E premte, 19.04.2024, 11:05 PM (GMT+1)

Mendime

Xhemal Ahmeti: Harraçi i heshtjes ndaj islamikëve

E merkure, 21.10.2020, 09:42 PM


Harraçi i heshtjes ndaj islamikëve

Shkruan: Xhemal Ahmeti

Me islamik – brenda diskursit kompetent – shenjohet individi që vepron në kuadër të aspiratave politike që luftojnë për instalimin e sistemit shtetëror të bazuar në sharia’t. Islamikët që veprojnë brenda kulturosferës shqiptare ndahen në dy kategori kryesore: 1. Në ata që besojnë në teopolitikën e Erdoganit, e cila thotë se islami, me ndihmën e Turqisë, do të determinojë nesër rendin global. Tepolitikë, e cila në veprime është më racionale se në deklarata dhe punon për dominimin e nacionalizmit turk mbi ish sferat e perandorisë osmane. Religjioni në këtë kontekst është mjeti dhe 2. Në ata që besojnë se herdokurrë do të triumfojë ideologjia e IS-isit mbi ideologjinë neoliberale euro-amerikane dhe se shqiptarët për shkak të përkatësisë fetare (shumicë) duhet të rreshtohen në këtë vijë.

Mbi 98% e grupeve dhe individëve të analizuar viteve të fundit veprojnë në kuadër të islamizmit erdoganesk. Prandaj i ëndrrojnë edhe kombet e tyre (sidomos atë kosovar) sipas formatit të nacionalizmit turk e në kuadër të pannacionalizmit osman (si kundërpeshë përballë atij pansllav), i cili poashtu është konstruksion i ri i historisë për nga gjeneza dhe trashëgimia kulturore.

Të dyja grupet përdorin myslimanët shqiptarë si armatë rrugës për realizimin e planeve të tyre. Me mysliman – brenda diskursit kompetent – shenjohet njeriu religjioz, i cili kultivon besimin në Zot si të drejtë personale dhe njerëzore të tij pa qenë misionar apo ushtar i ideologjive të shumta politike jashtëkuranore.

II.

Sa masive janë këto grupe? Për shkak të ligjeve ende të bazuara mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut dhe kushtetutave si imitatio të atyre perendimore si dhe proceseve gjyqësore kundër «shefave» të tyre, grupet e llojit veprojnë së fundi me kujdesin maksimal. Kështuqë është rëndë t’i numërosh të gjithë.

Një ndihmë në këtë drejtim e ofrojnë ndodhitë singulare, të cilat i nxjerrin prej takti, i bëjnë të pakontrollueshëm si në rastin me lajmin rreth prerjes së kokës së një mësuesi francez nga një terrorist çeçen ose nëse i provokon qëllimshëm me postime që i prekin në tel që ti të mbledhësh materiale për analizë nga inboxi dhe metoda tjera hulumtimi efektiv.

Menjëherë pas botimit të lajmit, pesë orë më vonë, në profilin e Facebook-ut të gazetave si «Koha Ditore» dhe tjerat (pa i llogaritur këtu faqet religjioze dhe ato proturke) u bënë mbi 1000 komente në përkrahje të çeçenit, reagime, të cilat sollën në pah reagues që premtonin se do ta kishin bërë të njejtën edhe në Kosovë, Shqipëri e në veçanti në Maqedoni.

Këto deklarata (të cilat analizohen nga gjitha shërbimet e mundshme, kështu siç bëjmë ne) mirëpo janë më pak interesante për analizën në krahasim me rrjetin që këto paraqitje të pakontrollueshme (është në vetë natyrën e dinamikës së masave kjo veti) vetëshpalojnë duke eksponuar hartën vepruese, liderët, ideologët, partitë, imamët e kësaj lëvizjeje tashmë masive ideologjike brenda kultursoferës shqiptare.

Gjatë analizës së këtyre profileve, duke kërkuar elementët e përbashkët, ato më frekuentët e më prezentët që militantët glorifikojnë e ripropagandojnë zbulon edhe fundamentalistin më subtil, organizatat, xhamitë, partinë që disponon me këto elemente dhe kupton se pse shumica absolute e mediave dhe intelektualëve e heshtin këtë zhvillim.

III.

Po, pse heshtën dhe heshtin pra shumica absolute e opinionbërësve shqiptare, mediat, partitë dhe shteti? Pse heshtin ta zëmë ministritë më të sulmuara nga këto grupe si ajo e Arsimit, Kulturës, ajo e Mbrojtjes dhe sigurisë sikur mos të ekzistonte dukuria fare?

Heshtën para se të ikin 400 veta në Siri (ose më të zëshëm ishin ata që i mbronin e sot janë në politikë); heshtin edhe sot kur masa e kësaj ideologjie është më e madhe se FSK (dhe brenda saj është në numër) dhe kur universiteteve më shumë predikohet ideologjia ekstreme fetare se matematika ose gazetaria për të cilat marrin edhe diplomat? Heshtin se konsiderojnë problemin inekzistent?

Heshtin ngase flirtojnë me metodat dhe rrugën e fundamentalistëve apo heshtin ngase janë frikacakë dhe shohin ëndrra qëtash duke ua prerë kokën Lavdrimët e shumtë fqinj? Këtë aktualisht nuk do ta marrim vesh. Ose duhet analizuar edhe këta për të parë se ç’na del më shumë përveç korruptimit të shumëve nga shoqatat dhe shërbimet turke, që i financojnë ose i përkrahin për tu përkthyer në turqishte, arabisht e andejpari.

Pse media të mëdha e të caktuara bëjnë sikur nuk ekziston ky problem? Ngase i kanë redaksitë përplotë me ëndrrimtarë pro botës islame të modelit turk? Apo edhe këta janë poaq frikakcak si ata që u japin diplomat? Po shtetet? Eh, këto kanë hyrë thellë nën kontrollin e Erdoganit dhe mezi lëvrisin kokën.

IV.

Ku i sjell shqiptarët kjo rrugë? Do ta shohim më vonë këtë punë, nëse ia dalin këto grupe aktive që nga 2008. Aktualisht diagnoza kufizohet vetëm në këto segmente: antisemitizmi, urrejtja ndaj perëndimit, gatishmëria për të imituar çeçenin e Parisit janë edhe më në kulm dhe më të rrezikshme (se subtile, të maskuara) se gjatë rekrutimit të njerëzve për në Siri. Institucionet e arsimit më shumë bëjnë namaz – të tipit islamik – se sa veprojnë kundër fenomenit. OJQ-të e «deradikalizimit» ose kanë harxhuar paret e subvencioneve ose i hanë ato dhe gëzohen me heshtjen që s’bën presion duke kërkuar rezultatet.

Dy mundësi spekulative mund të merren parasysh rreth kësaj heshtjeje:

– Elitat, shteti dhe partitë vërtetë besojnë se duhet shkuar me bllokun e prirë nga Erdogani e jo të insistohet për në BE-në refuzuese dhe diskriminuese karshi shqiptarëve (BE e ndihmon këtë rrugë më shumë se gjitha shërbimet ruse, serbe, turke bashkë) ose

– Këta besojnë se me heshtjen ndaj tërbimit të radikalizmit do të bindin masat se myslimanizmi nuk është gjellë që duhet ta hanë shqiptarët si identitet kulturor dhe se ai do vyshket a shuhet me vullnetin e shumicave e jo nëpërmjet ligjeve rigoroze të shtetit ligjor.

Të dyja këto mundësi [spekulative] janë fatale. E para është tragjike kur kihet parasysh se «Bota e Erdoganit» e përtej është ende një botë mizore sa i përket lirisë individuale, lulëzimit të tiranive, shkeljes brutale gjinore, varfërisë totale për shkak të sistemeve politike ku sundon shariati (a nuk ishte ky sistemi më i drejti në botë), analfabetizmit (mbi 80% të aanalfabetizmit botëror gjenden në vendet me sisteme islamike) e tjera në këtë drejtim.

Apo pikërisht këtë e duan shqiptarët si skllav të përjetshëm se s’mund të jetojnë pa diktaturë dhe pas komunizmit islamizmi del si shans i mirë? E dyta – eksperimenti reth demyslimanizimit – është fatale ngase shqiptarët gjenden ende në luftën për ndërtimin e shteteve të tyre si dhe etablimin e të drejtave dhe lirive si kulturë në vendet ku s’kanë shtetin e vetë.

Të eksperimntosh në këtë fazë me idiotizma të tilla donë të thotë se nuk ke lidhjen as minimale me fuqinë e religjioneve; donë të thotë të mos kesh lidhje me atë çka ndodhë në perëndim (shtetet për çdo radikalizohen në mbrojte të vlerave të tyre perëndimore); donë të thotë t’i katapultosh shqiptarët sërish në duar të turqve dhe sllavëve, të cilët, si për shembull të fundit, vetëm në islamizimin dhe tëhuajësimin e shqiptarëve shohin shpëtimin e tyre demografik për shkak të morbiditetit të lartë e natalitetit zhdukës (Vuçiç).

Njejtë si të parët, miqtë e tyre turq atëbotë pra, të cilët dikur besonin se vetëm me shqiptarë të deportuar nga Jugosllavitë të mbushin Anadollin me popull dhe të krijojnë balancën e nevojshme kundër kurdëve shumicë – por ende të pazgjuar nacionalisht.

V.

Me këtë zhvillim të brendshëm shqiptar dhe me këtë zhvillim të politikave perëndimore karshi Turqisë, Iranit dhe Rusisë do të rezultojë vetëm një përfundim që diplomacia perëndimore nuk e thotë: Ata janë të bindur se shqiptarët kanë rrëshqitur thellë në drejtim të ideologjive që përfaqëson triniteti lindor i aksës Rusi–Turqi–Iran.

Jo vetëm si qeveri e në qeveri të shteteve përreth, por më shumë si shoqëri. Dhe janë këto që kërkojnë viza e jo qeveritarët me pasaporta diplomatike. Kësaj gjendjeje – që perëndimi të mbetet i bindur në këtë gjykim – i ndihmon heshtja masive e mediave ose zhurma masive e tyre në prezantim e sipër të kulturës dhe politikës stoike turke.

Partitë tashmë, shumica e tyre ia kanë siguruar madje vetes edhe ca me uniforma të shkollave radikale për të demonstruar profilin e tyre prolindor. Elitat siç thamë njëra palë është frikacake e tjetra beson në udhën e radikalëve.

Korrupsioni është vërtetë fatkeqësia e shteteve shqiptare, mirëpo më pak ai që në ballë ka valutën e euros e shumë më shumë ky që në zyra, oda e shkolla mban portretin e Hashim Thaçit, Rugovës apo Veselit, por në frymë si akrep ka farkuar atë të Osama Bin Ladenit, Erdoganit apo Homeinit, ashtu siç edhe oi pagëzojnë en masë fëmijët e tyre aktualisht.

Në luftë heroi i një shoqërie kap pushkën për ta fituar lirinë e tij, në paqe ai kap fjalën dhe vepron politikisht për ta mbrojtur atë liri që fitoi me luftë.  Siç duket shumica absolute e sotme që popullon institucionet, shtetin, mediat, shkollat si në luftë ashtu në paqe janë të kategorisë që: i veshin dimijat pët t’i bërë gostinë sa më përulëse ushtarit të parë të huaj që u hynë në shtëpi. Duhet kontrolluar edhe njëherë mirë e përpiktë listën e veteranëve.

Marrë nga https://www.gazetaexpress.com/



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora