E merkure, 24.04.2024, 03:51 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

Si e boshatisën Çamërinë bandat e kriminelit Zerva

E hene, 17.11.2008, 09:00 PM


Filati i Camerise i braktisur
Nga Hajredin ISUFI

 

Largimi i çamëve për t'i shpëtuar terrorit të bandave zerviste, filloi. Të pushtuar nga tmerri, ata linin pas shtëpitë e djegura, kufomat e të afërmve të pavarrosur. Rruga e tërheqjes për banorët e krahinës së Pargës, Margëlliçit e Gumenicës, për në kufirin shqiptar, ishte Gumenicë- Kastri-Rai-Kalama-Smertë e që të çonte drejt e në kufirin shqiptar. Në shumë fshatra shqiptare, që ishin më pranë kufirit, ata hezitonin të lëviznin më në thellësi të vendit, me shpresën se mund të ndryshonte gjendja dhe të mos e merrnin kalvarin e dhimbshëm dhe tragjik të emigrimit. Dëshmi nga shpërngulja e dhunshme e çamëve Në këto momente të vështira për popullsinë myslimane çame, sipas dokumenteve arkivore e dëshmitarëve të mbetur nga masakra, spikat një mbështetje e fuqishme e bashkëkombësve të krishterë në mbrojtje të tyre. Strati Vrisi, nga fshati Grikohor, arriti menjëherë në fshatin Rëzanj, tek vëllami i tij Xheviz Isufi, që dikur i ishte gjendur në ditë të vështira. I propozoi që Xhevizi me familjen e tij të shkonte për strehim tek familja e Strati Vrisit, që në atë kohë ishte në Janinë. Xhevizi e falënderoi dhe i shprehu mirënjohjen e tij të thellë, por shtoi se nuk mund të ndahej nga të afërmit dhe bashkëfshatarët e tij.

 

Stratiu, duke parë hezitimin e mikut të tij për t'u shpërngulur për në Janinë, i propozoi që të largohej menjëherë nga fshati e të ndiqte rrugën që kishin nisur bashkëkombësit e tij drejt Shqipërisë, duke ia bërë të qartë se sapo të pushtohej vendi nga forcat e Zervës, çdo familje shqiptare rrezikohej të zhdukej. Ndërkohë u përhap lajmi ndër çamët e rrethit të familjes së Selfo Muhos nga fshati Dolan, se në shtëpinë e tij kishte shkuar vëllami i krishterë nga Pjadhuli dhe e kishte paralajmëruar që të nisej një orë e më parë, se jeta e çdo çami rrezikohej nga forcat zerviste, që kishin marshuar drejt Çamërisë. Shihej qartë se situata tepër e tensionuar, që ishte krijuar në këtë kohë në Çamëri, kishte bërë që asnjë i krishterë, sado dashamirës që të ishte me myslimanin, nuk kishte mundësi t'i garantonte jetën, apo ta merrte në mbrojtje në shtëpinë e tij.

 

Rreth kësaj situate, që shpreh dashamirësinë e të krishterëve ndaj myslimanëve në ato vite, na jep të dhëna me interes historiani Jani Sarras. Në një nga veprat e tij, ai ndër të tjera shkruan se në Kastrizë jetonin dy familje myslimane; e Lile Rustemit dhe e Hasan Sulçes, me kryefamiljarë të vdekur. "Ata kishin qenë në marrëdhënie mjaft miqësore me bashkëfshatarët e tyre të krishterë. Ata i donin dhe i respektonin të krishterët pa paragjykime fetare, pa hipokrizi. Djali i LileRustemit, Rexhepi, dhe pjesëtarja tjetër e familjes, Mineja, ashtu si i ati i tyre, nuk nguronin të shfaqnin dashurinë dhe respektin për të krishterët. Gjatë pushtimit të vendit, Rexhepi mbajti një qëndrim tepër korrekt. Ai çdo lajm të keq që mësonte për ndonjë veprim, që do të ndërmerrej ndaj të krishterëve nga fashistët, i lajmëronte menjëherë të krishterët, që të merrnin masa mbrojtëse. Rexhepi, që e ndjente veten shumë të pastër si edhe të parët e tij, kishin shkuar me të krishterët si vëllai me vëllanë, prandaj kur emigruan çamët, ai nuk luajti nga fshati i tij. Ai me të vëllanë Arifin, 14 vjeç, të shoqen Hanon, dy djemtë e tij: Rustemin 4 vjeç dhe Lilen 9 muajsh, si dhe Hasani me të bijën e tij Minen, që kishin një djalë, Skënderin 3 vjeçdhe ishte shtatzanë njëmuajshe, qëndruan në shtëpinë e tyre në Kastrizë. Personalisht, shkruan Sarras, duke qenë se nuk kisha mundësi t`i merrja në mbrojtje, kur më pyetën sesi të vepronin: të qëndronin apo të largoheshin, u thashë që të iknin, por ato vendosën të mos lëviznin(J.Sarras, vep. e përm. f.670-671). Autori vazhdon më tej: "Kur hynë edeistët në fshatin Kastri, Rexhepi ishte strehuar në shtëpinë e bashkëfshatarit të krishterë Miho Petro. Ditën e parë forcat zerviste nuk e prekën, por të nesërmen shkuan dhe e thërritën gjoja për ta marrë në pyetje dhe prej andej e shpunë në Shkallën e Manoles, ku e vranë bashkë me të vëllanë e tij. Ndërkohë edeistët, me familjen e pambrojtur të Rexhepit, filluan të silleshin në mënyrë çnjerëzore. Ata i përdorën të tri gratë e asaj familjeje për të kënaqur instiktet e tyre shtazarake dhe pasi i përdhunuan, i masakruan së bashku me fëmijët e tyre të mitur( J.Sarras, po aty).

 

Çamët e krishterë, strehë për të mbijetuarit myslimanë

 

Në vazhdim të fakteve që flasin për dashurinë dhe respektin reciprok që kishin dy komunitetet në Çamëri dhe dhembjen që ndjenë ata të krishterë të ndershëm për vrasjet, plaçkitjet e fshatrave e shtëpive të myslimanëve, që po e kthenin Çamërinë në një shkretëtirë të vërtetë, arkivat dhe dëshmitë veçojnë dhe aktin e lartë të fisit të madh e të respektuar të Vrisëve nga Grikohori. ...Hizdar Ahmeti i përket një familjeje të njohur çame nga myslimanë e të krishterë në Grikohor dhe në të gjithë Çamërinë, si derë e madhe dhe njeri fisnik e me besë. Kur nisën shpërnguljet e familjeve çame nga trojet e tyre, ai dhe të afërmit e tij, vendosën të kalojnë në Shqipëri nëpërmjet Janinës, si një rrugë që paraqiste më pak rreziqe nga bandat greke. Në Janinë ai ra në kontakt edhe me shumë të krishterë të zonës së Çamërisë, që ishin strehuarkohët e fundit në Janinë.

 

Aty takoi edhe bashkëfshatarin e tij Strati Vrisin, me familjen e të cilit e lidhte një miqësi e vjetër. Ata të dy kalonin orë të tëra bashkë në kafenetë e Janinës dhe bisedonin për kaosin, që kishte përfshirë Çamërinë dhe gjithë Greqinë. Një natë, (sipas dëshmive të të mbijetuarit Hizdar Ahmeti), erdhi një i krishterë në shtëpinë dhe në emër te Strati Vrisit, më ftonte në një darkë, ku sipas fjalëve të tij, ishin edhe miq të tjerë të krishterë nga fshatrat e Çamërisë që i njihja dhe më njihnin. Më tej ai rrëfen: "Vendosa të shkoja me kënaqësi. Prisja të nisesha rreth orës 20. Ndërkohë që çami nga Grikohori qëndronte në shtëpinë e tij, shkon Eleni, e shoqja e Strati Vrisit dhe i thotë Hizdar Ahmetit: "Aga! Ke të fala shumë nga Stratiu. Sonte mos lëviz nga shtëpia ti dhe të afërmit e tu, se kundër jush është përgatitur një plan i keq që rrezikon jetë njerëzish". Qëndrimi i Strati Vrisit dhe përpjekja e tij për të shpëtuar myslimanët, nuk ishte rasti i vetëm. Kështu hoxha i fshatit Kuç me të afërmit e tij që ishin larguar në Janinë, kur kishte filluar dhuna e terrori grek në Çamëri, u morën në mbrojtje nga të krishterët dhe më pas, kur u qetësua gjendja, u kthyen në fshatin Kuç… Kështu, sipas arkivave e dëshmive të të mbijetuarve, edhe në fshatin Mavrudh, i krishteri Gaqo Sholiu, shpëtoi nga thonjtë e vdekjes Nusret Sulon nga fshati Shulash, si dhe shumë familje të tjera myslimane në fshatin Lopës, që më pas u stabilizuan në Sajadhë, ku jetojnë edhe sot.

 

Si shpëtuan të krishterët familjen e njohur Gerra të Çamërisë

 

Tahir Gërra nga Vrohonai, ishte një derë e madhe patriotike. Njeri nga pjesëtarët e fisit të tij, Veli Gerra, ishte delegate i Çamërisë në Kuvendin historik të Vlorës, që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 Nëntor 1912. Familja e Gerrave ishte edhe pronare e madhe tokash në Pllataredhe në Vris. Tahir Gërra, kur bashkë me çamët e tjerë mori rrugën e emigrimit për në Shqipëri, ka treguar një episod, që meriton të vihet në dukje. Ai në atë kohë ishte një burrë i moshuar, që i kishte kaluar të shtatëdhjetat. Kështu plakun e mençur dhe të mirë Tahir Gërra, ndërsa largohej duke lënë pas Vrohonain e tij të dashur, krahas pafuqisë që ndiente në atë rrugëtim të dhembshëm dhe pasurisë së madhe, që i linte pas, e brengoste edhe diçka tjetër e madhe. Herë-herë kërkonte të ndalej dhe duke u ulur, kthente kokën pas. Buza i dridhej dhe sytë i përloteshin. Pas mbetej si ëndërr Vrohonai, varret e të parëve. Por pas mbeteshin edhe miqtë e tij të krishterë. "O Zot! O Zot, - pëshpëriste me vete plaku. Ç`është kjo hata! Mallkuar qofshin ata që na bënë këtë gjëmë!

 

Mallkuar qoftë ai Zervë qeni! Edhe në varr mos pastë derman !"- pëshpëriste ai gjatë gjithë rrugëtimit dhe më vonë. Dhe pjesëtarët e familjes Gërra, pas dekadash, tregojnë se kur ishin larguar nga shtëpitë e tyre, tërë gjënë e pasurinë ia kishin lënë në përkujdesje e në kujdestari mikut të tyre të krishterë Kozma Zoit, nga fshati Vris. Kur familja e Tahir Gërrës gjendej në fshatin Spatar, bashkë me shumë familje çame, Kozmai ishte nisur nga Vrisi me dy vetë të fisit të tij, për të takuar e parë Tahir Gërrën dhe familjen e tij kudo që të ishin. Ai i gjeti në fshatin Spatar, nën një tendë të madhe të sajuar të një çadre. "Na gjeti aty, na përqafoi si vëllai-vëllanë dhe derdhi lot dhembjeje, duke i thënë babait tim dhe neve sa ishim atje, burra gra, fëmijë. Na prishi lufta, or vëlla. Zoti na shpëtoftë ju dhe ne", - tregon Nuri Gerra, djali i Tahir Gerrës. Atë natë, tregon Nuriu, miku i shtëpisë sonë, i krishteri nga Vrisi, e gdhiu natën bashkë me ne, në atë çadër. Të nesërmen, kur gdhiu dita dhe miqtë e krishterë do të ndaheshin, Tahir Gërra, duke iu hedhur në qafë, i tha Kozma Zoit: "Kam marrë nga tufa e lopëve të mia 7-8 lopë me vete, për të ushqyer fëmijët rrugës, por tani e shoh që as unë jam për to dhe as ato për mua. Duan kullotë e përkujdesje, qënuk mund t`ua siguroj, prandaj me gjithë zemër merri me vete dhe i paç hallall"! Pastaj iu drejtua të birit, Ruhiut: "Merri lopët dhe silli t`i marrë Kozmai". Kozmai me njerëzit e tij dhe tufën e lopëve përpara, u kthye në Vris, ndërsa të nesërmen Tahir Gerra me fisin e tij kaloi kufirin. Fundviti '44.

 

Boshatiset Çamëria

 

Situata në Çamëri, pas largimit të popullsisë myslimane çame, u rëndua edhe më shumë. Po ashtu u ashpërsuan konfliktet, që çuan në luftime të ashpra mes forcave të ELAS-it (Forcat efektive dhe rezerviste të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare) dhe të EDES-it. Kulmin e tyre veprimet luftarake e patën në nëntor-dhjetor të vitit 1944. Vihej re se forcat e ELAS-it dita-ditës fitonin terren dhe fitorja anonte nga ato. Ndikimi i EAM-it (Fronti Nacionalçlirimtar i Greqisë), filloi të rritej në të gjithë zonën e Çamërisë dhe më tej. Gazeta londineze "Ekonomisti", më 22 dhjetor 1944, shkruante : "Tani duket qartë se EAM-i ka më shumë fuqi nga ajo që besonin. Në dhjetor të vitit 1944 Fronti Nacionalçlirimtar i EAM-it dhe forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare (ELAS), u futën në Çamëri dhe i detyruan forcat rezerviste të kalojnë në Korfuz. EAM-i festoi fitoren. Gumenica dhe rrethinat e saj kontrolloheshin nga EAM-i dhe forcat e ELAS-it. E megjithatë, sërish zotëronte përçarja e thellë politike. Popullsia e krishterë ishte ndarë në dy kampe kundërshtare: EAM dhe EDES. Në mes tyre kishte një armiqësi të hapur. Nga çasti në çast pritej shpërthimi i luftës civile. Ndërkohë midis EAM-it dhe qeverisë shqiptare kishin filluar negociata për kthimin e çamëve, pa vënë në dijeni Komitetin Antifashist Çam.( H.I.Musa Demi .Qëndresa çame 1800- 1947, Tiranë, 2003, f.264). Shumë kryefamiljarë çamë merrnin rrugën për të shkuar në Çamëri pa familje, me qëllim që të shikonin gjendjen dhe më pas, të vendosnin ose jo për të shkuar me pjesëtarët e familjes. Një ndër ata çamër që mori rrugën nga Konispoli për të shkuar në fshatin Vris, ishte edhe Tahir Gërra, me dy-tre anëtarë të fisit të tij. Ata, pas një udhe të gjatë në këmbë, arritën në Vris dhe trokitën drejt e në shtëpinë e mikut të familjes së tyre, Kozma Zoit. Këta ishin të parët çamër, që ktheheshin në fshatin e tyre. Kozma Zoi i priti me gëzim të madh dhe iu uroi mirëseardhjen. Atë natë ndenjën pothuaj gjithë natën duke biseduar në mes tyre myslimanët e sapokthyer dhe shumë të krishterë bashkëfshatarë. Ndërkohë miqtë dhe dashamirësit nga fshati Vris i sollën Kozma Zoit disa lajme të trishtuara. Fjala ishte për disa elementë të krishterë jo vendës, që ishin instaluar rishtazi në pronat e myslimanëve, po përgatitnin kurthin për të vrarë Tahir Gërrën dhe shoqëruesit e tij. Kozma Zoi nuk e prishi gjakun dhe bashkë me miqtë çamër, doli në qendër të fshatit Vris dhe me anën e njerëzve të tij hapi fjalën në fshat: "Kushdo që do të guxojë të trazojë miqtë e tij myslimanë, do të përballet për jetë a vdekje me tërë rrethin tim. Ata janë në besën time dhe do të kthehen shëndoshë e mirë në familjet e tyre, ashtu siç erdhën". Tahir Gërra, pas dy ditë qëndrimi në Vris, vendosi të kthehej në familjen e tij në Konispol. Këtë vendim ia tha edhe pritësit të krishterë. Kur u nis Tahiri për rrugë, Kozma Zoi i tha: "Mik e vëlla! Erdhe vetëm tek miku yt, por në kthim do të shoqëroj unë me të mitë, sepse situata në Çamëri është shumë e trazuar nga elementët e pandërgjegjshëm e keqbërës". Tahir Gërra u përcoll i shoqëruar nga Kozma Zoi dhe katër kushërinjtë e tij të armatosur, derisa kaluan në kufirin shqiptar. Para se të ndaheshin, pinë edhe nga një cigare të dredhur dhe Kozmai i tregoi planet djallëzore, që ishin kurdisur kundër tyre dhe që e detyruan t'i përcillte ata deri në kufi të zonës ku kishin familjet e tyre.

 

UNRRA, ndihma për të mbijetuarit came

 

Që nga momentet e para të shpërnguljes së dhunshme të çamëve nga trojet e tyre autoktone drejt Shqipërisë, masakra çnjerëzore u bë objekt i sensibilizimit e ndërhyrjes së Komunitetit Ndërkombëtar. Njëkohësisht, sipas dokumenteve arkivore, qeveria shqiptare bashkëpunoi me UNRRA-n dhe nisën zbatimin e projektit për ushqimin e të mbijetuarve çamë të vendosur nëpër kampe. Qindra të pastrehë që kishin humbur njerëzit e tyre të shtrenjtë në këtë shpërngulje të dhunshme kërcënoheshin dhe nga uria. Kështu, plani i ndihmës ushqimore, ndonëse kishte filluar prej muajsh, u institucionalizua me nënshkrimin e marrëveshjes midis shtetit shqiptar dhe UNRRA-s. Ja dëshmia arkivore për këtë fakt: "Më 3 shtator 1945, në një takim që pati "Komiteti Çam" i përfaqësuar nga kryetari Musa Demi, me Misionin e UNRRA-s në Shqipëri, z.Oeklay Hill dhe përfaqësues të shtetit shqiptar, u kërkua që të caktohej një kontingjent i veçantë ndihmash për popullsinë çame në Shqipëri... Por në atë takim u përcaktua se ndihmat për çamët do të përfshiheshin në fondin e dhënë për Shqipërinë dhe jo si kontingjent i veçantë. (Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RPSH, Dosja 59/10, viti 1945).

 

Shpejt, sipas dokumenteve arkivore, nis dhe ardhja e ndihmave ushqimore. Më 25 shtator 1945, komuniteti i nisi një telegram edhe kryetarit të UNRRA-s, ku i theksonte se ndihmat ishin urgjente e jetike, (Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RPSH, Dosja 59/10, po aty). Më 23 shtator 1945, drejtues të UNRRA-s të kryesuar nga Peder Floyd Elis nisen nga Tirana për në Vlorë, për të parë situatën e rënduar të refugjatëve çamë. Më 28 shtator 1945 zbarkon në Durrës me ndihma ushqimore vapori "Zena", (Burimi: Arkivat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të RPSH, Dosje 59/14, viti 1945, faqe 42). Ndihma të tjera në ushqime e veshmbathje u sollën edhe më pas për refugjatët çamë, por me gjithë mbështetjen e Qeverisë Shqiptare e solidaritetit të popullit për vëllezërit e ardhur, përsëri problemi i çamëve mbeti një problem tepër i mprehtë dhe me pasoja të shumta.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora