Mendime
Mero Baze: Telebanizmi kërkon një përgjigje shtetërore
E marte, 27.10.2020, 10:00 PM
Telebanizmi kërkon një përgjigje shtetërore
Nga
Mero Baze
Ambasadori
i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, po përballet me një fushatë linçuese nga
përfaqësues zyrtarë të klerit mysliman në Kosovë dhe më tej, për shkak se ai ka
shpërndarë një raport të gazetës franceze “Le Figaro”, në të cilin bëhej një
kronologji e ngjarjeve lidhur me masakrat që kanë pasur botimin e karikaturave
të profetit Muhamed, duke marrë shkas nga krimi i fundit i prerjes së kokës së
një mësuesi.
Raporti
i gazetës franceze është tërësisht korrekt, pasi është thjeshtë një kronologji
ngjarjesh dhe pëlqimi i saj nga ana e ambasadorit të Kosovës, përveçse nuk
është krim, është standart i një qytetari normal.
Reagimi
nga Kosova, por dhe më tej nga hapësira shqiptare, tregon se në shoqëritë
shqiptare në Ballkan, kryesisht në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ka një
problem me të pranuarit e shtetit laik dhe akoma më keq po zë vend një kulturë
linçimi, e ngjashme me atë të ISIS, edhe nga disa emra që prezantohen në publik
si gazetarë apo opinionistë.
Së
pari, ambasadori i Kosovës në Francë duhet të mbrohet nga Ministria e Jashtme e
Kosovës dhe Qeveria e Kosovës, për t’i prerë rrugën spekullimeve dhe për të mos
e përballur atë me militantët islamikë, që janë gati të presin koka njerëzish
dhe në Kosovë për fenë e tyre.
Qeveria
dhe Ministria e Jashtme, duhet t’ua bëjnë të qartë se shteti i Kosovës, nuk
merr rekomandime për punësim nga ISIS dhe se është e gatshme të mbrojë
laicitetin e vet, që e garanton Kushtetuta.
Së
dyti, Bashkësia Islame e Kosovës, e cila po gjeneron sulme ndaj ambasadorit,
duhet së pari të dënonte aktin e ekzekutimit të prerjes së kokës së një
mësuesi, që është bërë shkas për reagimet e shtypit ndërkombëtar për këtë
çështje.
Duke
mos dënuar mënyrën se si është reaguar ndaj viktimës, dhe akoma më shumë, duke
sulmuar një zyrtar të Qeverisë së Kosovës, i cili ka shfaqur pëlqimin për një
raport korrekt gazetaresk, dëshmon se ata kanë si standart në mendjen e tyre,
ndëshkime të tilla.
Kjo
është më së paku një premisë për vepër penale. Kërcënimet ndaj ambasadorit,
duhet të hetohen edhe si përpjekje për të minuar shtetin laik të Kosovës dhe
përdhosjen e Kushetutës së saj.
Së
treti, ka reagime publike të frikshme nga njerëz që paraqiten në opinion dhe si
gazetarë dhe shkrimtarë, të cilët e quajnë fatkeqësi të kombit shqiptar,
reagimin e ambasadorit në fjalë, dhe bëjnë po ashtu thirrje për linçim të tij.
Kim
Mehmeti, që në Shqipëri njihet si kontributor i një televizioni të djalit të
Sali Berishës, bën thirrje për ‘ta lidhur” ambasadorin në fjalë, që “edhe nëse
leh”, të mos “kafshojë” më. Ai e cilëson ambasadorin si “monstër” të
papërgjeshëm dhe të padenjë për shqiptarët.
Për
shumë militantë islamik, ndoshta ky tekst është në rregull. Mund të jetë në
rregull dhe për ushtritë ilegale të ISIS në Europë, Maqedoni të Veriut apo
Kosovë, por duhet të biem dakord, se nëse dikush duhet lidhur në këtë histori,
është ky tipi, i cili nuk dihet pse i është mbushur mendja që shqiptarët fyhen
nga ambasadori në fjalë dhe jo nga ky, që duke qenë taleban, imponohet si
shqiptar.
Dhe
meqë ra fjala, këtë e kap dhe ligji shqiptar, se është tek ajo lista e
pasaportave të Ilir Metës që janë dhënë për “interes kombëtar” (të ISIS).
Mos
reagimi ndaj këtyre zërave dhe institucioneve fetare që po udhëheqin fushatën e
linçimit ndaj ambasadorit në fjalë, është një tolerim i rrezikshëm dhe një
inkurajim i talebanizmit në shoqëritë shqiptare në Ballkan.
Dhe
në krye të kësaj beteje duhet të jetë shteti i Kosovës, ai që po agresohet nga
idhtarët e islamit politik, që duan të gjunjëzojnë laicizmin dhe lirinë e
shqiptarëve. Por as Tirana nuk duhet ta injorojë këtë histori.
www.gazetatema.net