E premte, 29.03.2024, 12:45 PM (GMT)

Kulturë

Agron Tufa: Basti

E premte, 23.10.2020, 07:48 PM


BASTI

Nga Agron Tufa

31 dhjetor 1947. Në oborrin e komandës së Kampit shëtisin të zëna përkrahu dy pallto të reja sovjetike me rreth një metër katrorë kapele: janë komandant Tasi Marko dhe komisari i sapoardhur.

Është pasidte e vonë dhe sapo kam marrë shërbimin. Qielli plumb premton dëborë, ndërsa altoparlanti jep këngë e marrshe partizane. Atmosferë festive në mbarim të kësaj dite. Në dyert e kampit hyn rreshti me të burgosur.

- Kush është ai gorrilla që spikat midis të tjerëve? - pyet komisari, duke shenjuar me gisht nga mesi i rreshtit.

- Kush mo, ai që ngrihet si kullë vrojtimi? Paulin e quajnë reaksionarin, - thotë komandanti dhe më jep urdhër t’ua sjell pranë.

- Ngjatjeta! – përshëndet Paulini i gjatë e i hollë, si klithmë.

Nuk i përgjigjen. E këqyrin duke i shëtitur sytë lart-poshtë, poshtë-lart... Gjatë.

Komisari e shoqëron mahninë e tij me një fërshëllimë të zgjatur. Paulini ndjehet ligësht. Me një buzagaz naiv, thotë:

- Pse po m’kqyrni ashtu, komandanta? A mos po doni me m’pre ndoj kostum?

- Pikërisht..., - nëpërdhëmb e qesh nën hundë, i përhumbur, Tasi Marko, - por na thuaj: sa i gjatë je ti, more zullap?

- Paj, 2 metër e 10 m’ka falë prindja...

- Si thua, shkoku komisar, - iu drejtua atij Tasi, - e gëdhin gjallë të nesërmen ky palla, nëse e lidhim sonte te gorrica në fund të oborrit?

- E gdhin, e gdhin! - tha duke tundur kokën bindshëm ai.

- Unë them se ngordh... Temperaturat sonte shkojnë nën 35 gradë.

- Eh, ti s’ke luftuar me ta në janarin e vitit 1945. Nuk ia ke haberin, se çfarë race rezistente janë këta malokë!

- E vëmë me bast, - sfidon Tasi.

- Me se?

- Një arkë me shishe “Kinzmaraul”.

- Vera që pëlqen gjeneralisim Stalini?

- Është gjeorgjiane. Kanë sjellë sa të duash në Korçë.

- Qepalla! – shtriu dorën Tasi Marko.

Katër ushtarë e lidhin pas gorrice Paulinin. Ai vazhdon me vikatë:

“Mos lojni me jetë teme komandanta!”.

Ata i kthyen shpinën dhe hynë në zyrat e katit të dytë ku bubullinte soba dhe ku po shtrohej gostia. Vetëm kur u ndërruan vitet ata e hapën kanatin e dritares për të parë dëborën e dendur që binte dhe, me atë rast, ngritën gotat në drejtim të gorricës. Nuk tringëllinte më zinxhiri. Paulini qe shtrirë i mundur në tokën e ngrirë. Kur dorëzova turnin, atë e pati mbuluar dëbora krejt.

- Gjej një mundësi mos e ndihmon, - i thashë ushtarit që më zëvendësoi. - Natën komanda fle, - shtova nëpër dhëmbë.

- Nuk guxoj, - tha. – Lë gjurmë në dëborë... E di ti se ç’më pret pastaj?

Të nesërmen, më 1 janar 1948, e mora shërbimin në orën 7.00. Pothuaj atë çast zbritën dhe Tasi Marko me komisarin. Përshkuan dëborën e virgjër deri te gorrica. Më thanë të zbuloj dunën e bardhë të dëborës mbi të. Komandant Tasi nxitoi i pari dhe konstatoi: këmbë të ngrira, duar të ngira, sy të mbyllur.

- Fitova komisar! Të thashë... e dija unë... Ka ngordhur!

Komisari tundi kokën me një pamje prej esnafi. Iu afrua, futi dorën nën jakën e pelixhes së lerosur të Paulinit dhe, pas një copë here, tha me një ton triumfal duke tundur kokën:

- Fitova unë, komandant! E ka mbrojtur dëbora!

Pastaj m’u drejtua thatë:

- Ushtar! Çoje në kapanon! E dua të gjallë!

Bashkë me tre ushtarë të tjerë e bartëm trupin e ngrirë.

Në kapanon e zhveshën dhe dhjetra trupa lakuriq të burgosurish iu mbivendosën me radhë si kompresa të ngrohta. Shpëtoi, por nuk mundi të ngrihej më në këmbë. Nuk vonoi dhe, si çorape të zeza, iu vesh gjymtyrëve të tij gangrena. Brenda muajit e sollën nga spitali i Korçës.

Në karrocë invalidi.

Me këmbë të sharruara.

Dhe Paulini tashmë, nuk ishte shtatlartë...

Nga libri "Kur këndonin gjelat e tretë", Onufri 2019



(Vota: 2 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora