E marte, 16.04.2024, 11:24 PM (GMT+1)

Kulturë

Rexhep Shahu: Kam frikë nga nënshtrimi popullor ndaj udhëheqësit

E hene, 19.10.2020, 09:10 PM


KAM FRIKË NGA NËNSHTRIMI POPULLOR NDAJ UDHÊHEQËSIT

(Fragment nga libri im “Bisedë e përfytyruar me Havzi Nelën)

NGA REXHEP SHAHU

Sot më 20 shkurt 2019, Havzi, ti pate ditëlindjen. Sivjet do të ishe 85 vjeç.

Asnjë aktivitet shtetëror a shoqatëror s’u bë për ty në 85 vjetorin tënd.

Me 22 shkurt 2019, të premten, ora 11, do të promovojmë librin tënd, Shtatë Fletore, vepra jote e plotë me 5548 vargje. Si përgatitës e botues i librit dhe drejtues i Klubit të Poezisë, kam ftuar shkrimtarë dhe miq të tjerë.

Shteti dhe organizatat qeveritare e jo qeveritare, politike e jo politike, nuk bënë asgjë në 85 vjetorin tënd, nuk u kujtuan, nuk ka kujtesë për ty, (për disa të tjerë, të amnistuar nga qeveria rilindase e shkëlqësisë së tij z. Rama, u bënë aktivitete me zhurmë, tallava, me para…).

Me 20 shkurt është dita e shembjes së shtatores së Enver Hoxhës, ndaj të cilit ti e ke artikulue hapur urrjetjen.

I mbështjellë me trishtim shkova te Muzeu Historik Kombëtar ku ka çelë ekspozitën e tij “The Trump” me grafika të jashtëzakonshme piktori i mrekullueshëm Avni Delvina. Folëm për ekspozitën, për Kosovën dhe bëmë foto në ekspozitë me Avniun dhe me Ilir Myftiun. Pastaj,     tavolinën   e   përhershme   ku   vrasim bërrylat  dhe mprehim fjalët  në Bar  Kafe Luksi, në bodrumin  e  Bibliotekës  Kombëtare,    kujtuam  me Izet Durakun, Behar Gjokën dhe me Lazër Stanin. Ti nuk je i përshtatshëm për shtetin dhe levat e shtetit, ti je i papranueshëm, je rrebel, je rrevolucionar i pandreqshëm, vazhdon ende internimin tënd…

Me 20 shkurt është edhe 73 vjetori i pushkatimit të Anton Harapit, nga njerzit më të ditur që ka nxjerrë ky vend, një nga shqiptarët që e ka dashtë më shumë këtë vend.

U ngarkova shumë sot Havzi dhe po mendoja gjithë kohës se të përndjekurit politikë që dolën nga burgjet e diktaturës, besoj e lanë lirinë dhe administrimin e saj në duar të pista, në duar biznesmenësh dhe njerzish të pa realizuar në asgjë në jetën e tyre që për pasuri e pak emër, për pak dukje, për një copë zyrë, e shesin a e falin lirinë…

Ende sot e gjithë ditën ka më shumë liri e mundësi me fole në shtyp e media për diktatorin Hoxha, se sa për ty Havzi. Kanë filluar të mos e quajnë diktator. Kanë filluar të artikulojnë “arritjet e tij të jashtëzakonshme” dhe të mos guxojnë të përmendin krimet e tij, mungesën e lirisë, dhunën, vrasjet, burgjet, tmerret, frikën, urinë, mungesën e ushqimit. Rilindja ktheu Enverin, ku është ai s’mund të jesh ti Havzi.

Të shpallurit si disidentët më të mëdhej, apo pronarët e disidencës shqiptare, të antikomunizmës, të “luftës” kundër diktaturës e trashëgimisë së saj, janë nga Blloku komunist, bij të Bllokut, nipa, mbesa të Bllokut, viktima të Sulltanit të kuq që ai i ndëshkonte sa herë i kërcënohej pushteti, i ndëshkonte për hakmarrje primitive, për konjuktura, për t’u dhënë mësim të tjerëve, për të trembur të tjerët e jo se ishin kundër tij. Shumë nga këta janë kundër Enverit por kanë mbetur enverë… dhe përdoren sa herë duhen…

Edhe Enverë të vegjël dolën nga burgjet kur u shemb diktatura. Provuan t’i ngjanin Enverit. Disa sikur ishin urdhëruar t’i ngjanin ose ndryshe nuk do të jetonin… Provuan  t’i  ngjanin    çdo  gjë  dhe  u  shndërruan në  karikatura    shëmtuara  e  qesharake.  Viktimat ndonjëherë dashurojnë marrëzisht xhelatin. Antikomunistët e vertetë janë zbuar e mënjanuar nga jeta publike.

Antikomunistët realë, shtyllat e moralit tonë, heshtin se nuk dinë të lehin, as mundin të lehin. Në emër të tyre shpesh leh ndonjë zagar që i duket vetja herë ujk e herë tigër.

Për pasojë sot 28 vite pas shembjes apo rrëzimit të shtatores së diktatorit Hoxha në vend ka frikë.

Disa Enverë të vegjël, me krenari e shpallin përkrahjen për Enverin.

Ka një synim të qartë dhe që fatkeqësisht e lexoj, duan ta bëjnë më të mirë diktaturën se sa kohën pas saj. Mungesën  e  lirisë  dhe  mungesën  e  proteinave  për qytetarët, duan ta bëjnë më të mirë se sa kohën e demokracisë që është me mjaft probleme që ia shkakton frika, indiferenca vrasëse ndaj njëri -tjetrit, ndaj të ndryshmit dhe urrejtja e ndërsjelltë edhe nga pushteti që shpesh vërbohet në mërinë e hakmarrjen e tij.

Havzi sa po flas për indiferencën që vret dua të them se është më e dhunshme e përbuzëse indiferenca si masë ndëshkuese, si linçim e përbuzje. Kujtoj këtu se ndaj teje infiderenca ka qenë shëmbullore dhe është e tillë. Njerëz që kur u duhesh të marrin në shpinë, të lyejnë e të ngjyejnë, të lëpijnë, e përgjërohen për ty Havzi, janë indiferentë ndaj teje, u vjen edhe turp për ty në rrethana të tjera. U vjen ulje të vijnë të bëjne një foto me ty te busti yt i vogël e modest. Ti je i vogël Havzi, ata janë të mëdhej. Ata të duan veç për vete, të duan të harruar, të fshehtë, nuk të duan aty ku ti i mund, i vë për fundi, i zvogëlon. Kalojnë përditë afër teje, të shohin se nuk kanë si bëjnë ndryshe veçse të nxjerrin sytë më thonj dhe nuk ndalen të bëjnë një foto me ty, të përshëndesin bashkë me ty, t’i thonë opinionit se Kukësi e ka një krenari shtesë, një njeri që bëri qëndresë kur nuk ishte lehtë të bëje qëndresë, e ka një poet që e varën në litar. Nuk vijnë të ndalen tek ti Havzi se ata janë të mëdhej e ti i vogël, “bust mikroskopik”. Nuk vijnë dhe kështu të mjerët të dënojnë me indiferencë, me anashkalim, me shpërfillje. Se nuk u duhesh më të paduhurve që harrojnë se pleh harrimi do të bëhen një ditë ndërsa

ti nga piedestali ku je ngjitë do të jesh deshmitar i marrëzive e vogëlsive tona, ani se ty tashmë nuk të hyn asgjë në sy nga këto që të them unë. Dhe urrjetja e ndërsjelltë nga pushteti që shpesh vërbohet.

Synimi apo veprimet për ta bërë të mirë diktaturën kanë nisë me kohë. Presidenti i vendit, Bamir Topi, që të ka dekoruar ty Havzi Nela me titullin e lartë Nderi i Kombit, dy dekada pas ekzekutimit tënd me varje nga regjimi komunist, me po të njejtin titull të lartë, Nderi i Kombit, ka nderuar edhe kryetarin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë të vendit që ka marrë vendimin final për ekzekutimin tënd me varje në publik!!

Presidenti Alfred Moisiu dekoron me urdhërin e lartë Naim Frashëri i artë anëtaren e trupit gjykues të Kolegjit penal të Gjykatës së lartë që nënshkroi vendimin final për ekzekutimin tënd me varje!!

Pyes qiellin, a është normale kjo gjë, a është njerzore, a është fisnike, a është e fisme, e dinjitetshme, a është e moralshme së pari që të pranojnë këto dekorata të dekoruarit dhe së dyti, a janë normal nga mendtë e kresë presidentët e vendit tim që guxojnë t’u japin dekorata të tilla njerzve të tillë, që mund të kenë mijëra merita të shquara (!), por kanë edhe “meritën” e “shquar” se kanë firmosur dy vjet para shembjes së diktaturës komuniste ekzekutimin me varje në litar në publik të një Poeti. Nëse ata nuk e kanë ditë atëhere se i varuri ishte poet, graduesit e përfituesit e gradave më vonë e kanë mësuar se Poeti ishte poet, por gradat gradëdhënësit i kanë dhënë dhe gradëmarrësit i kanë marrë…

Më thuaj Havzi se e kam gabim, të lutem më thuaj, ose

më thuaj plas Rexhep si kripa në zjarr të plastë zoti. Kur ndodh kështu në Presidencën e vendit…

Nëse në diktaturë edhe po të flisje kundër përfundoje në burg, edhe po të thoje se buka është jo e mirë, apo se nuk ka presh në treg, përfundoje në burg, sot nuk ka burg për këto gjëra por ka dëbim nga puna, ka presion nga strukturat shtetërore, linçim, ka ndëshkime të tjera, por jo me burgime dhe rrënime fatesh kolektive e fisnore të një familje e gjithë zinxhirit të saj për shkak të një individi. Sot mund të të elemijojë mafia, që dje ishte shteti i diktaturës, por nuk të eleminon shteti në burgje, pasi besohet se ende nuk e ka mundë plotësisht mafia shtetin…

Shkurt i dashur Havzi, ka filluar të bëhet më i mirë Enveri dhe komunizmi. Sa herë qeveris e majta në Shqipëri ka më shumë liri për Enverin e enverizmin.

E gjitha besoj për shkak të urrejtjes së mbjellë ndër ne, urrejtjes kundër njëri – tjetrit, urrejtje që e kemi dhe gjejmë afër dhe e kemi mbjellë në mendjet tona. Dashurinë e kërkojmë larg.

Jemi shndërruar dalëngadalë në fabrika apo kombinate urrejtje Havzi, që prodhojmë urrejtje e mëri, mospranim, kundërshtim, poshtrim të tjetrit. Jemi shndrruar si individë në minifabrika apo punishte primitive urrejtje që ecim dhe prodhojmë urrejtje pa pushim…

Urrejmë, vetëm urrejmë dhe duket se urrejtja është buka dhe uji pa të cilat nuk jetojmë dot. Nuk e besojmë se si mund të mos urrehet tjetri. Se nuk i besojmë dashurisë. Ndoshta ngaqë dashuria është më e vështirë. Se dashuria të detyron me falë. Me falë është hyjnore, por ne nuk e ruajtëm dot institucionin e faljes. Në urtësinë popullore falja është kurora më e artë, kurorë të cilën e mban vetem koka e trimit. Por për ne trimëria është e vështirë…

Ne nuk mundim të falim. Nuk dimë. Me falë do të thotë me u ngritë lart te zoti e i zoti se vetëm i zoti e zoti falin. Jo, ne nuk falim por ne e duam viktimën si zagari lepurin për me e zhagmitë derisa të na e heqë nga dhëmbët i zoti i frikës të cilit i përulemi me nënshtrim. Edhe kur e falim dikë, qoftë edhe me heshtje, ne përsëri nuk i bëjmë dot ballë tundimit të mburrjes dhe ia përmendim tjetrit, i themi të kam falë unë… Ia kujtojmë tjetrit dhe kështu shembet kalaja e madhështisë, kalaja e rreme prej rëre e madhështisë sonë të shtirur.

Ne kemi frikë nga falja, frikë nga madhështia se jemi të vegjël. Kemi frikë të jemi të mëdhej e fisnikë, nuk e mbajmë dot veshur kostumin e fisnikut.

Kemi frikë nga pendesa. Nuk e krijuam dot institucionin e pendesës, nuk e mbajtëm në kembë, ndonëse nuk kemi pak shembuj madhështorë pendese e fisnikërimi. Ne duket jemi gjallë e mbijetojmë vetem mbi samarin e urrejtjes ndaj tjetrit. Kjo e gjitha nga frika.

Nuk di ta shtjelloj e nuk e marr përsipër, por më ka mbetë në mendje një fjalë e Izetit një nga këto ditë, kur më tha se kisha në Vatikan është e Shën Pjetrit, si institucioni madhështor i ndjesës e pendesës… Ndoshta  kështu  ka  qenë  jetë  e  mot,  ndoshta  mos pranimi i tjetrit ka qenë mënyrë jetese, ndoshta pranimi i  varfërisë,  pranimi  i  pamundësisë  për  ta  mundur, refuzuar, shmangur apo hequr e zhdukur varfërinë,

ka qenë mënyrë jetese, mënyrë të menduari, sjellje, ndoshta pajtimi me varfërinë ka qenë arritja e paqes apo ka qenë gjë e vogël në raport me humbjen e lirisë dhe kërcënimin për humbjen e lirisë.

Pushteti i vrazhdë i varfërisë ka kondicionuar gjithë mënyrën e sjelljes e të jetesës, ka prodhuar skllevër, të bindur, ka shtesuar në thellësi të njeriut mëri e mllef të pafund, mëri e mllef që vdiste ngadalë sidomos në vitet e pushtetit të frikës në komunizëm e diktaturë. Socializmi ndërtoi në ne dikënd tjetër, atë njeriun e ri që nuk kemi dashur ta kuptojmë e ta shohin në ne, brenda nesh, në jetën tonë, në sjelljen tonë, në mënyrën tonë të jetesës, ndërtoi në ne një individ tjetër të panjohur, një individ të cilit i rridhte në vena jo gjak por urrjetje për tjetrin, mos pranim të tjetrit.

Socializmi u bë serë e mrekullueshme për gjithë veset tona, i kultivoi me dashuri veset më të shëmtuara. Dhe të keqen më të shëmtuar që rrëzon çdo kala socializmi e mbolli në familje, në fis, aty ku ka qenë dhe është synuar të mbahet nën fre. Ne duke i mbajtur fshehur veset ata janë bërë vatra të pashërueshme tumorresh që na asgjësojnë me shpejtësi nëse i prekim apo synojmë t’i shërojmë pjesërisht…

Njeriu i ri i socializmit i përfeksionoi të kqiat brenda rrethit familjar se brenda rrethit familjar njerzit ia dinë njëri – tjetrit të mirat e të ligat dhe e mbajnë peng njëri – tjetrin për tradhëtitë, hajnitë, ligësitë, vogëlsitë që pjellin mëri deri në vrasje të njeriut të afërt.

Të gjithë, kudo, gjithë kohës, nëpër mbledhje, në kafe, në familje, në shëtitje flasim për të tjerët, për tjetrin, ankohemi për të tjerët për tjetrin, zbulojmë e nëse nuk ka, shpikim të paqena e të pathëna për tjetrin, e bëjmë pis me çdo kusht tjetrin, nuk lejojmë as pranojmë që dikush tjetër të jetë mbi ne, më i mirë se ne, më i vitytshëm se ne.

Pothuaj të gjithë, gjithë kohën, kudo në çdo dy fjalë që nxjerrim merremi me të shkuarën, vetëm me të shkuarën dhe të bëhet se ne nuk kemi të sotme dhe as do të kemi kurrë të ardhme. Ne nuk dimë të flasim për të ardhmen.

Më krijohet përshtypja shpesh se edhe të dashuruarit, të fejuarit, më shumë merren me të shkuarën e tyre se me të ardhmen, me krijimin e të ardhmes, me projektimin e saj.

A kemi të ardhme ne si shoqëri, si individë? Ku e kemi atë të ardhme? Ku e gjejmë, ku e shohim? A kemi të ardhme këtu në atdhe apo do të endemi nëpër shkretirat e harrimit e humbjes sa të shuhemi edhe më shumë se jemi shuar e zvogëluar si komb?

Kultura  e varfërisë duket solli nënshtrimin, mosrea- gimin. Frika nga burgu, nga biografia solli nënshtrimin, poshtrimin. Pamundësia për rrugë e zgjidhje më të mirë solli nënshtrimin dhe e bëri kulturë.

Nëse dikush donte ta prishte këtë rregull, këtë mënyrë jetesë, do të urrehej. Edhe ti je urrye shumë Havzi. Se dole e u shfaqe si përjashtim, si shembull që nuk duhej të ishte se ti po zgjoje atë që nuk lejohej, po zgjoje kundërshtimin ndaj regjimit komunist.

Nuk e di Havzi, por vazhdojmë të kemi shumë përbuzje, urrejtje mes nesh, shumë përgojime. Nuk durohet i dobëti, i bihet me shqelm të dobëtit, kjo është mënyrë sjellje. Përbuzet i pamunduri, i pafuqishmi, i vobekti, sakati. Nuk ka solodaritet me të pamundurin, por ka solidaritet me partinë, me shtetin, shteti ka të drejtë, partia ka të drejtë, i forti ka të drejtë…

Duam ta kemi shok e mik të fortin, nuk duam as kërkojmë të kemi mik të drejtin, por të fortin, cubin, atë që ia hedh shtetit, atë që ua hedh të tjerëve, atë që vjedh e nuk e kapin dot (ani se mbase ai që vjedh vjedh me leje që të tregojë të tjerët që vjedhin siç ndodhte në koperativë…).

Edhe pse fëmijët e diktaturës dhe fundit të diktaturës janë bërë 30 vjeçarë, edhe ata nuk i kanë shpëtuar urrjetjes, mënyrës së sjelljes me urrjetje ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit por edhe ndaj të ngjashmit. Urrejtje ndaj të tuve, ndaj njerzve të afërt, zili e pashoqe për njerzit më të afërt, padurim i suksesit të njerzve të afërt. Servilizëm deri në neveri ndaj të fortëve, ndaj pushtetarëve. Më shumë se servilizëm i ndyrë.

Kultura e përçarjes, e thënë me fjalë të mëdha Havzi, ajo teoria përça e sundo, është prezente ndër ne, në mesin tonë, në fisin tonë, në familjen tonë. Tani në këto kohë që Shqipërinë e qeveris rilindja, tri dekada pas regjimit komunist, edhe popullin e ka ndarë dy pjesësh, progresist e regresist, socialist e jo socialist, rilindas e jo rilindas, popull që jeton jeten e rreme që ofron rilindja në televizion dhe popull që zvarritet në realitet dhe nga mungesa e shpresës të gjithë kërkojnë të ikin nga atdheu, e sidomos të shkolluarit, gjë që s’ka ndodhë më parë…

Nuk  arritëm  kurrë    dënojmë  vesin,  as  ti  ngreme kult virtytit. Bëjmë gjithë të zezat dhe i fshehim. Nuk i dënojmë se nuk duam ta marrin vesh kojshitë për të zezat tonë.

Ne u mesuam që për ne duhet të reagojnë të tjerët, duhet të reagojë partia, rinia, fronti, bashkimet profesionale... Ne u mësuam që të tjerët të na i bëjnë të gjitha, ne vetem të jemi skllevër që mundësisht të duatrokasim për ata që janë në tribuna.

Ne nuk duhet të jemi të aftë të vetmbrohemi, të vetreagojmë, ti dalim zot vetes. Por duhet të jemi të zotët të durojmë, të durojmë edhe pa bukë, edhe me bukë me sheqer, edhe me bukë të mykur misri. Ne nuk na njihet as na lejohet vetmbrojta, reagimi për veten pasi partia na ka mësuar, e ne jemi mësuar tashmë se partia i di punët tona edhe fatin tonë, ne vetem duhet t’ia puthim dorën udhëheqësit.

A beson Havzi se edhe në vitin 2019 viktima popull ia puth dorën udhëheqësit. Një grua, një nënë që lind e rrit jetën, ia puth dorën udhëheqësit, ia përkëdhel dorën udhëheqësit sikur ajo dorë është hajmalia e mrekullisë, sikur ajo dorë është shërimi, kamja, siguria, jeta… Sa shumë frikë kam Havzi nga ky nënshtrim popullor ndaj udhëheqësit…

Ne nuk duhet ta kemi aftësinë të kuptojmë se deri ku na ka shkuar thika në kockë, ne duhet të mos e besojmë se na ka shkuar thika në palcë, ne nuk duhet t’i besojmë dhimbjes  që na dhemb, por duhet të mësohemi të durojmë e ta harrojmë dhimbjen, të mos na duket e vertetë ajo ose të na duket se i dhemb dikujt tjetër e jo ne, apo duhet ta durojë dikush tjetër dhimbjen tonë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora