E shtune, 20.04.2024, 09:32 AM (GMT+1)

Kulturë » Ypi

Edison Ypi: Çmendinë

E enjte, 22.10.2020, 12:20 PM


Çmendinë

Nga Edison Ypi

Trimat, të ndershmit, të urtët, përbuzen.

Frikacakët, kriminelat, injorantët, hajdutët, inkurajohen.

Sa më tepër punë të dobishme të bësh, aq më tepër të urrejnë.

Portalet, gazetat, televizionet, i mban politika, i paguan mafia.

Populli telefonon televizionet çdo mëngjez për kodra pas brigjeve.

Shkrimtarët shkruajnë këllira.

Trashanikët organizojnë evente artistike, letrare, poetike.

Të patalentuarit vërdallosen si hiena që lëpijnë kërrma, si çakaj që hanë ngordhsina.

Mbijetuesat ordinerë që mbahen për artista bëjnë promuovime për të vjellë me fonde të xhvatura.

Për përgjegjësi qytetare, intelektuale, patriotike, nuk bëhet fjalë.

Thonë se duan të hapin dosjet e spiunllëkut. Por këtu spiunat më të ndyrë kanë zënë kryet e vendit dhe quhen "zotëri i nderuar", ndërsa të tjerëve që me spiunllëkun janë më të largët se me infinitin, u shpikin ndërlikime inekzistente.

Programet televizive janë bosh. Pa frymëzim, pa kod, pa stil, janë thjesht rrëfime lineare të asaj që syri sheh, veshi dëgjon, dora prek, hunda nuhat.

Filmat e prodhuara në Shqipëri gjatë diktaturës janë neveritë propagandistike më absurde dhe më qesharake që ka njohur bota, janë këllirat estetike me efekte tragjike mbi shëndetin mendor të atyre që i kanë parë dhe i shohin, janë helmet kulturore dhe sociale më të rrezikëshme prej të cilave shqiptarët mezi shpëtuan. Megjithatë, trutharë të njohur që mbahen dhe i mbajnë për eksperta po thonë se ato filma janë bërë nga regjizorë kollosa dhe janë luajtur nga aktorë vigana, dhe jo vetëm nuk duhen ndaluar, por përkundrazi duhen restauruar.

Konservatorizmi është elitarizëm, seriozitet, elegancë, rafinatecë, stil, vetpërmbajtje. Mirpo teoricienët konservatoristë që na imponohen me një mijë mënyra banditeske janë ca llapaqenë e ca halldupa trashanikë, ca  hajvanë ngrehalucë, ca dallamango e derra të panginjur që mezi presin të shtrohet dreka dhe darka, të kërrcasi tapa, të ngulet piruni, të mbushet luga, të kullufitet pilafi, të ngrihen gotat, të rrëkëllehet rakia, të bëhet selfia.

Liberalizmi është diçka e ndritur, diçka e ndryshme, diçka alternative, që tek dishepujt e vet provokon emocion, ngjall shpresë. Liberalizmi ynë është një errësirë plot me plebej të pështirë ku të nxjerrin sytë hajdutët, një baltovinë ku të helmojnë nëpërkat dhe gjarpërinjtë e bataqeve korruptivë.

Pa folur për muzikën për të vjellë, tekstet e këngëve janë aq pa lidhje sa kur i dëgjon bindesh se ai që ka shpikur Alfabetin ka qënë krimineli më i rrezikshëm që duhej të shkohej në hell i gjallë.

Në këtë çmendinë asnjë premtim nuk mbahet, asnjë afat nuk respektohet, asnjë e vërtetë nuk thuhet.

I vetmi ngushëllim është shpresa e vakët se ndoshta kjo çmendinë nuk do bëhet kasaphanë, pastaj vorrezë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora