Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Rrecaj: Jeta po na shkon

| E marte, 20.10.2020, 06:21 PM |


Jeta po na shkon

Nga Blerim Rrecaj

E kemi veç një jetë në këtë botë. Dhe kjo po na shkon për faqe... Për çfarë? Për faqe të kuqe si molla në degë. Ose për faqe të portokalltë si mandarinë në rremb. Faqe për faqe, fletë për fletë, sa për... Sidoqoftë po ec.

E ne po moshohemi. Po lodhemi. A ja nise përsëri ti, a? Pse jo? Ndonëse...veç sa për të kaluar paksa kohën, siç përgjigjesh në ftesën e ndokujt. E një të njohuri. E një të... Tu paska dhënë sot, t'i lësh fjalitë në gjysmë. Sidoqoftë jeta shkon e vazhdon. Si kjo ndejë e turbullt. Me karrike që na mbajnë ne e që ua hedhim supeve xhaketat tona dhe që mbajnë nga një maskë në xhep, që do na duhen sapo të dalim përjashta. Ndeja të reja me llafe të ... Përsëri... shoqëruar me kafe, çaj e ëmbëlsira. Ndërkohë vjeshta endet udhëve, herë e vetmuar, herë bashkë me ne. Qysh e thotë edhe kanga e Genc Salihut: "Rrekju rrugëve, vynë me dalë, me u çu, Vjeshtën m’e nxanë e m’e shkundë..." Dalim e takojmë stinën paradimërore në shoqërinë e ca punëve që tejzgjaten pa farë arsyetimi, mbi të cilat shkelim e shkojmë. Ja, këto pllaka trotuari, që të lënë shije të hidhur dhe fjalia në të cilën pajtohemi është: kështu nuk punohet. Diku pak më tej ndeshemi me punime të tilla e njëri nga punëtorët hedh pllakat mbi gurët e bardhë edhe duke parë në telefonin e tij, e i cili s'ka faj. Ai sikurse ne sikur e di se janë ka punojnë veç sa për me u pa. Pa inspektorë e kontrollorë mbi krye. Qe sa kohë e dimë e jemi mësuar, se ata ku duhet të jenë mungojnë...

Plus(a minus, pikëpyetje a pikëçuditëse) përsëri po përmenden zgjedhjet e reja, që mbasi janë të parat në epokën e pandemisë, s'kanë si të mos jenë historike, ndonëse historike më duken këto çkapuritje, që do ta meritonin çmimin Nobel a atë të Ginisit për tejzgjatshmëri.

Vazhdojmë nëpër krye-qytetin e prashitur, me punët që do të duhej të ishin kryer qëmoti dhe në të cilat do të duhej që të mbetej vend vetëm për riparime sipas nevojës e jo arnime të përvitshme, me gërmime, gërryerje e ç'krryerje që ngjajnë me pantollona të shqyer e të shlyer e qe besa po vishen me të madhe nga një pjesë të rinjësh. Uh, çfarë krahasimi. I bezdisshëm, a...? Më duket që ishim duke folur për tallava punime. Po...

Një mur i llamarintë që është ngritur së fundmi, për krijime parkingjesh. Dalshin për mirë e për mbarë. E nuk e dimë a do ta zbusin paksa kaosin. Ta bëjnë pambuk, thuaj. Pambuk sheqeri të shkrirë, si kjo shtëllungë e tillë reje në duart e këtij fëmije.

Po flitet edhe për sistem nëntokësor kablosh elektrike, e vende-vende po duken gjurmët e punimeve të tilla. Kur jemi te to, s'kemi si të mos e përmendim edhe një heqje të njëres prej shtylles elektrike të lagjes sonë. Punë që zgjati nja dy-tre muaj. Shtylla u hoq, puna ende s'është kryer, ende ka mbetur rëra e palarguar ende nga aty, edhe gropa që është betonuar, nuk është mbuluar e gjitha. Një fotografi do ta dëshmonte këtë që folëm, po kujt do t'i drejtohej, e kush do ta dëgjonte këtë dëshmitare të heshtur? Një drithërimë e një rrëqethje të kaplon e kalon...Ta lëmë edhe këtë, ta lëmë, pasi pritjet tona s'po kanë fund.

Jemi edhe në pritjet të ndonjë vale të re koronavirusi, përsëri një valë e re shkarkimesh e ngarkimesh, një valë e re lojërash. Kurrë s'po mbarojnë temat e mëdha. Veç po kqyrim seri serialet që s'mbarojnë, e veç kur të dëgjojmë e shohin ikjen e ndonjë prokurori që do të interesohet se kah sa është shitur një ari i tokës flori të Kosovës. Hajgare po bën a? Po, me veten, ndonëse edhe në këtë fushë, shpeshherë s'po mund të përqëndrohem. S'po mund të...koncentrohem. Tash pak më mirë me disponim. Pasi jam ulur në një verandë kafeneje. Pranë një pishe. E duke u rrezitur nën këtë diell vjeshtak që siç duket po më furnizon me vitaminë D. Dita ecën. Papritur të vjen një copëz jete e kaluar, andej kah fëmijëria, kur ne fëmijët patëm marrë një aksion për t'u furnizuar në bodrum magazinën, furnizuesen e dyqanit familjar, duke marrë lëngje vendase me pipëza të "Erenik"-ut. E shoh veten si pjesëmarrës, ama organizatori mbetet i panjohur.

Kaq për këtë copë kujtimi. E kaq për këtë copë shkrimi, me ecejake e kaos koke e vjeshte të vitit njëzet-njëzet...