E marte, 19.03.2024, 11:42 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX

E diele, 18.10.2020, 05:45 PM


Komitët shqiptarë në foto dhe dëshmi të panjohura të fillimshekullit XX

Nga Elvi Sidheri

Kur flasim për komitët, përgjithësisht njeriu i parë që na vjen në mendje është patjetër Çerçiz Topulli, ose Mihal Grameno, jo rastësisht fundja, meqënëse të dy kolosët e lirisë së trojeve shqiptare, patën luftuar së bashku në të njëjtën çetë komite shqiptare.

Gjithashtu në mendje na vjen vetvetiu Themistokli Gërmenji, fuqia shtytëse dhe njeriu më i vyer për shpalljen e Republikës së Korçës.

Ndërkohë, përfytyrimin tonë lidhur me pamjen e komitëve shqiptarë të fillimshekullit XX, përpara dhe gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore, mund ta ushqejmë gjithashtu me dëshmi të mbetura dhe të ruajtura në arkivat e fqinjëve tanë, falë punës së palodhur të gjenive të fotografisë, si Vëllezërit Manaki nga Manastiri, në fotot e të cilëve ruhen të përjetësuara edhe çehret dhe fytyrat e plot shqiptarëve.

Në këtë shkrim, do të ofrohen pikërisht, ndër të tjera, fotot e epokës në fjalë, kur do të përcaktoheshin fatet e popujve të Ballkanit, përmes disa fotografive të shkrepura nga Vëllezërit Manaki, (Milton dhe Janaq, me origjinë nga fshati i madh Avdella, në Greqinë e sotme), ku paraqiten disa çeta të ndryshme komite të cilësuara si “bullgare”, dhe ku jepen kryesisht emrat e prijësve të tyre, përherë në sfond ndërkaq një pjesë e theksuar e komitëve përkatës, mbajnë në kokat e tyre qeleshen shqiptare.

Çeta Nikola Lefterov me dy komitë me qeleshe

Çetat në fjalë janë: Çeta e Nikola Lefterov; Çeta e Angel Sekulov nga Manastiri; Çeta e Nikola Dosev nga Zagoriçani; dhe gjithashtu Çeta e Alekso Stefanov nga Demir Hisari.

Ka një veçori madhore në këto foto origjinale të Vëllezërve Manaki, që na kanë lënë trashëgimi të paçmueshme nga periudha kur aparatet e tyre fotografike dhe xhirimet e tyre të para, i patën dorëzuar historisë ngjarjet, njerëzit dhe pamjet e banorëve të trevave të tyre, pak a shumë rajonit të Maqedonisë (jo shtetit të sotëm, por krejt rajoni në fjalë, që përfshin troje nga katër shtete, Maqedoninë e Veriut, Greqinë, Shqipërinë dhe Bullgarinë).

Janë këta komitë krejtësisht të panjohur, që mbase të tillë do të vijojnë të mbeten sa u përket emrave dhe mbiemrave të tyre, po që gjithsesi mund të cilësohen si shqiptarë nga qeleshet që kanë krenarisht në kryet e tyre.

Në një shkrim timin të mëparshëm, kam arritur të përcaktoj nga dëshmi të bashkëkohësve të asaj periudhe, se njëri ndër komitët më të shquar të çetës së revolucionarit më të njohur bullgar/maqedonas të zonës së Maqedonisë, Goce Dellçev, pati qenë pa asnjë dyshim shqiptar, i mbiquajtur si Evstati Arnautçeto (shqiptari), dhe i rënë në betejë bashkë me të, duke folur në gjuhën shqipe.

Temën në fjalë mund ta zgjerojmë edhe më tutje,  drejtpërdrejt të ilustruar me fakte nëpërmjet një fotografie historike të Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos.

Në këtë foto, akoma tërësisht të pasqaruar lidhur me komitët e tjerë të pranishëm në pozën epike në fjalë, sipas burimeve bullgare të kohës, në pjesën e përparme, anash Çerçiz Topullit që ndodhet midis tyre, gjenden Ivan Zllatarev dhe Sterjo Sterjovski.

Prania e tyre në këtë fotografi me vlera madhore historike, dëshmon diçka që burimet e kohës e tregojnë qartësisht, domethënë bashkëpunimin e shpeshtë jo vetëm në nivel të organizuar mes patriotëve shqiptarë dhe atyre bullgarë, në luftë kundër armiqve të njëjtë, serbëve, andartëve dhe turqve, por edhe në mënyrë krejt të natyrshme.

Gjithmonë burimet e periudhës tregojnë se çeta e Mihal Gramenos dhe Çerçiz Topullit do të krijohet në Sofje, kryeqytetin e Bullgarisë, ndërsa sipas dokumenteve osmane të kohës, çeta e Çerçizit përshkruhet si më e rëndësishmja syresh e luftëtarëve shqiptarë për liri, e përbërë nga më tepër se pesëdhjetë anëtarë, ku merrnin pjesë gjithashtu bullgarët.

Bie në sy fakti që këta bullgarë që janë pjesë e çetës së Çerçiz Topullit dhe Mihal Gramenos, nuk cilësohen si ithtarë të VMRO-së që lufton për lirinë e bullgarëve të trevave të Maqedonisë, por theksohet se këta bullgarë janë bashkuar me Çerçizin për të luftuar kundër andartëve.

Si dëshmi e mëtejshme në këtë këndvështrim, na shërbejnë edhe fjalët e Njazi Bej Resnjes, protagonistit të Revolucionit Xhon Turk në vitin 1908, i cili pohon se Çerçiz Topulli pati arritur që në rajonin e Ohrit të bashkonte çetat toske shqiptare dhe çetat bullgare nën udhëheqjen e tij, dhe me këta luftëtarë do ta ndihmojë Njaziun në pushtimin e garnizonit osman të Resnjes.

Dihet gjithashtu që çeta e Çerçizit njëherësh kish bashkëpunim të ngushtë me revolucionarët bullgaro-maqedonas edhe në trevat midis Liqenit të Prespës dhe qytetit e Liqenit të Kosturit, të bashkuar nga armiqësia ndaj andartëve dhe turqve.

Nga komitët bullgarë të pranishëm në fotografinë në fjalë, anash Çerçiz Topullit, Ivan Zllatarev, lind në Ohër dhe mbas kryengritjes së Ditës së Shën Ilias (Ilindenit) e shumë betejash, me fundin e Luftës së Parë Botërore, do të vendoset pikërisht në Korçë, bashkë me bashkëqytetarin e tij nga Ohri, Dhimitër Buzhba (Buzhbov), ku do të vijojnë veprimtarinë kundër pushtuesit serb në Maqedoni, ndërsa Buzhba do të ketë një rrojtore të tijën në Tiranë më vonë.

Sterjo Sterjovski, lind në fshatin Smërdesh nga një familje vllehe, fare pranë Kapshticës në kufirin mes Greqisë dhe Shqipërisë, dhe pas shumë përballjeve luftarake me turqit, do të vritet nga andartët në Prespë në vitin 1905.

Gjithashtu edhe patrioti tjetër i madh korçar, Themistokli Gërmenji kish pasur disa bashkëpunime me çetat komite bullgare kundër armiqve të përbashkët, si në rastin e komitit të njohur bullgar nga Kosineci i Kosturit, Deljo Markovski, i cili do të punojë për afrimin e luftëtarëve bullgarë të VMRO-së me luftëtarët shqiptarë, të udhëhequr nga Çerçiz Topulli, Mihal Grameno, Themistokli Gërmenji, Adem Beu dhe Thanas Nastoplisi.

Një tjetër patriot bullgar/maqedonas, Milan Matov nga Struga, do të jetë po ashtu ngushtësisht i lidhur me shqiptarët, siç tregohet në kujtimet e shkruara me dorën e tij, të periudhës së Kryengritjes së Dibrës dhe Ohrit (7-20 shtator 1913), ku shqiptarët dhe bullgarët do të ngrinin krye kundër pushtuesit serb, nga Dibra në Ohër, gjersa kjo lëvizje çlirimtare do të mbytej në gjak dhe masakra nga rreth 100 mijë ushtarë serbë.

Në këto kujtime, ai përshkruan hollësisht kalimin në Shqipëri nga Rrajca, dhe qëndrimin në Elbasan ku duke bujtur te miku i tij, shqiptari nga Ohri, Irfan Beu, do të takohet me Lef Nosin, Grigor Cilkën, shqiptar nga Manastiri, dhe plot patriotë të tjerë shqiptarë, derisa me Besa-Besën e shqiptarëve, niset drejt Maqedonisë nën pushtimin serb, ku do të shpërthejë kryengritja, dhe ku shqiptarët i prin Sefedin Pustina nga Dibra.

Një nga udhëheqësit bullgarë të kësaj kryengritje, më i respektuari nga luftëtarët shqiptarë ndërkaq, është Petar Çaulev nga Ohri, me shumë gjasa i biri i një shqiptareje, Florës, nga zonat e sotme kufitare midis Shqipërisë dhe Maqedonisë, i cili disa herë do të gjendet në Shqipëri gjatë viteve të Luftërave Ballkanike, Luftës së Parë Botërore, por edhe në vitet 1920, e që gjithashtu boton në vitin 1924 në Stamboll, një libër me titullin “Shqipëria” (???????).

Qëllimi i këtij shkrimi, pikërisht përmes fotografive origjinale të epokës që përfshin këto ngjarje dhe këto personazhe, dhe nëpërmjet përshkrimit të veprimtarisë patriotike të udhëheqësve të shquar shqiptarë e bullgarë të lëvizjeve luftarake kundër turqve, serbëve dhe andartëve, është ndriçimi i një periudhe që përkundër trajtave mitike, në disa aspekte mbetet akoma e pazbardhur, duke mundur tashmë t’u japim vlerësimin e merituar, me pamje dhe dëshmi të mirëfillta, këtyre burrave trima që luftuan për liri.

Historia nuk harrohet kur ajo dëshmohet.

Alekso Stefanov me komitët e tij të gjithë me qeleshe

Çeta e Alekso Stefanov nga Demir Hisari, gjithë komitët me qeleshe

Çeta e Angel Sekulov nga Manastiri, tre komitë me qeleshe

Komiteti tosk në Manastir

Milan Matov, i pari lart majtas, me qeleshe të bardhë, bashkë me komitë bullgarë

Nikola Dosev nga Zagoriçani, me dy komitë me qeleshe



(Vota: 15 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora