E enjte, 28.03.2024, 10:54 AM (GMT)

Kulturë

Shkrimtarët: Një humbje e madhe për letërsinë tonë

E hene, 26.10.2020, 06:45 PM


Me rastin e vdekjes së shkrimtarit Ramadan Musliut

NJË HUMBJE E MADHE PËR LETËRSINË TONË

Ramadan Musliu (u lind në fshatin Beguncë, komuna e Vitisë, më 31 maj 1954) është ndër shkrimtarët tanë bashkëkohorë të shquar. Veprimtarinë e tij letrare e dëshmoi kryesisht në dy fusha: si poet dhe si studiues i letërsisë, ku dha një ndihmesë të rëndësishme për pasurimin e poezisë sonë dhe të studimit letrar.

Punën letrare Ramadan Musliu e filloi me poezi, që dëshmohet me përmbledhjet Parodia e trupit (Prishtinë 1981), Shqisa e gjashtë (Prishtinë 1985), Pasqyra e të rrëfyerit (Prishtinë 1987), Kënga e sibilave (Tiranë 1996), Në zemrën e gjërave (Prishtinë 2004) dhe Gjendje neutrale ( Prishtinë, 2019 ).

Në fushën e studimeve letrare shquhen veprat e tij: Mbindërtimi poetik (Prishtinë 1990), Konfiguracione narrative (Tiranë 1998), Estetikja e dallueshme (Prishtinë 2005), Ekskurs në letërsinë për fëmijë (Shkup 2010) dhe Tangjenta letrare (Prishtinë 2012).

Më 1997 (në Tiranë) botoi veprën publicistike Vetëripërtëritja e totalitarizmit.

Ishte dhe përkthyes i shquar nga gjuha serbo kroate dhe anasjelltas.

Poezitë e tij janë përkthyer në anglisht, rumanisht, frëngjisht, serbisht, maqedonisht sllovenisht dhe është prezantuar në antologjinë e poezive ndërkombëtare për vitin 2010 dhe është fitues i disa çmimeve letrare.

1. Poezia e Ramadan Musliut dallohet për tekstin poetik për shumëçka të veçantë e të pasur. Ajo shpaloset në qenësinë e saj vetëm kur depërtojmë në thellësinë e kuptimit të tekstit, ku mundësia e komunikimit, e zhvillimit të nyjëtimit kuptimor dhe e receptimit, gjë që do të varet nga përmasa e njohjes dhe nga aftësia individuale e lexuesit përkatës. Pra, depërtimi në botën poetike të poezisë së këtij autori lidhet me vetë konceptin bazë të pjesës më të madhe të poezisë së tij – me TRUPIN, që është një metaforë shumëfish funksionale.

Në konceptin poetik Trupi nuk është vetëm një materie e qenësishme gjalluese, po shndërrohet në qenësi të ekzistimit dhe të funksionimit kur, thënë metaforikisht, shpirtërohet nga shqisat. Ato i japin materies së trupit përmasën e qenies dhe me këtë ai fiton mundësinë e ndjeshmërisë, të njohjes, të veprimit, por edhe të pësimit dhe të shkatërrimit. Me ngjizjen e shqisave, trupi bëhet qenie komplekse që provon ekzistencën, që nënkupton vlerën, verifikimin e qenies e të mundësisë së veprimit. Në këtë mënyrë trupi fiton një përmasë të jashtëzakonshme të shprehimësisë së veçorive të shumta. Sa më shumë që zhvillohen shqisat, aq më tepër trupi fisnikërohet dhe bëhet i vlershëm.

Ramadan Musliu me qëllim nuk e ka vështruar trupin në formën e shumësit, për ta parë në dritën e shumësisë së njerëzve, të kolektivitetit, po e ka marrë trupin si një qenie më vete për ta shprehur në mënyrë sa më të thellë e më të plotë. Në fundin e mbramë koncepti poetik i trupit te ky krijues nënkupton njeriun, cili do qoftë dhe kushdo qoftë ai.

Duke u nisur dhe duke e zhvilluar një koncept të këtillë poetik rrëfimi për trupin në qenësi shpreh rrëfimin për njeriun, për botën dhe për problemet që e përcjellin atë, qoftë në rrafshin nacional, qoftë në rrafshin gjithë njerëzor. Ky rrëfim te Musliu cilësohet me disa tipare dhe përshkohet nga një ndjenjë e thellë e tragjikes, me harrimin, me kobin, me dhembjen, me mëkatin, me zjarrin, me acarin etj.

Rrëfimi i shtjelluar mbi bazën e konceptit poetik që u përmend shtrihet në dy rrafshe: në atë personal, që lidhet me botën e poetit, me preokupimet e tij, me shqetësimet, me pësimet, me gjithë atë që përjeton si një trup, si një qenie që është e varur shumë nga rrethi, nga e kaluara, nga e tanishmja, dhe në rrafshin nacional dhe gjithë njerëzor. Rrëfimi poetik shtjellohet dhe shprehet përmes një gjuhe poetike me cilësi konotuese të mëdha, me forcën shprehëse, që kërkon përpjekje për ta receptura në plotninë e saj. Shqetësimet e poetit janë të shumta, të ndryshme, por edhe të përhershme: “Zjarr kohe në shpirt ruaj” dhe “Zjarrin tim që s’shuhet dot”. Poeti vëren kotësinë e veprimit, pamundësinë e ballafaqimit dhe të ngadhënjimit të dëshirave e të synimeve. Ideali i tij është jeta ku s’ka vaj e s’ka lot, por ajo është vetëm një përfytyrim, një rrjetë e merimangës së gjumit të tij. Përmes poezisë së tij dëshmohet morfologjia edhe shqisave, që krijon mundësi të pakufishme njohëse dhe komunikuese.

Ky koncept poetik në poezinë e Ramadan Musliut është përligjur me shkathtësi dhe ka funksion të shumëfishtë në secilën poezi e cikël dhe në të gjitha përmbledhjet me poezi që botoi. Fillon me elementet e krijimit të gjithësisë, vazhdon me shenjat e trupit, me shenjat e njohjes, me kujtesën (memorien) e gjallë, me mërgimin e trupit dhe përmbyllet me pasqyrën e të rrëfyerit, që është një rrëfim poetik i zhvillimit dhe i qenësisë së morfologjisë së qenies, i shqiptuar nëpërmjet një teksti poetik të përftuar me shkathtësi, cilësi e poetit të madh.

2. Në fushën e studimit të letërsisë Ramadan Musliu, po ashtu, përligji një rrafsh të lartë, qoftë të studimit të veprave të shkrimtarëve tanë të periudhave të më hershme, qoftë të veprave të shkrimtarëve tanë bashkëkohorë. Në shkrimet e tij ai zbatoi një interpretim modern, duke e parë tekstin nga aspekte dhe nga përbërës të rëndësishëm, sidomos u mor me veçantitë e shtjellimit të tekstit poetik e të mesazheve që dalin prej tij. Me fjalë të tjera, ai tregoi një njohje të dukshme të problemeve të letërsisë dhe një aftësi për të venë komunikim edhe me tekstet poetikisht të ndërliqshme, që kërkojnë jo vetëm një lexim më të vëmendshëm, po dhe një interpretim më kompleks.

Aftësinë e tij për të komunikuar me strukturat gjuhësore poetike të ndryshme dhe për t’i interpretuar ato në mënyrë moderne Ramadan Musliu e dëshmoi qoftë kur i vështroi veprat në poezi, qoftë veprat në prozë. Në të dy rastet ai i ndriçojë vlerat poetike shprehëse të tekstit, si përbërësi qenësor i çdo vepre letrare. Pra, ai nuk u mor me emrat e autorëve, po me tekstin e veprave që krijuan ata dhe me mënyrën si i shqiptuan dukuritë.

Ramadan Musliu aftësitë e vet e përligji edhe me faktin se nuk u përsërit edhe kur shkroi për veprat e të njëjtin autor, gjë që dëshmon se ai jo vetëm u bëri atyre lexime të thella e të veçanta, po dhe i interpretoi në mënyra të ndryshme.

Për të qenë studimet, përkatësisht interpretimet sa më të ngritura dhe moderne, autori përdori në to një sistem nocionesh që zbatohen gjithandej në studimet moderne të letërsive të tjera në Evropë dhe më gjerë. Pikërisht ky përbërës kushtëzoi që ato të kenë vlera të dukshme brenda studimit tonë të letërsisë dhe shërbyen edhe për autorët e tjerë si model për interpretimin e veprave letrare dhe ndriçimin e dukurive të qenësishme të tekstit letrar poetik.

I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Në emër të Ars Clubit “BEQIR MUSLIU” dhe të shkrimtarëve:

Agim Gjakova

Ibrahim Kadriu

Anton Nikë Berisha

Sabit Rrustemi

Emin Azemi

Agron Tufa

Faruk Tasholli

Ramadan Mehmeti

Prend Buzhala

Nehas Sopaj

Timo Merkuri

Resul Shabani

Nexhat Rexha

Sherafedin Kadriu

Sabile Keqmezi - Basha

Ilmi Musliu

Albina Idrizi

Sadete Tërnava – Osmani

Fatushe Haliti

Xhevat Latiifi

Gjylshen Berisha

Nazmi Musa

Linditë Ramushi Dushku

Selvete Abdullahu

Xheladin Rexhepi

Arsim Halili

Sinan Sadiku

Alketa Spahiu

Afrim Demiri

Biser Mehmeti

Sevëme Fetiqi

Skënder Berisha

Ajete Zogaj

Naim Fetaj

Mehmetali Rexhepi

Gani Bytyçi



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora