E enjte, 28.03.2024, 03:44 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Sami Repishti: Nën hijen e Rozafës (XI)

E marte, 18.11.2008, 05:34 PM


SAMI REPISHTI
Nën hijen e Rozafës
Narrativë e jetueme

XI  

Në mbasdreken e 22 tetorit 1946, u arrestova në zyrën ku punojsha. Ma në fund, rashë në kurthën e diktaturës. Shokët e punës ngrinë. Binte shi me rrëshekë. Rrugët ishin të zbrazëta. Dy partizanë të armatosun më shoqnojshin drejt ndërtesës së Sigurimit të Shtetit, skëterrës ku njerëzit vriteshin çdo ditë, me drue e plumb. Me pranga në duer, fillova jetën time si i burgosun politik, kundërshtar i regjimit komunist në Shqipni. “Hapu, ferri i pafund!”, thashë me vete. “Mu në qendër të zjarrit tand, me kambëngulje marshoj! Në zemrën time, nji flakë e ngrohët, nji afsh që djeg e ngjall njikohësisht, mbushe gjoksin e nji të riu shqiptar, që Shqipnia kërkon sot për flijim. Nji shpirt që nuk njeh errësina e thëngjijve tuej pa dritë, më shtyen përpara, edhe këtu, në këtë skutë të pashpresë.” Cka mund të ishte ma fisnike, se ky ballafaqim i nji qënieje pa mbrojtje, por guximtarë, me kërcënimin e pandërpreme e vdekjeprumës të nji fati të verbët që mbizotnon, vetëm pse zotënon armën e vdekjes?! Në përleshje që nuk fitoj, ngrej sot unë zanin, tregoj parzmin, e në mes të nji rrethi që me tall e përbuz, hedh sfidën time: “Jam njeri i lirë, zot i fatit tim, për sa kohë që jetoj!” Atë çast, nuk njihsha akoma rrugën e kalvarit që më priste... Në zyrën e “shefit” ku më la partizani, gjeta tre oficerë elegantë. Dukej që më pritshin. Shefi më bani tri pyetje për tre persona, dy prej të cilëve, ishin të panjohun për mue. Unë u përgjegja. Ai nuk më besoi. Nga tryeza ku rrinte, hodhi me të gjithë fuqinë e krahut, nji zile metalike që mori nga tryeza e që më kaloi pranë veshit të majtë. I pakënaqun, tue me kërcënue me të gjitha llojet e torturës, u afrue e më dha nji shuplakë, që më errësoi sytë. “Shpirtin do të marr, qen bir qeni,” më tha “ose trego gjithçka e nuk të torturojmë!” Mandej, urdhnoi rojën me më përcjellë në qeli. Oficerët e tjerë nuk folën. Fjala “torturë”, më tronditi! Por shuplaka e parë duhet të jetë grushti ma i randë që lëndon dinjitetin e të burgosunit. Më dukej vetja i poshtnuem, pa muejtë me u mbrojtë. Ma vonë, “shuplakët” tjera u banë disi të mërzitshme, vetëm sepse shkaktojshin dhimbje fizike. Ndoshta kjo ishte arsyeja që, mbas tronditjes së parë, vuejtja e vazhdueshme bahet pjesë e pranueme dhe e pandame e jetës së përditshme. Ndoshta, kjo asht arsyeja që, edhe popujt mbas grushtit të parë, nuk ndiejnë sa duhet peshën e randë të diktaturës, e përqendrohen me sigurue punën e bukën e përditshme, me kurriz të krrusun, me lehtësue, sa ma shumë që të jetë e mundun, vuejtjen që mbulon e që sjell vorfnia e shtypja e pashmangshme. Asht nji lloj pakti bashkëjetesë me murtajën,...pa shpresë fitimi! Në qelinë ku më hodhën, kishte nji dritë elektrike të varun në tavan, por asnji dritore. Roja, mbasi më lidhi shtrëngueshëm duer e kambë, mbylli derën, fiku dritën, më hodhi nji të shame të ndytë, e u largue. Mbas pak minutash, fillova me u ambientue me errësinën. Isha i lagun deri në palc nga shiu e, ftohtësia e qelisë më detyroi të tkurrem sa ma shumë. Shtrëngova dy krahët për trup me u ngrohë, hoqa këpucët plot ujë e fillova me lëvizë kambët e prangueme. Dridhesha pa pushim, pa muejtë me zanë vend. Në atë gjendje të mjerueshme, nuk mund të rrijsha pa pyetë veten: pse më shau roja? Ai nuk më njihte, as e dinte cili jam unë! Apo ishte ba natyrë e dytë e tij...i ashpër, shpirtkeq, nji idiot që luente me jetët tona. I këputun nga lodhja, i lagun e i uritun, u ula në çimenton e qelisë, me të dy këpucët nën vete. Ftohtësia më ngrinte trupin edhe ma shumë e, më dukej sikur uji i shiut ishte kthye në akull. Dhambët kërsitshin pa pushim. Fërkojsha duert e lidhuna me hekura kuajsh e hukatsha pa ndërpremje, por pa dobi. “Nuk mund të vazhdoj kështu deri në mëngjes...” mendova, “do të vdes!” Rreth mesnatës, filluen të hapen dyert e disa qelive. Ndigjova britmat e rojeve të tërbueme e kambët e të burgosunve, që vrapojshin si kuajt, pa asnji fjalë. Mandej u hap edhe dera ime: “Ngrehu, derr!”, më tha roja. Më zgjidhi prangat e kambëve e më urdhnoi me vrapue: “shpejt, shpejt, derr!” Në zyrën e hetuesit, gjeta tre oficer Sigurimi. Më pyetën si quhem. U përgjegja me za të ulët, që dridhej nga të ftohtit e frika. Me naivitetin tim, shpresojsha se informatat e tyne ishin të gabueme. Doli e kundërta! Kjo ishte nji taktikë që bante të mundun me fillue torturën, që në takimin e parë kundër “kokëfortëve”. Me grushtet e parë e shkopijt, përgatitej terreni për hetuesi ma të rregullt, ma vonë. Porsa dhashë përgjegjën, nji breshën shuplakësh, grushtesh e shkelmash, më dërrmuen trupin. Në gjendjen time, kjo batare mjaftoi. Rashë nga karrika në shesh, si nji lamsh. Gjoksi e kërcijt e kambëve ishin të ekspozueme për shkelma e përsëri shkelma, që më jepshin, sa njeni, aq tjetri. Fillova me rënkue, e sytë m’u mbushën me lotë. “Nuk i njoh, zoti kapiten!”, thashë me nji za lutës, “Ju betohem! Nuk i njoh.” Ata qeshën. “Kemi fakte, prova, dëshmitarë që ti i njeh mirë, e ke bashkëpunuar me ta.” - E keni gabim! – përgjegja unë. – Nuk i njoh. Atëherë, kapiteni, nji shkurtabiq me trup, por muskuloz, mori nji dru që mbante mbi tryezë, e filloi të më bjerë pa ndërpremje, sidomos në gjoks e në kofshë. Për çdo goditje, hidhesha nga dhimbjet. U luta të më besojshin, se flitsha të vërtetën. Por asnjeni nuk përgjegjej. Më ngritën nga sheshi, zgjidhën litarin që më mbante të lidhun për karrike, e më ulën përsëri në shesh. - Fol! Shpirtin do të nxjerrim! – më thanë. Unë insistova se nuk njihsha personat e kërkuem. Ata banë sikur u zemruen edhe ma shumë. Njeni vazhdoi të rrahë me dru në kurriz, ndërsa dy të tjerët, me këpucët e lustrueme, me dërrmuen mesin e më damtuen veshkët. Fillova me humbë ndjenjat, por akoma ndiejsha dhimbjet. I shtrimë në shesh, me duer e kambë të lidhuna, pashë nji roja që hyni në dhomë. Pa folë fare, preu me thikë pantallonat e mia. Para oficerëve ishin të zbulueme organet gjenitale. Nuk kuptojsha gja. Dy fije telefonike shtrënguen organet e, para se të kisha mundësi me folë, nga nji aparat telefonik doracak, korrenti elektrik më tungi nga vendi. Tronditja e parë më krijoi nji ndjenjë zjarri të brendshëm, shtrëngova dhambët që më kërsitshin, sytë më nxirrshin xhixha, e muskujt e fëtyrës u deformuen. Sa herë që vinte korrenti, shtrëngohesha me vete, e koka ngrihej e mandej përplasej mbi dysheme, pa kontroll. Nuk fola ma, por lotët më rridhshin pa pushim. U duk sikur ata u lodhën. Për nji minutë, i shtrimë në shesh, i lidhun me hekura kambë e duer e, me tela telefonike në organet gjenitale, rrobet e preme me thikë e trupin e dërrmuem, u përpoqa me kuptue gjendjen time. Në atë kohë, dera e zyrës u hap. Nji burrë, që nuk e pashë, deklaroi se ishte takue me mue e zhvillue bisedime kundër pushtetit. Kur mbaroi, i dhanë urdhën me u largue. -E tani, mor i poshtër, e kupton që kemi dëshmitarë? I dimë të gjitha, por duam që ti të tregosh të vërtetën. I zanun keq në nji gjendje pa rrugëdalje, kuptova se asgja, as pranimi, as mohimi, nuk do të më ndihmonte në këtë rast. Kuptova, se taktika e tyne ishte me tronditë “të akuzuarin” në mesnatën e parë me nji dozë të randë torture, me shpresën se, nga efekti psikologjik i tmerrit të pësuem, “viktima” do të dorëzohej, do të fillonte “rrëfimin”, ashtu si kërkojshin ata, e do të bante procesin simbas planeve të tyne djallzore. “Zoti kapiten!”, thashë me nji za që mezi ndigjohej, e me lotë në sy nga dhimbjet e padurueshme, “nuk e njoh këtë njeri!”. Pa mbarue ende fjalinë, nji valë e re tërbimi u lëshue mbi mue. Para syve gjysëm të mbyllun, më delte trupi i oficerit që më rrahte pa pushim, si nji hije e paformë që dridhej, e që në gjendjen e turbullt nga dhimbjet, më dukej si nji pemë që lëkundej, jo nga era, por nga nji forcë e padukshme që nga rranja deri në majat e degëve. Nuk kishte mbetë nji gisht vend, në trupin tim, që nuk u godit me dru, ose me shkelm. Ma në fund humba ndjenjat.... Kur u zgjova, kuptova se isha në qeli. Pranë meje dallova diçka të paformë. Ishte racioni i bukës, që roja kishte hjedhë nga dritorja e vogël me kapak e derës së qelisë. Ishte ditë. Kur roja urdhnoi të ngrihemi me krye nevoja biologjike, i thashë se nuk mundem me lëvizë. Pa kontroll, mbi trupin tim, kisha urinue në qelinë që qelbej fare! Me vështirësi u ngrita, aq sa të mbështetem për mue. Çdo qelizë e trupit ishte nji pikë dhimbje fizike e padurueshme. Shikova rreth e rrotull në errësinë, e pashë nji kuti teneqeje, që të burgosunit përdorshin për nevoja personale. Pa shtresë, pa ushqim, me rroba të laguna e të preme me thikë, i dërrmuem prej të ftohtit, urisë e torturës, nuk besojsha në ndryshimin e madh që kisha pësue brenda nji nate. Më kapi frika se mbas gjithë këtyne vuejtjeve, i rrethuem nga nji heshtje absolute në qeli, pa mundësi me komunikue, nji natë ndoshta jo të largët, mbas nji torture të gjatë e të randë do të përfundojsha në vdekje, vetëm i harruem. Isha i ri, shumë i ri. Kjo ide banale, më tmerroi! Të nesërmen, dhe për afër katërmbëdhjetë muej, vazhduen “hetimet”, nji metaforë për torturat e përpjekjet e Sigurimit me ba nji “proces”, ashtu si dëshirojshin ata. Qëllimi i tyne kryesor nuk ishte “e vërteta”, por “procesi”. Me procese të detyrueshme nga torturat, e të kombinueme me plotësue planet e tyne, Sigurimi i Shtetit, do të nxirrte para publikut nji “organizatë armike”, të zbulueme nga “vigjilenca e popullit e Partisë”. Gjithçka ishte artificiale, gënjeshtër, pandershmëni. Mjaftonte, që kjo gënjeshtër të shërbente nji qëllim: mbajtjen me dhunë të pushtetit absolut! Oficeri hetues më torturonte natën, mbas mesnate, në nji dhomë të vogël, ku ishim vetëm ai e unë, e mjeti i torturës. Dridhesha nga frika! “Sikur të ishte edhe nji njeri tjetër,” mendojsha me vehte, “do të kalojsha gjithçka me guxim. Por jo vetëm!”Ishte nji figment i fantazisë sime, sepse “nji njeri tjetër”, donte të thotë edhe nji torturues ma shumë....Ideja e torturës në vetmi, e në heshtjen e plotë të mesnatës, si dhe e vdekjes së mundshme përsëri vetëm, përsëritej pa ndërpremje e më mundonte, aq sa edhe druni i pagdhendun që më dërrmonte kockat, aq sa edhe telat që më shrëngojshin organet gjenitale. “Vetëm të mos vdes i vetëm, të mos vdes i vetëm. Të tjerat i harroj...!”, përsëritsha me vehten time. * Nji natë, më thirri “majori”, nji oficer Sigurimi, që kisha njohë ma parë, e më tha se dëshironte “me diskutue” me mue. Unë, përgjegja, se në gjendjen time fizike, nuk isha i aftë me mendue. Por ai nuk u bind. Kishte nji nevojë të madhe me folë. Kompleksi i inferioritetit, ndaj intelektualëve e studentëve, ishte i fortë te shumica e tyne. “Na e dijmë që na përçmoni,” më tha atë natë, “sepse na vijmë nga mali e nuk kemi shkollë. Por na kemi shkollën e partisë sonë heroike, na kemi fitue e ju....” Talljet e oficerëve me jetën tonë studenteske, relacionet tona me vajzat, diskutimet, shëtitjet në piacë, “luksin” tonë, nji farë nonshalance, mospërfilljen tonë për “autoritetin” e gjendjen rreth nesh, kishin mjaftue “me bindë” oficeret e Sigurimit, se qëllimi jonë ishte me tregue “superioritetin” tonë, si “elitë intelektuale”, “intelektualizmin” tonë... “Unë pështyj në shesh, para se za me gojë emnin tuej,” rrëfeu nji ditë oficeri hetues. “Na nuk mund të lejojmë ndryshimin e gjendjes së sotme,” më kujtohet që tha “majori” atë natë. “Jo vetëm sepse në këtë mënyrë na do të pranojshim dështimin e idealeve tona, por kryesisht, sepse metodat tona me provue saktësinë e idealeve tona, janë të këtilla që nuk lajnë vend për bisedim, aq ma pak për kompromise...Na e kemi vendosë me ju shfarosë. Ju e shihni! Në mes nesh e jush, po zhvillohet tashti nji luftë pa doreza. S’kemi ç’të fshehim...ashtu si gjatë luftës...Për ma tepër, nga kush duhet të fshihemi? Nga ju, objekt i terrorit tonë? Nga masat e gjana, që janë tkurrë nga frika? Apo nga anëtarët e partisë sonë, që i janë nënshtrue nji edukimi politik, që përgatit me pranue gjithçka...ti e kupton se ç’due të tham me fjalën “gjithçka” ... në altarin e fitores së revolucionit tonë popullor?” Unë heshta nga frika e habitja, që më mbuloi nga ky rrëfim i papritun. E njihsha “majorin” shkodran, që në kohën kur kishte qenë “ilegal”, e nuk kishim ushqye ndjenja anmiqësore ma parë. Mandej, tue vue majën e shkopit në ballin tim, më shtyu lehtas, si me dashtë me tërheqë vëmendjen time për fjalët që përgatitej më thanë qartë, ngadalë, e me kënaqësinë që ngjall veprimi i pakontrolluem e i pakufizuem. “Ndigjo, këtu!”, më tha, “nuk ka rrugë kthimi për ne. O ju...o ne...! Për sa kohë, që kemi fuqinë në dorë do të jemi ne, e ju...” Nuk e përfundi fjalinë, ngriti supet. Vuni shkopin mbi tryezë, u afrue pranë dritores, e pa folë shikonte përjashta rrugët e qytetit. Atë çast pata përshtypjen, se bota e mbyllun e kriminale ku kishte përfundue ai, po e vriste edhe atë. Dyshimi i krimeve të kryeme, dukej se kishte arrijtë ndërgjegjen e tij. Ai mbrohej sipërfaqësisht me mbulue disfatën e vet të brendshme. Pak minuta ma vonë, u kthye kah unë, e me nji za të pasigurt më pyeti: - Pse u ngrite kundër nesh, mor i poshtër, pse kundër nesh? Ti ke qenë anti-fashist...” Nuk ishte ma “majori” i mëparshëm. Diçka e thellë kishte ndryshue tek ai. E kuptova nga toni i zanit tij. Atëherë, mora pak guxim e përgjegja: - Zoti major, para situatës që keni krijue, edhe sot në këtë gjendje ku më keni prue..., nuk shoh që ka rrugë tjetër për mue...Kështu, të regjimentueme, nuk ka vend për rrugë të mesme: o me ju o kundër jush! - Si asht e mundun, që ti të marrësh anën e klerit katolik? - Zoti major! Unë nuk kam lidhje me klerin katolik... - Pjesmarrja në funeral të arqipeshkvit në maj...ne kemi fotografitë...do t’i tregoj?” tha me nji farë krenarie. - Jo!”, i thashë. “Po në atë funeral, ka qenë gjysma e qytetit...” Ai nuk përgjegji. U suell nëpër dhomë, e më pyeti përsëri: - Të kujtohet Revolucioni Francez?” Pyetja e tij më erdhi e papritun, e nuk përgjegja fare. “Revolucionarët francezë ishin kundër aristokracisë, jo kundër klerit”, vazhdoi ai monologun. “Por kur kleri refuzoi të ndahet nga aristokracia, atëherë populli tha: “Le të digjet edhe kleri!” Historikisht kleri katolik i ka shkaktue vehtes, damet që pësoi. Ashtu si dje, ashtu edhe sot. Ata na sulmojnë, na mbrohemi...” Mbas nji heshtje të shkurtë, vazhdoi: - Ju të gjithë besoni në superioritetin ushtarak të Amerikës...Bomba atomike? Ha! Mos u shqetësoni! Brenda pak kohë, Bashkimi Sovjetik do të ketë bombat e veta, ma të mëdha, ma të fuqishme....Ndërkaq, tash për tash do të evitojmë konfliktin, por do t’a provokojmë kur të ndjehemi të fortë nga pozita të favorshme, në kohën e vendin ma të përshtatshëm për ne...” E me mburrje plotësoi: “Na do të fitojmë luftën finale...” Ishte i entuziazmuem, dhe qartësisht përsëriste mësimet e marruna në orët e edukimit ideologjik. Sa e besonte “majori” nji paraqitje të këtillë, qoftë të historisë së kalueme, qoftë asaj bashkëkohore? Nuk e kuptova! Për mue, subjekti ishte i randë, e në gjendjen time shumë i randë. Por, nuk kaloi pa më lanë përshtypjen, se nji indoktrinim i thellë që përgatiste politikisht kuadrot për “luftën e re”, ishte në rendin e ditës... “Nji luftë e tretë” mendova, “e lufta e dytë, akoma nuk ka marrë fund si duhet...!” Kuptova, se roli i provokimit, ishte përqafue me gëzim prej komunistëve internacionalistë, e se ata ishin të vendosun ta luejnë atë rol me nji cinizëm të pakufi...! Fjalët e fratit të pushkatuem: “Na nuk do të provokojmë, nuk asht roli jonë”, fitojshin nji randësi profetike! Mbas heshtjes sime të plotë, ai nuk foli ma. Thirri rojen me za te naltë: “Partizan!”, e urdhnoi: “Dërgoje këtë qen në qeli!” Në qeli, fillova të rindërtoj bisedimin e bamë në zyrë. Isha i bindun, se nji konflikt i brendshëm, kishte fillue tek disa oficerë të Sigurimit. A thue, se shkalla e gjanë e torturës së përdorun kundër nesh, e intensiteti i saj, kishin prekë edhe zemrën e xhelatit? Fakti, që mbas përgjegjes sime ai nuk më dha nji dru të mirë, që unë të mos e harrojsha për jetë, tregonte se “ndryshimet” ishin të mundshme, në këtë bllok në dukje graniti. Ishte hera e parë që hyjsha në qeli pa dhimbje trupi, dhe me nji ndjenjë lehtësimi nga përvoja e ditës. Mora me dëshirë racionin e bukës thatë, e ujin që më dha roja, e fillova darkën me nji shije të natyrshme. Bukë e ujë. Mrekulli! U mbusha me shpresë, se nata e errët që na rrethonte, nuk do të ishte e përjetshme, e se shenjat e para të agimit të dritës së re, dukeshin në horizont. Ose të paktën, kështu më dukej mue. Oh, nuk duhet shumë me ngjallë shpresën e të burgosunit...! * Pranë meje, u hap nji derë qelie. Mandej, nji grahëm e fortë më erdhi në vesh. M’u duk diçka e re, megjithëse i burgosuni vuente qysh në darkë, kur u kthyen nga hetuesia. Por, në atë çast, zani i tij më zgjoi nga dremitja, ku kisha ra. Tingulli i zanit, volumi i tij e ritmi i rregullt me erdhën si diçka e njohun. Nji grahëm e dytë erdhi edhe ma e fortë, ma e afërt, e forcoi kureshtjen ma parë, e menjiherë edhe bindjen, se diçka të njillojtë kisha dëshmue ma parë. Ku e kur? Para meje u hap perdja e nji bote të tanë: ajo grahëm, ishte e njillojtë me atë të babës në shtratin e vdekjes. I shtrimë në mes të dhomës, kokën e mbështetun mbi dy jastekë, m’u përfytyrue baba në çastet e fundit të jetës tij. Rreth e rrotull, ishte familja. Gjashtë fëmijë, qajshim me dënesë. Nana, tue përmbajtë vehten me vështirësi, derdhte lotët si lum, e lagëtë me nji shtëllungë të vogël pambuku buzët e rreshkuna të babës, që jepte shpirt. I burgosuni pranë meje, jetonte çastet e fundit të jetës ...i vetmuem! Gjatë dy muejve të parë në Sigurim, e torture të pandërpreme kalova çaste me të vërtetë të vështira, fizikisht e shpirtnisht. Kur vuejtja kalonte kufijt e durimit, e dhimbjet e trupit mbytshin çdo ndjenjë, urrejtja ime rritej, forcohej, përqendrohej. Figura e oficerit torturues, merrte pamjen konkrete të kësaj urrejtje, e në dritën e turbullt të syve që mezi dallojshin vijat levizëse të nji natyre monstruoze, ai, oficeri i Sigurimit, ishte për mue gjithçka që më luftonte, më kërcënonte, e përpiqej me më zhdukë. Ai ishte për mue, mishnimi i asaj dukunie të mbrapshtë, çnjerëzore, demoniake, e shkatërruese të komunizmit, dhe e përçmimit që nxin vazhdimisht ndërgjegjen e njerëzimit, sa herë që nji qënie njerëzore zbret aq poshtë, sa oficeri brut që torturon, njeri pa skrupull, vegël servile e rendit të ri shtypës. Kjo qënie brut, ishte prodhimi i nji lëvizje, që trumbetoi ideale fisnike, që na perkrahëm, por që përfundoi në duert e nji mase popullore, me vlera morale të dobësueme nga jeta e vështirë, pa arsim por dhelpnake, pasionet e se cilës, u gërvishtën prej demagogëve që udhëheqen me slogane. Ishte nji masë, që nuk konceptonte mundësinë e nji revolucioni bujar, e përkrahte regjimin e terrorit, deri sa u mund nga vetë terrori që ajo solli në fuqi. Në vendin tim, ky terror ishte i organizuem, efektiv, e gjithpërfshimës, dhe plotësisht i ndërgjegjshëm për punën e vet shkatërrimtare, sepse kryhej me nji ndjenjë krenarie absurde. Në vendin tim, ky terror ishte plotësisht përgjegjës për aktet e tia të përditshme, që askush nuk kontrollonte ma. Ligji e sistemi ligjor, ishin ombrella për sunduesin, e shkopij për qytetarin pa mbrojtje. Bishat mishngranëse të Sigurimit të Shtetit, u banë vullnetarisht kriminelë ordinerë, që ni fat i egër i vuni në shërbim të “Partisë” e të “Shtetit”, dy aparate shtypës, për të cilët vrasja e të pafajshmëve, mbetej parimi i tyne mbisundues! * Jam në zyrën e hetuesit. Hapet dera! Hyn nji oficer. “Shoku kapiten”, tha me nji gjest të dorës, që la me kuptue se e ftonte me e shoqnue. Kapiteni thirri rojën, e porositi të më ruejë, e u largue. Isha i lidhun kambë e duer. Nga dera gjysëm e hapun, ndigjova zhurmën e kambëve të nji roje, që po afrohej nga korridori, të përzieme me nji tjetër zhurmë kambësh të lehta, që m’u duk sikur ishin kambët e nji fëmije. Nuk u gabova! Në heshtjen që ndoqi, ndigjova derën e zyrës pranë, që u hap mbas nji troktije të lehtë, nji vajtim me dënesë nga nji za grueje, e menjiherë pa pritë nji thirrje e mprehtë: “Uh! E mjera nanë!”, që përshkoi gjithë ndërtesën. Nji fërkim i trupit për drrasat e dyshemesë, më dha me kuptue se “viktima”, ishte e shtrime përdhe, e përpiqej me u ngrejtë. “E mjera unë!”, përsëriste, e menjiherë nji za fëmije, “Nanë, nanë!”, nuk pushonte me dënesë, që pikësonte shprehjen e dhimbjes, që e shkynte. “Mbylle derën, idiot!” bërtiti me fuqi oficeri. Unë mbeta pa gojë! I mbështetun me nji brryl në dysheme, që të mos bijsha për tokë, i hodha nji sy roje së kuqe, si me dashtë me thanë: “Ku jemi, mor djal? C’bani kështu në kurrizin e këtij populli?” Roja kryqëzoi shikimin tim për nji sekondë, e sikur të kishte kuptue pyetjen, iu afrue derës, e shtyni atë lehtësisht, e me kujdes sikur nuk donte me thye heshtjen që ra prapë në dhomë, e tue mbështetë kurrizin për mur, nguli sytë në llampën elektrike, që ndriçonte zyrën. Rreth e rrotull saj, insektet e vogla silleshin si pa të keq, në nji botë të panjohun për ata. Dukej, se vetëm njerëzit çmendeshin në këtë botë tonën...! Kur u kthye, “kapiteni” ishte i zymtë. Nuk foli fare, qarkullonte më nervozitet nëpër dhomë, e thirri rojen: -Partizan! -Urdhëro! -Merre këtë qen, e vare përjashta në pemë...” Me duer të lidhuna shtrëngueshëm, i mbajtun për krahu nga roja, dola prej zyrës. Tue zbritë shkallët, nuk i besova veshët e mij. Pse u ndëshkojsha pa thanë asnji fjalë? Në katin përdhes, nji derë çonte në oborrin e ndërtesës, ku gjendeshin tri peme të nji naltësie mesatare. Njena prej tyne, ishte “pjeshka”. Roja, thirri “tetarin e rojes”, e të dy së bashku, mbasi më hoqën rrobet e trupit, tue më lanë në brekë, me lidhën me litar në të dy shpatullat, e më ngritën në ajër, derisa kaluen litarin mbi njenën nga degët e pjeshkës, dhe e forcuen. Kisha përshtypjen e çuditshme, se po ngjitesha në kryq! Atëherë, më zgjidhën duert nga para, e i lidhën përsëri nga mbrapa. Kur mbaruen këtë “operacion”, më lëshuen, e unë mbeta pezull, i varun disa centimetra mbi tokë. Pesha e randë e trupit, e litari i ashpër, më shkaktuen nji dhimbje që nuk durova, e thirra me za të naltë: “Vdiqa, vdiqa!”. “Pusho, derr!”, bërtiti roja me automatik. “Pusho, se do të dërrmoj me dru!” Por unë nuk pushova thirrjet, deri sa filluen të më mirren mendt. Dhimbja, ishte aq e fortë, sa më çmendi. Për fatin e keq, filloi nji shi i randë, që zgjati disa orë atë natë dhjetori. Duhet të kem humbë ndjenjat ma shumë se nji herë, sepse zgjohesha vazhdimisht nga dhimbja e madhe. I lagun, kjo dhimbje bahej edhe ma e ndieshme. Po humbsha zanin, merrsha frymë me shpejtësi, dënesat nuk pritshin njena-tjetrën, dhe nuk kisha asnji shpresë, se kjo torturë mesjetare do të përfundonte para ardhjes së “kapitenit” në zyrë, në mëngjes. Kur mora vehten, isha në dyshemenë e qelisë sime, i shtrime e pa lëvizje. Kisha akoma duert e kambët e lidhuna me zinxhirë, por dhimbja që më çmendte, vinte prej dy sqetullave të rrjepuna nga litari. U përpoqa me lëvizë krahët, por nuk munda; dhimbja ishte nji torturë e vërtetë. I lagun deri në kockë, i zhveshun, fillova me ndie edhe të ftohtit. Tue u dridhë, me dhimbje të padurueshme, e vetëm në atë qeli të errët, më hypi nji zemërim kundër xhelatit, që nuk e kisha pasë deri atëherë. U mbusha me urrejtje të pakontrollueshme, nji urrejtje, nga ata që në raste të veçanta vrasin e shkatërrojnë. Nuk mujsha me u përmbajtë. Dhimbja kishte kalue çdo kufi. “Duhet të përbuzësh, duhet të përçmojsh, duhet të urrejsh, njeriun që vepron kështu,” thashë me vehte, “që të mundesh ma vonë me torturue, ashtu si bajnë sot komunistët.” Në shoqninë e re, që “ata” kishin krijue mbi gjakun e të pafajshmit, e djersën e të shfrytëzuemit deri në palc, njerëzimit i merrej fryma para nji mendësie të këtillë, që e shtypte, e që “ata” shtypësit, nuk e kuptojshin. Si mund të nxitej ndërgjegja morale, tashti e vdekun e këtyne “udhëheqësve”, si mund të zgjoheshin ndjesitë e palosuna në krahët e gjumit të randë e të gjatë, që kishte zanë shtypësit nga dehja, që sillte krime kundër të pafajshmit? Nuk kisha asnji dyshim, se ashtu si në të gjithë botën, edhe në vendin tim vetëm elementi ma i ulet i shoqnisë shqiptare, pranonte të jetë torturues, oficer Sigurimi, drejtor burgu, ose “antar partie”. Vetëm ai element që e gjente kënaqësinë në botën e vajit, dënesës, e torturës. Dhe fatkeqsisht, në fazat e vështira të poshtnimit e vuejtjes që ata shkaktojshin, ata ishin ma të fortë se viktima, e ishte kjo ndjenjë falso e epërsisë që ata ushqejshin për mbulimin e pasigurisë së brendshme, që i mundonte. * Përreth meje, nga çdo qeli, vinte zani i të burgosunve të torturuem me ashpërsi nga oficerët e Sigurimit, roli i të cilëve ishte me përpunue “procese” rrëfimesh për krime të pakryeme, e me zbulue “armiqtë e popullit”. Me këtë, ata provojshin tezën makabre komuniste, se të gjithë të arrestuemt ishin “fajtorë”. Xhelati, nuk pranonte të ishte gabim, e ishte i gatshëm me torturue, që të “krijohet” faji, e të denohet “fajtori” pa faj. Fshamja e dënesa e të rrahunve për vdekje, ose të lanun pa ushqim e pa ujë për ditë me rradhë, e në pamundësi me krye nevoja biologjike, nuk pushojshin gjithë ditën e gjithë natën. Shamjet e rojeve e kërcënimet e tyne, përziheshin me zanin e të mjeruemve të mbyllun hermetikisht, krijojshin kakofoninë që rrjedhte nga dialogu absurd në mes të dy botëve antagoniste: xhelat e viktimë. Ishte rrethi i ferrit dantesk të nëntokës! Në këtë botë të nëntokës, e përtej botës sonë, më kalojshin para sysh skenat naive të takimeve tona, diskutimet plot pasion, e frika që kishim nga dekonspirimi i mundshëm. Ishte e qartë, se ato ditë, të gjithëve na mungonte përvoja e organizimit në grupe klandestine për veprime “ilegale”. Çdonjeni nga ne, vuente nga i njajti mentalitet naiv: sa të drejtë morale kishim na me marrë me vehte elementë të rij, studentë e nxanës, e sidomos vajzat, pa informue secilin për rrjedhimet e mundshme, që vijnë prej akteve konspirative? Sa të aftë ishim na, me paraqitë nji kuadër të terrorit të kuq, kur nuk e njihshim atë në ato ditë të veprimtarisë “ilegale”? Asnjëni nuk kishte provue burgjet e torturat e Sigurimit! Nji mbrëmje ndërgjegje e padurueshme na mbulonte, e ndikonte thellë mendimin tonë në ato ditë entuziazmi, e si rrjedhim aksionin tonë. Kishim hy në nji rrugë të panjohun, e nuk kishim as dëshirën, as vullnetin me u ndale, pavarësisht nga e paprituna. Por fakti, që kjo mbrëmje ndërgjegje frenonte entuziasmin ton, provonte, se nuk kishim humbë akoma në llumin e politikës oportuniste, që nuk përbuz asnji mjet, dhe se aksioni jonë ruente akoma etikën themelore të respektimit të jetës dhe dinjitetit të çdo personi, që na afrohej, e ofrohej me bashkëpunue. Kjo fitore shpirtnore, që damtonte randë efektin e veprimtarisë sonë rebeluese ku ishim angazhue, mbetej përsëri për mue e shokët e mij, fitorja ma e madhe që kishim arrijtë në ato momente vendimtare. “Njeriu”, nuk duhej sakrifikue në altarin e “kauzës” për arsye të “fitores”. Këtu ishte dhe dallimi thelbësor i qëndrimit tonë, me atë të “komunistëve”, gjatë luftës dhe ma vonë. Logjikisht, nji qëndrim i këtillë, ishte nji rrugë pa krye në botën e aksionit, sepse bante të pamundun “fitoren” e rebelimit tonë të sinqertë, e të justifikuem. Ai qëndrim, ishte i paracaktuem që në fillim me humbë, ishte pa të ardhme. Kjo asht “logjika” e aksionit. E megjithatë, na vazhduem rrugën tonë deri në arrestimin e paevitueshëm. Naivitet fisnik! Në vetminë ku isha zhytë, gjithçka nga e kaluemja ime dukej e pabesueshme, nji andërr, që avullonte para realitetit të kësaj torture. Sa ndryshim, me komunistët e karrierës, me “profesionistët”! Ata ishin aktivistë kambëngulës, vrapojshin me pasion mbas dëshirës e interesit të tyne. Nuk kishte skrupull që i ndalonte. Ata nuk mendojshin; ata veprojshin, ndjekshin urdhnin e “eprorit”, ose të instiktit tyne vetjak. Ata nuk bajshin pyetje, as ndiejshin nevojën për përgjegje. Ata nuk ishin tolerantë, e nuk kishin frikë nga opinionet e tjerëve. Ata nuk kishin frikë nga rreziku, sepse në brendinë e tyne dëshirojshin nji jete të rrezikueme. Me këtë ndërgjegjësim, ata nuk ndaloheshin para krimit të vrasjes së kundërshtarit. Ata vritshin, sepse zani i ndërgjegjes tyne ishte mbytë. Aksioni për ata ishte amoral. Shpesh herë, aksioni i tyne ishte thellësisht imoral, por efektiv e kjo kishte randësi, sepse kjo optikë sjelltë “fitoren” e dëshirueme, pushtetin absolut! * Dera e qelisë u hap e nji roje e kuqe hyni brenda, më zgjidhi kambët e lidhuna me zinxhirë, e tue mbajtë hundën nga era e qelbësinës brenda në qeli, më tha se do të më transferonte në nji burg tjetër. Ishte nji dhomë e Kuvendit françeskan në Shkodër, në mes nji serie dhomash në të dy anët e korridorit të gjatë, të pastër, por pa shumë dritë. Dhoma ime kishte nji shtrat, ndoshta krevati i nji frati. Më ulën në shtrat, më lidhën njenën kambë për hekurat e shtratit, e më zgjidhën prangat e duerve. Nga qelia e errët e Sigurimit në nji dhome të pastër, ndryshimi ishte si dita me natë. Errësina e qelisë, kishte qenë “nata” ime për tre muej me rradhë. Dritorja, kishte kapakët e gozhduem që të mos hapej, por pjesa e sipërme ishte prej xhami që ulej e ngrihej, e lejonte hymjen e dritës, e nga nji herë të ajrit të pastër. Kjo ishte “ditë” për mue. Nji ditë e bukur me diell! Nga dritorja, shihsha nji copë qielli pa re. Nji bukuri e pabesueshme! Shihsha diellin e ndiejsha freskinë e ajrit të pastër, megjithë ndytësinë e rrobeve të mia, mjekrën e parrueme për tre muej, e sidomos milionat e morrave të çdo rrace...! S’prishte punë; isha i lehtësuem, gati me fluturue...! Në këtë gjendje galdimi të papritun, i thirra flladit. “O fllad! Merrmë me vehte! Në hapsinën e pafund të qiellit të kaltërt që më mohohet, më fluturo. Më dërgo atje, ku vuejtja nuk gjen banesë. Le të mbushet përsëri gjoksi im me frymën e botës pa pengesa, pa pranga. Në fluturimin tand andrroj unë sot me ty me ardhë, lirinë me shijue, vrapin tand me gëzim me ndjekë, e me kthye pa drojë në shtëpi, me pushue pa frikë, e në çaste vetmie e andrrimi, ditët e mia rinore me shijue, e afshin e zemrës që rreh me fuqi. Më kthe përsëri trupin që nuk dirgjet i shtërnguem me hekura, e mendjen e lëshueme në kujtime të pastërta, e qëllime të çiltërta të nji shpirti të lindun me dashunue. Fllad, o fllad! Merrmë me vehte! Në hapsinën e pafund të fushës që unë nuk shoh ma, ti më ço. Atje ku në fëmijninë time, i lirë e i lumtun, mësova të vrapoj, flutura tue ndjekë e lule tue mbledhë, e shokët tue shoqnue në nji botë që iku shpejt pa e kuptue, më merr përsëri. Atje ku gazi kurrë nuk mungonte, e fytyra ime veç galdimin tregonte për prindë, e tjerë të rritun që më këshillojshin mos me vrapue se rrëzohem, e ftohem.... Vetëm muzgun njihsha ato ditë, kur terri dalëngadalë largonte fluturat e mshihte lulet ndër fusha, derisa nuk dukeshin ma. Shokët kah shtëpia shkojshin, e unë mbas tyne pa u nda deri në banesë. Nana më priste me nji të puthun, që kurrë nuk mjaftoi për mue, as për atë, kur unë ia kthejsha me nxehtësi. Mbas darkës së bekueme me djersën e babës, që punonte, në shtrat u struksha si qingji i pakujdesun pa muejt me dhanë ma shumë se nji përqafim për prindët, që më dojshin me shpirt. Fillojsha atë çast jetën e nji bote tjetër, botën e andrrave, që gjatë gjithë natës muk m’u ndajshin asnjiherë që të mos shkëputej lumnia e ditës së ngrysun...! O fllad! Merrmë me vehte! Në hapsinën e atij mali që njoha gjatë verimit, më merr! Në ajrin e kaltërt e blu që mbushte luginën, ti më lësho. Freskinë e papreme që sjell pylli, më jep dorën t’a shijoj përsëri. Më përcjell në ograja të katundit malot, që në rininë time të shkujdesun, nji bote të re më zbuloi. Fyllin e zumaren e bariut, e meloditë e vajzës që këndon e këndon me grigjën që blegron në kullota, dëshiroj përsëri me ndigjue. Zanin e të rijve zemër-çiltërt që qeshin pa kujdes e drojë, tash jam tue kujtue, e zemra me heq me u thanë përsëri si dikur: “Eni, eni! Nji kangë të bukur qyteti do t’ju mësoj”. Me njerëzit e thjeshtë, që flasin ç’ka ndiejnë pse nuk dijnë ç’ka asht e keqja, digjem sot me folë...! * Në mbramje, kumbonet e Kishës françeskane tingëllojshin si nji hymn qiellor. Më kujtohej ky tingull, kur në mbramjet e lira buzë liqenit, ndigjohej i qartë e paqësor. Atëherë, ishte koha me u kthye në shtëpi. Por në ato ditë, paqja e prendimit të diellit, e mbramja që e ndiqte, ishin të pandërpreme, të pacoptueme, të pavrame nga zanet e të burgosunve, që ndigjohen në qelitë, dhe pa frikën e vdekjes sime e të shokëve të mij në torturë. Në qeli, ky hymn qiellor, ishte kthye në nji Meshë Solemne për trupat e dërrmuem, e shpirtët e viktimave, që shuheshin çdo ditë në errësinën e Sigurimit kriminel komunist. Kisha nji ndjenje të çuditshme, kur ndigjojsha zanet e të burgosunve. Flitshin me za të ulët, sa që nuk njiheshin ma, sikur dojshin me tregue së gjatë periudhës së torturës diçka thelbësore kishte ndryshue tek ata, se nuk ishin akoma ata të paraburgimit, por krijesa të reja të linduna nga vuejtja e torturës, jo përgjegjës për gjendjen e tyne të re, fantazma të asaj që kishin qenë dikur...! Vetëm pak javë mbas kësaj “ndërpremje”, që ma vonë kuptova se ishte shkaktue nga nji vizitë e Komisionit të OKB-së, në Shqipninë e Jugut, filloi hetuesia për mue. Kësaj rradhe, akuzat ishin edhe ma “fantastike”, se të parat. Gojë me gojë, kishim marrë vesht, se disa “deputet” ishin arrestue, e se do të dilshin për së shpejti para gjyqit. Sigurimi i Shtetit, bante përpjekje mbinjerëzore me i kompromentue, tue detyrue të burgosunit me deponue kundër tyne. Në zyrën e hetuesisë, gjeta përsëri “shefin” e ditës parë dhe oficerin e hetuesisë sime. Nga pyetjet e shënueme në letër, e të lexueme nga oficeri, kuptova se kisha të baj me nji hetuesi të mbarsun me mundesitë e rreziqeve të paparapame, ndoshta vdekjen gjatë torturës, ndoshta ekzekutimin me gjyq, padyshim nji periudhe të gjatë burgimi të randë. “Akoma nuk ke proces”, tha shefi. “Tani do përfundojmë, akuza të reja kanë dalë në shesh, kundër teje”. Nuk fola, por kujtimi i torturave të maparshme, më rrënqethi trupin. Ai filloi me tregue, se nga arrestimet e reja, Sigurimi, kishte grumbullue materiale që tregojshin “pa asnjë dyshim”, se rrjeti i organizimit të rinisë studenteske në Shkodër, ishte shumë ma i gjanë se mendohej, dhe se unë “pa asnjë dyshim” isha nderlidhësi i të rijve me “grupin e deputetëve”. Tashti, nuk mbetej tjetër veçse të flitsha, ata do të shkruejshin, e kështu do të përfundonte procesi, e unë do të shpëtojsha prej torturave. Mbeta me gojë hapët. Nuk fola. Ata pritën pak e kërkuen nji përgjegje. “Zoti major,” fillova unë, “nuk njoh asnji deputet, as kam nji ide për atë që më akuzoni...Unë nuk kam takue asnji të huej...ju betohem!” Në brendinë time e dijsha mirë, se kjo përgjegje më siguronte tortura të reja; por njikohësisht, u bana edhe ma i ndërgjegjshëm se ishte e domosdoshme me ruejtë qartësinë mendore, e me u mbrojtë në çdo mënyrë nga sulmi i paevitueshëm, mos me lejue shkatërrimin tim të pareparueshëm. Nji ditë ma parë, para derës së qelisë sime, tue tërheqë rrëshqanë, sollën nji të burgosun të panjohun. Nuk ndigjova zanë, përveç zhurmës së trupit që u përplas për shesh, kur e lëshuen dy partizanët. Nji orë ma vonë, në heshtjen e madhe që ndoqi, e që ndërprehej nga fshamje e kollitje, u ndigjuen kambët e roje bashkë me atë të nji tjetri që e ndiqte. “Ja ku është”, i tha roja. “Shtrirë përdhe si një derr....” “Ngreu, ngreu!”, bërtiti polici tjetër. “Ngreu mo të them...!” - Afrohu o derëbardhë! Afrohu, mos kij frikë...”, tha roja, e me za të ulët: “Eshtë i vdekur....E vrau togeri me dru...lart në zyrë....” - Po ky është akoma i lidhur ore...ç’thua? - E, o derëbardhë! Në këtë gjendje shpirtnore, ballafaqova hetuesit e mij. Kësaj rradhe nuk kishte diskutim. Po ose jo! Jo, donte të thonte përsëri torturë, e nga veprimi i tyne kuptohej, se kërkojshin rezultate pa vonesë. Por, pyetjet që më drejtoheshin në lidhje me “grupin e deputetëve”, nuk kishin të bajnë fare me mue. Prapëseprapë, mohimet e mia nuk i besojshin! Ashtu si herën e parë, ata paraqitën nji të burgosun të lidhun me litarë e zinxhirë, që deklaroi, se “kishte ndigjue prej të tjerëve”, që unë isha organizatori e ndërlidhësi i “grupit të të rijve shkodrane” me Tiranën. Pranimi i kësaj akuze më siguronte dënimin me vdekje. Mbas nji pervojë të gjatë në torturë, e me frikën se pranimi i akuzave falso më fundoste, vendosa mos me kapitullue. Tortura, nga dy oficer e nji roje, filloi menjiherë dhe e përqendrueme. Druni i pagdhendun, ishte forma klasike ma e lehtë. Kësaj rradhe, korrenti elektrik në të dy veshët e në organet gjenitale njëkohësisht, nuk u ndërpre, pothuejse fare. I sulmuem nga të tre, u përpoqa të mbrohesha ashtu si munda, natyrisht pa sukses. Për nji çast, të tre pushuem. Shpresova se ishin të lodhun me mue, e se do të pushojshin për atë natë. U gabova! Roja më hoqi pantallonat e brekët. I lidhun për karrike me duer mbrapa, më përmbysën e koka preku dyshemenë. Dy kambët, ishin nalt të ekspozueme. Oficeri mori nji thikë, e me tehun e saj më preu mishin në rranzë të kofshës. Gjaku filloi me rrjedhë. Ai mori krypën nga tryeza, e mbuloi plagët me të. Dhimbja që më shkaktoi, kalonte mundësitë e durimit. Në këtë pikë humba zanin. Nuk shihsha ma para vehtes, as ndigjojsha zanet e tyne. Atëherë, oficeri m’u afrue. M’u duk sikur nji za, më urdhnoi me hapë gojën. Unë nuk kuptova. Ai futi gishtat në gojën time, e mbajti të hapun, e me nji tub kartë, filloi me lëshue krypë në grykë. Kjo më shkaktoi të vjelluna, që nuk delshin përjashta, sepse ishte zanë gryka. Sikur kjo të mos ishte e mjaftueshme, oficeri tjetër me nji shufër metalike shtynte krypen, sa ma thellë në grykë. Me kokën në shesh, me kambët në ajër e i lidhun për karrike, mendova se po vdes. Me nji forcë të jashtëzakonshme, u kollita e nxorra përjashta krypën. Oficerët u larguan. Karrika u kthye nga e djathta, e unë fillova të marr frymë përsëri. Në grykë digjte shija e krypës, qe përpiqesha me hjedhë përjashta. Ma në fund, nji peshtymë e madhe e përzieme me gjakun qe më shkaktoi gërvishtja në fyt, doli e papërmbajtun, e ra në dysheme. “Derr! Mos pështyj në shesh”, më tha oficeri. Nuk nxora za. Ata shikuen njeni-tjetrin, e urdhnuen rojen të më kthejë në qeli. Në qeli, roja më hoqi dyshekun. Tue dal përjashta më tha: “Nesër, në orën gjashtë të mëngjesit, do të ekzekutohesh!” Nji shaka? Nuk dijsha, në se duhej t’a besojsha këtë llum të shoqnisë, që kënaqej me vuejtjet tona. Por nuk kisha mjaft guxim me mendue, se ai e bante vetëm për kënaqësinë shtazarake. A po ishte nji kërcënim i bamë me urdhën, si presion për kapitullim? Në terrin e plotë të qelisë, plotësisht i izoluem nga bota, i dërrmuem nga dhimbjet fizike, me duer e kambë në pranga, gojën me kripë, i shtrimë në shesh çimentoje, pritsha me tmerr, se ç’ka do të bahej me mue. Nga sahati i Kishës françeskane, ra ora katër e mëngjesit. Kishte ende dy orë. Kisha humbë edhe aftësinë me mendue drejt. Ndiejsha vetëm dhimbje, e kisha frikë. Nji frikë e madhe, e gjithanshme, që më shtonte edhe ma shumë të dridhunat nga të ftohtit. Koka më pëlciste nga kripa, e nevoja me ngranë mbas kaq kohë vuejtje ishte shue...! Rreth orës gjashtë të mëngjesit, ndigjova nji zhrume kamioni që u afrue e ndaloi para burgut tonë. Partizanët zbritën shkallët tue ba shaka me rojen. Zhurmet e kepucës plot thumba, tingëllojshin si krisma pushke në veshin tim, e zanet e tyne të naltë si kumbonë vdekje, ne ambientin tonë ku mbretnonte heshtja. Rojet qeshnin; të burgosunit rënkojshin. Zhurma afrohej edhe ma shumë, deri sa erdhi brenda seksionit ku gjindeshin qelitë. Ankthi im u rrit. Frika e ekzekutimit më zuni për gryke, e nuk muejsha me marrë frymë. Isha i ri, njizet e dy vjeçar! Më dukej vehtja sa nji grusht, e ushqejsha iluzionin, se kështu ndoshta nuk më shohin, nuk më gjejnë...! Mendojsha shkelmimet e të dënuemve me vdekje e keqtrajtimin e tyne para ekzekutimit, e varrosjen pa ceremoni, pa dinjitet, kambët e policëve që shtypshin dheun mbi viktimat gjysëm të mbulueme, e largimin e tyne nga skena e ekzekutimit tue këndue kangë partizane...Ky do të ishte fundi im? Atëherë, nuk mbetej veçse me pritë ditën kur qentë e lagjes, do të zbulojshin kufomat e mbulueme pa kujdes, që të marrë fund akti i mbramë i asgjasimit të pareparueshëm të jetës sime. E si kurorëzim...të vijnë talljet e atyne, që unë kisha njohë e kundërshtue, e që për hipokrizi para diktatorit, ose çnjerëzim të pakorigjueshëm, do të ngrejshin dollinë në shenjë urimi për vdekjen e nji “agjenti të imperializmit gjakatar amerikan”. Ndigjova hapat e policëve që u larguen me të qeshuna, e u qetësova. Për shtatë netë me rradhë, mbas mesnate, u thirra në zyrë, u pyeta për të njëjtat “faje”, u torturova pa mëshirë, e u dënova pa ujë e pa ushqim. Ditën e fundit isha jashtëzakonisht i lodhun. I shtrimë në shesh, e në pamundësi me ndejë në karrike nga plagët e marruna e kotuzionet, që më mbulojshin gjithë trupin. Gjendja ime ishte keqësue, aq shumë sa edhe “hetuesi” e kuptoi, se trupi im nuk duronte tortura të reja. Atëherë, me za kërcënues më pyeti: - I pranon akuzat? - Jo”, thashë me nji gjysëm zani, e kokën e ulët. - “Duhet të përfundojmë procesin”, më tha “i gjallë ose i vdekun” - Po!”, përgjegja me nji lëvizje kokë të këputun.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora