Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sejdi Berisha: Në krahët e fluturës së bardhë

| E hene, 19.10.2020, 08:26 PM |


Sejdi BERISHA:

NË KRAHËT E FLUTURËS SË BARDHË...

(Ose, baladë për pelegrinazhin e zemrës time)

1.

Zemrën po e lë në dritare

Le ta rrahin erërat dhe acari

Zogjtë ta ledhatojnë me cicërimat e tyre

Lulet e pranverës ta mbështjellin me aromë

2.

Po po

Zemrën po e lë në dritare

Kush të dojë le ta merr

Por mos harroni

Njëherë ta dërgoni

Te shtëpia e vjetër e babait

Edhe tek vendlindja ime

Nëse e dini ku është ajo

3.

Shëtiteni pak

Në tokën e etur e të ndrydhur

Kam dëshirë ta dërgoni edhe në Shkodër

Se atje ka shumë dashuri

Mos harroni

Edhe në Pukë ta qoni

Migjenin ta takojë me kollën e tij

Edhe në kalanë e Ali Pashë Tepelenës

Atje vendoseni

Le të vështrojë çfarë të dojë

Por mos e harroni

Edhe Kalanë e Lëkurësit te Saranda

4.

Mos e leni të pushojë

Por mos ia detyroni as vajin

Se është e ndjeshme dhe e mbushur vrer

Për këngën e ndrydhur të njeriut

Për kuptimin e pastër të lirisë

Mos e lejoni as të flasë

Se ajo di shumë gjëra e plagët e djegin

5.

Në Elbasan atje të Shkolla Normale

Dërgojeni zemrën time

Vetëm ditarët dhe emrat e nxënësve

Lëreni t’i shikojë

Se ndoshta

Zë vend më mirë pesha e këtij tempulli

Shëtiteni edhe në Pogradec

E në Korçë shpijeni tek ajo shkolla e parë

Se do ta trimëroni për ecjen e njeriut

Por, mos dëshpëroni

Më atë se çfarë është arritur deri me sot

6.

Zemrës sime

Mos i tregoni se njeriu nuk e do njeriun

Do çmendet ngase të gjitha i di

I ka si në shuplakë dore

7.

Te qyteti i Manastirit

Shëtiteni gjatë e gjatë

Dërgojeni edhe tek ato hapësirat

Ku zuri rrënjë alfabeti i gjuhës

Por edhe këtu mos i tregoni

Për plasaritjet e mendjes as të shpirtit

Që kanë ndodhur e po ndodhin

Se barrikadë i dalin shumë mangësi

Jo vetëm për shkrime e krijimtari

8.

Pastaj

Shëtiteni nëpër ato vende deri në Shkup

Por kujdes se edhe aty

Ia shtoni e ia lëndoni plagët

Dhembjet dhe padrejtësitë

9.

Zemrës sime

Në Shkup ia mundësoni

Vetë të shëtisë

Se edhe tash mund të mësojë shumë gjëra

10.

Zemrën time

Kthejeni edhe në Kaçanik

Por ruajeni se trembet nga ardhmëria

Mirë e di ajo zemërimin e Grykës së Kaçanikut

Pastaj

Ngjituni tokës së vjetër deri në Prishtinë

Aty jepini liri të gjendet vetë

Në tërë atë mal

Me shumë gjemba e me pak lule

11.

Pastaj merreni

Dhe sertshëm dërgojeni tek Stacioni i trenit

Ajo vetë hipë në binarë

Dhe do niset për tek minatorët

12.

Atje në Mitrovicë

Lëreni të pedatet me ndrydhjet e atyre njerëzve

Edhe me trimërinë e Azem Galicës

Edhe me të atij me xhamadan të kuq

E me tirq të zi, Isa Boletinit

Nëse e kërkon edhe Shaban Polluzhën

Mundësojani pak minuta

Të çmallet me rrëfimet e tij

13.

Po po

Zemrën time dërgojeni edhe në Prekaz

Por mos i tregoni për Adem Jasharin

As për familjen e tij

E di ajo vetë

Por edhe nëse plasë si korra e kripës

Shëtiteni nëpër çdo pëllëmbë toke

Se aty bima zhvillohet

Edhe nëse mbrapshtë mbillet

Le të flasë me të gjithë

Edhe me vetveten po se po...

14.

Kur vjen koha ta ktheni për në Pejën time

Lëreni të përplaset me Reçakun, Izbicën

Me Lybeniqin, Çyshkun, Mejën

Edhe me shumë vende të tjera

Edhe pse damarët do t’i rrahin idhshëm

Kurse mendjen e lë

Si problem të pazgjidhur matematike

15.

Zemrën time

Kur ta sillni sërish në Pejë

E qoni tek ai Blini im buzë Lumëbardhit

Aty, le të qajë të këndoj e le të plasë

Se kështu e shprushë jetën time

E sheh edhe Grykën e Rugovës

Do të përmallet për ujin

I cili kohërat i bartë kush e di se ku

Por keni kujdes se ka për t’iu detyruar

T’i shpjegoni për ushtimën e Lumëbardhit

Edhe për atë se pse ai bashkohet

Me Drinin e Bardhë

E Drini i Bardhë pse e përqafon Drinin e Zi

Dhe bashkë i përshkojnë

Tokat fushat e malet

E pastaj ia hijeshojnë madhështinë

Detit i cili flet e nuk flet

16.

Por, zemrës sime

Shpjegojani injorancën që ka njeriu

Që nuk kupton dhe as mendjen se vret...

17.

Zemrën time

Dërgojeni edhe nën atë lisin shekullor

Ku i përjetova drithërimat e para të dashurisë

Dhe prej atëherë dashuria

U bë etje dhe ëndërr e jetës sime

18.

Mos harroni që zemrën time

Ta dërgoni edhe atje në Kalabri

Për asgjë tjetër

Por vetëm ta dëgjojë këngën

“Moj e bukura, moreee...”

19.

Kam dëshirë ta dërgoni edhe deri në Brazil

Tek varri i të dashurës së Serembës

Edhe tek varri i Nolit

E dikur edhe në Shqipëri

Tek varri i eshtrave të Faik Konicës

Te varret e Abdyl, Naim e Sami Frashërit

E dini vetë pse...

20.

Zemrës sime bëjani qejfin

Dërgojeni në Prizren te Lidhja e Prizrenit

Le të ngopet me historinë dhe bukuritë e qytetit

Le të zemërohet me Kalanë

Si defter kurrë i pa shfletuar deri në fund

E te Kulla e Haxhi Zekës në Pejë

Vetë kalldrëmi do t’ia shpjegojë

E do t’ia hapi zemrën e Lidhjes së Pejës

21.

Ka edhe shumë e shumë për të rrugëtuar

Por emrat e Lezhës, të Skënderbeut

Të Hasan Prishtinës e të tjerëve

I futni në një zarf dhe e mbyllni

E i ruani mirë e mirë

Se zemra ime di shumë e shumë

Për madhështinë e tyre

Për zemërplasjen e tyre...

22.

Më ra ndërmend

Zemrën time

Dërgojeni edhe deri tek shkolla fillore

Aty ku nisa t’i radhis

Gëzimet hidhërimet dhe ëndrrat

Me një janxhik me opinga dhe rroba zhguni

Kaloni edhe deri tek gjimnazi

I vrulleve dhe i rebelimit të rinisë sime

Kthejeni zemrën time deri në Prishtinë

Aty tek Fakulteti Filozofik

Por mos e lëni shumë

Se me shekuj ngelet aty

Për studimet e mia

Botën duke e mallkuar

23.

Eh, tash

Zemrën time

Ma ktheni sërish në dritare ku ishte

Zogjtë le ta madhështojnë me këngën e tyre

Ajo do t’i çmend me lotët e mi

Me qëndresën e pathyer e plot mllef

24.

E kur të bie terri

Lëreni të fli në dritare

Se në mëngjes gjethet e vjeshtës

Dynjanë do ta këshillojnë

Për gjërat që e kanë plasë e përplasë

Zemrën time që herët ua kam falë

25.

Por diku herët para agut

Një flutur e bardhë

Do të bie mbi zemrën time

Duke rrahur krahët

Si për rrugëtim të gjatë

E unë do ta lusë

Ta merr zemrën time

Le ta hedh në ujë të Lumëbardhit

Ndoshta botën do ta përshkojë

Tokën do ta urtësojë

Me farën tjetër të lumturisë

25.

Flutura e bardhë

Që gjithmonë e adhuroj

Mbi krahët e saj vuri zemrën time

Dhe nuk di se kah iku

Unë ngela duke i shtrënguar tëmthat

Askujt nuk arrita t’i them:

Mua tash më ktheni tek libri im

“Njeriu ‘pa’ vendlindje”...

Se brenda saj është në ujëvarë

Me ujin e saj që kurrë nuk shteron

Përherë buzët i njomi e shpirtin e freskoj

(©S. B.)

(E diel, 18 tetor 2020)