Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Albert Vataj: Dashuria, çfarë ajo nuk është në një zemër dhe çfarë nuk mund të jetë në një shpirt

| E shtune, 24.10.2020, 07:56 PM |


Dashuria, çfarë ajo nuk është në një zemër dhe çfarë nuk mund të jetë në një shpirt

Nga Albert Vataj

Ka shumë mënyra për të shprehur dashurinë dhe po aq për ta kuptuar, se rreth teje tashmë është krijuar një realitet galaktik. Për ta kuptuar se tashmë, ju, ju jeni një proces transformimi, një hap në hovin e shtytjes së pafundësisë drejt të tjerë thellësie, matshmërinë e së cilës mund ta arrij vetëm një gjendje, një shikim, një prekje, një puthje, një kopulim, një... rikrijim brenda një shkrepëtime.

Duke thënë "unë të dua" është një prej atyre mënyrave se si ne gostitim atë çfarë brenda nesh është përfshirë në një stuhi. Ndoshta duke e thënë dhe rithënë: "unë të dua", gjithçka rreth dhe brenda nesh nuk mund të perceptojë dhe të rrok tjetër frymë në kapërthimin e etjes për t'iu dorëzuar një vullneti që e josh duke e përfshirë në një akt kremtimi, të denjë për besim.

Poetët kanë kënduar lavde dhe thurur kushtime krijuese për dashurinë. Pena dhe shpirti i tyre kanë mbrujtur mendime të shprehura përmes një solemniteti dehës fjalësh dhe frazash, muzikaliteti dhe ritmi, të tilla sa kanë arritur të trokasin fuqishëm në portat e ndjenjave, dhe duke i hapur ato, u kanë afruar atë çfarë vetëm një idil dashurie, i stolisur me yje e me ngjyra, me aroma e trajta, aq... sa të frymëzojnë breza të tërë.

Dashuria, i gjithë ai manifestim marramendës dhe ajo lojë dalldisëse fryme, ajri e shkrepëtima shikimesh, ka mbetur e brishtë dhe marrosëse, joshëse dhe adhuruese, e ëmbël dhe mahnitëse, si atëherë edhe sot.

Ne dashurojmë njësoj, sepse ndjejmë njësoj, edhe pse jeta cilësisht ka ndryshuar në fondament, edhe pse ne shihemi njëri me tjetrin disi ndryshe, kuptojmë njëri-tjetrin krejt tjetërsi. Por në të themeltën e përjetimit të dashurisë, ne kemi mbetur aq naiv dhe fëminor, lajkatar dhe të ndrojtur, të shkujdesur dhe të lajthitur, zjarrmëtar dhe drithërues, të tillë, të dashuruar.

Koha megjithë stuhitë e kijametshme, me të cilën ka bartur ndryshesa dhe zhvendosje, kataklizmo e përtëritje, shfarosje dhe riardhje transformuese, nuk ka mundur t'i heqi asnjë ashk të vetme pemës së dashurisë, frutave të saja që ndalimi i bën më të andshme dhe shijimi i bën më tunduese.

Ajo ka mbetur e tillë, e dlirë dhe e pastër, hojnore në drejtësinë e mosnënshtrimit të një vullneti të epërm. Ka mbetur e tillë kureshtare dhe e dhimbshme, lojcake dhe përfshirëse, adhuruese dhe magjepsëse, ka mbetur... me e fort se çdo besim që ka ardhur e fashitur në nevojën e njeriut për një pikëmbështetje.

Dashuria, ajo e kahershmja dhe e tashmja, di të jetë e bukur dhe trishtuese, e ëmbël dhe majahoshe, delikate dhe rikrijuese, ajo... i shemb të gjitha botët dhe i rizgjon nga gërmadhat e veta, si nga një hukamë, si nga një përplasje, si nga një shkrepëtim e dritshme, që vërshon në limfën e saj si llava në damarët e tokës. Pluskon në gjithçka dhe çdo gjë jetuese, pulson në ritmin e saj. Gjendet në të gjitha trajtat dhe gjendjet, pjesëmerr në të gjitha aktet alkimike, për të ribërë vetveten në atë formë që dëshirimi e thërret përmes çdo vlimi gjaku, gurrimi lëngjesh e stuhije fijezash të holla përçuese të energjisë së universit në dimensionin e një vezullimi.

Kjo është dashuria, ajo që na ka mësuar më mirë se ligjësitë e kënaqësisë, ato të dhimbjes. Portave të rënda të saj zvargen trokitje zemrash që thuhen, e shpirtrash që kaplohen nga makthi, e... pragjeve zvarrit hijet që i mikson me frymën e sendërgjon gjendjen, çastin, atë që kur guxojmë t'i bëjmë ndjenjat tona si rrugëkalim dhe dëshirën tonë si theror e kësaj shtërngate, që thërret nga qielli të gjithë zemërartat e anijeve të mbetura pa brigje.

Dashuria, ç'nuk është në një zemër e ç'mund të jetë në një shpirt, çmos është në një kurm që përpëlitet drojet dhe padurimit, për tu derdhur në vërshimin e saj, si në një gufim llave nga shtërzimi i kushtrimeve të botëve të mbetura, varr dhe prehër i botëve që i shklasiM përsipër.

Ti... zgjedh vet se ç'do të jesh në këtë gosti zjarri; tym, flakë, prush, apo... hiri i rikrijimit të botës në një çast, në një ngjizje, në një përjetësi që shndërrohet e nënshtrohet çdo pasioni, si dashurisë.