Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ibrahim Kabili: Këngëtari, instrumentisti, mësuesi dhe njeriu i mirë Haxhi Gjoni

| E diele, 25.10.2020, 10:10 AM |


Këngëtari, instrumentisti, mësuesi dhe njeriu i mirë Haxhi Gjoni

Nga Ibrahim Kabili

Kur njeriu ka ndjesi të brendëshme pozitive, kur motivohet për të arritur diçka të mirë, kur udhëhiqet prej tyre dhe vepron pozitivisht, ai sfidon gjithçka dhe len vetëm vepra të mira. Krahina e Bendës, pjesë e Malsisë së Tiranës, shtrihet në lindje të saj. Qendra lidhet me Tiranën me rrugën e re të asfaltuar, brenda një prej 25-30'. Eshtë një krahinë e bukur, e rrethuar me vargmalet Krujë-Dajt në perëndim dhe ato të Skëderbeut në lindje. Në pjesën jugore ka Fekenin, ku kufizohet me Tamadhenë, si pjesë e të njëjtës malësi, dhe në veri qëndron kryelartë Kavanjeja, që e ndan nga Malësia e Krujës apo krahina etnografike e Kurbinit. Benda ka formën e gjeosinklinalit, dhe për këtë arsye ka marrë emrin, Lugu i Vilzës. Ky përshkrim  fare i shkurtër gjeografik, nuk është qëllimi i shkrimit por "mjeti" për tu futur në temë, për krahinën do flasim një herë tjetër. Ajo mbart në vetvete vlera patriotike, atdhetare kulturore, dhe mbi të gjitha vlera njerëzore... Kishte shumë kohë që kisha menduar, për të bërë një shkrim për njeriun e urtë, fjalë pak e punë shumë, të qetë e në punën e tij, Haxhi Gjoni. Haxhiu është nga Fshati Vilëz, por punon si mësues, në Shkollën vartëse Mal-Vilëz dhe është larg qendrës, afërsisht dy orë me këmbë nga qendra. Rasti e solli të nisemi në këmbë me Hasanin, veterinerin e njësisë administrative, për në Mal-Vilëz, natyrisht secili për punën e tij. Pasi bëmë gjysmën e rrugës me fugonin e Shyqit që transporton mësuesit dhe nxënësit, arrijmë në Vilëz te lokali. Aty takojmë disa koleg, ishim në kohë të lirë, dhe pasi pimë kafet e paguara nga Nuriu, nisemi për në Mal-Vilëz. Udhëtuam në këmbë nga rruga e re, ndërtuar këtë vit, nëpër Runjë. Biseda ta "shkurton rrugën", por më shumë se ajo, rruga na u bë e këndëshme nga pamja magjike e bukurive natyrore të krahinës, që i shihnim nga lartësia mbi 100 m, në këtë mëngjes të bukur të 21 tetorit. Rrezet e diellit e kanë ndriçuar mrekullisht krahinën, dhe Bovilla dukej si një perlë, në mesin e bukurive të tjera...Nuk mund të rrinim pa bërë foto! Duke lënë "prapa" këto pamje magjepëse, futemi në Lagjen Mal-Vilëz, ku qe dhe destinacioni ynë. Lagjja ka formën e një hinke, ndodhet mbi 1300 m lartësi, ka një klimë të freskët në stinën e nxehtë dhe të ashpër në stinën e ftohtë. Në orën 10 arrijmë te lokali i ri dhe i bukur i Lamit, pasi pimë kafe, unë pres Haxhin të mbaroi mësimin dhe bashkëudhëtari sheh punën e tij.

Takoj Haxhiun, i tregoj qëllimin, i kërkoj ndjesë pse nuk kisha shkruar më parë, e falenderoj për atë që kishte  bërë për kulturën në krahinë dhe banorët e saj. E lëmë të bisedojmë pas mësimit. Biseda më pas qe e gjatë, miqësore, e detajuar dhe me shumë të dhëna për kulturën dhe protagonistët e saj.

Haxhiu lindi në Vilëz më 20 nëntor 1961 në një familje të thjeshtë por shumë mikpritëse dhe bujare. Babai i tij Asllani sakrifikoi për shkollimin e fëmijëve të tij. Arsimin fillor dhe atë 8 vjeçar Xhikja e filloi dhe e mbaroi në Vilëz me rezultate të mira. Ai kujton me nostalgji mësuesit e tij, përkushtimin për mësim, dhe vlerat edukative dhe humane që përcillnin e tregonin ndaj nxënësve. Ai flet për ish drejtorin e mrekullueshëm Ylli Dika, për mësuesit Nuri Bumja, Nefail Totri, Polikron Çela etj. Që në bankat e shkollës 8 vjeçare vihet re talenti dhe prirjet e Haxhiut në fushën e artit e muzikës. Në këtë kohë ai krijoi vjersha, këndoi këngë dhe u aktivizua me grupin artistik të shkollês. Falë prirjeve të tij dhe përkushtimin e familjes, regjistrohet në Shkollën e Kulturës në Tiranë. Këtë shkollë e fillon në vitin 1976 dhe e mbaron në vitin 1980 me rezultate të mira. Në shkollë mori njohuri të reja për artin dhe kulturën, shpërtheu dhe më shumë talenti i tij në muzikë. Ai qe në shkollë i pari i klasës që thurte tekste këngësh,

i biente çiftelisë dhe këndonte këngë. Haxhiu la gjurmë në grupin artistik, të shkollës së tijë. Duke qenë i tillë në veprimtaritë artistike, ai pati nga afër dhe ndjeu gjithnjë mbi supe dorën e ngrohtë të profesorëve të shkëlqyer të shkollës së mesme. Haxhiu flet me nostalgji për to dhe përkushtimin e tyre në punën me nxënësit. Përjetime që mbesin dhe nuk mund të harrohen kurrë!

Për rrethana ekonomike e familjare, Haxhiu nuk mundi ta vazhdoi arsimin e lartë për artet dhe kthehet në vendlindje. Tanimë më i përgatitur, më i shkolluar dhe më i formuar. Emërohet përgjegjës i vatrës së kulturës Vilëz në vitin 1981. Atje fillon punën plot pasion, arrin të mbledhi elementë të spikatur dhe të organizoi një grup artistik që ishte për tu patur zili. Vatra e kulturës kishte dhe bibliotekën e saj me libra për fëmijë, libra artistikë dhe libra politike sepse flasim për vite '80 kur çdo gjë nuk i shpëtonte politizimit të skajshëm. Pavarësisht kësaj, grupi la gjurmë, qe mjaft i kompletuar dhe pati shumë jehonë për kohën.

Në krahinë kishte dhe disa grupe të tjera artistike si ai i Vilzës. Në përbërje të grupit të Vilzës bënin pjesë: Ramazan Hyra me klarinetë, Nuri Bumja me fizarmonikë, Qamil Gjikola me fyell, Xhemal Heta me fyell e më vonë me cigonë, Haxhi Hyra me daire, Nuri Gjoni me çifteli dhe rapsod, Haxhi Gjoni me çifteli dhe rapsod. Natyrisht grupi pati një repertor të larmishëm, dhe mozaiku bëhej dhe më i pasur edhe nga grupi i valltarëve. Në përbërje te tij qenë: Naile Gjiku si valltare dhe këngëtare; Nazmije Kodra,Lazime Gjoni dhe Serme Gjiku si valltare. Grupi ka dhënë shfaqje në të gjitha fshatrat e krahinës dhe është pritur

shumë mirë. E meritë ka dhe Haxhiu si drejtues i grupit. Grupi ka konkuruar në bazë zone, pranë Shtëpisë së Kulturës Zall-Bastar me grupet e tjera të: Bastarit, Bastar-Murrizës, Zall-Mënerit, Mënerit të Sipërm dhe Bulçeshit dhe disa herë është vlerësuar me çmim të parë. Grupi në fjalë, kishte këngë që i kushtoheshin fshatit Vilëz, jetës së re, dashurisë, këngë patriotike por dhe këngë politike që i kushtoheshin partisë dhe udhëheqësit të saj. Grupi kishte disa valle të kënduara, të cilat duke u shoqëruar me orkestër, ekzekutuar me mjeshtëri nga valltarët me veshjet karakteristike të zonës, të bënin për vete, dhe ngjallnin nostalgji. Tradita vazhdon dhe sot në dasma, ceremoni familjare dhe evente të ndryshme. Shteti duhet të kujdeset sot për ruajtjen e vlerave dhe traditës.

Shumë nga këto vlera pas viteve '90 po veniten falë mungesës së vemendjes së shtetit, pse jo dhe të shoqërisë, për kulturën!

Në vitin 1984 falë aftësive, talentit dhe arritjeve në këtë fushë, Haxhiu emërohet përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës Zall-Bastar. Natyrisht para tij aty kishin punuar specialistë me përvojë dhe grupi artistik ishte në lartësinë e kohës me elementë cilësor të përzgjedhur. Haxhiu ju dha një shtysë veprimtarive kulturore, pasi ishte i kualifikuar dhe punoi me përkushtim. Në përbërje të grupit artistik, këngëtarëve, instrumentistëve dhe valltarëve në nivel zone bënin pjesë: Haxhi Gjoni këngëtar, instrumentist, përgjegjës grupi, krijues tekstesh për këngët; Zeqir Selmani me çifteli, fizarmonikë dhe kërcimtar; Zeqir Visha me fyell, çifteli dhe kërcimtar; Nazmije Kodra, Nazmije Visha, Serme Gjiku, Mane Visha, Fatime Daci etj, si valltarë; Ibrahim Koçi me fyell e çifteli; Ramazan Cani, Mehmet Luga, më pas Jashar Disha, me lodër; Xhemal Heta me fyell e cigonë; Musa Kabili me cigonë; Sali Sala me lahutë; Xhevat Lami, Hysen Pera Kujtim Ibrahimi,Demir Haka, Nazmi Hysa, Destan Lila, Besim Tafa, Xhevat Lami, Kujtim Ibarahimi, me çifteli; Hysen Pera me fyell dhe valltar;Xhemal Kurti me fyell; Ramazan Leta me çifteli dhe klarinetë. Grupi dhe elementë me numra të përzgjedhur të tij kanë marrë pjesë në shumë evente si në: Dekadat e Majit, konkurime në shkallë rrethi, dhe në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër me numra dhe elementë të përzgjedhur. E pa asnjë dyshim elementi, rapsodi dhe krijuesi më i përzgjedhur në vite, qe Haxhiu. Haxhiu gjetë karierës së gjatë artistike me kulturën që rrokin vitet 1981 deri 2001, dhe më pas, e në vijimësi, ka krijuar, bërë muzikën, luajtur në instrument dhe kënduar shumë këngë. Ka marrë pjesë në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës nga viti 1983 deri në vitin 2009. Disa prej krijimeve dhe interpretimeve virtuoze të tijë janë.

Kënga e kënduar nga Haxhi Gjoni dhe Naile Gjiku, në Dekadat e Majit të vitit 1981 mban titullin: Të dy bashkë, në punë dhe jetë.

Teksti dhe muzika nga vetë Haxhiu:

Bylbylat n'mal po këndojnë

Në të marrsha ty moj gocë

Bashkë të jetojmë

O mor djalë, djalë i ri malësor

O sy e zemër, djalo ti kam falë

O hajde djalë, bashkë të jetojmë

Jetën tonë o djalo, bashkë ta lulëzojmë

O vish fustanin, dil njëherë në derë

Më ka marrë malli, të shoh njëherë...

Kjo këngë u duartrokit rrufeshëm nga spektatorët dhe udhëheqësit e lartë e shtetit.

Në përfundim, juria e vlerësoi me çmim të parë.

Në vitin 2004 Haxhiu së bashku me Adriatik Lilën merr pjesë në F.F.K.Gjirokastrës dhe k?ndojnë këngën: Po këndon në mal me gjeth.

Teksti dhe muzika nga Haxhiu. Këtë vit Tirana zuri vendin e parë.

Po këndon në mal me gjeth

Një çoban i ri

Dhe një zog i bukur bredh

Degëve mbi bli

Vajzat mbledhin lule bliri

Mbledhin lule dhe këndojnë

Por më e mira, seç u nda

Iku larg dhe flituroi

I pashë unë lulet me radhë

Po në mëngjes kur çelin fletë

Një si ti moj gushëbardhë

Kërkova se mos të ketë...

Haxhiu qe autor tekstesh, dhe këndoi dhe shumë këngë për partinë, udhëheqësit, arritjet e transformimet ekonomike e shoqërore të kohës. Në kontekstin historik, shumë këngë të tijë qenë të politizuara. Po kështu këndoi dhe këngë të tabanit popullor dhe mbajti lart vlerat kulturore të zonës. Ai nuk qe i vetëm dhe punoi në ekip. Po nuk shkruajte për shokët dhe shoqet e mija më tha, mos bëj asgjë dhe për mua. Ai ka modesti të tepruar, ëshë i heshtur, ndaj dhe unë u kujtova "vonë" të shkruaj enkas për Të.

Në .F.F.K.GJ. ka marrë pjesë:

• Në vitin 1878 si instrumentist me çifteli. Në përbërje të grupit qenë dhe i mirënjohuri Hysen Hyra me cigonë dhe Demir Hyra me lodër. Hyseni dhe Demiri u vlerësuan me çmimin "Laurant i Festivalit".

• Në vitin 1983, si instrumentist me çifteli bashkë me qytetin e Tiranës. Merr pjesë dhe i mirnjohuri me daulle, Ramazan Cani.

• Në vitin 1988, Haxhiu merr pjesë  bashkë me grupin me këngën: Nëpër shekuj prin flamur.

Teksti, muzika, luajtja në çifteli i tijë bashkë me grupin. E këndon këngën bashkë me rapsodin tjetër të mirënjohur Ilir Koçi, të Ansamblit Artistik Migjeni. Kjo këngë u vlerësua nga juria me çmim të parë.

• Në vitin 1994 merr pjesë si instrumentist me çifteli, në: Pjesë instrumentale; dhe me fyell nga grupi i përzier në shkallë rrethi.

• Në vitin 1998 si instrimentist.

• Në vitin 2004, siç cilsuam më parë, u vlerësua me çmim të parë.

• Në vitin 2009 nga zona jonë, Haxhiu si instrumentist me çifteli; Nuri Gjoni dhe Hysen Pera, me instrumentin e fyellit dhe valltarëve; Xhemal Heta me instrumentin e fyellit dhe cigonës; Musa Kabili me cigonë dhe Jashar Disha me daulle, marrin pjesë në festival në përbërje të Qarkut Tiranë dhe tregojnë performancë të mirë. Tradita vazhdon dhe grupi artistik funksionon, falë SHoqatës Atdhetare  dhe Kulturore "Benda" dhe  Njësisë Administrative Zall-Bastar. Tradita vazhdon të ruhet por me sforcime të mëdha. Shteti duhet ti rikthej sytë nga kultura dhe ruajtja e vlerave të trashëgimisë kulturore. Duhet buxhet për ruajtjen, kultivimin dhe transmetimin në breza të vlerave të kulturës.

Haxhiu, personazhi jonë kryesor në këtë shkrim, të munguar por dhe të vonuar nga viti 2001 dhe në vazhdim punon si mësues me klasa kolektive, në ciklit fillor  në shkollën vartëse Mal-Vilëz. Në vitin 2015 ka mbaruar dhe studimet në nivelin Bacelor për Ciklin e Ulët pranë Universitetit "Vitrina". Ka një komunikim shumë të mirë, prej artisti, me nxënësit dhe komunitetin e prindërve. Edhe në arsim vazhdon të jetë i njëjtë, fjalë pak e punë shumë...

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 22.10.2020