E enjte, 28.03.2024, 12:47 PM (GMT)

Editorial

Gani Bajraktari: Çfarë duhet bërë për normalizimin e kësaj katandisjeje, që ka kapluar shëndetësinë kosovare?

E marte, 18.11.2008, 07:46 PM


Çfarë duhet bërë për normalizimin e kësaj katandisjeje, që ka kapluar shëndetësinë kosovare?

 

/Si duket disa në vend të betimit ti Hipokratit, kanë bërë betimin hipokritit!/

 

Nga Prof.As.Dr. Gani Bajraktari

 

Eshtë për të të ardhur keq ajo çfarë po ndodhë me mjekësinë kosovare. Profesioni i mjekut dhe vetë mjeku janë të respektuar në çdo shoqëri, edhe në ato më pak të qytetëruara. Në Kosovë po ndodh e kundërta: është kategoria më e përfolur, mbase edhe më e urryer. Çdo ditë në media, skena rrëqethëse: mjekë të prangosur, lajme të këqija për spitale, vetëm lajme të këqija për mjekë. Asnjëherë lajme të mira, asnjë lavdatë për punën dhe sukseset e tyre. Nga shumë kolegë të Klinikës ku unë punoj, sot kam dëgjuar fjalët: më vjen keq (turp) të dalë në qytet! Pra, mjeku në Kosovë sot ka ardhë në një pozitë shumë të rëndë. Pacientët edhe më të rëndë; si të shkojnë ata për t’u mjekuar të këta mjekë?

 

E vërteta është shumë më ndryshe! Sukseset janë të shumta, qoftë këtu në Kosovë, qoftë jashtë Kosovës, për shumë kolegë tanë që kanë mbaruar shkollimin këtu.

 

Kush është fajtori? Çfarë duhet bërë për kthimin e dinjitetit të mjekut? Çfarë duhet bërë për normalizimin e kësaj katandisjeje, që ka kapluar shëndëtësinë kosovare? Një gjë është e sigurt: pa dashur të mbrojë thyersit e ligjit, kjo gjendje nuk regullohet me dhënien e skenave të prangosjës të mjekëve, me frikësimin e profesionistëve shëndetësorë. Përkundrazi, do të këtë pasoja afatgjate në rehabilitimin e raporti mjek-pacient për shumë vite në Kosovë.

 

Kjo gjendje regullohet me masa përkatëse të ndryshimit të sistemit shëndetësor, me funksionalizimin e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës, me konsolidimin e Odës së Mjekëve të Kosovës, me ndryshime radikale në mënyrën e qeverisjes në Ministrinë e Shëndetësisë. Mirëpo një gjë e tillë arrihet vetëm duke vënë persona të përgjegjshëm në vendet që kanë përgjegjësi.

 

I. Prof. Naser Ramadanit, kryetar i Akademisë Mjekësore në Kosovë

 

Prof. Ramadani, heshtja juaj pas formimit të një Akademie Mjekësore dhe shuarjes të Shoqatës së Mjekëve, e cila edhe në kushte okupimi ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, duke mos folur as edhe një fjalë publike, për mbrojtje të dinjitetit të mjekut, ose në të kundërtën ndëshkimin e tij, nuk do të ju shfajësojë asnjëherë. Aktiviteti i “Akademisë” suaj mjekësore për rreth 7 vjet është zero, përveç vjeljës së një takse të majme për licencimin e profesionistëve, e cila nuk i është referuar asnjëherë anëtarësisë dhe nuk dihet kah ka shkuar. E them këtë publikisht, jo nëpërmjet e-mailave anonimë ashtu siç Ju veproni.

 

II. Mjekëve të Kosovës

 

Të nderuar kolegë, urgjentisht duhet themelur Shoqata e Mjekëve dhe Oda e Mjekëve të Kosovës, për të mbrojtur të drejtat e mjekut dhe ndëshkimet ndaj tij. Oda e Mjekëve në shumicën e vendeve të zhvilluara jep licencat e profesionisteve shendetësorë. Te gjithë ne jemi bashkëfajtorë, që kemi heshtur mosaktivitetin e Shoqatës së Mjekëve të Kosovës.

 

III. Prof. Alush Gashit, Minsitër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës

 

I nderuari Prof.Gashi, pas kaq shumë skandaleve në shëndetësi që nga koha kur Ju jeni Ministër, pas mungesës së edhe një suksesi të vetëm në mandatin tuaj, pas mungesës së edhe të një ideje apo projektideje të vetme për përmirësimin e gjendjes në shendëtësi, duke mos pasur asnjë mjek në Kosovë as edhe një shpresë të vetme se Ju mund të regulloni diçka në shëndetësi, pas mospërmbushjes së premtimeve publike në marrjen e mandatit tuaj (Spitali i qytetit të Prishtinës do të fillojë punën në vitin 2008-një gjë e tillë as në letër nuk ekziton, furnizimi i rregullt me material shpenzues - vetëm laboratori i kardiologjisë invazive ka pushuar së funksionuari për nëntë muaj, ardhja e profesionistëve ndërkombëtarë në QKUK - asnjë profesionistë ndërkombëtar nuk ka shkelur në QKUK në mandatin tuaj, përveç një pojekti kardikirurgjie i përgatutur para aredhjes suaj, e shumë e shumë premtime iluzore, të cilat nuk janë përmbushur, dhe të cilat me fjalorin më të butë mund t’i quaj halucinacione), duke pasë në konsideratë së fjala e folur publike ka peshë të rëndë dhe mosmbajtja e saj ngërthen në vete përgjegjësi morale dhe politike, çiltërisht do të ju rekomandoja që të jepni dorëheqje, e vetmja gjë që mund të ju shpëtojë nga pesha e rëndë që keni marrë mbi supe e që nuk po ia dilni ta mbani, e vetmja gjë që mund të mbajë të gjallë atë pak autoritet që ju ka mbetur.

 

Si qytetar i Republikës së Kosovës, kam konsideratën më të lartë për politikanin e përgjegjshëm nga radhët e partisë suaj, z. Rexhepi, ish Ministrin e Brendshëm, të cilin nuk e njoh nga afër, por i cili me aktin e tij njerëzor të dhëniës së dorëheqjes nga posti ministror me rastin e skandalit të parë në minsitrinë që ai drejtonte, pa pasur asnjë përgjegjësi, sepse viktimat e trazirave ishin bërë nga policia ndërkombëtare, ka bërë që të jetë i respektuar në komunitet. Vonimi i dorëheqjes suaj pas kaq skandaleve dhe mungesës së sukseseve, nuk do të jetë i njëjti rast për ju.

 

Për Juve, z. Ministër, dorëheqja nuk është vetëm akt moral, por edhe përgjegjësi konkrete pas gjithë këtyre skandaleve, e bërë me dijen apo pa dijen tuaj.

 

Ju nuk mund të shfajësoheni me shkarkime të vartësve tuaj dhe emërime të këshilltarëve tuaj në vend të tyre. Më kot do të sakrifikoni këto ditë edhe ndonjë vartës; përgjegjësia për mosveprimet me kohë, e ngarkon të parin, zotin e shtëpisë.

 

IV. Hashim Thaçit – kryeministër i Republikës së Kosovës

 

I nderuari kryeministër i Republikës, z.Hashim Thaçi, duke shpresuar se jeni në dijeni të plotë se në çfarë gjendje ka ardhë mjekësia kosovare, jam i shtërnguar të ju drejtohem me këtë mesazh për të ju njoftuar se kjo gjendje tashmë ka mbërri në kufijë të padurueshëm.

 

I nderuari z.Kryeministër, vizita Juaj në QKUK bashkë me Ministrin e Shëndetësisë në muajin prill të këtij viti ka qenë një shpresë e madhe se, megjithatë, ditë më të mira do të vijnë për mjekësinë në Kosovë. Atë ditë morëm edhe premtimin Tuaj për një gjë të tillë. E megjithatë, tatpjeta e mjekësisë vazhdoi dhe dua të besoj se kemi mbërri në fund; nuk ka më tatëpjetë, por jemi në fund të pusit.

 

Minstri Gashi, jo vetëm që nuk ka bërë asnjë hap drejt përmirësimit të gjendjes në shëndëtësi, por ka thelluar hendekun e krizës. Jo më shumë se para 2-3 muajsh Ministri pat deklaruar se mjekësia kosovare nuk është në krizë! E patëm kundërshtuar shumë kolegë të mi dhe unë, duke e ditur se kriza po thellohet. Fekondimi artificial në Kosovë ka qenë mëse legal, qindra reklama në rrugët e Kosovës, reklama në të gjitha mediat e shkruara dhe elektronike, mbishkrime të mëdha në autobusë urbanë, të cilat mund të shihen edhe nga xhamat e errësuar të xhipit të Ministrit, dhe asnjë kontrollë në këtë institucion nga Ministria prej themelimit të Qeverisë suaj. Nuk e heq përgjegjësinë e ministrisë prangosja spektakulare e mjekëve të kësaj klinike para kamerave televizive, përkundrazi, e ngritë atë dhe e thellon hendekun e ekzistimit të krizës në mjekësinë kosovare. Ministri Gashi, si duket, nuk ka pasur kohë të mirret me inspektimin e shëndetësisë; i ka marrë kohë rehatimi i familjarëve të tij në Ministri, dhe rregullim i statusit social të tyre. Përzierja e këshilltarëve (familjarëve) të tij politikë në tenderat e ministrisë dhe kërkesat nga ana e tyre për specifikacionet teknike të materialeve të ndryshme, gjithashtu mund të kenë qenë pengesë, që këshilltarët t’i rrijnë gati për inspektime, licencime, etj.

 

I nderuari z.Kryeministër, dëgjueshmëria e ministrit Gashi me gjentilesën e tij të paparë, dhe sjellja në këtë gjendje të shëndetësisë kosovare, nuk ju nderon Ju as Qeverinë tuaj. Përkundrazi!

 

I nderuari z.Kryeminitër Thaçi, në emër të shumë kolegëve të mi (shumë kolegë janë shprehur edhe përpara meje publikisht), në emër tim personal, në emër të pacientëve tanë, për të mirën e vendit, për të mirën e pacientit, për të mirën e mjekut dhe stafit mjekësor, ju lutemi ndërmerrni diçka që të shpëtojmë aq sa mund të shpëtohet në mjekësinë kosovare. Jam shumë i sigurt se në Kosovë ka profesionistë të shkëlqyeshëm, ka entuziastë të pashoq, të përkushtuar për të kthyer në stabilitet shëndetësinë kosovare, si një prej standardeve të rëndësishme për integrime evroatlantike.

 

Por, edhe një gjë, jam shumë i sigurt se kjo nuk mund të arrihet me ministrin Gashi në krye.

 

Prof.As.Dr.Gani Bajraktari

 

Drejtor i Klinikës Interne, QKUK

 

Profesor i Mjekësisë Interne, Fakulteti i Mjekësisë, UP

 

Kryetar i Shoqatës së Kardiologëve të Kosovës



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora