E premte, 19.04.2024, 05:57 AM (GMT+1)

Mendime

Andon Dede: “Mirësevini Zoti Marshall!”

E merkure, 21.10.2020, 09:41 PM


“Mirësevini Zoti Marshall!”

Nga Andon Dede

Një “Plan i ri Marshall”, - kështu u vlerësua nga ekspertët amerikanë marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, nga Serbia dhe Kosova, pasi Shtetet e Bashkuara po investojnë plot 13 miliard dollarë, shumë që nuk ishte parë që pas Luftës së Dytë Botërore.

Dy javë pas paktit të ndërmjetësuar nga presidenti Trump, një delegacion amerikan vizitoi Kosovën. Duke folur për investimet amerikane, Grenell tha se projektet infrastrukturore dhe ekonomike janë provë e përkushtimit të presidentit Trump ndaj rajonit. “Nuk do të ishim këtu po të mos ishte presidenti Trump. Pas marrëveshjes, presidenti na mblodhi dhe na tha: “Tani duhet të shkoni ta zbatoni atë që u nënshkrua në Uashington”, tha Grenell.

Pas përfundimit të takimit me liderët e Kosovës, Grenell foli për mediat. “Përshëndetje nga presidenti Trump. Jam këtu bashkë me shumë kolegë. E shikoni këtë prapa meje? Ai është njeriu i parave. Ai e ka sjellë një çek të madh. Në fakt, ende jo, por do ta sjellë” – tha Grenell duke iu referuar Adam Boehler, Shef Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të SHBA-ve. “Çfarë ne dëshirojmë të bëjmë është që të zbatojmë me përpikëri zotimet. Duam që t’i tregojmë popullit të Kosovës se do të punojmë për zhvillimin e tij ekonomik”.

Si në Prishtinë edhe në Beograd, më i gëzuar apo dhe më i kënaqur për marrëveshjen në fjalë, dukej Grenell, madje ai as nuk përpiqej ta fshihte entuziazmin. Veçanërisht kjo ra në sy gjatë një darke në Beograd, me presidentin dhe kryeministren e Serbisë, duke kënduar këngë tradicionale amerikane. Logjika më elementare, me që është fjala për një marrëveshje dypalëshe, do të kërkonte që nderohej jo vetëm mysafiri, por dhe vetë pjesëmarrësit, veçanërisht Kosova, për njëqind arsye, që nuk po përmend këtu. Por, euforia e mysafirit as që linte shteg  për protokolle të atilla.

As që do të ndalesha aq shumë te kronikat e kësaj marrëvesheje, nëse ato nuk do të më sillnin në mendje    një film spanjoll, të viteve ’50, të shekullit të kaluar, që më ka lënë mbresa të pashlyeshme sa që kujtohet me detaje, si ta kisha parë dje.

*  *    *

Mirësevini Zoti Marshall!”  (Spanjisht: “¡Bienvenido, Mister Marshall!”).

Është një film-komedi, e vitit 1953, me regjizor Luis García Berlanga dhe konsiderohet si një nga kryeveprat e kinemasë spanjolle. Filmi fitoi çmimin ndërkombëtar për komedinë më të mirë, në Festivalin në Kanë, më 1953. Në vitin 1996, Akademia Spanjolle e Filmit e cilësoi atë si filmi i pestë më i mirë spanjoll i të gjitha kohërave.

Regjizori Berlanga, përmes këtij filmi, nxjerr në pah stereotipet e trashëguara nga spanjollët e amerikanët në lidhje me kulturat e njeri-tjetrit dhe njëkohësisht nuk i kursen  kritikat sociale të Spanjës Frankiste të viteve ’50, të shekullit të kaluar.

Filmi tregon për një fshat apo qytet të vogël  kastilian, Villar del Rio, tipik spanjoll; me banorë po aq tipikë: pjesa më e madhe e popullsisë janë fshatarë, një prift, një kryetar dhe një hidalgo. Kryetari i moshuar dhe paksa i shurdhër, Don Pablo, është i alarmuar, pas një vizite të përfaqësuesi të Qeverisë lokale, i cili i thotë atij se amerikanët janë përgjegjës për shpërndarjen e fondeve të Planit Marshall. Ata do të kalojnë nëpër fshat, prandaj, duhet bërë ç’është e mundur që të lënë  përshtypjet më të mira, duke filluar me rrugët, shtëpitë e vetë veshjet e banorëve. I inkurajuar nga Manolo Moran, që ka qënë dhe vetë në Boston, ai pretendon se e di se çfarë iu pëlqen më shumë amerikanëve. Fshatarët nuk i kursejnë parat, në përpjekjet e ethëshme për t'iu shprehur mysafirëve mirëpritjen më të mirë që mund të imagjinohet. Ata besojnë se, sa më gjatë që të qëndrojnë amerikanët në fshat, aq më shumë para do të lënë atje dhe, për pasojë, fshatarët mund të blejnë çdo gjithë që do të dëshironin ndonjëherë. Megjithëse fshati është në Castilje, ata veshin rroba andaluziane për të gjithë, sepse, sipas Manolios, pikërisht kjo është ajo që amerikanët duan të shohin në Spanjë. Rregulluan dhe ri-dekoruan plotësisht rrugë të reja, me fasada, lule, konfeta e të tjera. Improvizuan gjithashtu një ceremoni të hollësishme të mirëseardhjes, të kompletuar me sfilatë, orkestër, këngë dhe vallëzime.

Më në fund, erdhi dhe dita e shumëpritur e vizitës së amerikanëve. Por, ndërsa i gjithë qyteti mezi po priste për të demonstruar përgatitjet e shumta që kishin bërë vendasit, autokolona amerikane shpejtoi nëpër fshat pa u ndalur?!. Vendasit s’po iu besonin syve... Të zgjënjyer sa më s’ka, atyre nuk iu mbetej gjë tjetër veç të hiqnin dekoratat dhe të paguanin shpenzimet personale me paret e veta...

Në vendin tonë, filmi u shfaq mbas disa vjetësh dhe u prit shumë mirë, si nga spektatorët dhe gazetarët që shkruan për të. Edhe pse nga shfaqja e filmit ka kaluar më shumë se gjysmë shekulli, siç thashë dhe më lart, mbresat për të më kujtohen si t’i shihja dje. Njerëzit gajaseshin nga të qeshurit.

*   *   *

Këto shënime për marrëveshjen e mësipërme apo dhe për filmin që përmendëm më parë, mund t’i mbyllja edhe këtu, si epilog i gjithë kronikave për sa folëm më lart. Por, m’u duk me interes që të kthehem pak në kohë, për më tepër që është fjala persona publikë që lidhen direkt me zhvillimet e Ballkanit Perëndimor.

Para disa kohësh, Sekretari Amerikan i Shtetit, Pompeo, emëroi Zëvendës-ndihmës-sekretarin e Shtetit, Matthew Palmer, si të dërguarin Special për Ballkanin dhe zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë, gjë që u vlerësua si një lëvizje e matur e politikës së jashtme amerikane dhe kthim i vëmendjes së saj në Ballkan. Për më tepër, zoti Palmer vlerësohet si një njohës i mirë i Ballkanit dhe me një eksperiencë të konsiderueshme me problemet e këtij rajoni. Nga ai pritej ndihmë në zgjidhjen e çështjeve shumë të ndërlikuara në këtë rajon.

Dikur, diplomati amerikan ka punuar në ambasadën e vendit të tij në Serbi. Aty e ka njohur edhe Danica Damjanovic me të cilën është martuar më pas. Kaq mjaftoi që të bëhej lajm si shkak i origjinës së bashkëshortes së tij. Ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq, që njihet edhe si hokatar, ka qenë përkrah Palmerit gjatë një takimi të shefave të diplomacisë ballkanike në Bled të Sllovenisë, ku i është drejtuar zyrtarit të lartë amerikan me shprehjen e njohur në këtë anë: “ne themi jam nga fshati i gruas”. “Kur bëhet fjalë për Matthew, ne e njohim njëri-tjetrin për shumë vite dhe nuk pres asgjë nga ai, por më shumë nga gruaja e tij, e cila ka prejardhje nga ky rajon”, -  deklaroi Daçiç, teksa ky deklarim i tij shkaktoi të qeshura te të pranishmit në sallë.

Mediat serbe kanë rikujtuar intervistën që Palmer pat dhënë kohë më parë për shtypin e këtij vendi. “Ju thoni: “Nuk mbajmë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë.”- tha Palmeri. Por, ndryshe nga sa deklaroi në intervistë, vëzhguesit tërhoqën vëmendjen se ai nuk rresht së dhëni mesazhe të këqia që kur ka filluar të merret seriozisht me Ballkanin. “Dhëndëri” shihet si pjesë e një aleance të natyrshme. Por, Palmeri shihet edhe si një person që është përzier në punët e brendshme të Serbisë dhe Kosovës, me rastin e krijimit të qeverisë, e thuhet madje se e ka mbështetur Partinë Përparimtare të Vuçiqit.

Gjatë një vizite në Mal të Zi ai e pat quajtur republikën e vogël, ku mbretëroi prej tre dekadash Gjukanoviçi, si vendin më të suksesshëm multietnik të rajonit.

Pa ardhur akoma në vendin tonë, disa nga analistët tanë, mezi po prisnin deklaratat e tij, sidomos për shkeljet e vazhdueshme të kreu-rinindasit tonë, meqënë se ishin para zgjedhjeve. Veçanërisht, një nga analisitët tanë, që njihet si më entuziasti, shprehej me superlavita: ”Ja, të shihni se ç’ka për të bërë ai, “buldozer” e më tej akoma… Ata nuk janë  legenë, si këta tanët…“ - tha ai, duke kujtuar “buldozerin” e parë që nxorri protestuesit nga çadra.

Por, ndryshe nga ç’prisnin, i dërguari posaçëm, zoti Palmer, ua preu shkurt: “Nuk kam përgatitur për këto probleme…”, duke i lënë me gisht në gojë tërë ata që po prisnin. Në vend të takimit me zyrtarë, ai zhvilloi një bisedë të ngrohtë më studentë të Gazetarsisë. Mos të harrojmë se opinioni amerikan e njeh Matthew Palmerin, në radhë të parë, si shkrimtar.

Më pas, Palmeri, nuk i ka kursyer opinionet e veta pozitive dhe për qeveritarët tanë, duke nxitur votuesit të marrin pjesë në zgjedhjet moniste, paçka se Kryetari i Shtetit tonë kishte dekretuar datë tjetër.

Në fjalën e tij në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos, zoti Palmer i ka cilësuar të forta themelet e demokracisë në Shqipëri, kurse zgjedhjet i ka vlerësuar të lira. Duke i quajtur të tilla, përmes “Zërin të Amerikës”, ai, si të ishte kryetar Shteti, lëshoi fermanin: “Të zgjedhurit duhet të lejohen të fillojnë detyrën dhe të qeverisin”.
           Mund të zgjateshim edhe më tej me diplomatin,  shkrimtarin dhe dhëndërin, tashmë të njohur por, pa ezauruar akoma bëmat e tij, na erdhi radha e një diplomati tjetër dhe pikërisht ai që do ta zëvendësojë Palmerin. Është fala për ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, që është emëruar si emisar i presidentit të SHBA-së, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me të cilin filluam edhe shënimet e sotme.

Një emërim i tillë ka ngjallur habi tek shumë ekspertë e ish-diplomatë, pasi vetëm pak ditë më parë, Sekretari Amerikan, Pompeo, kishte emëruar Palmerin në të njëjtin pozicion.  Në shumë veta qarkullon mendimi se Trumpi e ka emëruar Grenell-in meqenëse ka besim shumë të madh në të, ndërsa Palmerin nuk e konsideron si njeri të afërt apo  pjesë e rrethit të ngushtë të Presidentit. Ilustrimin më të qartë, për gjithë sa po flasim, e bëri vetë e Shtëpia e Bardhë, me Marrëveshjen e nënshkruar nën kujdestarinë direkte të Trumpit.

Pas epilogut që vumë në krye dhe prologut që e lamë  në fund, çdo koment do të qe i tepërt.

New York, 20 tetor 2020



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora