E marte, 19.03.2024, 05:13 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve

E shtune, 31.10.2020, 08:15 PM


Dy Pjetër Bogdanët e mesjetës së arbërorëve dhe bullgarëve

Nga Elvi Sidheri

Figura e Pjetër Bogdanit tashmë është e shtjelluar, vlerësuar, studiuar dhe hulumtuar gjerësisht në letërsinë dhe historiografinë shqiptare, duke i dhënë këtij kolosi gjenial të paepur të mendimit, shkrimit, fesë dhe kryeneçësisë shqiptare, vendin e merituar në panteonin e viganëve të kombit dhe gjuhës tonë.

Ndërkaq, ajo që pakkush di është se thuajse paralelisht, në Bullgarinë mesjetare, njëlloj të pllakosur nga zgjedha osmane, pati jetuar, vepruar, shkruar, shërbyer Hyun dhe ngritur krye ndaj pushtuesit turk, një tjetër personazh i shquar me të njëjtin emër dhe mbiemër, pikërisht Petar Bogdan (Bakshev).

Do të ishte pikërisht kjo e ashtuquajtur “rastësi” që prej kohësh më nxiste të mësoja më tepër për këtë njeri, i cili njëherësh me Pjetër Bogdanin shqiptar, pati përshkuar një trajektore jetësore të ngjashme në mënyrë të pabesueshme me autorin e Çetës së Pofetëve dhe njeriun që i ngriti shqiptarët kundër turqve, duke u ndalur veç nga rrethanat në këtë sipërmarrje heroike.

Kush është Petar Bogdan (Bakshev) i bullgarëve ndërkaq?

I lindur në vitin 1601 në ngulimin e rëndësishëm të quajtur Çiprovci, në Bullgarinë veriperëndimore, Petar Bogdan do të shkojë në amëshim në vitin 1674, pas një jete të mbushur me vepra madhore, kushtuar fesë, atdheut dhe shkrimit të historisë.

Petar Bogdan është në fakt historiani i parë i Bullgarisë, dhe ky cilësim i detyrohet faktit që vepra e tij “Historia e Bullgarisë”, e shkruar në latinisht me titullin “De antiquitate Paterni soli, et de rebus Bulgaricis ad suos Compatriotas” (Mbi lashtësinë e atdheut dhe veprat e bullgarëve për bashkatdhtarët e tyre), që do të shkruhej prej tij në vitin 1667, duke qenë e para syresh e shkruar nga dikush në këtë këndvështrim që i kushtohet historisë së këtij populli dhe këtij vendi.

Ky personazh sakaq nuk do të jetë thjesht një historian i përkushtuar dhe tejet i ditur, por gjithashtu një klerik i palodhur, që ndërkaq do të bëhet arqipeshkv i arqipeshkvisë së Sofjes, të saposhpallur si të këtillë nga Papa Urbani II (ku mbas tij, disa shqiptarë do të kryenin funksionin e lartë fetar të ipeshkvit, Nikolla Engjëll Radovani, Benedikt Cucuri, Jozef Rodovani dhe Gjergj Engjëll Radovani, siç kam përmendur në shkrimin tim të mëparshëm lidhur me këtë temë).

Veprimtaria e shumanshme e Petar Bogdan, kurorëzohet sakaq me përpjekjet e tij vetëmohuese për çlirimin e trojeve bullgare nga turqit, duke qenë nismëtar dhe mendimtar i Kryengritjes së famshme të Çiprovcit (nga marsi në tetorin e vitit 1688), që ndonëse do të shpërthente disa vite mbas vdekjes së tij, ishte organizuar në terren, shpirtërisht dhe në fushën diplomatike, pikërisht prej këtij njeriu.

Përveç dëshmive mbi periudhën kohore kur patën jetuar dhe bëmat tepër të ngjashme të këtyre dy personazheve kaq shëmbëlltyrë të njëri-tjetrit, jo vetëm në emër, por edhe në veprimtarinë e tyre që ka lënë gjurmë të thella në vetëdijen popullore të shqiptarëve dhe bullgarëve, çfarë i bashkon tjetër këta dy njerëz të shquar vallë?

Pikësëpari, Pjetër Bogdani dhe Petar Bogdan, të dy do të studiojnë në Ankona të Italisë, shqiptari në Kolegjin e Loretos, ndërsa bullgari në manastirin e Shën Françeskut.

Së dyti, dhe më e rëndësishmja, Pjetër Bogdani shqiptar, do të dërgohet nga ungji i tij, Andrea Bogdani, të studionte qysh në moshë të njomë pikërisht në kolegjin e Françeskanëve në Çiprovci të Bullgarisë, domethënë në vendlindjen e Petar Bogdan Bakshev.

Nëse shikojmë me vëmendje biografitë dhe rrugëtimin jetësor të dy Pjetër Bogdanëve, atëherë vërejmë se me shumë mundësi, Pjetër Bogdani shqiptar do të frekuentojë kolegjin e Françeskanëve në Çiprovci, diku rreth viteve 1640, ose 1641, përpara se më 1642 të shkonte në Romë, gjithmonë me shtysë të ungjit, Andrea Bogdanit, rreth moshës shtatëmbëdhjetë vjeçare.

Ndërkohë, dimë se Petar Bogdan Bakshev në këtë kohë ndodhet pikërisht në Çiprovci, pasi në vitin 1640 i ka raportuar papës për gjendjen në trojet bullgare dhe në vitin 1641, do të pasojë të ndjerin Ilia Marinov si Ipeshkv Katolik i Sofjes.

Kjo do të thotë se janë të forta gjasat që dy Pjetër Bogdanët të paktën kanë qenë në të njëjtin vend, pra në Çiprovci, atje ku për shumë kohë do të ndodhej selia e Arqipeshkvisë së Sofjes, siç do të vijojë gjer mbas shtypjes mizore nga turqit të Kryengritjes së Çiprovcit, kur selia më vonë do të shpërngulej në Plovdiv.

Mund të hamendësojmë gjithsesi se dy Pjetër Bogdanët fare mirë mund të jenë njohur edhe drejtpërdrejt gjithashtu, meqënëse shqiptari syresh patjetër do të ishte marrë në përkujdesje nga kleriku dhe njeriu më i rëndësishëm në Çiprovci, domethënë nga Petar Bogdan, duke ardhur nga larg, dhe duke qenë nip i klerikut të njohur Andrea Bogdani (armik i pashoq i serbëve, siç cilësohet ai nga historianët serbë), arqipeshkv i Shkupit, administrator apostolik i Ohrit, autor i të parës gramatikë të gjuhës shqipe, ndonëse tashmë të humbur, që njëkohësisht është edhe thuajse bashkëmoshatar me Petar Bogdan Bakshev (i lindur në 1600, ndërsa bullgari në 1601).

Në mbështetje të këtij hamendësimi fort të arsyeshëm, na vjen edhe fakti se vajtja e Pjetër Bogdanit për të studiuar në Çiprovci, pati ndodhur me nismë të Andrea Bogdanit, duke dëshmuar një njohje të thellë të këtij ngulimi dhe vlerave kulturore e fetare që harliseshin atje në këtë periudhë, nga ana e ungjit të tij, i cili gjithaq mund të ketë pasur njohje me Petar Bogdan bullgar.

Deri këtu flasim për ngjashmëritë në veprën jetësore, mënjanë emrit, formimin e njëjtë dhe mbase gjithashtu edhe takimin mes dy Pjetër Bogdanëve shqiptaro-bullgarë të shekullit XVII, kurse tashmë këtë thellim do ta shpiem edhe më tutje.

Kjo trevë katolike e Bullgarisë mesjetare, qe përbërë nga katër ngulime kryesore, ku përveç Çiprovcit bënin pjesë edhe Zhelezna, Klisura dhe Kopilovci.

Të katërta këto ngulime katolike në Bullgarinë ortodokse gjatë sundimit osman, ia detyrojnë rrënjët e tyre minierave të ndryshme, dhe burimet historike thonë se banorët e tyre patën qenë kryesisht minatorë saksonë (si në Novobërdë apo Janjevë në Kosovë), por edhe tregtarë raguzanë, të cilëve u qenë bashkuar ndërkaq edhe shqiptarët, ose arbërorët e mesjetës.

Prania e shqiptarëve katolikë është e dokumentuar dhe e dëshmuar gjerësisht nga shumë burime dhe historianë të kohës, por ngushtohet kryesisht veç në ngulimin e njohur Kopilovci, për të cilin të dhënat janë mirëfilli të shumta.

Vetë Petar Bogdan, jep këtë përshkrim për ngulimin e banuar nga shqiptarët katolikë të Kopilovcit, në një raport të dërguar për papën mbi arqipeshkvinë e tij, të datës 17 shkurt 1647: “Frymët e katolikëve për t’u kunguar në anën e Kopilovcit (Copilouaz) janë më tepër se 1200, ndërsa fëmijët rreth 300, kurse me origjinë ata janë shqiptarë të vjetër (ad antiquis della Natione Albanesi), dhe gjer në ditët e sotme akoma flasin gjuhën shqipe (lingua Albanese)”.

Petar Bogdan

Mbas 11 viteve, Petar Bogdan përsëri flet për Kopilovcin: “Numri i katolikëve i kalon 1500 frymët e të dyja gjinive dhe të gjitha moshave... Ndër ta, shumica dërrmuese janë shqiptarë nga kombësia apo thënë ndryshe, epirotë ((natione Albanensos, seu Epirotae), që kanë ardhur në kohë të vjetra nga Epiri në këtë ngulim, prandaj akoma ata ruajnë gjuhën epirote”.

Petar Bogdan shton gjithashtu që thuajse tërë shqiptarët (arbërorët) e Kopilovcit janë tregtarë, dhe që ndërkaq në këtë ngulim qenë vendosur edhe ortodoksë, sigurisht shqiptarë të kësaj feje, të cilët paskëtaj ishin kthyer në katolikë.

Me rëndësi të veçantë ndërkohë, është përshkrimi që bën ipeshkvi katolik bullgar Filip Stanislavov, jo vetëm për Kopilovcin, por edhe gjithë ngulimet e tjera katolike të kësaj treve, në vitin 1660: “Në Mizinë e Epërme, që sot quhet Bullgari, ndodhen katër ngulime të mëdhaja, që gjenden në largësi të vogla njëri nga tjetri, dhe bëhet fjalë për Çiprovcin, Kopilovcin, Zheleznën dhe Klisurën. Kur turqit patën pushtuar Maqedoninë, Morenë dhe Epirin, shumë shqiptarë për nga kombësia, gjuha e të cilëve është krejtësisht e ndryshme nga gjuhët e sllavëve dhe të bullgarëve, do të shpërnguleshin nga trojet pranë Mesdheut duke synuar të gjenin strehë në malin Hemus, ku patën ndërtuar vendbanimet e tyre në katër ngulimet e mësipërme dhe duke thirrur priftërinjtë shqiptarë të ritit latin. Këto ngulime, janë vizituar disa herë nga ipeshkvët e Tivarit, ose nga vikarët e tyre me kalimin e viteve, atëherë kur nuk kish ipeshkv as në Nikopol, as në Sofje. Në ditët e sotme në këto vende ka banorë, pasues të këtyre shqiptarëve, që e kanë ruajtur gjuhën shqipe”.

Praninë e këtyre shqiptarëve në trojet bullgare do ta dëshmonte edhe arqipeshkvi i Tivarit, shqiptari Pjetër Mazreku, kur thotë në vitin 1626 se një pjesë e katolikëve në Bullgari janë pikërisht shqiptarë, mënjanë saksonëve, paulicianëve dhe bogomilëve.

Në Kryengritjen e Çiprovcit, shqiptarët katolikë të Kopilovcit, ngrenë në këmbë plot 500 burra kundër turqve, dhe ky ngulim, ashtu si edhe tre ngulimet e tjera katolike përreth, do të braktiset nga banorët, si pasojë e shtypjes së kryengritjes nga osmanët, duke u rrënuar rrafsh me tokën.

Ajo që ka rëndësi thelbësore veçanërisht nga përshkrimi që u bën ipeshkvi Stanislavov këtyre katër ngulimeve, është se përveç Kopilovcit, edhe tre ngulimet e tjera kanë qenë të banuara nga shqiptarët katolikë, ndonëse në bashkëjetesë me saksonët, raguzanët e katolikë të tjerë.

Që domethënë se mbase vetë Petar Bogdan mund të ketë pasur gjithashtu rrënjë arbërore, duke bërë që përkitjet e pabesueshme midis jetës dhe veprës (mënjanë emrit) të tij, me Pjetër Bogdanin shqiptar, të marrin kuptimin më të epërm, duke shtuar edhe elementin kyç të origjinës së njëjtë, pikërisht shqiptare/arbërore.

Ashtu siç kockat e Pjetër Bogdanit, siç tregon nipi i tij, Gjoni, do të zhvarroseshin duke iu hedhur qenve nga turqit dhe tartarët, kisha e madhe e Shën Mërisë ku preheshin eshtrat e Petar Bogdan në Çiprovci, do të rrafshohej pamëshirshëm nga turqit, pas shtypjes së kryengritjes së banorëve të këtyre katër ngulimeve kryesisht shqiptare katolike.

Vetëm në vitet 1980 të shekullit të kaluar, gjatë kërkimeve arkeologjike në rrënojat e kësaj kishe do të gjeheshin eshtrat e arqipeshkvit Petar Bogdan, bashkë me eshtrat e disa klerikëve të tjerë.

Pikëtakimet e këtyre dy njerëzve të mëdhenj që ia patën kushtuar jetën dhe veprën e tyre fesë, atdheut, shkrimit, historisë dhe luftës ndaj pushtuesit turk, janë aq të shumta, saqë emri i përbashkët ndoshta përbën rastësinë më të saktë të përfytyrueshme, sikur vetë Hyu të kish dashur t’i pagëzonte njëlloj, duke i bashkuar edhe në emër, për t’i njësuar përmes bëmave të tyre të pashlyeshme për historinë mesjetare të shqiptarëve dhe bullgarëve.

Petar Bogdan Bakshev mbase edhe gjaku shqiptar e bashkonte me Pjetër Bogdanin.

Histora e Bullgarisë, dorëshkrimi origjinal i Petar Bogdan Bakshev

Bazilika e rrënuar e Shën Mërisë në Çiprovci ku prehej Petar Bogdan Bakshev



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Elvi Sidheri: Familja Radovani dhe krerët shqiptarë të Kishës Katolike në Bullgarinë mesjetare Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX Elvi Sidheri: E vërteta e munguar e vrasjes e mitropolitit të Korçës, Foti Kalpidis në vitin 1906 Elvi Sidheri: Intervistë me Entela Binjakun Elvi Sidheri: Intervistë me artistin Zoran Kardula Elvi Sidheri: Intervistë me gazetarin sportiv dhe shkrimtarin spanjoll José Manuel Puertas García Elvi Sidheri: Komitët e harruar shqiptarë të luftës për Maqedoninë Elvi Sidheri: “Jehu i Përjetësisë”, ose përçimi i trashëgimisë më thelbësore të veprës dhe jetës së At Zef Pllumit Elvi Sidheri: Rrush e dhelpra (metaforike e jo vetëm) Elvi Sidheri: Vlora, dikur qendër e hebraizmit në Mesdhe Elvi Sidheri: Aleksandër Molosi, njeriu që ngjizi madhështinë e Epirit të lashtë Elvi Sidheri: Memento për një kolos Elvi Sidheri: Rrota e Ujit, një shtjellim i rrallë i të kaluarës kosovare Elvi Sidheri: Princesha Iliro-Maqedonase Cynane, Amazona e vërtetë Elvi Sidheri: Një Golgotë për t’u lexuar, në frymë Krishtlindjesh në diktaturë Elvi Sidheri: Kur libri shndërrohet në pasion jetësor Elvi Sidheri: E vërteta për “Fitoren e Pirros”, përtej mitit përçmues romak Elvi Sidheri: Ndjesia e pështirë e inferioritetit kulturor ndaj sllavëve Elvi Sidheri: Kemi harruar vallë të shkruajmë me dorë? Elvi Sidheri: Panairi i pafytyrësisë

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora