E marte, 26.10.2021, 01:03 AM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Shteti nuk ka hyrë në galeritë e minierave

E premte, 30.10.2020, 03:51 PM


SHTETI NUK KA HYRË NË GALERITË E MINIERAVE

Nga Ndue Dedaj

Nëse ka një copë territor ku shteti është inekzistent, është nëntoka shqiptare, minierat që nuk i nënshtrohen asnjë lloji kontrolli shtetëror. Të vetmet raste kur shteti rend turravrap për te galeritë e kromit, bakrit etj. është dërgimi i ekipeve te avari-shpëtimit nga Tirana për të nxjerrë trupat e pajetë të minatorëve të mbetur në thellësi të nëntokës, që duhet thënë se sakrifikojnë jo pak. Keni parë ndonjë ministër a pushtetar tjetër të vejë ndonjëherë në miniera për t’u takuar me minatorët, për t’i dëgjuar ata për hallet e tyre? Një herë e një kohë ministri i Industrisë dhe Minierave shkonte kaluar maleve, galeri më galeri e sondë më sondë, jo se ua hiqte punëtorëve mundimin sizifian të vagonës dhe martelit, por, gjithsesi, e bënte një fotografi me ta. Kryministri, ministrat, deputetët venë rregullisht në kohë fushatash elektorale “në ara, fabrika, kantiere” mes punëtorëve dhe sipërmarrësve, bëjnë sikur i dëgjojnë, por më shumë mbajnë fjalime të gjata e të thata para tyre. Kurse minierat janë një “tabu”, atje nuk shkohet! Por, ndoshta, “shkojnë” minierat tek pushtetarët, lart në qeveri!?...

Nuk thonë kot, kur nuk shkon Muhameti te mali, shkon mali te Muhameti.

Mundet që bash për këtë, zyrtarët e shtetit nuk shihen në miniera, pasi i mbarojnë “punët” nga zyra, pa qenë nevoja që me këpucët e tyre “lustrafin” të përziejnë baltovinën e minierave. Merret me mend, që nuk është fjala për një fotografi të qeveritarëve të sotëm më minatorët si dikur. Jo, shteti hyn në minierë siç i ka hije në një shoqërie moderne, me anë të ligjit, displinës së punës dhe administrimit, kontratave të rregullta minerare dhe me punëtorët, transparencës me publikun dhe mediat etj. A e dinte shteti ynë se në malet e Selishtës në Dibër, disa orë larg nga Bulqiza, atje ku mund të shkohet vetëm me “Ifa” ishte një galeri qorre, që iu mori jetën tre minatorëve, Ismail Hoxhës (inxhinier), Fatos Çeskut dhe Rexhep Rushitit? A kishte shkuar më parë shteti në ato zgafella të nëndheshme, të frikshme, për të parë nëse ajo galeria e vdekjes së trefishtë dhe të tjerat aty pranë i kishin kushtet teknike që të viheshin në punë? Dihet që minierat rrezikojnë nga shembjet e dheut, mungesa e armaturës, gazrat helmues, ujërat nëntokësore etj. Po, shteti e kishte mbyllur minierën për mungesë kushtesh në 2015-n dhe e kishte liçensuar pak muaj më parë, pa u kryer atje asnjë investim, siç raportojnë gazetarët e rajonit.

Gjithkund mbi tokë, teknologjia ka ecur përpara, kurse në minierat tona të vogla periferike, që më së shumti punojnë “në të zezë”, minerali shfrytëzohet si në shoqërinë primitive… me karrocë dore. Shfrytëzimi është me probleme dhe në minierat e mëdha si Bulqiza, me teknologji më të përparuar, ku gjithashtu ka pasur vdekje të njëpasnjëshme. Përfaqësuesit e qeverisë dhe në rastin e fundit u mjaftuan me shprehjen e keqardhjes për tragjedinë e rëndë që kishte ndodhur në Selishtë dhe ngushëllimin e familjarëve të viktimave të nëntokës. Mund të ishte dhënë alarmi si kurrë më parë. Mund të ishte ulur flamuri në gjysmë shtizë. Kuvendi, i mbledhur për rrezimin e dekretit të Presidentit për kodin zgjedhor, nuk i mbajti tre minuta zi për tre minatorët dhe, për më tepër, nuk lajmëroi se do të ngrinte ndonjë grup hetimor parlamentar për të parë në vend se çfarë ndodh në minierat e Republikës, apo, më e pakta, se do të ndërmerrte ndonjë nismë ligjore për kushtet e punës dhe sigurinë e jetës së punëtorëve në miniera.

Ndërkohë shteti ka kohë që mungon dhe në rafineritë e naftës, ku janë ngujuar prej më se dy javësh gratë e naftëtare të Uzinës së Ballshit, pasi nuk u janë paguar 13 paga që ato thonë se i kanë fituar me gjyq. Kryeministri iu shkruan atyre se qeveria është aleati i tyre dhe se do ta flasë me to sapo të kenë mbyllur grevën urisë. Pse mbrapa, dhe jo tani? A thua se ato janë tubuar atje për të krijuar ndonjë parti të re opozitare, që mazhorancës së majtë do t’i kushtonte humbjen në zgjedhjet e ardhshme? A mund të quhet presion ndaj qeverisë beteja e 15 grave për bukën e gojës? Betimi i qeverisë, kur merr mandatin, është si në martesë, që me punëtorët (në rastin konkret) do t’i gjenden njëri-tjetrit “në të mirë e në të keq”. Fundja, ata njerëz të thjeshtë dhe mund të zemërohen me qeverisjen ndonjëherë, ndërsa shtetit nuk i lejohet “inati” ndaj tyre. Është me sa dimë rasti i parë në historinë e pluralizmit shqiptar që gratë të kenë hyrë në grevë urie.

Vërtet Rruga e Arbërit dhe Bypass-i i Fierit do ta shkurtojnë largësinë e Tiranës me Dibrën e Myzeqenë, por kjo nuk është asgjë para largësisë që shteti ka krijuar me nënshtetasit e vet, në kapitalizmin grabitës allashqiptar të pronave publike, sidomos ata që punojnë në sektorët më të vështirë si minierat dhe puset e naftës, ku dhe aferat korruptive besohet të jenë më të mëdha.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora