Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Bashkim Saliasi: Lamtumirë miku i miqve, i shtrenjti Dr. Nuri Dragoj!

| E shtune, 17.10.2020, 09:57 AM |


NJË JETË KUSHTUAR GAZETARISE, STUDIMEVE HISTORIKE DHE LETËRSISË

Lamtumirë miku i miqve, i shtrenjti Dr. Nuri Dragoj!

Me hidhërim të thellë, sot në mëngjes, më 15 tetor mësova lajmin e kobshëm të ndarjes nga jeta të mikut tim të shtrenjtë Dr. Nuri Dragoj, në faqen e facebookut në lajmërimin e bërë nga Zylyftar Hoxha. Në komentin tim shkrova këto fjalë zemre për mikun e miqve të nderuar të letrësisë dhe të artit Dr. Nuri Dragoj.

Një lajm i hidhur për humbjen e parakohshme të mikut tim të nderuar dhe të  respektuar Dr. Nuri Dragoj. Qoftë dheu i lehtë për shkrimtarin, studjuesin enciklopedist, gazetarin e nderuar z. Dr. Nuri Dragoj.

Ju miku im u larguat nga kjo botë e trazuar fizikisht, por në zemrat dhe mendjet tona do jeni nga hera në kujtesë si njeriu erudit, i penës së hollë dhe të talentuar me plot vlera.

Ju i latë shoqërisë thesare të çmuara me studimet dhe hulumtimet me vlera historike që do iu shërbejnë brezave. Vepra juaj është burim frymzimi për brezat që do vijnë.

I pa harruar kujtimi juaj Dr. Nuri Dragoj. Qofsh i xhenetit. Të rrojnë fëmijët dhe gjithë të dashurit e zemrë!

2. Takimi fundit me shkrimtarin, studjuesin dhe gazetarin Dr. Nuri Dragoj në datën 21 shtator 2020

Një takim mbresëlënës me shkrimtarin Viron Kona dhe me studjuesin Dr. Dragoj te lokal “Vodafoni” më  21shtator 2020.

Një bisedë e përzemërt dhe e këdshme midis miqësh. Dr. Nuri Dragoj më dhuroi dy botimet e tij. Libri me titull "Dhimbje shqiptare", (Skica dhe ngjarje historike), botim i shtypshkronjës “Email”, me redaktor Petrit Bezhani dhe reçesentë Prof. Dr. Bardhosh Gaçe dhe Nuri Plaku, përmban 284 faqe, ku lexuesi do të mësojë:

1).Çështja shqiptare. 2). Historia, 3). Njerëz të shquar dhe kultura.

Librat e tij dhuratë janë një thesar i çmuar me vlera historike dhe kulturore për lexuesit që duan të dinë më shumë për ngjarjet historike të vendit tonë. Libri ndërtohet nga katër kapituj: Kreu parë; Shqipëria nën thundrën e të huajve, Kreu i dytë; Diktatura dhe liria, Kreu i tretë; Identiteti kombëtar; Kreu i katërt; Njerëz që e duan jetën. Lexim të këndshme.

Libri i dytë dhuratë nga Dr. NURI DRAGOJ me titull: “Njerëz të pushkës dhe të penës” botim i shtypshkronjës “Emal” me redaktor Petrit Bezhani ndëtohet nga tre kapituj. Në kapitullin e parë "Gjaku i derdhur lumë ", Kapitulli dytë; Rikthim në histori, Kapitulli tretë; Mes shqiptarëve të Suedisë dhe kapitulli i tretë, Mendime për disa poetë dhe shkrimtarë.

Të dy botimet e Dr. Nuri Dragoj është kënaqësi t`i kesh në bibliotekë dhe, kur ke nevojë të mësosh më shumë për ngjarjet historike, ke se çfarë mëson.

Urime miku im Dr. Nuri Dragoj dhe suksese në punën tuaj krijuese dhe studiuese. Të uroj shëndet dhe qofshi mirë nga hera familjarisht dhe sa më shumë krijime të tjera të bukura letrare artistike dhe studime me vlera historike. RESPEKTE. Bashkim Saliasi Tiranë 30.09.2020

Shkrimtari Viron Kona, studjusi e gazetari Dr. Nuri Dragoj e Bashkim Saliasi te lokal “Vodafoni” më 21 shtator 2020.

Në orët e vona të datës 14 tetor 2020 mbarova së lexuara të dy librat dhuratë të mikut tim të shtrenjtë Dr. Nuri Dragoj dhe sot në mëngjes nisa të shkruaj disa rreshta për vlerat e supervlerat që i ndjeri ka sjell për lexuesin, studime me vlera historike për kohën dhe të ardhmen. Vlerësime me vlerë të studimit të autorit Bardhosh Gaçe etj.

Por kjo do mbetet për një herë tjetër.

3. Si u njoha me të ndjerin Dr. Nuri Dragoj?

Me shkrimtarin, studjuesin e gazetarin e talentuar më njohu miku ynë i përbashkët shkrimtari Viron Kona. Që në njohjen e parë u bëm miq të mirë dhe shpesh herë në takimet tona diskutonim për letërsinë dhe artin. Por në biseda intime më tregonte dhe për rrugëtimin e vështirë që kishte patur për të kryer studimet e mesme dhe ato të larta. Midis nesh kishte pika të përbashkta, që shpesh herë i kujtonim në bisedat tona.

Do të ishte udhëtimi ynë për në rrethin e Tropojës së bashku me miqtë e mi Viron Kona, Dr. Nuri Dragoj, Kadri Tarelli e Bashkim Saliasi në një takim me Shoqatën e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë “Papa Klementi XI Albania”, në Suedi në data 27 korrik 2017, që të njihesha më nga afër me të ndjerin Dr. Nuri Dragoj.

Pasi mbaroi takimi, mori nga makina një dëng me libra për t`ua dhuruar shokve dhe miqve nga Kosova dhe Maqedonia.

Në një moment kur po e ndihmoja për të mbartur librat e tij u kthye nga unë dhe më pyeti:

-Bashkim po ty ti kam dhënë botimet e mia?

-Jo, - iu përgjigja, nuk kemi pasur rast që të rrimë dhe të shkëmbejm libra midis nesh.

Ndau nga tufa e librave botimet me titull “Prapaskenat e koferencës së Londrës”, “Trebeshina një jetë para gjyqit” dhe librin “Sfida e poetit”, kushtuar poetit skraparas Xhevahir Spahiu. Dhe unë në atë moment i dhurova studimin tim “Dobrusha 1700-2010”, “Ne ishim pesë shokë” dhe librin “Pse gjyshi i lexon librat e mi?”

Në vitet e mëvonshme nuk kishte stinë të vitit që nuk takoheshim dhe diskutonim për botimet tona. Nuk vonoi dhe pas njohjes me shkrimet e mia shprehu konsideratat e tij, të cilat u botuan në shumë medja elektronike dhe gazetën “Telegraf”.

Së fundi në kushte pandemia më redaktoi librin time me tregime “Pylli me lisa” duke më inkurajuar se je në rrugë të mbarë. Tregimet tuaja sjellin jetë dhe secili gjen vetveten, nëse ka provuar emigracionin. Së fundi më pyeti: -Bashkim, po ti kur do ma sjellësh librin tënd që të redaktova?

-Në biblotekën tënde kam kënaqësi që të vendosësh, jo vetëm librin që  më ke redaktuar, por dhe dy libra të tjerë, por për momentin nuk mundem t`i çojë për botim. Porsa të shikojnë dritën e botimit do t`i kesh në bibliotekën tënde z Nuri, - ia ktheva.

-Tregimet i ke të bukura,- mbylli bisedën e tij miku im i nderuar Dr. Nuri Dragoj.

Në bibliotekën time ruaj me fanatizëm botimet me vlera historike të të ndjerit Dr. Nuri Dragoj.

Humbja e Dr. Nuri Dragoj, është një fatkeqësi e madhe për fushën e studimeve historike dhe gazetarinë shqiptare.

Ti  Dr. Nuri Dragoj u ndave nga jeta në një mosh të re.

Për kombin tonë, ndarja jote nga jeta është një humbje e madhe sepse u shua një nga penat që  i dha shumë shoqërisë.

Ti  Dr. Nuri Dragoj do të mbetesh në zemrat tona modeli i njeriut modest, që nuk dije të mburreshe, por me thjeshtësinë dhe dashamirësinë që të karakterizonte, i dhe shoqërisë vlera me studimet e tua historike.

I përjetshëm kujtimi i shokut dhe mikut  të shtrenjtë Nuri Dragoj!

Me nderim të thellë,

Bashkim Saliasi

Tiranë. 15 tetor 2020