| E shtune, 24.10.2020, 11:55 AM |
Në kërkim të asgjësë
Nga
Kastriot Dervishi
Sinqerisht
më ka ardhur keq për kohën e çuar dëm të prokurorit
të përgjithshëm më 21 tetor 2020 në një takim pa lidhje dhe objekt me ata
që e çojnë përditë kohën dëm. Autoriteti
për “hapjen” e dosjeve që është unikal në botë si rast negativ për t’u
treguar, si “arkiv” drejtorish, por që i jep vetes edhe funksione komunale,
kishte kërkuar ndërhyrjen e prokurorisë për “hartimin e protokolleve të
përshtatshme për identifikimin, gërmimin dhe zhvarrimin e të zhdukurve në
diktaturë, në vendekzekutimet e raportuara”. Autoriteti nuk ka asnjë tagër
për këtë çështje se i vetmi
autoritet shtetëror është Zyra e të Zhdukurve pranë Institutit të ish të
Përndjekurve Politikë. Nëse Autoriteti ka dëshirë të bëjë vullnetarisht
sekretarinë e kësaj zyre, kjo mund të vijë vetëm pas një liste detyrash
që kjo zyrë mund t’i ngarkojë atij. Kompetencat e prokurorisë janë të
bazuara në ligj dhe jo në takime apo me “marrëveshje” (këto Autoriteti i ka
si shfaqje tashmë). Roli i gjykatës apo prokurorisë është i përcaktuar nga
neni 200 i ligjit nr.7905, datë 21.3.1995 “Kodi i Procedurës Penale”, i
ndryshuar dhe ka të bëjë vetëm me ekspertizën ndaj një kufome të
identifikuar dhe varrosur pjesë e çështjes penale. Rastet
e personave që nuk u dihen eshtrat, nuk janë të ngjashme me parashikimet e
nenit 200 të kodit në fjalë. “Vendekzekutime të raportuara” këta u thonë
muhabeteve që kanë dëgjuar nga të tjerët. Për çdo rast, autoriteti
përgjegjës është ai që administron territorin, pushteti vendor apo qeveria. Le
që kot është kjo punë. Foton e realizuan. Sigurisht duke mos u grindur për
protagonizëm siç bënë në Burrel, ku
deshën të dukeshin pjesë e grupit ndërinstitucional.
Se
këta shokët e Autoritetit si duket nuk kanë të qartë as atë shtesën
ligjore të nenit 22/1 që i bënë ligjit të tyre. Aty theksohet
bashkëpunimi (për informacion) me institucione të tjera dhe jo marrja e rolit
të udhëheqësisë në një proces që është tagër i Zyrës së të
Zhdukurve. Sigurisht e panevojshme si shtesë, sepse organet shtetërore e
kanë të detyrueshme bashkëpunimin mes tyre në çfarëdo rrethane dhe për çfarëdolloj çështjeje. Por
Autoriteti nuk ka as çfarë të
bashkëpunojë, se nuk zotëron asnjë informacion që lidhet me skema varrimi apo
vende ekzekutimi sepse organet e Sigurimit të Shtetit nuk e kanë pasur një
kompetencë të tillë.