E enjte, 26.11.2020, 01:20 AM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Shtëpia që e sfidojë inteligjencën në Prishtinë

E diele, 18.10.2020, 03:25 PM


Shtëpia që e sfidojë inteligjencën në Prishtinë

Nga Qazim Namani

Trashëgimia kulturore dhe menaxhimi jo profesional i kësaj fushe

Ka vite që kjo shtëpi e vjetër, e cila ndodhet në qendër të Prishtinës, është rrethuar me skele, kinse qenka një objekt banimi, që paska vlera monumentale e historike!

Kjo shtëpi çdo ditë është në sy të qytetarëve, institucioneve akademike dhe institucioneve qendrore shtetërore. Pranë kësaj shtëpie kalojnë çdo ditë njerëz më ndikim në politikën e shtet formimit të Kosovës, dhe askush nuk pyet përse kjo shtëpi është rrethuar me skele!

Distanca në mes të kësaj shtëpie dhe Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës, por edhe të objektit të Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës është më pak se 200 m.

Në ministrinë e Kulturës, përveç Departamentit për Trashëgimi Kulturore, është i themeluar edhe Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. Në kuadër të Parlamentit të Kosovës ka vite që vepron edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore. Në Prishtinë e ka selinë  Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës dhe Qendra për Trashëgimi Kulturore në Komunën e Prishtinës. Përveç këtyre institucioneve përkatëse, Ministria e Kulturës, angazhon staf akademik shtesë në emër të këshillave drejtues të institucioneve vartëse të saj! Në Prishtinë është Universiteti Publik Hasan Prishtina,  Universiteti UBT dhe AAB, në të cilat ligjërohet Lënda e Konservimit dhe Restaurimit të Trashëgimisë Kulturore. Këtë shtëpi e shohin qytetarë, qeveritar, student dhe profesor që e ligjërojnë këtë lëndë.

-Përse kemi Këshill për Trashëgimi Kulturore, kur kemi Departament, Institute e Qendra për Trashëgimi Kulturore?

-Përse kemi Inspektorat kur kemi Institucione? Franca në fillim të shekullit XIX, e kishte punësuar një inspektor për ruajtjen e objekteve të vjetra, por në atë kohë ende nuk kishte doktrinë të qartë për monumente kulturore. Sot çdo problem rreth monumenteve është studiuar, janë krijuar ligje e konventa, institucione ndërkombëtare, andaj çdo i punësuar në fushën e trashëgimisë duhet ti dijë, dhe duhet ta luaj rolin e inspektorit.

- Çka është Instituti për ne! Përse themelojmë këshilla drejtues në Institute, duke zgjedhur profesor nga universiteti me njohuri të pakta nga fusha e trashëgimisë kulturore, e të cilët për mëditje i marrin përgjegjësitë për keq menaxhim, dhe e bëjnë të pamundur zhvillimin e instituteve! Përse anashkalohen ekspertët në institute. Përse nuk punësojmë ekspert, por familjar e militant partiak në institute, kur kishim rekomandime edhe nga ndërkombëtarë që së paku në Institute ti punësojmë tre doktor shkencash nga fushat përkatëse. Ne nuk dëshiruam që ti plotësojmë këto rekomandime!

Është për tu habitur si askush nuk pyet, përse kjo shtëpi është rrethuar me skele!

Hajt Kosovë he Skelja e Pusit

Si profesionist i kësaj fushe i punësuar në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, po ju tregoj përse qe shtatë vite, kam heshtur deri sot, për këto dukuri dhe lëshime profesionale në monumente të kulturës.

Si ekspert i certifikuar në këtë fushë që në vitin 2011, e kam dhënë provimin e doktoratës për Konservim dhe Restaurim të Monumenteve të Kulturës, dhe jam i vetmi nga të punësuarit në MKRS, që e kam dhënë këtë provim të shkallës më të lartë universitare.

Në vitin 2010, reagova për objektet e zgjedhura për ti futur në listën e monumenteve të kulturës. Në atë listë ishin futur shumë objekte që se plotësonin asnjë kriter të vetëm, për tu marrë në mbrojtje si monumente të kulturës. Gjatë vitit 2011, 2012, 2013 disa herë reagova lidhur me dëmtimin e monumenteve të kulturës, gjatë procesit të konservimit dhe restaurimit. Ndaj meje për shkak të reagimeve u ndërmorën masa, prej anashkalimit e deri te përgojimet e linçimet e ulëta. Më kohë vendosa që të heshti, sepse nuk ja vlente që të merrem me atë staf teknik, pa kurrfarë njohurish profesionale e shkencore, e të cilët e kanë sjellë trashëgiminë tonë kulturore, në këtë gjendje të mjerueshme, por rasti i kësaj shtëpie po më shtynë të reagoj edhe kësaj here.

-Po cilët ekspert janë ata, që e fustën këtë shtëpi në listën e monumenteve të kulturës!

-Po cilët ishin ata ekspert, qe këtë shtëpi e futen si prioritet që të restaurohet, dhe e rrethuan me skele!

Disa fjalë rreth kësaj shtëpie:

Si fëmijë i rritur në Prishtinë, deri diku i mbajë mend ndërtimet, gjatë viteve shtatëdhjeta e tetëdhjeta, të shekullit XX në këtë lagje. Me qenë se shkollimin e mesëm, e kamë të kryer si teknik i ndërtimtarisë, gjatë viteve shkollore 1975-1979, si gjenerata e fundit me plan programe të vjetra, ishim shumë të lidhur me ndërtimet e reja, që ato vite ndërtoheshin në qytet. Përveç kësaj me plan programin e vjetër, në vitin e dytë dhe të tretë, gjatë pushimeve verore ishim të obliguar, që ta kryejmë praktikën ( Praktikë feriale e quanim në atë kohë), në disa objekte që ndërtoheshin në qytet. Po ashtu shpesh herë, në mënyrë të organizuar i vizitonim edhe objektet. Gjatë atyre viteve u ndërtua Hotel Grandi, Objekti ku ndodhet sot Parlamenti dhe qeveria e Kosovës, Biblioteka Kombëtare, Aneksi i fakultetit filozofik, Lagjja Dardania  dhe shume objekte tjera. Pas mbarimit të shkollës së mesme, mbi gjysma e klasës time, u regjistruam në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Si student i kësaj dege, ne disa shokë të klasës, ishim në shoqëri me shumë student të ndërtimtarisë, e njëri ndër ta ishte edhe Shaban Aliu, student nga Gostivari, e i cili në vitin 1981 banonte në një shtëpi private, pranë kësaj shtëpie, në kompleksin ku është ndërtuar rruga dhe kompleksi banesor te “Qafa”. Ne si kolegë e vizitonim shpesh Shabanin, andaj jo vetëm qytetarët e Prishtinës, por edhe Shabani që jeton dhe punon në qytetin e Gostivarit mund të reagoj dhe të pyes, përse kjo shtëpi është rrethuar me skele. Në këtë rast fitues është vetëm pronari i skeleve. Fol prej Gostivari Shaban, se këtu të gjithë po heshtin!

Në atë lagje, ka pasur shtëpi shumë më të bukura që u rrënuan, se sa kjo që mbeti si e vetme, deri me sot në mes të qytetit.

Në aspektin profesional shtohet pyetja: Çka simbolizon kjo shtëpi sot?

Asgjë tjetër vetëm se tregon se Prishtina, ishte një vendbanim në mesin e shekullit XX! E kujt po i tregojmë këtë, kur për pallatet e Prishtinës, gjejmë shumë burime të rëndësishme mesjetare!

Materiali ndërtimor i kësaj shtëpie, tregon më së miri për kohën e ndërtimit, cilësinë e ndërtimit, gjendjen sociale dhe ekonomike të familjes që jetoi në atë shtëpi, gjatë viteve shtatëdhjeta të shekullit XX. Po ta shikojmë me vëmendje, aty do të shihesh, se objekti është ndërtuar në disa etapa, dhe me materiale të ndryshme. Në këtë shtëpi gjen: Qerpiç të papjekur, të pjekur, blloka të betonit, dritare të zakonshme të asaj kohe, tjegulla tradicionale, Lesonit, stiropor, çatma të mbetura zvarrë, mure me çatma , mure me blloka, mure të qara, mure të mbushura me grafite, qarje vertikale e horizontale, që të lënë përshtypjen se e tërë u ndërtua me materiale të mbledhura në rrënoja, dhe depot e mbeturinave të qytetit! Thuhet se në vitet pesëdhjeta të shekullit XX, rreth kësaj shtëpie jetonin disa familje rome.

A e dinë këta “ekspert” se kjo shtëpi banimi është e një periudhe kur Prishtina, kishte fakultete në gjuhën shqipe, Prishtina e kishte Universitetin, Radio televizionin, dhe të gjitha institucionet tjera arsimore dhe kulturore, që i kishin edhe republikat në ish Jugosllavi.

Monument Kulture:

Pyes: Stafi udhëheqës i kësaj fushe dhe tërë ata ekspert, institucione e inspektorat i trashëgimisë kulturore, që punojnë në MKRS, a e kanë të qartë, dhe a dinë cilat janë kriteret, që një objekt arkitektonik, të vlerësohet si monument kulture në mbrojtje të shtetit. Nëse i dinë pse lejojnë që qytetarët të tallen me ne. Pse i qesin hije të keqe vetes së tyre, dhe së fundi pse e dëmtojnë vendin e vet! Nëse nuk i dinë le të lexojnë pak, e ti mësojnë gjërat elementare për monumentet kulturore dhe historike.

Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, përse u themelua. Nëse është themeluar që të reagoj ndaj dukurive të pa ligjshme, që  cenojnë vlerat dhe autenticitetin e monumentit, ata  edhe mund të thonë, ne nuk jemi përgjegjës për këtë rast.

Në rastin konkret, nuk shihet ndonjë vlerë e vetme monumentale, dhe fajet mund të adresohen në Departamentin e Trashëgimisë Kulturore, dhe në komisionin që e ka propozuar këtë objekt, që të hyjë në listën e monumenteve, dhe në komisioni që e ka shqyrtuar, projektin për konservimin e kësaj shtëpi.

Patjetër se përgjegjësia në këtë rast i bie Departamentit për Trashëgimi Kulturore. Përse ata qe sa vite nuk reaguan për rastin konkret! Mos vallë mendojnë se me këtë objekt, po e ruajnë kulturën e banimit, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX në Prishtinë! Nëse deri me tani nuk e kanë të qartë, se ky objekt nuk ka asnjë vlerë kulturore dhe historike, ata duhet ti mësojnë kriteret bazë për futjen e një objekti arkitektonik në listë për mbrojtje të monumenteve.

Nëse Departamenti për Trashëgimi Kulturore, nuk vepron për ta larguar këtë objekt nga lista e monumenteve, dhe për heqjen e skeleve, përgjegjësia bie mbi Departamentin e Trashëgimisë Kulturore. Po ashtu nëse nuk veprohet por heshtet ndaj këtij rasti, çdo qytetar ka të drejtë që të bëjë padi ndaj MKRS-së, siç shihet avokati është në këtë shtëpi.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Qazim Namani: Rrugët e vjetra që kalonin nëpër Dardani, Ura e Vjetër e Gurit në Vushtrri dhe Familja Vojinović Qazim Namani: Si u detyruan shqiptarët për të ndërruar fenë Qazim Namani: Konservimi i Kështjellës së Artanës gjatë viteve 2015-2017 Qazim Namani: Gjurmë të Xehetarisë në Ulpianë Qazim Namani: Vushtrria vendlindja e çetnikut Živko Gvozdić Qazim Namani: Shqiptari ortodoks nga Prishtina dhe pjesëmarrja e tij në vrasjen e shqiptarëve gjatë viteve 1912-1914 Qazim Namani: Kisha e familjes Boletini nuk është serbe Qazim Namani: Promovimi i trashëgimisë kulturore dhe zhvillimi i turizmit në Kosovë Qazim Namani: Veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në qytetin e Kassovës Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në Gjytetin e Marecit me rrethinë Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike në fshatin Peshter dhe Brus Qazim Namani: Gjurmët arkeologjike dhe historike në rrethinën e Janjevës Qazim Namani: Servia emër rajoni në shërbim dhe jo emër etnie Qazim Namani: Arbërorët dhe udhëtimet e Gjergj Kastriotit nëpër vendbanimet e Artanës Qazim Namani: Politikat ruse për sllavizimin e popullatës shqiptare gjatë viteve 1700-1912/13 Qazim Namani: Kryengritjet shqiptare 1826-1832 nën udhëheqjen e Mustafa Pashë Bushatliut Qazim Namani: Familja Gjinolli dhe sundimi i tyre në qytetin e Vrajës Qazim Namani: Luftërat ballkanike dhe pushtimi i trojeve shqiptare deri në Durrës nga ushtria serbe gjatë vitit 1912 Qazim Namani: Cila është e vërteta për prejardhjen kombëtare të hulumtuesit Atanasije Urosheviqit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora