Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Pierre Jourde: Për myslimanët që i kundërshtojnë karikaturat e Muhamedit

| E hene, 26.10.2020, 07:53 PM |


Për myslimanët, e në veçanti për nxënësit dhe prindërit e nxënësve që i kundërshtojnë karikaturat e Muhamedit

Nga Pierre Jourde

Të nderuar bashkëqytetarë myslimanë,

Mos ta mbulojmë fytyrën: ekziston një problem. Aq të vdekur, aq dhimbje thjesht për karikatura. Si erdhëm deri në këtë pikë ?

Në fund të Mesjetës, të gjitha vendet e krishtera dhe myslimane jetonin nën regjimin e njëjtë të jotolerancës. Një dyshim i thjeshtë për blasfemi ose për mosdevotshmëri mund t’ju dërgonte tek mbytja në skelë. Njerëzit e besimeve të tjera nuk i kishin të njëjtat drejta dhe për ta kishte pak tolerancë. Mund të thuhet madje se shtetet myslimane, Perandoria Otomane në veçanti, kishin pak më shumë tolerancë për hebrejt dhe të krishterët sesa që shtetet e krishtera kishin për hebrejt dhe myslimanët.

Dhe pastaj, në Evropë, ndodhën dy fenomene, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, të cilat e bënë shoqërinë ku jetojmë ne sot, Francën, dhe më gjerësisht vendet perëndimore: lindja e ndërgjegjës shkencore dhe filozofia e iluminizmit. Kjo mori katër shekuj që të arrihej, prej shekullit të XVI-të deri në fillim të shekullit të XX-të, puna ishte e gjatë, e mundimshme dhe e përgjakshme. Në fund të kësaj pune erdhi, ndër të tjera, e drejta për blasfemi.

Ndërgjegja shkencore kërkonte që ta shpjegojë botën në mënyrë racionale, përmes vështrimit dhe logjikës, pa u mbështetur tek të vërteta fetare. Së pari u desh që t’i shtyenim autoritetet e krishtera ta pranonin se toka sillet rreth vetes dhe rreth diellit. Galileo ishte i detyruar nga Kisha që të heq dotë nga zbulimet e tij. Në shekullin e XIX-të, zbulimet e Darvinit ishin refuzuar në emër të biblës. Por ndërgjegja shkencore më në fund fitoi. Falë saj, sot dijmë më shumë mbi universin, njeriun dhe natyrën. Por ajo e ka mundësuar po ashtu hovin teknologjik: nëse e keni një telefon mobil, televizion, veturë, dritë elektrike, nëse udhëtoni me aeroplan, me tren, nëse mund të vaksinoheni, ta bëni një radiografi, kjo ndodh fal zhvillimit të ndërgjegjës shkencore ashtu siç u zhvillua në Evropë dhe e cila u desh të luftojë me shekuj kundër fesë dhe të ashtu-quajturave të vërteta të shfaqura.

Ndërgjegja e iluministëve ishte përball përndjekjeve fetare, fanatizmit fetar, supersticionit. Volteri luftonte për ta rehabilituar Kalan (Jean Calas), i dënuar me mbytjen e tmerrshme me rrotë, sepse ai ishte protestant dhe dyshohej se e kishte mbytur djalin e tij sepse ky i fundit dëshironte të konvertohej në katolik. Volteri luftoi që të rehabilitohej kalorësi de la Barre. Djali njëzet vjeçar ishte torturuar e i ishte prerë koka për blasfemi. Ia kishin ngjitur në trup një ekzemplar të “Fjalorit filozofik” të Volterit dhe e kishin djegur.

Revolucioni francez, më pas ligjet mbi laicitetin, të cilat u miratuan në fund të shekullit të XIX-të dhe fillim të XX-tës, shkonin në drejtim të njëjtë: pengimi i fesë katolike, e cila megjithatë ishte feja e shumicës absolute të francezëve, që ta impononte të vërtetën e saj, fuqinë e saj, të torturonte dhe të vriste për mungesë besimi ose për blasfemi, dhe të arrihet që të gjitha fetë të kenë të drejtat e njëjta, pa imponuar asgjë në hapësirën publike. Sepse ky është laiciteti.

Por, katolicizmi nuk e ka braktisur aq lehtë pjesën e saj, edhe pasi e kishte humbur pushtetin, ende dëshironte të dominonte mbi ndërgjegjen, ta censuronte shprehjen e lirë, të impononte pikëpamjet e tij të mbrapambetura lidhur me njeriun, e sidomos në lidhje me gruan. Në 1880, pastaj prapë në 1902, u desh që të dëbohen nga Franca të gjitha urdhërat fetarë katolikë të cilët refuzonin t’i nënshtroheshin ligjeve të republikës. Për disa imamë: mijëra murgj e murgesha. Kjo nuk ndodhi pa rezistencë e pa dhunë.

Kritika, satira, tallja, blasfemia ishin mënyrat e përdorura për ta çliruar Francën nga kapja fetare. Përderisa feja ishte fe e shtetit, ata që e bënin këtë e rrezikonin jetën e vet. Pastaj Kisha përfundoi duke e pranuar që të jetë e tallur dhe e karikaturuar. Ajo i pranoi ligjet e demokracisë. Tek paraardhësit e “Charlie Hebdo”, të cilët quheshin për shembull “Pjata me gjalpë” dhe më vonë, para rreth pesëdhjetë viteve, “Hara-Kiri”, deri tek “Charlie Hebdo” e ditëve tona, karikaturat dhe blasfemia ishin pafundësisht më të rënda dhe më të dhunshme sesa karikaturat mjaft të mençura të Muhamedit, dhe ata ishin më të ashpër me Krishtin sesa me Muhamedin. Imagjinojeni një artist si Felicien Rops që e paraqiste Krishtin pa rroba, në kryq, me ereksion, me fytyrë të djallit! Dhe “Hara Kiri”, Shenjtorja e Virgjër e lumtur që ka abortuar! Askush nuk i ka mbytur autorët e këtyre karikaturave. Përkundrazi, në 2015 një revistë katolike i botoi karikaturat e Krishtit nga Charlie Hebdo! Për të dëshmuar që ata ishin në gjendje t’i pranonin ato.

Krishti satanik i Félicien Rops, ballina e “Hara-Kiri” mbi abortimin nga Shën Maria.

Nëse sot jeni të lirë ta praktikoni fenë tuaj në Francë, nëse i keni të njëjtat të drejta sikurse të krishterët, kjo është falë blasfemisë, e cila e ka penguar një fe që të imponohet mbi ligjin. Myslimanët i kanë borxh për lirnë e tyre atyre që shkaktuan blasfemi.

Shumë njerëz e refuzojnë idenë e blasfemisë, jo vetëm myslimanët. Duhet “respektuar” fetë. Por pikërisht për shkak se nuk i kemi respektuar ato, tash jemi të lirë nga kapja fetare dhe jetojmë në një vend ku të gjitha fetë pranohen. “Charlie Hebdo” nuk shkon shumë larg, “Charlie Hebdo” e bën me guxim punën e vet të një reviste satirike, e cila e sulmon çdokënd, pa dallim feje ose origjine, sepse në një demokraci ne kemi të drejtë të tallemi me gjithçka dhe me gjithkë. Ta dini që “Charlie Hebdo”, e cila klasifikohet si e ekstremit të majtë, e ka sulmuar racizmin, ekstremin e djathtë, kristianizmin, politikanëve të të gjitha ngjyrave. Dhe islamin, prandaj, baraz me të tjerët. Pse do të duhej ta bënin një përjashtim veç për islamin?

Në Francë mund ta kritikojmë me vrer secilin, partitë politike, institucionet, politikanët, artistët, etj. A duhet bërë një përjashtim për fetë?

Në Francë mund të tallemi me katolicizmin, judaizmin, budizmin, pa e rrezikuar jetën. Pse nuk mund të tallemi me islamin pa e rrezikuar jetën? A është islami një përjashtim?

Islami mund të kritikohet dhe të tallet, sikurse fetë e tjera, sikurse të gjitha besimet, sikurse të gjitha opinionet, sepse në një demokraci, një fe është një opinion, ajo nuk është e shenjtë. Nëse ju nuk e pranoni këtë, atëherë ju nuk e pranoni demokracinë. Kjo do të thotë se ju dëshironi të jetoni në një shoqëri pa liri të shprehjes, ku nuk e kritikojmë më asnjë person, në një shoqëri pa blasfemi, ku feja i dikton njerëzve mënyrën e jetës, kufijtë e sjelljes së tyre dhe të fjalës së tyre. Kjo ishte Franca e mesjetës. Është Arabia Saudite e sotme.

Disa ballina të “Charlie Hebdo”.

(E para: Në Vatikan, Edhe një palë zgjedhje me mashtrim. Krishti: “Më heqni, dua të votoj.

E dyta: Marine Le Pen kundër shtetësisë së dyfishtë. “Raciste” “Ose antisemite” “Duhet zgjedhur.”

E treta: I ati. I biri. Shpirti i shenjtë.)

Islami është i kritikueshëm pikërisht sepse ai ende ka vështirësi ta pranojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e grave. A dini masakra të tilla dhe atentate të shkallës së tillë, çdokund në botë, në emër të kristianizmit? Islami është i vetmi religjion në emër të cilit sot mbysim me qindra të pafajshëm anekënd botës. Sa masakra në Francë, Hyper Cacher, “Charlie Hebdo”, Bataclan, karnevali në Nice, fëmijët e vegjël hebrejë të mbytur nga Muhamed Merah, profesori i historisë në Conflans, dhe të tjera? Sa atentate në Shtete të Bashkuara, në Spanjë, në Angli, në Belgjikë, të gjitha nën britmat “Allahu është i madh”? Dhe organizatat totalitare islamike, si ISIS, Al Kaida, Tribunalet islamike somaleze ose Talibanët, të cilët vrasin me gurë, presin koka dhe kryqëzojnë në emër të Allahut të krishterë, myslimanë shitë, hebrejë, zaiditë, homoseksualë, gra që kanë bërë tradhti bashkëshortore ose persona që kanë bërë blasfemi? Dhe në sa vende islamike fetë e tjera janë të përndjekura, gratë të trajtuara si minorene, të rinj ekzekutohen sepse nuk e kanë respektuar fenë?

Këtyre vendeve dhe këtyre njerëzve iu ka munguar revolucioni shkencor dhe ndërgjegja e iluministëve. Atyre iu ka munguar blasfemia!

Kritika e islamit nuk është “islamofobi”, sëmundje e imagjinuar e krijuar për ta penguar çdo kritikë, aq më pak racizëm, me të cilin s’ka asgjë të përbashkët. A është kritika e ekstremit të djathtë ekstremdjathtofobi? A është kritika e kapitalizmit kapitalizmofobi? A është kritika e katolicizmit katolicizmofobi?

Ta kritikosh islamin do të thotë ta vendosësh në të njëjtin rrafsh me të gjitha fetë dhe opinionet e tjera. Do të thotë ta respektosh. Mos ta kritikosh do të thotë të mendosh se s’është kompatibil me demokracinë, sikur që e kursejmë një fëmi të vogël i cili nuk mund t’i përballoj të njëjtat gjëra si një i rritur.

Karikaturat e “Charlie Hebdo”, ato në revistat danze, e sulmojnë islamin pikërisht në lidhje me dhunën dhe mostolerancën. Reagimet e dhunshme e kanë dëshmuar se autorët e karikaturave kishin të drejtë që mendonin se ekzistonte një problem. Ditën që islami e pranon të konfrontohet me problemet e veta në vend të mbrohet me islamofobi, ditën që ai e pranon të qeshet me vetveten, dhe ta pranon talljen me një dozë buzëqeshje, ai do ta vërteton se është kompatibël me demokracinë, i aftë për autokritikë, sikurse ishte katolicizmi. Atë ditë, një karikaturë e vogël dhe e thjeshtë nuk do të sjell më masakra.

E dëshiroj me ngulm, nuk e di se nëpërmjet cilit kanal, të dëgjohem prej jush, sidomos nga ata që shokohen nga karikaturat. Që ata ta kuptojnë më në fund që ky është ligji demokratik, që me çmimin e kësaj pafytyrësie e cila e ngrit ndërgjegjën që mund të reflektohet, vendoset në pikëpyetje dhe të avancohet. E sikur fetë të kishin humor? Sikur Xhamia e Madhe e Parisit të organizonte një ekspozitë “Charlie Hebdo”? Mund të ëndërrojmë…

(Ky artikull u botua në L’Obs, revistë në Francë. Pierre Jourde është shkrimtar, profesor universitar dhe kritik letrar francez.)

https://www.gazetaexpress.com/

https://www.nouvelobs.com/les-chroniques-de-pierre-jourde/20201020.OBS34966/aux-musulmans-et-en-particulier-aux-eleves-et-parents-d-eleves-qui-desapprouvent-les-caricatures-de-mahomet.html?fbclid=IwAR2mK2yC_fTg8Iy_OJy8gz5s4AO7SqIzi-M9z8NbU5tbh2PYqiakiuGTjaI