E enjte, 28.03.2024, 10:22 AM (GMT)

Shtesë » Historia

Fundviti 1940, përgjakja masive e popullsisë çame

E marte, 18.11.2008, 12:05 PM


Filati i Camerise i braktisur
Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me lashtësinë e popullsisë çame në trojet e veta, përpjekjet për mbijetesë, përballjen me represionin shoven, mbylljen e shkollave shqipe, si dhe pjesëmarrjen aktive në luftë kundër pushtuesve.

 

Cili ishte Kristo Pituli

 

Për të përligjur shtypjen e popullsisë çame në trojet autoktone, në zbatim të skenarit të shpërnguljes së plotë të tyre, qarqet greke, krahas dhunës shtetërore direkte, investonin përçarjen midis fiseve e deri në nxitjen e armiqësive me komunitetet e tjera. Por çamët fisnikë ia arritën të përballojnë dhe këtë lloj represioni, duke pasur mbështetje e përkrahje, kryesisht tek vllehët. Një prej tyre ka qenë dhe legjenda Kristo Pituli.

 

Ai rridhte nga një familje e madhe dhe fisnike vllahe. Në vitin 1920, Dhimo Pituli me të katër djemtë e tij, Dhimon, Kriston, Thomanen dhe Dinon, u vendosën në qytezën e vogël të Gumenicës. Pitulenjtë ishin blegtorë të mëdhenj, me tufa të mëdha dhensh, që arrinin në dhjetëra dhe mijëra kokë, si dhe qindra mushka e kuaj. Pitulenjtë sapo u vendosën në Gumenicë, krijuan marrëdhënie të mira e korrekte me myslimanët vendas dhe nisën dalëngadalë të instaloheshin në territoret, që blinin nga myslimanët. Shitblerja e tokave, ashtu si në vendet e tjera ballkanike, ishte mjaft e përhapur edhe në krahinën e Çamërisë. Pitulenjtë, fillimisht hynë në marrëveshje me Hamid Beun e Grikohorit, një pronar i madh tokash, ca të trashëguara dhe ca të dhuruara nga Perandoria Osmane, për shërbimet që kishin kryer të parët e tij në Perandorinë Osmane. Pituli, bleu sipërfaqe të mëdha pronash si brenda në qytetin e Gumenicës, ashtu dhe në rrethinat e saj, madje edhe hapësira fushash, kullotash e livadhesh në Margëlliç, Luarat etj. Pas vitit 1924 e në vazhdim, një pjesë e mirë e pronarëve çamër myslimanë nga presionet greke, kërkonte të shiste tokat e të shkonte në Turqi, në një kohë që presioni i qeverisë greke për shpërnguljen etnike të çamëve myslimanë dhe shpronësimin e tyre rritej dita-ditës.

 

Nga ana tjetër Pitulenjtë, që kishin filluar blerje pronash në Çamëri para viteve '20, filluan të akuzoheshin pa të drejtë si "grabitës" të pronave të çamëve e që me përkrahjen e qeverisë greke realizonin synimet e tyre. Nga të dhënat krejtësisht pa baza reale e të vërteta historike, por vetëm një fushatë propagandistike në kuadrin e fushatës së pastrimit etnik, që kishte ndërmarrë qeveria greke kundër çamëve myslimanë për t'i shpërngulur nga trojet e tyre, në kuadrin e shkëmbimit të popullsisë greko-turke...

 

Kujtim Boriçi

 

Ekskluzive/ Në vazhdim, nga studiuesi Hajredin Isufi jepen dëshmi e dokumente arkivore lidhur me lashtësinë e popullsisë çame në trojet e veta, përpjekjet për mbijetesë, përballjen me represionin shoven, mbylljen e shkollave shqipe, si dhe pjesëmarrjen aktive në luftë kundër pushtuesve.

 

Fundviti 1940, përgjakja masive e popullsisë çame

 

Nga Hajredin Isufi

 

Qëndresa dhe pjesëmarrja aktive në luftë kundër pushtuesve grekë në fundvitin 1940 për popullsinë çame, nuk do të ndryshonte skenarin helen për zaptimin e trojeve e shpërnguljen e dhunshme.

 

28 tetor 1940, fillimi i luftës

 

Italia sulmin e parë e drejtoi me artileri të rëndë kundër Filatit, në paraditen e 28 tetorit 1940. Kjo bëri që administrata lokale e qytetit, Komanda e Xhandarmërisë greke dhe arkivat e administratës, me ndihmën e çamëve nisin t'i largojnë nga qyteti për në vende ku ishin vendosur forcat greke të rezistencës, kryesisht ne rrethinat e qytetit të Paramithisë. Ndërkohë po atë ditë, Zambeta, komandanti i Xhandarmërisë së Filatit dhe postkomanda të tjera në Çamëri, kishin marrë urdhër që të arrestonin në çdo qendër të Çamërisë e fshat mysliman, parinë më të përzgjedhur të shqiptarëve çamë, (Jani Sarras, "Istoria tis periohis Igumenitsis 1500-1950", Athinë, 1985).

 

Ky veprim i Metaksait ishte një tjetër gabim i rëndë, që u pasua nga veprime të gjithfarëllojshme e të pakuptimta. Arrestimet e parisë çame, së pari, filluan në Filat dhe menjëherë u pasuan në të gjithë rajonin e Çamërisë. Të arrestuarit e parë, sipas arkivave shqiptare dhe greke (konsultuar vitet e fundit) nga paria e Çamërisë, ishin figura të njohur si antifashistët, si Musa Demi, Shuaip Metja, Myftiu i Filatit, Mehmet Zeqirjai, Sako Braho, Samet Murati, Shaban Demi, Gali Xhaferri etj. Të gjithë këta ishin nga Filati. Po kështu në Paramithi, nga fisi i Pronjatëve u arrestua dhe tregtari Hajredin Mergjyshi, Omer Murati, Qazim Reçi, Agim Reçi; në Gumenicë arrestuan Bido Dulen, në Grikohor, Ahmet Muhon, Mahmut Male etj. Kështu u veprua me parinë e fshatin Varfanj, Margëlliç, Volë, Arpicë, Karbunar, Skopjone etj.

 

Komandanti i Divizionit të VII-të të Epirit, gjeneral Kaçimitro, pyeti në një rast çamërit e mobilizuar për punë, por të paarmatosur, kur kishte filluar Lufta Italo-Greke, nëse ata do të bashkëpunonin me ushtrinë greke në luftë për të mbrojtur vendin. Çamët e mobilizuar, njëzëri dhe me vetëdije të plotë, iu përgjigjën se ishin gati të luftonin kundër armikut të përbashkët.

 

Çamët, përsëri përballë dinakërisë greke

 

Referuar dokumenteve arkivore të AQSH, të shteteve të ndryshme europiane, përfshirë dhe atyre greke (të cilave do u referohemi në vazhdim), pohimet që u përhapën në atë kohë nga qarqe të caktuara greke e që kanë ardhur deri në ditët tona, nëpërmjet shkrimeve të papërgjegjshme greke në librat e shkrimet e tyre, për bashkëpunimin e çamëve me pushtuesin, shtrembërojnë në mënyrë flagrante të vërtetat historike.

 

Në këtë përfundim ka arritur edhe historiani grek, Niko Ziagkos (Zhanga), kur nënvizon: "Sikur shqiptarët çamë të ishin vrasës e kriminelë, do të ishin të zhdukur gjithë fshatrat e krishtere të Çamërisë, që ishin rreth fshatrave myslimanë", ( Niko G.Ziagkos, Anglikos..., Vëll.I, f.146).

 

Por grekët u hakmorën barbarisht, duke masakruar qindra çamë të pafajshëm. Arkivat shqiptare kanë mjaft dëshmi që e faktojnë këtë. Ja një prej tyre: " Ky qëndrim objektiv nuk ka asgjë të përbashkët me deklaratat publike të Stavridhit, oficer i Xhandarmërisë së Filatit, që në korrik të vitit 1940 i rrihte shqiptarët në mes të pazarit të Filatit, duke i akuzuar si agjentë të italianëve dhe i kërcënonte se nuk do të linte këmbë çami të gjallë", (AMPJ, Tiranë, dosja nr.42, viti 1944, f.87).

 

Akuzat dhe motivet e arrestimit të parisë çame, bien ndesh me traditën historike të çamëve dhe besnikërinë që treguan ata në mbrojtje të krishterëve, si dhe renditjen e qindra djemve çamë në Luftën Antifashiste.

 

Kështu, Muharrem Demi, Petri Musa Demi, Dervish Dajaka, Mustafa Dauti, Qamil Izeti, Ismail Hamiti, Gani Demi, Taho Sejkon, Teme Sejkon, Hilmi Seitin, Tahir Demin, Vehip Demin, Heroin e Popullit, Ali Demi, dëshmorin Bido Sejko etj., u inkuadruan që në fillim në batalionin miks (greko-shqiptar).

 

Vllehët në mbështetje të çamëve

 

Sipas dëshmive dhe dokumenteve arkivore, opinioni i shëndoshë grek e ai minoritar, që i njihte nga afër çamët, nuk pajtohej as me qëndrimet e qeverisë dhe të administratës lokale për veprimet e dhunshme që kishte filluar ndaj çamëve, as me shpifjet dhe akuzat pa bazë që hidheshin në adresë të shqiptarëve. Përkundër, vllehët ishin përkrah tyre në qëndresë. Një ndër figurat më të njohura vllehe në Gumenicë, që ishte i njohur e kishte emër të mirë në të gjithë Çamërinë e më tej, ishte Kristo Pituli. Ai, protestoi kundër qeveritarëve lokalë për gjuetinë e shtrigave që kishte ndërmarrë kundër çamëve të pafajshëm.

 

Në arkiva, nga Pitulët janë dhe shumë foto-dëshmi të kohës, mbi 100-vjeçare. Në njërën prej tyre paraqitet një grup luftëtarësh shqiptarë dhe vllahë në një marshim që i prin vllahu plak, Dhimo Pituli, i veshur me kostumin karakteristik të një arhondi vllah. Përmbajtja historike e kësaj fotografie

 

"Fotografia i takon fillimit të shekullit XX, afërsisht viteve 1902-1903. Në atë kohë Pitulenjtë ishin një fis i madh, me emër dhe me besë. Ata kishin tufa të mëdha bagëtish dhe shumë miq myslimanë e të krishterë në krahinën e Korçës, në Kolonjë e Leskovik, në Konispol, Delvinë, në Përmet dhe në të gjithë hapësirën çame. Dhimua, ishte i pari i fisit të Pitulenjve. Ai i kishte kaluar të 60-at, por ishte tepër i fuqishëm dhe energjik. Ai kishte krijuar lidhje të hershme jo vetëm me parinë e krahinave që përmendëm, por edhe me njerëzit e thjeshtë. Ai i mbante dhe i respektonte miqtë dhe kjo kishte bërë që të gëzonte besimin dhe respektin e të gjithë atyre që e kishin njohur. Ai ishte në lidhje të vazhdueshme me shqiptarët agallarë, se prej tyre blinte çdo vit kullotat për të dimëruar tufat e bagëtive, kur zbrisnin në vjeshtë nga malet", (marrë nga ASH, publikuar në "Çamëria", H.I. fq.129).

 

Pitulët, Dhimo Pitulit e djemtë e tij, në veçanti, që zënë një vend të nderuar në historinë e luftërave ballkanike përkrah forcave kryengritëse shqiptarë. kundër sundimit osman, si dhe lidhjet e kahershme të tyre me shqiptarët.

 

Pushtimi i Gumenicës e vrasja e Kristo Pitulit

 

Pushtimi i Gumenicës nga pushtuesit u shoqërua me veprime barbare. Qytetit iu vu zjarri dhe dyqanet e të krishterëve, kryesisht të Kristo Pitulit, po shkrumbëzoheshin me ç'kishin brenda. Këto veprime barbare revoltuan elementin e shëndoshë mysliman të fshatit Grikohor e për pasojë, Hizder Ahmeti me disa bashkëfshatarë të tij. si Hamid Mero, Sadik Beqiri e dhjetëra të tjera, arritën në qytet duke dhënë alarmin se flaka po përpinte dyqanet e myslimanëve. Komanda italiane dhe Hazis Çami, përballë presionit të çamëve dhe duke mos qenë në gjendje të dallonin se cilët ishin në të vërtetë dyqanet e të krishterëve, urdhëruan të ndalej djegia e qytetit. Falë ndërhyrjes së Hizder Ahmetit, u bë e mundur të shpëtojnë shumë dyqane të pronarëve të krishterë.

 

Djegia e Gumenicës, u përhap menjëherë në të gjithë Çamërinë dhe sapo Kristo Pituli e mësoi këtë, u nis nga Peshtani për të ardhur në qytet. së bashku me nipin e tij, Vasil Pitulin. Pa mbërritur në fshat, Kristua me të nipin, Vasil, arrestohet nga forcat fashiste dhe nga disa elementë çamë, që ishin rekrutuar nga Skënder Çami dhe Hazis Çami dhe me pranga në duar, dërgohet në fshatin Grikohor, që Haziz Çami e kishte kthyer qendër të Komandës Italiane. Si seli e kësaj baze ishte bërë godina e fabrikës së vajit të Ahmet Muhos, një mik i vjetër i Hazis Çamit.

 

Arrestimi i Kristo Pitulit dhe nipit të tij, Vasil Pituli, u prit me zemërim nga myslimanët shqiptarë në Grikohor. Fill pas këtij lajmi të kobshëm, Hizder Ahmeti me disa bashkëfshatarë të tij, arriti në qendrën e Komandës Italiane dhe i kërkoi Hazis Çamit lirimin e tyre. Përpjekja e tij ishte e kotë dhe pa asnjë shpresë. Në këto rrethana ai mendoi një plan tjetër: ta merrte me lejen e komandës, qoftë edhe për një natë në shtëpi, Kriston me të nipin dhe ta përcillte për në zonat e lira. Hizdar Ahmeti, lidhur me këtë ka pohuar: "Ishin kohëra të vështira. Njerëzit me emër të Çamërisë ishin internuar dhe ndonjëri që kishte mbetur, ishte bërë e mundur falë përpjekjeve të shumta të Kristo Pitulit. Në këtë kohë, në Çamëri ligjin e bënin njerëzit e pandërgjegjshëm", (Dëshmi, libri "Çamëria", faqe 141). Edhe në këto situata të rënda, Hizdar Ahmeti tregon se bëri shumë përpjekje tek Haziz Çami për ta marrë Kriston në shtëpinë e tij me leje kthimi, por hasi në kundërshtim të prerë. Më pas Ahmet Muho ndërhyri tek Hazis Çami dhe Hizdra e mori me leje Kriston për një natë në shtëpinë e tij. Ai, me të arritur në shtëpi, ia tregoi Kristos planin që kishte bërë: ta largonte në drejtim të Peshtanit me njerëzit e vet dhe kur puna të kishte përfunduar plotësisht, të hapte lajmin se Kristua me të nipin ishin arratisur natën pa dijeninë e Hizdar Ahmetit.

 

Kristo Pituli e dëgjoi me vëmendje planin që kishte bërë miku i tij mysliman për ta shpëtuar dhe pasi e falënderoi me përzemërsi e mirënjohje, i tha Hizdar Ahmetit: "Hizdar, je agai i Grikohorit, një njeri me emër në të gjithë kazanë, i njohur për nder e besë. Unë kurrë nuk do të pranoj që ty të krijoj vështirësi e telashe me këta që na kanë zënë derën…Unë do të kthehem atje ku më more. Nuk kam frikë nga vdekja dhe nuk dua të më quajnë frikacak, po të arratisem", (Arkiva, nga "Çamëria", po aty).

 

Kristo Pituli kthehet në qendër të komandës dhe pas disa orësh, më 8 nëntor 1940, ekzekutohet nga Hazis Çami e pasuesit e tij, jashtë fshatit të Grikohorit, pranë bregut të detit. Aktin e shëmtuar të vrasjes së Kristo Pitulit, në shenjë mirënjohje e respekti popullsia çame e shprehu në një këngë, e cila këndohet edhe sot...

 

Vrasja makabër në Picar të Filatit

 

Operacionet që ndërmorën forcat greke, i detyruan italianët të tërhiqeshin më 17 nëntor 1940, duke lënë pas gjurmë të thella të invazionit barbar: vrasje, djegie, shkatërrime dhe përçarje. Në kohën kur Çamëria ishte në prag të çlirimit të plotë nga pushtimi fashist dhe tërheqjes së tyre drejt Konispolit, të ndjekur këmba-këmbës nga forcat greke, qeveria greke ndërmori një valë të re terrori e dhune kundër popullsisë shqiptare myslimane në Çamëri. U internuan në masë të gjithë meshkujt çamë nga mosha 17-vjeç e sipër, deri edhe pleqtë 70-vjeçarë. Ata u internuan nëpër kampet e ishujve grekë.

 

Edhe pse çamët ishin aktivë në luftën kundër pushtuesit, persekucioni grek vazhdonte skenarin për eliminimin pasuror e fizik të shqiptarëve të Çamërisë, mbështetur e shoqëruar me një propagandë të egër nacionaliste, etnike e fetare.

 

...Mes dhjetëra episodeve tragjike e të dhembshme të dokumentuara në arkiva, veçojmë një prej tyre, atë të fshatit Picar të Filatit, një fshat i madh shqiptar i banuar kryesisht nga myslimanë shqiptarë. Krejt pa shkak, kapet një ditë hoxha i fshatit dhe bashkëfshatari i tij, Omer Dema, e me katër të shtëna ekzekutohen në mes të ditës në periferi të Picarit. Rreshteri, Spiro Kustiqi, i togës së dytë të një njësiti grek, në librin e tij "Kujtimet e një ushtari 1940-1941", që e botoi në vitin 1944, shkruan:

 

"Kapteri Lianopuoli me ushtarin Kosta Hajrudhi nga Pleshovica, shoqëruan hoxhën me një shqiptar tjetër nga Picari dhe i vranë me urdhër të nënkolonelit nën akuzën "për veprimtari antigreke". Ata u akuzuan se kishin shkelur ikonat e kishave dhe flamurin grek".

 

Më pas, vetë burimet greke shkruajnë se dy nga ata që u vranë, nuk kishin asgjë të përbashkët me akuzat që u ishin veshur, por ishin njerëz të ndershëm dhe dashamirës të krishterëve.

 

"...Hoxha u vra, vetëm e vetëm se ishte një klerik mysliman, ndërsa Omer Dema u ekzekutua për ambicie personale, që kishte një i krishterë kundër tij. Shkelja e ikonave dhe e flamurit grek ishte një trillim... Përkundrazi, që të dy (myslimanët) ishin njerëz të mençur dhe ushqenin ndjenja dashamirësie për të krishterët", ( J.Sarras, vep.e përm., f.630).

 

Vrasjet e çamëve të pafajshëm vazhduan: në fshatin Ledhëz, në vendin e quajtur "Vigleza" në një kodër të fshatit, ushtarët grekë vrasin dy udhëtarë nga fshati Mazrrek, që shkonin për në shtëpinë e tyre, (J.Sarras, po aty).

 

Është koha që në Çamëri u shkallëzuan veprime të pashembullta të dhunës dhe grabitjet kundër shqiptarëve. Shembull domethënës i terrorizmit grek, është vrasja e vëllait të Bido Dules, Idrizit, bashkë me të dy djemtë e tij, njeri 25 dhe tjetri 22-vjeç. Para se ta vrisnin, xhelatët detyruan Idrizin të hapte një gropë të përbashkët për djemtë e masakruar para syve të tij. Ndërkohë edhe në fshatin Grikohor vranë Avdi Mazen dhe Jaho Idrizin. Padrejtësitë dhe dhuna kundër myslimanëve vazhduan në forma të ndryshme. Myslimanët që përjetonin dramën e terrorit u drejtoheshin xhelatëve: "Pse na vrisni, çish u bëmë"?

 

Ndërkohë të krishterët ishin vërsulur në fshatrat myslimane dhe grabisnin çdo gjë në shtëpitë dhe pronat e myslimanëve. "Disa të krishterë të pandërgjegjshëm, - shkruan historiani grek, Jani Sarras,- lojtën menç. Grabitjet e shtëpive, grabitjet e kafshëve bëheshin hapur, si dhe përdhunimet e vajzave dhe të grave me emër të familjeve çame. Shumica e këtyre aktorëve kriminelë,- vijon më tej autori,- prej vitesh kanë vdekur. Ata të paktën që jetojnë do t'i kujtojnë ato ngjarje të shëmtuara dhe do t'i vrasë ndërgjegjja e do pendohen për këto ngjarje, që bëheshin nën bekimin e shtetit, (J. Sarras, vep. e përm., f.631-132).



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora