E enjte, 18.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Mendime

Ndue Dedaj: Një fundjavë në Pukën turistike

E hene, 26.10.2020, 07:21 PM


NJË FUNDJAVË NË PUKËN TURISTIKE

NGA NDUE DEDAJ

Kemi qenë herë pas here në Pukë dhe kemi parë se si qyteti po ndryshonte dita-ditës. Ishim dhe në ditën e panairit të prodhimeve bujqësore të agroturizmit, në fillim të tetorit. Fotografia më e bukur që bëmë atë ditë ishte ajo e fëmijëve që luanin me biçikleta rrugëve e shesheve të qytetit shtruar me pllaka, aty ku deri para pak kohësh lëviznin makinat. Puka e ujërave të kthjellta të bjeshkëve, për çudi në anë të qytetit kishte një si gropë të madhe septike, ku grumbullohshin mbetjet, tashmë e kthyer në një liqen, ku vozisin shpendët dhe varkat me turistë. Pamja e re e Pukës është e pabesueshme dhe për ata që kanë shkelur aty qoftë dhe para tre vitesh. Por nuk kemi ndërmend ta përshkruajmë me detaje ndryshimin cep më cep të “Ad Pikaria”-s së lashtë, pasi mjaft të gjeni një fundjavë dhe do t’i preknit vetë të gjitha ato vlera që afron ky qytet bjeshkëtar.

Takuam plot njerëz në Pukë, pasi ishte si një ditë feste, por nuk kërkuam ta takonim kryetarin e Bashkisë Gjon Gjonaj, si për të mos u “ndikuar” prej tij për këtë shkrim. Ato çka ai na kishte thënë se do të bënte në Pukë dhe për Pukën, tashmë i shihnim të kryera. Kuptohet, projekti nuk mbaron me rivitalizimin urban të qytetit dhe disa tregues të tjerë zhvillimor në fshatrat pukjane, por mund të thuhet se është krijuar besimi se vendi i tyre po bëhet, hap pas hapi, duke qenë vetë banorët pjesëmarrës dhe jo soditës. Në Pukë nuk ka më apartamente në shitje dhe ky është njëri nga treguesit e asaj që ka ndodhur. Ndër risitë, në kodrat e qytetit, në mjediset e bujtinës së Përparim Laçit, është duke përfunduar së ndërtuari një kompleks sportiv i rrallë, me pistë për ski, pajisur dhe me makineri për prodhimin e borës artificiale, po dhe ushtrim sportesh të tjera.

E vërteta është se Pukën nuk e lëshuan asnjëherë bijtë e saj, dhe kur shumë syresh u vendosen me banim në Tiranë, Durrës, Lezhë apo dhe jashtë vendit. Sekush gjeti mënyrën të bënte diçka për të. “Sofra Pukjane” për dhjetë vite ishte një forum idesh dhe biznesi që nxiti dhe promovoi nisma në fushën e turizmit, investimeve, duke u krijuar nën kujdesin e saj dhe bujtinat e para turistike, në Pukë, Fushë-Arrës, Dardhë, Kryezi, Iballe etj. Arian Ndoja, Tonin Alia, Rrok Gjoka, Lush Osmani, Mark Gjini, Petrit Syla, Dedë Maluta, Lazër Mëhilli, Viktor Delia janë vetëm disa nga kontribuesit e kësaj “Sofre” që e ka lënë gjurmën e saj në krejt rrethin. Në Pukë veprojnë dhe disa shoqata, si ajo e prodhuesve bujqësorë e blegtoralë “Agro-Puka”, shoqata e eko-turizmit etj. që promovojnë nisma të natyrave prodhuese, turistike, kulturore etj. Nuk është e rastit që panairi i vjeshtës kishte mbi njëqind subjekte pjesëmarrëse, kryesisht familjare, me artikuj të shumtë ushqimorë, nga fshatrat e epërm të Munellës e deri në Vaun e Dejës. Ata në gjuhën teknike quhen fermerë, dhe pse shpesh “ferma” e tyre është bashtina e dikurshme para koolektivizimit me pak tokë, blegtori, koshere bletësh etj. Më shumë se fitimi, e rëndësishme si fillim është fryma e invstimit në vendin tënd. Ata kanë parë se prodhimt e tyre bio shiten menjëherë, jo vetëm në Pukë, por dhe në Tiranë, Shkodër etj. Janë mbi 200 prodhime të regjistruara ditën e panairit, ndërkohë që Puka nuk ka qendruar vetëm te prodhimet tradicionale, por ka dhe birrën “Puka”, industrinë e ujit të ambalazhuar, me markat: “Lajthiza”, “Qafë Mali” dhe “Mida”. Nuk është vetëm hotel-turizmi “Puka”, por dhe resortet turistike: “Laçi” (Pukë), Sh&SH dhe disa hotele në Fushë-Arrës, bujtinat “Aliaj” dhe “Makry” në Kryezi, “Alpet” në Dardhë etj. Në panair ka shumë gra dhe vajza pjesëmarrëse, si Rinalda Likën, një vajzë veprimtare që merret me projekte, e cila ka ardhur me prodhimet bio të bujtinës së saj familjare “Lika” në Shkozë, ku jemi mikpritur bujarisht para një viti.

Ndër personazhet që i kanë dhënë kuptim jetës në fshatrat e Pukës është dhe një prift italian, Dom Giovanni Fiocci, famullitari i kishës së Kçirës, prj 21 vitesh. Ai vinte nga Milano, ku kishin emigruar aq shumë shqiptarë, për të gjetur atje një jetesë më të mirë. Ky misionar do ta ndërtonte në malet e Pukës “parajsën” e vogël ekonomike, në ndihmë banorëve të zonës, duk ngritur pranë kishës një qendër të përpunimit të prodhimeve bio të natyrës. Falë nismës së tij, për njerëzit atyre anëve nuk kishte më asgjë të tepërt në terren, që nga manaferrat, thanat, kumbullat, shto dhe kultivimin e disa bimëve prodhuese. Më tepër se të ardhurat që hynë në familjet e varfëra, qëllimi kryesor ishte sjellja e një modeli punësimi, për të gjithë, katolikë e myslimanë. Produktet e “markës” Kçira ne patëm rastin t’i shihnim dhe në panairin e fundit.

Në vitin 2014, në një reportazh për Pukën, botuar në gazetën “Shqip”, kemi shkruar: “Nëse dikur pukjanët, mirditorët, tropojanët e të tjerë thesaret i kërkonin nën tokë, në galeritë dhe puset e errëta të bakrit e kromit, tani ka ardhur koha që vlejnë po aq sa mineralet dhe pasuritë e mbitokës, pyjet, liqenet, shpellat etj. Ky është konteksti i ri i zhvillimit të malësive shqiptare. Ata e dinë se pas tyre do të jenë të tjerët që do ta shijojnë këtë vend e kjo është dhe mirëqenie ekonomike. Sapo ishin për një shëtitje në Pukë vajzat e Miss Globit, ashtu si vitin tjetër është njoftuar ardhja e shumë turistëve francezë, teksa turistë nga vende të tjera ka thuajse në vazhdimësi…”

Pukën nuk e lëshojnë asnjëherë as artistët e saj. Disa prej tyre banojnë në Tiranë, por në ditët e shënuara janë aty kontribues. Edhe në ditën e panairit aty ishin: studiuesi i njohur Xhemal Meçi, regjisori Fran Vukaj, koreografi Riza Hoxha etj., teksa vijnë herë pas here për koncerte apo klipe këngëtaret Dava Gjergji, Zojë Pali, Vitore Matoshi, mjeshtri i teksteve dhe i humorit Gjovalin Dushaj etj.

Ka filluar të flitet për një “spital të mushkërive”, ku të sëmurët të kurohen në një klimë malore mjaft të përshtashme, mes ajrit të pastër dhe ujit të freskët. Aq më tepër tani kur mushkëritë e shumëkujt janë sëmurur nga koronavirusi. Pukjanët përmendin me nderim mjekët e tyre që nuk rrojnë më, profesorin e fakultetit të Mjeksisë Elez Selimin, një nga pneumotologët e shquar të vendit, apo doktor Dodë Sutën, doktor Hysni Shkjaun, që megjithëse kishte dalë në pension shërbente si mjek familje në Fushë-Arrës, shuar nga koronavirusi etj. Pensionisti Pashk Gjon Delia ka qenë prej 45 vitesh punonjës i palodhur i mjeksisë, duke shërbyer si ndihmësmjek fillimisht në fshatin Degë të Tropojës, pastaj në reparte ushtarake, mes sharrëtarëve në Livadh-Kabash e Kaçinar, inspektor sanitar dhe në urgjencën e qytetit të Pukës për njëzet e dy vite. Ashtu si shumë kolegë të tij me arsim të mesëm, por me një përvojë të krijuar mes sakrificave, e kanë thirrur dhe atë “doktor”. Ndërtimin e një spitali të tillë do ta përshëndeste i pari Pashku dhe bashkëshortja e tij, Pavlina, infermiere në spitalin e qytetit, një jetë të lidhur me shëndetin e banorëve.

Dëgjojmë të thuhet se Puka është bërë, ngaqë janë bërë rrugët e saj deri në Iballen e largët. Na vjen ndërmend rruga e Gjegjanit, tre-katër vite më parë, gati ishte hequr shpresa se ky aks rrugor prej rreth 40 kilometrash, nga Rruga e Kombit (Reps) në Fushë-Arrës, do të bëhej ndonjëherë. Rruga u bë me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, por... si në shumë ndërtime të tjera shqiptare e ka dhe këtu një “por”, shirat e kësaj vjeshte gati sa nuk e kanë bënë të papërdorshme, nga rënia e dherave në rrugë, ngaqë nuk janë vënë rrjetat nga ana e sipërme. Të bën përshtypje dhe një gjë tjetër lidhur me këtë objekt, rikonstruktohet rruga, por jo dhe Tuneli i Gjegjanit, pjesë e saj, që shihet si i rrezikshëm nga drejtuesit e automjeteve, që ku s’e kanë ngritur zërin. Aq më shumë tani që turistët, o vajtjen, o ikjen nga Puka, preferojnë ta bëjnë këndej, ky aks nuk duron më as gurë mbi asfalt e as një tunelth që rrezikon.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora