E marte, 24.11.2020, 01:09 PM (GMT)

Kulturë

Bardhyl Maliqi: Bashkëjetesë e shndritshme e Naimit me atdheun

E marte, 27.10.2020, 09:44 PM


BASHKËJETESË E SHNDRITSHME E NAIMIT ME ATDHEUN

Nga Dr. Bardhyl Maliqi

Janë shumë të rrallë emrat e autorëve që bashkëjetojnë me emrat e veprave të tyre dhe krejt të veçantë ata që mishërohen te Atdheu i tyre. I tillë është padyshim Naim Frashëri. Kujtojmë emrin e këtij festivali poetik, jetëgjatësinë 24 vjeçare të tij, shqiptojmë “Ditët e Naimit” dhe menjëherë kujtojmë çka dimë për autorin dhe veprën e tij. Gjithë korifejtë e letërsisë shqipe, në gjallje e në vdekje të Naimit e kanë vlerësuar lart atë dhe kjo nuk është rastësi. Dhimitër Shuteriqi, Jorgo Bulo, Ismail Kadare e veçanërisht Rexhep Qosja me monografinë e tij të famshme “Porosia e Madhe” e deri tek autorët e ditëve tona vazhdimisht  i janë referuar Naimit e veprës së tij poetike e atdhetare.

Ka pasur edhe nga ata që janë përpjekur t’ia heqin atij kurorën e poetit kombëtar për ta vendosur në krye të tjetër kujt, por ata kanë dështuar dhe do të dështojnë se poet kombëtar nuk të bëjnë dot vlerësuesit dhe kritika, por populli, adhurimi i tij për dritësimin e veprës tënde. Në këtë kuptim Naimi është i pa zevendësueshëm dhe i pa tjetërsueshëm. Ai ka zenë vend nderi në ndërgjegjen kombëtare dhe kjo nuk është bërë thjesht me dekrete apo me medaljet në emrin e tij, por me meritë dhe dashuri mbarëkombëtare. Ky Festival që mban emrin e tij, nuk u dekretua prej dikujt, as prej qeverisë dhe as prej komunës, as prej grupimit të shkrimtarëve apo universitarëve, ai lindi natyrshëm, ndaj mbijeton dhe mbështetet me ndjesi adhurimi.

Poetë atdhetarë ka shumë, Naimi është vetëm njeri prej tyre, veçanërisht në periudhën e Rilindjes sonë Kombëtare. Madje ka edhe nga ata që kanë luftuar vërtet “me pushkë e me penë për mëmëdhenë”, siç cilësohen me të drejtë, por para emrit të Naimit nuk mund të vendoset askush, megjithëse pas tij renditet një plejadë e tërë. E thonë vetë rilindasit. Ja si e vlerëson p.sh. Naimin, nipi i tij, Mitat Frashëri në ditën zimadhe të vdekjes së poetit:

“O shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të math, që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!...”.

Bile edhe stilisti brilant, por egocentrist, Faik Konica në vitin 1901, pra 1 vit pas vdekjes e vlerëson Naimin, megjithë rezervat që ka dhe çoroditjet e më vonshme kundër poetit, shkruan kështu:

“O shqipëtarë, në doni të nderoni kujtimin e këtij njeriu të math që po e qan sot e tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jeni të mirë, vetijpastrë, doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj!”

Dhe do t’i kujtojmë në mënyrë të përmbledhur këto vlerësime me vargjet elegjiake të Çajupit:

“Vdiq Naimi, vdiq Naimi, /moj e mjera Shqipëri,

/ mëndjelarti, zemërtrimi, / vjershëtori si ai!”

Çështja shtrohet: -Çfarë vajton në të vërtetë Çajupi? Mendjelartin, zemërtrimin, vjershëtorin,  bilbilin e gjuhës sonë, atë që këndoi trimërinë e Skënderbeut, që lëvdoi dhe nderoi mëmëdhenë.  Thelbi i mardhënieve të arta të Naimit me Atdheun jepet pikërisht në këto përcaktime të bashkëkohësit të tij. Këta kundrinorë të drejtë mishërojnë marrëdheniet e drejtpërdrejta të Naimit me Atdheun dhe bashkëjetesën e shndritshme të tyre si dy organizma të gjalla  në simbiozë. Vargu i parë është gjëmëshpallësi, ai imiton vajtonjcat, ndaj është përsëritës, i dyti shpreh mjerimin e çdo nëne për humbjen e birit, vargu i tretë dhe i katërt përcaktojnë tiparet e karakterit dhe fushat kontribuese të Naimit në raport me Atdheun. Mëndjelarti, e quan autori. Pse? Jo thjesht për shkallët e ngjitjes në hierarki, pra faktit pse arriti në Zv/ Ministër Arsimi dhe drejtor i botimeve të Perandorisë Osmane, që i krijoi mundësinë që edhe të shkruante në shqip dhe  të licensonte dhe hartonte libra për shkollat shqipe, as për zotërimin e gjashtë apo shtatë gjuhëve të huaja nga ku përkthente apo shkruante në origjinal, Ju kujtoj se kreun e parë të Iliadës e Homerit apo O Mirit, siç thotë ai e përktheu nga greqishtja e vjetër, poemën Dëshira e vërtetë e shqiptarëve e botoi në greqishten e re, Tehaylat – Ëndërrimet i botoi në persisht dhe 4 stinët i përshtati nga frëngjishtja. Ka një arsye më themelore besoj. Në kohën kur Shqipëria ishte meskëputur nga pushtimi e poshtërimi 500 vjeçar dhe shqiptarët po iknin nga atdheu,  Naimi e hymnizon Atdheun, bukuritë dhe heronjtë e tij. Pra evokon një Shqipëri tjetër, ideale, duke kërkuar ringjalljen e ndërgjegjes kombëtare dhe idealizimin e Atdheut. Çajupi e përcakton Naimin si Zemërtrimi, se është vërtet trimëri e veçantë që nga zemra e perandorisë osmanre  të kërkosh shkrimin e gjuhës shqipe dhe të punosh për shkollat e saj, kur këtë e ndalon perandoria. Të shkruash dhe hymnizosh Gjergj Kastriotin, në një poemë unikale në gjuhën shqipe, kur perandoria dogji me zjarr e vrau me hekur ata që thurën legjendat apo këngët për Skënderbeun. Ju kujtoj se edhe ato që kemi, i kanë ruajtur në shekuj arbëreshët e Italisë dhe arvanitasit e Greqisë.  Dhe së fundmi Vjershëtori si ai. Është kollaj ta kontestosh këtë përcaktim sot, por nuk ishte e mundur në fakt as dje e as sot. Arsyeja është e thjeshtë. Vjershat e Naimit burojnë nga shpirti, janë mbushur me toponimet dhe onomastikën tonë.

Vërtet Jeronim De Rada ka shkruar arbërisht 50 vjet para Naimit, por Italia dhe Europa Perëndimore ishte në armiqësi me Perandorinë Osmane, arbërishtja e De Radës ishte arkaike, gjuha jonë e shekullit të XV-të, pra shumë larg shqipes së fundshekullit XIX, kur filloi të shkruante Naimi shqipen e tij të pastruar nga greqizmat, turqizmat dhe ndryshku gjuhësor shumëvjeçar. Dhe të shkruash bukur, të bësh që vargjet e tua të mësohen përmendësh, të ngjallësh optimizëm dhe shpresë -ky është thelbi i vjershërimit. Të shkruash për “Lulet e verës” se për pranverën e lirisë kishte nevojë atdheu e jo për “Lulet e së keqes” si libri i francezit Sharl Bodler.

A thua nuk e dinte Naimi se në Shqipëri ishte rrënjuar e keqja? Jo, e dinte mirë, por kërkonte që e keqja të çrrënjosej e të kultivohej e mira, e bukura, vera dhe lulet e saj. Ndaj shkruante tek poezia e tij “Shkëndija e diellit ndaj manushaqes”, që duhet kuptuar si Shkëndijat e lirisë ndaj atdheut tim: “Manushaqe bukuroshe, / Pse s'ngre kryet përpjetë, / Po rri e mpit' edh' e qetë, / Pse s'zbukuroh e s'shëndoshe?// Pa shiko lulet' e tjera, / Q'u çel' e u lulëzuan, / Shih, pa shih ç'u zbukuruan, / I ngjalli përsëri vera.” Të mëkosh pozitivitetin dhe idealet përparimtare s’ka qënë e lehtë as dje dhe nuk është as sot.

Me vdekjen e Naimit, Shqipëria humbi birin e vet. Ndaj Çajupi thërret të vajtojnë Shqipëria e mjerë, shqipëtarkat dhe shqipëtarët, myslimanët dhe të krishterët. Në traditat tona të vajtimit  të bijve që largohen nga jeta nga sëmundjet, mosha, vrasja apo çfardo gjëme tjetër, vajtonjcat janë gra të shtëpisë apo të fisit, fshatit apo krahinës, por këtu kapërcehen limitet, ndodh si në rastin e Skënderbeut. Qan gjithë Shqipëria. Por Naimi i kapërcen kufijtë e zakonshëm, për të qajnë edhe burrat! Mallkohet vdekja e shkretë, pse mori të tillë burrë, që do t’i ndrijë shpirti nëpër kohra dhe nuk i vdes nami kurrë. Vdekja quhet e shkretë-tejet interesante shkretania apo vetmia e vdekjes dhe përkundër saj Pavdekësia e madhe e Namit.

Unë them në trajtën moskeqkuptuese se Naimin e qajnë myslimanët dhe të krishterët, por Çajupi në të vërtetë thotë qani turq, qani kaurë. Nuk është thjesh këmbimi i emrit të pushtuesit me fenë e tij, por më shumë se kaq. Edhe Perandorët më të fuqishëm të botës kanë ndjerë trishtim për vdekjen e kundërshtarëve të tyre legjendarë, pasi ata  duan të ndeshen me gjigandë e jo me liliputë dhe një gjigand i tillë ishte Gjergj Kastrioti. Mos ndoshta këtë ka parasysh Çajupi kur thotë qani turq, qani kaurë në trajtë urdhëruese?! E pra, në doni të jeni të lavdishëm, ndeshuni me ata që janë të lavdishëm! Mos harroni se i pari që e ka quajtur luan Skënderbeun, ishte një sulltan!

Që Naimin e deshën në gjallje e pas vdeksjes të gjithë shqiptarët këtë e vërteton edhe vepra e Mithat Frashërit, pra e nipit të tij, ku përfshihet letra, që cituam pak më lart, ku ai shkruan kështu:

Shikoni këta njerëz, sa helm ka mbi fytyrë të tyre! Shihni sa janë të shumë: ka nga çdo fe, nga çdo vërsë, e nga çdo radhë. Këta e njihnin në gjallëri: vinin e kërkonin këshilla, vinin e pyesnin për çdo punë. “I varfërë vinja te Naim beu, i pasur shkonja; i urët vinja, i nginjët shkonja, pa shpresë vinia, plot shpresë shkonja; me shpirt të sëmurë vinja, kur shkonja ndjenja vetëhenë të gjall’ e me shpirt; fjalët që na thoshte na shëronin zemrën!” – thotë një ng’ata.”

E filllova këtë kumtesë me idenë se janë shumë të rrallë emrat e autorëve që janë në simbiozë me emrat e veprave dhe të atdheut të tyre. Le t’i referohemi  veprës së Naimit. Atdheu i Naimit ishte dhe mbeti Shqipëria. Lidhja e titujve të veprave të tij me atdheun është parësore. Poezia e vitit 1880 titullohet “Shqipëria”. Atdheu për Naimin është më i dashuri, më i shtrenjti përmbi dhe, sepse ai është nëna, ati, motra e vëllai. Pra më i mirë nga çdo gjë që ka mbi dhe. Sytë e nënës, që atë e rriti livadheve të Frashërit, kanë numëruar lulet e atdheut, ndaj eshtrat  e saj atdheu i mban në gji. Naimi i kërkon zotit ta begatojë këtë vend, t’iu japë mbrodh e shend njerëzve të tij, ndërsa armiqtë t’i bëjë shkrumb e hi. Zotërit e atdheut tonë qofshin përjetë të gëzuar, ndërsa Atdheu i lulëzuar dhe i begatë, me një arthmëri të lumtur!

Zakonisht, tek autorët e mëdhenj është një fjale kyçe e drejtëperdrejtë ose e nënkuptuar, e thënë bukur dhe me art ideja kryesore që ka rrënjuar dhe hedhur shtat në krejt veprën e tij artistike. Le ta provojmë sa i qëndron thelbit të kësaj kumtese fjala “atdhe” në titujt e librave të tij. “Shqipëria”, poezia e parë e famshme e vitit 1880, në gjithë përmbajtjen e saj, por edhe në titull të kumton temën e Atdheut dhe idenë se ky Atdhe nën okupimin e Perandorisë Osmane duhet të bëhet i lirë. Jo më kot vepra është shkruar ne vitin 1880, pra në mezin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një nga drejtuesit e të cilës ishte Abdyl Frasheri, vëllai i madh i Naimit. Ajo u botua më 1890, por unë e kam lexuar të plotë nga Revista “Albania” e Faik Konicës, viti 1897, isha fëmijë atëherë dhe jam mrekulluar. Më mrekullon edhe sot me plotërinë e informacionit, që mbart brenda vargjeve, me të vërteta të thëna në mënyrë romantike  nga rilindasit, por që ne nuk i morëm asnjëherë seriozisht për shkak të mëndjes sonë mjerane prej bujkrobi. Më ndjeni që shprehem kështu, por kjo është e vërteta.

Kam filluar të besoj se Naimi ka pasur të drejtë kur thoshte “Që kur bota është zënë | Shqipëria gjallë ka qenë...” vetëm kur ekipi i arkologëve amerikanë zbuloi se Shpella e Krëshmoit në Konispol është 27. 000 vjeçare, ndërsa piramidat e para të botës që datojnë 12.350 vjet para Krishtit janë pikërisht në ish trojet e Ilirisë, që sot banohet prej boshnjakëve, thashë me vete se Naimi paska pasur të drejtë. Ky rast i piramidave ilire të Bosnjës është një fakt të cilin e pranojnë edhe arkeologët boshnjakë, se këto piramida u ndërtuan nga vetë Ilirët, dhe janë më të mëdha dhe më të lashta se ato të Egjiptit. Diskutimi qe vazhdon ende me keto piramida ka në thelb kërkesën e çuditshme, për mendimin tim thellësisht antishkencore, që të mos pranohet rishkrimi i historisë botërore siç është, por si ka dashur bota ta paraqesi.

Vepra tjetër e famshme e Naimit mban titullin “Bagëti e Bujqësia”, që në përmbajtje plotërohet me “malet e larta, fushat e gjëra me lule dhe lumenjtë e kulluar të Shqipërisë”. Pra përmbajtja kuptimore është “Bagëtija e Bujqësija e vendit tim”, por dihet se titujt duhet të jenë poetikë, ata flasin shkurt me një  apo dy fjalë. Kaq mjafton. Edhe këtu sendërtohet Atdheu i nënkuptuar dhe jo vetëm në forma evokuese dhe përshkruese, por edhe ligjëruese, patetike, nderuese e hymnizuese:

Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.”

Apo:

Kur dëgjon zëthin e s’ëmës,qysh e lë qëngji kopenë,

blegërin dy a tri herë edhe ikën e merr dhenë,

edhe në i prefshin udhën njëzetë a tridhjet vetë,

e ta trembin, ai s’kthehet, po shkon në mes si shigjetë,

ashtu dhe zemra ime, më le këtu tek jam mua,

vjen me vrap e me dëshirë, aty në viset e tua!

Besoj se janë vargje të pashembëllta e të pakrahasueshme këto me asnjë nga autorët apo teoricienët e tjerë, që e kanë vlerësuar apo kritikuar veprën e Naimit. Është autori, që populli ia dinte dhe ia mëson edhe sot vargjet përmendësh, jo vetëm në shkolla, por edhe në shtëpi. Veçnërisht sot, për shkak të krizës së besimit, të krizës ekonomike dhe të ëndrrave me sy hapur se në perëndim mund të pasurohesh për pak kohë, braktiset atdheu në të gjitha viset ku ka shqiptarë në Ballkan, ky është një apel i madh për ne intelektualët që e duam dhe e vlerësojmë Atdheun e atdhesinë, pavarsisht shtetësisë që kemi si shqiptarë të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Malit të  Zi, të Greqisë, Italisë apo Gjermanisë etj.

Nga një ndjesi e natyrshme trishtimi kam qarë kur shkuam me shokët e takimit poetik në Përmet në Frashër. Frashërin e bukur të Naimit, livadhet, malet dhe kanionet e tij i pashë të braktisura. Me përjashtim të Shtëpisë muze të frashërllinjve dhe bustet e tyre në oborr si dhe të teqes bektashiane pak më tej, gjithçka tjetër qe gati i braktisur. Na ngushëlluan disi vetëm qershitë dhe vishnjat e Frashërit.

Ju them se tema e atdheut nuk duket në një vepër, por në krejt vjershërimin naimjan. P.sh. “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”(O alithis pothos ton Alvanon) është titulli i poemës së Naimit në greqisht. Fjala e shqiptarëve e jep qartë kumtin e bashkatdhetarëve, dëshirën e tyre për të jetuar në paqe e harmoni me vendet fqinje. Naimi ka studiuar në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës dhe atëherë Janina ishte Shqipëri, si qendër e vilajetit, udhëhiqej mbrohej dhe fuqizohej  nga shqiptarët. Shumë herë Naimi motivin e Atdheut nuk e ka ndarë nga motivet e tjera të rëndësishme në veprën e tij si ai filozofik, erotik apo fetar. Në këtë kuadër edhe vjershat e përmbledhjes “Lulet e Verës” Bukuresht 1886, që trajtojnë problemet e gjuhës shqipe apo të lirisë së Shqipërisë janë plot pathos artistik, ku është fjala “Atdhe” apo “Shqipëri” janë padyshm parësore. Edhe titulli i librit të tij më të famshëm artistik mund të lexohet “Lulet e Verës në Atdheun tim”. Kujtoni p.sh. poezitë “Gjuha Shqipe”, “Korça”apo “Shkëndijë e diellit ndaj Manushaqes”. Dy të parat në këtë rast janë fjalë që lidhen me Atdheun drjtpërdrejt, ndërsa Manushaqja bukuroshe është simbolik dhe nënkupton përsëri Shqipërinë. Pra leximi ndërtekstual është “Shkëndjija e diellit ndaj Shqipërisë”.

Mësimi i gjuhës shqipe, pra i gjuhës së Atdheut të shqiptarëve, të Shqipërisë, lidhet drejtpërdrejt me titujt e librave të tij për fëmijë si “Vjersha për mësonjtoret e para” apo “E këndimit të çunave Këndonjëtorja”, ose libri  “Parajsa dhe Fjala Fluturake” etj, që u kanë shërbyer dhe vazhdojnë të jenë të dobishme për shkollat tona. Por ajo në vetvete është në disa mënyra që Naimi të shprehte adhurimin për gjuhën e të parëve, të shkruante në të, të pasuronte fjalorin e saj me fjalë të reja, të hymnizonte çamërishten si të folmen më të lashtë të saj etj. Naimi dhe jo vetëm ai, shqipen e quajnë “Gjuh’ që flisjën Perënditë”. Kërkimet dhe zbulimet orientohen tek fakti se pellazgjishtja është gjuhë e parë e shkruar e botës dhe që këndej kanë buruar alfabetet greko-romake, historikisht më të vonshme. Dokumentimi për këtë shkon deri në Kinë dhe nuk duhet parë si hipotezë apo dashamirësi, por si fakt historiko-shkencor, që nuk duan ta pranojnë si të tillë, por rrojnë me mitet e ngritura vetë dhe për veten.

Për të parë ndikimin e Atdheut në poezitë erotike të Naim Freshërit po i referohem vetëm poemthit erotik “Bukuria”. Në këtë poemth gërshetohen mjaft mirë disa dimensione filozofike dhe neditative të Naimit, si panteizmi, platonizmi, materializmi dhe atdhetarizmi. Objekti i kumtesës sonë është atdhetarizmi i Naimit në motivin e tij erotik. Kjo duket në disa qasje të dorës së parë, që nga konceptimi popullor i së bukurës, te përshkrimi dhe karakterizimi i saj, polimetria, por edhe te fjalët kyçe, frazat dhe frazeologjitë e tij, jo në thjesht në  sendërtimin e motivit, por në mishërimin e tij si një objekt i gjallë dhe në lëvizje.

Autori përshkruan dhe karakteruizon vajën si objekt erotik kur i thotë:pëllumbeshë, purtek e florinjtë, shigjet e ergjentë, thëllëzë, bukuroshe, symushqerë, etj. Por ajo që na bën më shumë përshtypje është përdorimi i gjallë i dinamizmit të lëvizjeve ashtu si te Portreti i Tanushës te Eposi ynë Heroik Legjendar (shih këngën Martesa e Halilit), si: Më vjen në gji të të futem, Zëmrënë m’a dogje, m’i përndave mëntë!, Pashë pjeshkëtë ndër fletë, Pa m’u-mejtua gjiri yt, Më vjen në gji të të futem, Dhe si thellëza më vështron etj; por t’u bindur për dimensionin e lëvizjes si në këngët tona popullore po citoj të plota dy strofa ku ndoshta do të duhet t’iu kujtoja përdorimin edhe të frazeologjisë pëpullore: “Mos i hap leshratë n’erë, Të m’arratiç mëndjen t’ime, Mos më shiko dhe një herë, Se m’u bë zëmra thërrime. M’iku me vrap djalërija E më la mbi dhe të shkretë, Më erdh shtriga pleqërijaFshehtazi, si qen’ i qetë.popo! ç’më gjet, o shokë, Do të qanj me thes më kokë, etj.

Ndërsa poema “Historia e Skënderbeut” është poema më e qënësishme me temën e Atdheut në kuadrin e gjithë letërsisë të Rilindjes sonë kombëtare, pasi mishëron jo vetëm Gjergj Kastriotin si kryehero apo gjithë trimat e Shqipërisë dhe natyrisht vendet e betejave më të lavdishme të tyre. Në këtë poemë përmenden veç emrave të trimave dhe të familjes Kastrioti, edhe një mori e madhe toponimesh shqiptare, qytete, fshatra, male, lumenj apo fusha. Por edhe emrat e vendeve fqinje, aleate apo armike me Arbërinë e Gjergj Kastriotit. Pra ky libër me temën e madhe të Atdheut kryeson këtë motiv dhe në një farë mënyre i shërben në mënyrë konstruktive historisë ballkanike të kësj periudhe.

Tek Fletoret e bektashinjëve dhe Qerebelaja theksoj idenë se këto poema e kanë brenda temën e Atdheut, jo vetëm përmes fjalëve apo ideve, por edhe si shtresim kuptimor kryesor, pasi edhe zgjedhja e bektashizmit si fe të cilës autori i përkushtohet është e qëllimshme, pasi bektashizmi e ka në thelb tolerancën fetare ndaj besimeve të tjera dhe në këtë kuptim një Shqipëri me besimtarë të krishterë: ortodoksë, katolikë e myslimanë, bektashizmi duhet të gjente unitetin tek përkushtimi atdhetar dhe në qendër të vëmendjes të ishte Mali i Tomorrit, që gjendet në Shqipëri , që konsiderohet si Olimpi  i Shqipërisë dhe pelegrinazhet fetare të bëheshin aty dhe jo në Mekë apo Jeruzalem. Edhe antagonisti dhe vlerëmohuesi i tij kryesor i vitit 1937, Konica, këtë e vlerëson me kthjelltësi në veprën e parë më 1901:

Naim bej Frashëri pati edhe një tjatër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombësia jonë nga bektashizmi. Iu qas, pra, kësaj feje me gjithë zemër; shkruajti libra e vjersha, që baballarët i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një nër themeluesit e kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të kombësisë, të dashur.

Po ky është nder i madh i Naim beut, që gjithë këto punë të mëdha i bëri në Stamboll, një mjedis armiqsh, i rrethuar prej spiunësh e spicetarësh. Po s´e kish për pesë. As frikësimet, as vobësia - rroi e vdiq i vobek, e nuk kish me se të mbulohej trupi i tij! - as pabesia e shqiptarëve nuk e turbulluan një herë. Gjer në firomë të fundmë, mendoi e foli për Shqipërinë.

Vështrimi mbi Fletoret e Bektashinjve apo Qerebelanë synon jo thjesht të shtjellojmë ngjizjen e temës atdhetare dhe asaj fetare, kodin poetik të ligjërimit Naimjan, apo estetikën e ndërthurur përmes fjalëve dhe ideve vizionare, të shtjellojmë mënyrën se si e ka bërë periodizimin e ngjarjeve, që nga koha e Profetit Muhamed, deri tek ndodhia e Qerbelasë, e më  pas deri tek hakmarrja si një ndër obligimet fetare me shumë përgjegjësi morale dhe shpirtërore.

Me një lexim të kujdesshëm jo vetëm studiuesit, por kushdo do të arrijë t’i nxjerrië mesazhet, këshillat, shembujt nga gjithë kjo ndodhi historike, e cila nuk njeh as kufijtë kohorë apo metafizikë, e që këtë poeti arrin të shpreh mesazhin hyjnor për popullin e tij shqiptar. Poeti na përcjellë mesazhin se Imam Husejni, edhe pse ishte një hero me origjinë arabe, ia ofron si shembull qëndrese për bashkatdhetarët e tij, në vjershën e njëzetë e pestë të poemës “Qerbelaja”.

Ne vlerësojmë  këtë krijim memorial të poetit Naim Frashëri me ndikimin e tij mjaft mirë  të dallueshëm tek krijuesit e tjerë letrarë e jo vetëm,  jo thjesht në  nxitje të shkëndijave ndriçuese, që poema “Qerbelaja” ka inspiruar shumë poet shqiptarë,  por edhe qasjen se si kanë ndikuar  mesazhet me plot dituri dhe urtësi hyjnore të zbritura në rrafshin njerëzor për të mirën e shqiptarëve si komb.  Duke gërshetuar mesazhet  letrare të krijuesit të madh kombëtar siç është Naim Frashëri, duke vlerësuar punë e palodhur të mjaft autorëve në këtë fushë dhe zhanër letrar.

Në duam të flasim për art dhe atdhesi në poezinë e Naim Frashërit duhet të kalojmë në të gjitha motivet e poezisë së tij, që në botëformimin tim artistik, pavarësisht të tjerëve, janë 4 motive bazë: motivi patriotik që shtrihet në pjesën më të gjerë të krijimtarisës ë tij, motivi erotik, që ka më pak poezi, mbështetet në psikologjinë kombëtare për femrën dhe ka një larmi të begatë mjetesh shprehëse; motivi filozofik si më i veçanti në krejt letërsinë e Rilindjes sonë. Këtë poezi të mendimit progresist mund ta shkruante vetëm Naimi me njohuritë e tij të gjëra dhe talentin e veçantë dhe motivi fetar, që shtrihet gjithandej, por veçanërisht sendërtohet te Qerebelaja dhe Fletoret e Bektashijve.

Motivi personal, që mbështesin disa të tjerë, nuk spikat në krijimtarinë e Naimit as në planiin individual as në atë kombëtar. Personal shqip do të thotë vetijak, si Pronë personale. Interesi personal. Nevoja personale. Çështje personale. Shembulli personal. Higjiena personale etj. Nëse me këtë nënkuptojnë poezinë e mendimit atëherë të mos ja ndryshojnë emrin. Por pavarësisht nga këto ndarje, të theksuara për shkaqe studimore, ajo që ne na intereson në këtë kumtesë është shtrirja dhe cilësia artistike e atdhesisë në poezinë e Naim Frashërit. Pa dyshim që ky është motivi më i gjërë dhe më i begati në mjete shprehëse me larmi vargjesh, strofash, ritmesh dhe rimash, që shtrihet jo vetëm brenda sinorit të vet, por ka mbirë se lulekuqe edhe në arat me grurë, edhe në kullota apo pemishte, pra brenda motiveve të tjera duke u bërë një me to.

Te bagëti e bujqësia Naimi e ka të lehtë që bashkë me motivin e natyrës të shtrijë edhe motivin atdhetar. Jua citova një herë dhe po e përsëris:“Kur dëgjon zëthin e s’ëmës, qysh e lë qëngji kopenë, blegërin nja dy-tri herë, edhe ikën e merr dhenë./ Ashtu dhe mendja ime më le këtu ku jam mua, vjen me vrap e me dëshirë, aty në viset e tua.” Këtu dua të shtoj edhe diçka tjetër. Aajo diçka është 16 rrokëshi i famshëm naimjan. Cili është burimi i tij. 8 rrokëshi popullor, më i kultivuari në trojet tona. 16 rrokëshi s’është gjë tjetër veç 8 rrokëshi i dyzuar për nevoja shprehësie letrare. Përshkrimi i bukurive të atdheut donte një varg të gjerë dhe poeti e gjeti zgjidhjen natyrshëm te vjershëriimi popullor.

Po e përmbyllim me idenë se pavarsisht se motivet kryesore në poezinë e Naimit janë katër, atdhetar, erotik, filozofik dhe fetar, në thelb ato reduktohen tek një fjalë e vetme, tek fjala Atdhe, tek fjala Shqipëri.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora