrakë, kurse katolikët kanë kapelen e vorreve të vjetra” (që në atë kohë ishte e djegun). Sihariqi u përhap në të gjithë Shkodrën. Te dhandrri hanë e pinë, e nusja gja nuk dinë. Ndërsa me 4 nandor në Shkodër shkruhej nji datë e paharrueshme, as Policia e Shkodrës, as Tirana, as Vatikani s’kanë dijtë gja. Ndodhë shpesh gjatë historisë që dëshirat, ma të parealizueshmet, ngjarjet ma të rëndësishme, që duken të pamujtuna, i organizon Perëndija me njerëzi e thjeshtë dhe më këso shembujsh e kemi plot Biblën dhe Historinë e Kishës”.

(Dom Simon Jubani, Mesha e Parë, ed.Camaj-Pipa, Shkodër 2000, fq. 34)

Unë i quejtuni Mark Pjetër Murana lindë me dt.09-03-1935 në Shkodër, banor në lagjën Skenderbeg, me dt. 4 nandor 1990 sëbashku me vëllanë tem, të ndjemin Zef Murana ndodheshim në oborr të Pallatit të Sportit, sot Kisha e Madhe, kur pa pritë e pa kujtue më drejtohet nji djalë i ri që nuk e njihshe, tue më thanë se janë mbledhun disa persona të varrezat katolike. E unë nji as dy i thashë, mos u shqetëso se shkoj vetë dhe e marr dom Simon Jubanin në shtëpinë tij dhe e bi te vorret. Shkuem bashkë me dom Simonin te kapela e vorreve, e shpejt e shpejt sigurova nji tavolinë për me vendosë materialet e Meshës. Atë ditë koha ishte me shi e friga prej regjimit ishte e madhe, kështu që i qëndrova pranë dom Simonit tue i dhanë besimin dhe sigurinë për me çue Meshën e Parë në Shqipni dhe në qytetin tem, Shkodër. Ishin mbledhë dikund 30-40 persona. Mbasssi u çue Mesha e Parë, mes frigës dhe terrorit komunist që ende s’kishte përfundue e mora dom Simonin dhe e strehova në shtëpinë teme. Ditën e dytë e shoqnova në nji banesë tjetër, të kushërinjtë e mi, aty qëndroi për disa ditë, mbrapa dom Simoni shkoi dikund tjetër por s’mujtën me e mbajtë, tue i pohue së e kanë të pamujtun me e strehue nga friga e burgut. U detyrova që ta kthej edhe nji herë te kushrinjtë e mi deri me datën 11 nandor të po atij vjeti që u çue edhe Mesha madhështore tek kapela e vorreve katolike. Zef Gjoni, Rrok Bardeli, Zef Kiri, Tonin Alija për të sigurue jetën e dom Simonit e morën dhe e çuen për të kremtue Meshën e dytë. Gjatë kësaj periudhe unë bashkë me femijët e mi Leonard dhe Rodolf Murana e shumë të tjerë të cilët i nderoj dhe i falenderoj, por për arsye të moshës teme 86 vjeçare nuk i mbaj mend emnat, kemi punue ditë e natë për të rimëkambë atë çfarë ka kënë e shkatërrueme e jena mundue me e mbrojtë dom Simonin edhe tue vu në rrezik jetën tonë.

MARK MURANA
“Vutjeve për të mos pá Meshë dhe për të mos u lutë ndër kisha, po u vinte fundi.... Pa u bâ e madhe u hap fjala ndér popull që me dt. 4 nandor Dom Simon Jubani do të kremtonte Meshë tek kisha e Vorreve Katolike. Si nên za u mblodhem, ishim rreth 50 persona, shumica e të cilëve ishim vetë ne që në ditët mbrapa do të organizonim Meshën e 11 nandorit. Mbas dt. 4 nandor vullnetarisht populli u mblodh per pastrimin dhe rregullimin e kishës, mbassi komunizimi e kishte kthye në gërmadhë. Besimtarët kontribuan me aq mundësi sa kishin në rindërtimin e kishës duke punue ditë dhe natë me shumë sakrifica, kurse në krahun tjetër rregjimi komunist vrojtonte çdo levizje tonën (më kujtohet nji rast kur mikrobuzi i sampistave rreth orës 02⁰⁰ të mëngjesit erdhi brenda në kishë, dhe nji prej policëve ndërhyri për të ndalue punimet, donte të terhiqte litarin e këmbanës, dhe aty për aty nderhyni njëni nga organizatorët e shumtë që ishim aty, Rrok Bardeli tue i thanë: " Mos e prek me dorë, sepse me nji të rënë të këmbanës, k’tu mblidhet e gjithë Shkodra ".) Ditën e premte, 2 ditë para se t’u jepte Mesha e Madhe me dt. 11 nandor 1990, shefi i degës kishte derguar fjalë që t’u paraqitshim në degë 4 pjestarë nga ne që ishin organizator tue tentue me bâ presion për ndalimin e përgaditjeve për Meshën e Madhe. Takimi nuk u bâ kurr nga ana jonë mbassi e dinim që synimi i tyne ishte që të na bllokonin ne dhe pastaj gjithë popullin. Të dilën, me11 nandor 1990, rreth orës 09⁰⁰ filloi grumbullimi i popullit, besimtarë nga të gjitha fetë, ishin të shumtë në numër, u flitte që janë dikund te rreth 50 mijë vetë, po pritej ardhja e Dom Simon Jubanit për celebrimin e Meshës. Jashtë ishin shumë roje të sherbimit civil të shikut, në fshehtësi në rrugicat afër varrezave mbërrinë me një veturë i shoqnuem nga Zef Gjoni. Nga aty e kanë marrë përsipër dërgimin e tij përmes turmës deri tek elteri, Rrok Bardeli dhe im vëlla, i ndjemi Pal Çekini. Ne kishim marrë masat që edhe po t’i ndodhte diçka Dom Simonit, Mesha mos të ndalohej dhe për zevëndësimin e tij ishte i gatshëm pader Robert Ashta. Policia e pa të pamundur me ndërhye për shkak të numrit të madh të pjesmarrësve në meshë. Mesha u kremtue,e popullit të vuejtun shqiptar iu kthye liria e besimit!”

KOLË ÇEKINI

“Fjala merr dheun. Të gjithë vrapojnë me shpërnda lajmin “Në Shkodër ka ardhë Mesia!” Si dikur, ndër katakombe njerëzit nuk besojnë, shumica kujtojnë se janë në andërr. Ka shumë që nuk harrojnë fjalët e Shën Tomës: “Unë, pa e pa Don Simonin me sytë e mijë tue thanë Meshë, e pa vue dorën ndër plagët e tija, që i kanë hapë komunistët në trupin e tij, NUK BESOJ!” Të gjithëve u dukët se ndër dyer përgjohen nga xhullinjët e shekullit të elektronikës, të gjithë me lot ndër sy pranojnë: “Kjo asht mbrekullia!” Edhe pse shiu vazhdon me ra, rruga e Ballabanës edhe njëherë u këthye në pjacë. Turma, turma, të rijë, pleq, sakata e qorra që kanë lind mbas datës 19 mars 1967, ditë në të cilën në Shkodër nuk kishte ma asnjë Kishë të hapun dhe që, nuk kanë pa Dritën e Qillës tue shndritë në fëtyrat e tyne nëpërmjet fjalës së Ungjillit, drejtohen kah Rrëmaji dhe me të vërtetë të gjithë besojnë se: “GJAKU I MARTIRËVE TË FESË DHE T’ ATDHEUT ASHT FARA QË SOT KA BIJTË, KATOLIKË E MYSLIMANË, TË VRAMË SË BASHKU NË ZALLIN E KIRIT, TË LIDHUN DORADORËS, SOT THËRRASIN: BASHKOHUNI VËLLAZËN SHKODRANË, SI NA KËTU QË KEMI VDEKË PËR LIRI DHE DEMOKRACI TË VËRTETË!” Amanetin e mban toka, thonë shkodranët. Filloi rindërtimi i Kapelës. Ato selvia të vogla, fidanat që dikur mbillte Nikolin Muzhani, tashti u banë trupa me mbulue çatinë e djegun. Një kantjer i vogël ndërtimi që ruhej nga qindra të rinjë ditë e natë për mos me u përsëritë dhunimi. Futej ndonjë gjips me spijunët e Partisë, por përgjegja ishte vetëm një: “Na leni rahat të vazhdojmë punën tonë... !” Çakiçi rrahte pa pushue tue ngulë gozhda. Karroca me llaç e gëlqere shkarkoheshin në sheshin para Kapelës. Të gjithë muratorë, të gjithë hamaj padallim Feje, të gjithë elektricistë e bojaxhijë, për me zbukurue tempullin e rindërtuem nga RINIA. Vetëm ndër dy vende nuk fikej drita as ditë as natë, në Rrëmaji dhe në Komitetin e Partisë. Vetëm ndër dy vende ka roje të vazhdueshme, ndër vorre dhe në Sigurim, ndërsa, agjentët janë përhapë në gjithë qytetin: “ Kush e gjenë ku asht Don Simoni?” por, askush nuk flet... dihet se nuk asht i arrëstuem po, ku asht nuk dihet! Asht data 10 nandor, ora 19.00. Terr. Nata ka fillue por pak kush asht ndrye ndër shtëpia, gjithë Shkodra asht dyndë ndër vorre. Janë fikë dritat. Tre djelm të fortë janë tek kulmi i faqatës së Kapelës. Njeni duket si Krishti, ka në krah një Kryq jo druni, po hekuri, ashtu si e pat edhe Shqipnia për 50 vjet; tjetri të duket se po e gozhdon me një çakiç të randë në dorë; ndërsa, i treti mban një qiri në dorë, për dritë. Vëndoset edhe Kryqi. Kur, përfundon puna dhe asht derdhë edhe betoni një duertrokitje e fuqishme ushton në Rrëmaji nga mija vetë që janë aty, të gjitha dritarët e apartamentëve hapën për me vështrue se shka ndodhi: “KISHA ASHT GATI PËR NESËR!” ndigjohet një za i fortë mes brohoritjeve. Në orën 23.55’ në zyrën e Sekretarit të Parë të Partisë, Xhemal Dymylia bie telefoni, asht zani i Presidentit të Republikës, tregonte dëzhurni që ndodhet aty tue pi një kafe me Xhemalin. “Si urdhëron, po, po, si urdhëron... Peres De Kuelar më foli... si urdhëron shoku Ramiz, ... qetësia duhet siguruar... po, shoku Ramiz... njofto Çapajevin... po, si urdhëron shoku... Forcat speciale... po, po, ndigjoj... tashti, shoku Ramiz, si urdhëron... deri në një urdhër të dytë... po, shoku Ramiz, këtu jam sonte!...” Gjithë natën lëvizje gjipsash, gjithë natën korrierët spijun e agjenta në qarkullim...në çdo qoshe të qytetit që dukej sikur po flenë. Shkodra dukej se flenë por, jo; dukej se heshtë por, jo; dukej se zien, por, jo; asht çue dhe zor se flenë ma, asht çue e nuk besoj se heshtë ma; nuk zien por, vlon, vlon bashkë me gjakun e Martirëve e derdhët si lum në Zallin e Kirit, aty, aty, brijë çinarëve të Rrëmajit!  11 NANDOR 1990, ora 11.00. Ka disa postbloqe por jo, të rëndësishme. Disa makina gaz të Sigurimit janë në disa këthesa rruge. Mbrenda tyne shihej edhe ndonjë surrat i njohtun spijuni por nuk do ta ndyjë këtë dishmi me emnat e flligtë të tyne. Filmojnë dhe shënojnë emna... Karvani i fshatarëve me biçikleta asht i pafund. Të gjithë ecin në punën e vet. Të gjithë drejt vorrëve... të gjithë të zhytun ndër mendime... të gjithë të duket se, me vete thonë Punën e Pendimit, asnjeni nuk din a këthehët në shtëpi... të gjithë me fëmijë, gra e pleq për dore, të gjithë përshëndetën njeni me tjetrin, të gjithë janë SHQIPTARË, padallim Feje ... Të gjithë drejt vendit të Ringjalljës së Përjetëshme... Një grup i madh myslimanësh asht vendosë mburojë tek dera e vorrëve. Njeni më tregon se, na do të qëndrojmë këtu mbasi po kje se ndodhë gja, na do të përdorim armët që kemi në trup... Ju, rrini të qetë ashtu si jeni me fëmijë e familjet tueja!..Sot jemi ne këtu! Ndër katët e nalta të apartamentëve shihet ndonjë tytë automatiku e drejtueme nga ne. Në krahun e majtë të vorrëve janë disa vagona të mbushun me sambistë të ardhun me forcat speciale nga Tirana, që presin “urdhën” ... Në sheshët e vogla përbrijë apartamentëve sheh vetura me gjithfarë targash tue fillue nga trupat diplomatike, sigurisht, edhe nga Ministria e Mbrendshme e deri tek taksitë e Elbasanit, Durrësit e të Kavajës... të gjithë kanë ardhë me pa me sytë e tyne mbrekullinë, mbasi nuk u besojnë ma fjalëve... Pritët Ai burrë që do të këthejnë edhe një fletë tjetër të lavdishme në Historinë e Shqipnisë, ashtusi atë ditë në Deçiq, u prit Ded Gjo’ Luli me trimat e tij... e, Ismail Qemali në Vlonë,... atëditë! Mërrini... Erdhi Don Simoni! ... Shihe, shihe, ku asht i rrethuem me djelmë të rinjë... Dikush çohët në majë të gishtave me e pa, dikush hypë mbi ndonjë gurë vorri, dikush tjetër çon fëmijët hopa; të gjithë kanë sytë në një pikë: “Tek Prifti vigan, tek Ai sokol, që nuk e ban ma Nana Shqipni shokun e tij, asht vetëm një vijë e bardhë në fytin e tij që ndanë kokën nga trupi, asht shenja e Shugurimit Meshtar, asht pikërisht ajo shenjë, që kush e di sa herë diktatori ka matë shpatën e tij me gjak për atë fyt... Asht Don Simon Jubani... Meshtari i Shkodrës... i bardhë në fëtyrë, si Shpirti i tij....” Një gëzim që nuk përsëritët ma! Erdhi,....Ai ecë me shpejtësi si gjithnjë e gjujzohët para Elterit! Një grup grashë të moshueme me shenjën “Bijat e Marisë” këndojnë me lot për faqe, nga mallëngjimi kangën e “Zojës së Shkodrës”, të shoqnueme nga populli i cili, nuk e ka harrue... Një za naltohët nga qielli tue u bashkue me cicërimat e zogjëve ndër selvia, drejt gjethëve të çinarëve që duertrokasin fitorën me hymnin “Ave Maria” ... prej Gjok qorrit (Vata), të cilit sot i ka ardhë drita... Asht ora 11.45’... Vetëm në Rrëmaji bie ora e Lirisë... Rrahin kumbonët... Edhe ajo ka dalë prej dheut... asht Ringjallë. Largohën pak rê që kishin zanë shkëlqimin e diellit e bashkë me rrezët e tija lind njëditë e re. Para një Elteri të thjeshtë druni përkulet para Kryqit për të cilin asht salvue Ai bashkë me gjithë Popullin e Shkodrës, asht Don Simoni. Mbas 1-2 minutash heshtje ushton një za sipër rrasës vorrit 24 e sa vjeçar, vue në 1967, asht zani që shembë bashkë me “Revolucionin Kultural” edhe zanin e qyqës së Partisë, që vajton “bilbilin”e sajë... Asht zani i një Don Simoni që ndihët i vetëm në truellin e Arbërit, asht një gjamë mbi të pafetë që shkrep si rrëfeja e zharitë monumentët e bronxit mjedis të Shkodrës e Tiranës, asht dora në ballë që thotë: “Në emën të Atit...” e, Mesha fillon...”

FRITZ RADOVANI

“Ishte data 5 - Nentor 1990. Nga miqt e mi në Shkodër mora vesh se dom Simon Jubani kishte celebrue Meshë në varrezat e Rrmajve. Nje gëzim i pa përshkrushëm e pushtoj trupin tem e me vrap shkova e takova dom Frano Illinë qe jetonte në lagjën teme te shtëpia e Shan Simon Jakut, familja e të cilit ishin kujdesë për tê edhe gjatë kohës kur dom Franoja kishte kenë në burg. I tregova që dom Simoni kishte celebrue Meshë në Rrëmaj. Bisedueme se çfarë duhet me bâ edhe në fshatin tonë, e ramë dakord që me datë 11.11.1990 të celebrojmë Meshë edhe në Juban. Lajmrova menjëherë mikun tem Rrok Bardelin i cili me siguroi që do fliste me Dom Simon Jubanin dhe unë menjëherë shkova e njoftova Dom Franon dhe i thashë që kam njoftue edhe miqt e mi në Shkoder dhe ato janë dakord që Mesha në Juban të celebrohej. Kështu vendosem që të njoftohej gjithë populli i Jubanit, sidomos rinia. Me daten 10, një ditë para celebrimit të Meshës, përfaqësues nga D.P.B ( që me siguri ishin informue nga ndonjë spiun i tyre) kanë ardhë me takue dom Franon dhe i kanë kerkue me firmosë që Mesha mos të celebrohet. Dom Franoja asht përgjegjë: “Populli i Jubanit asht i vendosun për celebrimin e kësaj Meshe, asht e pamujtun me u anullue”. Lajmi që me 11 nandor do të celebrohej Mesha u perhap me shpejtësi. Unë personalisht u mora me organizimin dhe ditën e djelë në orën 09:00 në rrenojat e kishës së vjetër shkatrrue nga diktatura komuniste, mbas 23 viteve u celebrue Mesha e parë nga dom Frano Illia. Në sytë e besimtarve kishte lot gëzimi. Menjëherë pas Meshës ne Juban, gjithë rinia shkuan në Shkodër tek varrezat e Rrmajit sepse në orën 11:00 do të celebrohej Mesha e Madhe nga dom Simon Jubani. Populli i Jubanit, që edhe sot e k’saj dite asht shumë besimtar, nuk e humbi kurr shpresën në Zot e prandaj ishte i bekuem me dy meshtar të pazevendësushem: Dom Frano Illinë dhe Dom Luigj Kolaj. Pas një jave (me 18.11.1990) dom Luigj Kolaj celebroj meshën tek varrezat e Ganjollës, aty ku preheshin shpirtërat e atyre që kishin vdekë me mallë për ta pa këtë ditë të bekume.

VALENTIN PREÇI
“Me 4 nandor e kishim lanë për me u takue me Tonin Temalin në krye të rrugicës teme dhe pastaj me shkue në Skenderbeg për me takue nji shok tonin. Sa kalueme shkollën pyjore takueme nipin e Aleks Baqlit me biçikletë që na tha se disa djem të ri kanë hapë derën e varrezave. I them Toninit, a kthehena deri tek varrezat e të shohim se çka ka ndodhë. Aty ishin 5-6 djem të ri e pak gra që ndërkohë kishin hy mbrenda e po pastronin vorret, ndër ta njihja vtëm Nin Bregun. Kur ndërkohë po vjen Mark Murana që e njifsha sepse ishim rritë bashkë në lagjën Rus, me një burrë të vjetër me një çantë në dorë. Marku e njihte këtë burrë trim që ishte dom Simon Jubani sepse disa ditë mâ parë e kishte marrë në shtëpi për të krye disa rite fetare. Dom Simon Jubani kerkoi një tavolinë dhe vetë Marku a dikush i familjës tij ia sollën tavolinën dhe ai nxori disa gjana nga çanta e pa vonue aspak nisi me kremtue Meshën. Unë edhe pse isha i pagezuem dhe i krezmuem nuk kisha pá ndonjëherë Meshë, e kjo ishte Mesha e Parë për mue si i ri i asaj kohe e po ashtu Mesha e Parë në Shqipni që mbas ndalimit të ceremonive fetare. Heronjtë e vërtetë të dt. 4 nandor 1990 ishin Mark Murana, ato djem të ri dhe ato nâna që po pastrojshin vorret. Kur mbaroi Mesha e shêjtë Dom Simoni tha se do të çohet Meshë edhe të dielën mbrapa, me dt. 11 nandor rreth mesditës. Kur u nisem për të percjellë Dom Simonin në shtëpi, ne e pyetem rrugës nëse kishte frigë prej sigurimit se do të thontë gjâ rreth Mëshës dhe njoftimit që kishte dhanë në fund të Meshës. Ai na tha:‘ unë tash sa kohë e këtë ditë për me i shërbye Zotit’. Kur mbërritem te dera e Dom Simonit u prezantuem kush ishim dhe i thashë jam Rrok Bardeli, jetoj 200 m larg shtëpisë tuej. Ndërsa dom Simoni po hynte brenda i thamë për çka të kesh nëvojë na trego. Nuk kaloj shumë dhe në qytet u perhap fjala se dom Simoni kishte çue Meshë në varrezat e Rrmajve. Të marten në mëngjes erdhi nipi i dom Simonit dhe më tha se ju kërkon domi me ju takue. Unë shkova mora Tonin Temalin te shtëpia e tij dhe shkueme te shtëpia e domit. Sa hyra te dera takuem vëllanë e Dom Simonit dhe na tha se domin e kishin thirrë ne degë dhe i kishin thanë për me u tërhjekë nga celebrimi i Meshës së 11 nandorit, dhe për këtë arsye, për mos me râ në dorë të policëve të degës e për me pasë mundësi me thanë Meshën e Madhe për të cilën kishte lajmërue besimtarët, Dom Simoni kishte vendosë të mos qëndronte në shtepi ato ditë por të shkonte me u strehue nëpër familjet e katolikëve të Shkodres. Unë dhe Tonini kishim dëshirë ta merrnim domin në shtepitë tona por nuk kishim kushte. Dom Simoni tue pa se ishim merzitë se s’kishim mâ shumë forcë, na tha: ‘mos u shqetësoni se do të shkoj te shtëpia e një mikut tem, të familjaa e Njac Shahinit e ashtu edhe bani. Me dt.5 dhe 6  nandor nisen me u mbledhë të gjithë djemt e lagjeve Sarreç, Rus, Arra e madhe dhe Skenderbeg, Zef Gjoni, Pal Çekini, Marjan Kepi, e shumë djem të tjerë të nderuem të qytetit tonë, për me nisë punimet e me bâ gati kapelën e vorreve për kremtimin e Meshës së Madhe. Unë kisha fatin të njoh dhe të kisha shumë miqësi edhe me shumë djem të rí musliman të qytetit, të cilët në ato ditë na u gjetën pranë dhe na ndihuem pa u kursye aspak, taman si vëllazën shqiptar e shkodranë, e kështu tanë Shkodra bashkë, morëm pjesë me dt. 11 nandor 1990 në Meshën e Madhe, e i dhamë goditjen e fudndit diktaturës së egër komunistet”.

RROK BARDELI

“Kam shkue vet’ i treti me Tonin Marin dhe Marin Shestanin sapo e kam ndigjue këtë muhabet. Te kupola e vorreve z.Mark Murana ka prue një tavolinë dhe njerëzit jane mbledhë menjiherë sepse gjindeshin në varreza tue pastrue vorret e t’parëve t’tyne. Dom Simoni shpejt e shpejt ka çue një Meshë sa s’e morem vesh çka po thonte, se çdo gjâ ndodhi shkurt e shpejt. Atëherë kam dalë dhe e kam takue personalisht ndër varreza dhe e kam ndalë, e i kam tregue se jam vellau i Ndoc Gjonit që ka bâ burg me tê në Burrel, dhe dom Simoni më ka thanë që e njihte. Une i thashë: çka ke nevojë me të ndihmue? E ai më tregoi çka me bâ për me u pergatitë për të dilën e dt. 11 nandor që do të kremtohej Mesha e Madhe në orën 12:00 të mesditës. Atëherë me shokët e mi Rrok Bardelin, Tonin Temalin, Kolë Çekinin, Zef Kirin, Kolë Bekën, Kolë Sermin e shumë tjerë jena pergatitë me rregullue ndriçimin e shumë gjana të tjera të nevojshme. Kena takue dom Simonin dhe i kena tregue se çka kena bâ. Dom simoni ka ndéjtë dy-tri ditë nëpër shpijat e shkodranëve jo larg vorreve, e pasta ditët e fundit âsht strehue në zonen e Kirasit tek nje familje malësorësh për efekt sigurie. Ajo familje sillte djalin e tyne çdo ditë me kontaktue me mue për me ditë si po shkojshin punët dhe dom Simoni na çoj fjalë mos të shkonte askush me e takue, sepse te tanë ne ishim në ndjekje nga sigurimi dhe kështu mund të zbulohej vendi ku ai strehohej e automatikisht edhe të deshtonte Mesha”.

ZEF GJONI

“Ishte mesi i vjetit 1990. Atmosfera dhe flladi i lirisë ndjehej kudo. Qeveria e asaj kohe e detyrueme nga presioni ndërkombëtar, kishte fillue të lëshonte terren. Në atë kohë unë punojsha në Parkun e Mallnave si drejtues artistik. I nxitun edhe nga vendimi i qeverisë për lirinë e besimit mendova se kishtë ardhë koha me levizë e me bâ dishka. Varianti i parë që më shkoi ndërmend ishte të gjeja nji prift për të kremtue Meshë në publik dhe për ketë fola me z.Palokë Topalli i cili dikur kishte kenë punonjës në Kishën e Madhe dhe njihte gjithë klerikët që kishin dalë prej burgut. Ai më rekomandoj Dom Simon Jubanin si personin mâ trim e vetmohues për kryemjen e kësaj pune, dhe bashkë me të shkueme në shtëpinë e tij. Unë i paraqita planin tem dhe ai e priti shumë mirë. Ndërkohë ditët kalonin, e nëpër qytet përceptohej dishira e shkodranëve me i dhanë fund komunizmit e me rifitue lirinë e humbun, dëshirë që realisht u relaziue në fillim të nandorit. Ditët e para të këtij muaji që përne asht edhe mueji që i kushtohet shpirtnave të burgatorit, kur mora vesh se po punohej ndër Rrëmaj, u afrova edhe unë me gëzimin në shpirt se po më realizohej andrra që i kisha shprehë ditë mâ parë dom Simonit e kështu iu shpërvjela punës e menjëhërë nisa të ndërtoj altarin e parë mbas 23 vjetëve, përveç kësaj preva edhe germat në polisterol ‘Jepjau o Zot pushimin e pasosun’, që ishte urata që më kujtohej nga koha e dikurshme kur shërbeja si xhakue në kishen e fretenve, në atë kohë nuk kishim shkalla të nalta, por me ndihmen e Rrok Bardelit i cili me mbante të lidhun me konop nga çatia mbërrita t’i ngjis në pjesën ballore të kishës. Gjatë kohës së restaurimit policia vinte herë mbas here për me pengue punimet, dy ditë para Meshës erdhi mikrobuzi i policisë mâ i egërsuem se ditët tjera dhe kërkuen organizatorët e këtij organizimi, në atë kohë ishte darkë dhe terr e ndërkohë unë po punojsha në altar, i dola para dhe u thashë, këtu nuk ka organizim, nuk as drejtues e as mvartësa, këtu secili me devocion jep kontributin e vet, tue kenë se jena në ditët e burgatorëve dhe vendimet e fundit të qeverisë na e lejojnë nji gja të tillë, i pari i tyne L.H. mu afrue dhe më kërcenoj se nqs nuk keni miratimin e qeverisë për këtë tubim do të arrestoj ty të parin. Atë natë perpilova me shkrim dore kërkesen dhe të nesermen bashkë me Tomë Lisin dhe Simon Pjetrin e kena paraqitë në DPB, ku na priti në mënyrë mjaft çnjerëzore zv/shefi i policisë Gjekë Çela. Të nesermen në mengjes kena shkue me marrë përgjegjën në zyrën e shefit të policisë Dilaver Papare i cili ishte pak mâ i moderuem se i pari,e realisht përgjegjën kurr s’ mujtem me e marrë me shkrim por veç verbalisht. Pak ditë mbassi kremtuem Meshën e Madhe, me dt. 16 nandor u bâ falja e besimtarëve musliman tek Xhamia e Plumbit, e fill mbas faljes unë bashkë me dom Simonin dhe Zef Kirin shkueme me i bâ vizitë në shtëpi hafiz Sabri Koçit, i cili kishte organizue nji pritje mjaft vëllaznore me familjarët dhe besnikët e tij”.

VALENTIN DEDA

“Me dt. 5 nandor 1990 mora vesh se me dt. 4 në varrezat e Rrmajve, Dom Simon kishte çue Meshë, bashkë me 3-4 shokë shkueme te varrezat dhe pamë se po punohej për restaurimin e kishës, atëherë u angazhume edhe na që të jepnim kontributin tonë simbas mundësisë sepse aty nuk kishte të parë as të dytë por secili punonte pa urdhën e pa komandë deri me dt. 11 ku çdo gjâ ishte gati për Meshën kryesore. Atë ditë, Dom Simoni sapo mbërriti afër vorreve e zbriti prej makinës së Rudolg Guraziut, disa prej nesh e morëm dhe shoqnueme deri te lteri. Mbas Meshës unë nuk jam nda prej tij për një kohë të gjatë tue shoqnue edhe nëpër fshatnat për rreth në Meshët që kremtonte. Kam asistue bashkë me Dom Simonin dhe Valentin Deden në vizitën tek shtëpia e Hafiz Sabri Koçit me rastin e faljes së parë tek Xhamia e Plumbit. Atmosfera ishte e mrekullushme dhe shtrëngimi i duerve jepte garanci për një vëllaznim dhe rrugë të përbashkët. Mora pjesë edhe në hapjen e Kishës së Madhe nga pader Aleks Baqli dhe po ashtu në restaurimin e saj”.

ZEF KIRI

Atmosferën e atynë ditëve të gëzueshme për shpirtnat e burgatorit e për shpirtnat e të gjallëve që përshkruhet edhe në këto dishmi, e përjetësoj në mënyrë poetike, tue jua lanë brezave të ri trashigim për shekuj të shekujve, i madhi e i paharrueshmi Gjosho Vasia:

“Dom Simon, t’mbajtë Zoti nderen, se ja rrite Shkodres vleren. […] Kush asht vallë ky dom Simoni, Që kaq shum po e vlersoni, a mos asht bre Kastrioti, q’e ka ngjallë së dytit Zoti?

Jo bre mik, ky dom Simoni, që po thoni e diskutoni, s’asht luftari që mendoni, por nji Hyll që bani dritë, bash at ditë kur s’e kem pritë.

Pra, në kulmin e mjerimit, të trishtimit të regjimit, i bamë shpirti paçavure, me’i hy Kishes n’katër mure, me pa Meshë, me puthë Figure,

Baaaaam! Kërset nji pushkë pa pritë.” O çka asht pushka more n’ktë ditë, a mos asht ndoj krisëm vajit, ajo pushkë sot n’Fushë të Rrmajit? “Jo bre jo, mos u friksoni, nuk asht vaj ai që mendoni, Por qet ‘pushkë’ sot dom Simoni…

E kur ‘krismën’ ndigjoj Shkodra, mori turr me male e kodra, plak nuk mbet atë ditë te votra, nuk mbet grue n’at fund motmoti, pa shkue atje ku lutet Zoti, me’i fmij n’krah e dy përdore, tue marrë turr si ortek bore, e madje e zhgrehun vajit, aty fill e n’Fushë të Rrmajit.

U mbush fusha, aman o Zot, Çka s’kish pa syni deri m’sot, me t’thanë mendja qinda e mija, me t’thanë mendja tanë Shqipnija, kishte hy atë ditë në lamë, thue dhe t’vdeknit janë çue n’kambë. […]

Por mendue s’e ka ‘lavdia’, se kur vritet pafajsija, asht në Qiell i madhi Zot, që s’e mban kandarin kot, por me to mbushë Ferrin plot.

Ndërsa ‘Prifti’ pa farë fajit, sot thotë Meshë n’Fushë të Rrmajit.”

EPISODE TË VEÇANTA TE ATYNE DITËVE

populli i Shkodres tregon…

1- Gjatë atyne ditëve para Meshës së Madhe me dt. 11 nandor, ka kenë nji vajze e re Shkodrane që ka shkue në fushë të Rrëmajit, e mbassi ka pastrue vorrin e familjes vet dhe thanë uratë për shpirtna të burgatorit, -tregojnë njerëzit- se âsht sjellë tri herë te vorri i priftit [vorri i priftit âsht vorri i dom Gjon Gazullit që Ahmet Zogu e pat varë në konop në Fushë të Druve me akuzën e rremë se në nandor 1926 pat organizue kryengritjen e Dukagjinit për me përbysë pushtetin Zogolljan]. Ky vorr prej shkodranve të moçëm njifet si vorri që ka bâ mrekulli. Mbas asaj dite njerëzit kanë nisë me e shprehë devocionin e tyne tue çue lule, fugure, qira dhe tue u sjellë tri herë rreth vorrit me shumë devocion, ndërsa recitojshin ‘Epjau Zot pushimin e pasosun’, (tregue nga z.Tonin Alija). Tue kenë se ky vorr asht bâ objekt pelegrinazhit dhe tue kenë se dom Gjoni mendohet se âsht vra në ‘odium fidei’, kongregata për kauzat e shêjtënve e ka marrë në konsideratë fazën dioqezane për lumnimin e dom Gjonit, tue konsiderue rastin e tij si ‘kauzë historike’ që lypë mâ shumë kohë për shqyrtim sesa procesi i lumnimit të 38 martirve të vdekun gjatë regjimit.

2- Paulini, nji punëtor i degës së punëve të brendshme ka thirrë kameramanin e qeverisë i cili ka bâ filmimin e Meshës së Parë. Ky asht i vetmi dokument zyrtar historik qe tregon çka âsht bâ me 11 nandor. Filmimi ka kenë veç me figurë e pa zâ. Filmimi nga sigurimi i shtetit âsht i vetmi dokument televiziv i asaj ngjarjeje (tregue nga Tonin Alija).

Paulini apo si do kjoftë emni i tij, më kujton centurionin edhe pse në kundërshtim me Jezusin e përndjekës i Tij tue pa më sytë e tij TË VËRTETËN kthehet e beson, e jo veç kaq, por bân nji ndër dishmitë mâ të bukura të fesë: ‘njimend ky njeri ishte Birë i Zotit’ (Mk 15,39).

4- Me 11 nandor mbassi përfundoj Mesha e Madhe e mori vesh tanë Shqipnia se çka ishtë bâ në Shkodër. Katolik e musliman si vëllazën u rrokshin me njani-tjetrin, prej gëzimit se Shqipnia ishte lirue prej ferrit komunist.

5- Të krishtënë dhe musliman mbas Meshës së Parë ndër vorre të Rrëmajit, shkuen si bij të të njëjtit Zot e vëllazën t’nji gjuhe dhe t’nji gjaku me 16 nandor 1990 me hapë Xhaminë e Plumbit. Xhamia e parë e hapun në tokë t’Shqipnisë. Faljen në këtë ditë të shenueme për krejt bashkësinë islame të Shkodres dhe të Shqipnisë e drejtoj hoxha i nderuem me 20 vjet burg mbi shpatulla, antikomunisti Hafiz Sabri Koçi, i cili ju drejtue besimtarëve me këto fjalë solemne, të daluna prej zëmret: “ne në Shqipni kena pasë nji fatkeqësi që se ka pasë askush në botë, neve kemi kenë të penguem për 50 vjet me radhë; kemi pasë frigë të themi se ka Zot, kemi pasë frigë ta adhurojmë të madhin Zot, kemi pasë frigë të kujtojmë se ka Bajram dhe Ramazan, e se ka ditë të mira. Kjo qe nji provë, nji provë e fortë për me e vërtetue se sa e thellë asht dashtunia e Zotit për krijesat e veta”.

KONKLUZION

E për me e përfundue këtë artikull të vorfën nga ana estetike por me ndjenja të pastra bashkimit e respektit për tanë popullin e Shkodrës, në nderim te dy datave të shenueme për Kishën Katolike në Shqipn: 30 vjetori i Meshës së Parë dhe 4 vjetori i lumnimit të martirëve, po më bjen ndërmend nji histori që e kam ndigjue para dy muejsh në Shkodër:

mbassi komunistat kishin shkue në nji shtëpi në Dukagjin, e familjës në fjalë përveç se i kishin shtí djalin në burg, i kishin konfiskue e plaçkitë edhe gjithshka që kishte pasë mbas shpirtit. Plaka e shpisë, nji grue sojnike e fetare, burrneshë ‘hak’, kishte dalë në prag të shpisë e tue u bâ za xhelatëve të regjimit që gjindeshin në oborr të shtëpisë  e u kishte thanë: “bilé ketë a mund t’ma merrni”?

E kishte vû dorën në ballë tue u shenue me shëjên e Kryqit.

PS. Ky artikull përveç pjesës së parë (hymjes), dhe dimensionit fetar dhe shpirtnor që përshkon krejt artikullin âsht ende me episodet historike që kanë rrëfye nji pjesë e vetë dishmitarëve të asaj kohe, emnat e të cilëve i kam lakue gjatë shkrimit e disa prej tyne kanë dhanë edhe nji dishmi peronale për këtë ngjarje të shenueme historike për kombin tonë. Tue ditë se kanë kalue 30 vjet nga Mesha e Parë dhe siç ndodhë gjithmonë në histori nuk mund të mbahen mend krejt ngjarjet me përpikmëri,  e për këtë arsye objektive nuk âsht faji i kurrkujë nqs artikulli mund të ketë ndonji digresion historik. Janë harrue shumë emna burrash e grashë pa u lakue në këtë shkrim, po ashtu për efekt hapsinet shumë detaje nuk janë tregue me hollësi, etj, por mbas së gjithash e randësishmë âsht që ky artikull me të gjitha luhatjet e pahirshme historike që mund të ketë, t'i shërbejë lexuesit me konsiderue mâ shumë njetin e mirë të shkrimit se sa rezultatin përfundimtar, mâ shume kuptimin dhe esencën e realiteteve që trajtohen sesa gjuhën e thjeshtë që âsht përdorë, mâ shume të vërtetën se sa elegancën e tekstit. Me ketë ndërgjegje personale mund të shijohet dhe të jetohet në thellësi krejt narrativa historike e shkrimit me të gjitha implikacionet tematike që mbartë në vetvete.

Mesha e Parë, Lumnimi i Martirëve, hapja e Xhamisë së Plumbit dhe vuejtjet e të parëve tonë , le të na shërbejnë për me dalë prej plagëve shpirtnore e identitare që e kanë përqafue vendin tonë: lasizmi moral, relativizmi, indiferentizmi dhe egoizmi; me u ripërtëri si komb, e me e ndërtue jetën tonë e të rinisë tonë mbi pilastrat e dashtunisë e të vëllazënimit. Sot mâ shumë se kurr Shqipnia ka nevojë për DRITË.



(Vota: 5 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora